ATV

Category: Lajme

  • Parakalojnë motoçiklistët në nderim të Epopesë së UÇK

    Parakalojnë motoçiklistët në nderim të Epopesë së UÇK

    Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, motoçiklistë nga klube të ndryshme të vendit kanë organizuar një parakalim në qytetin e Skenderajt, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e dëshmorëve të luftës, raporton EO.

    Ky aktivitet tashmë është bërë tradicional dhe shënon respektin e vazhdueshëm për luftën çlirimtare dhe familjen Jashari, simbolin e qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

    Motoçiklistët, të pajisur me flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së, kaluan nëpër rrugët e Skenderajt, duke u ndalur në Prekaz për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

  • Kryetari i Supremes: Nga informacionet që kam, Pallati i Drejtësisë s’ka pranim teknik- problem me hapësirat

    Kryetari i Supremes: Nga informacionet që kam, Pallati i Drejtësisë s’ka pranim teknik- problem me hapësirat

    Në mbledhjen e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të enjten, si pikë e rendit të ditës ishte diskutimi për vazhdimin e investimeve në gjykata. Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se po punojnë në një objekt, në të cilin nga infomracionet që posedon, nuk ka pranim teknik, duke shtuar se kanë probleme edhe me hapësirat.

    “Me sa e di, Pallati s’ka pas asnjëherë pranim teknik, të paktën e kam këtë informacion, një investim mbi 25 milionë mos me pas pranim teknik dhe afër 2 mijë persona me punu brenda objektit për mu nuk është normale”, tha Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mirëpo, sipas tij, këto kushte të punës nuk duhet ta dekurajojnë stafin e sistemit gjyqësor dhe se duhet të vazhdojnë me punën dhe ofrimin e shërbimeve për palët.

    Po ashtu, Rexhepi shtoi se problem janë edhe hapësirat brenda Pallatit.

    “Ta bëjmë sa më funksional, që të mundësojmë një punë normale brenda Pallatit edhe hapësirat janë problem, menaxhimi problem…”, shtoi Rexhepi.

    Paraprakisht, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Shkelzen Maliqi tha se investimet në sistemin gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2024 për renovim kanë kaluar shifrën mbi 130 mijë euro dhe për inventar mbi 164 mijë euro. Sipas tij, këto shifra janë të vogla në krahasim me nevojat.

    Po ashtu, Maliqi tha se janë bërë dhe po bëhen investime në arkivat e gjykatave dhe në funksionalizimin e objekteve të gjykatave të reja.

    Më pas, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj kërkoi nga kryetarët e gjykatave dhe mbikëqyrësit që t’iu bëhet presion Këshillit dhe Sekretariatit në veçanti për të gjitha problematikat me të cilat ballafaqohen.

    Sipas Zogajt, nuk ka kushte të përshtatshme për palët në gjykatë e monitoruesit, dhe se për këtë duhet angazhim që të përmirësohen këto kushte.

    Më pas, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj tha se gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante, sidomos për sigurinë. Sipas tij, problemet janë të natyrave të ndryshme, duke nisur nga ato më elementare që lidhen me higjienë, dyert e zyrave dhe parkingun.

    Totaj tha se ka raste kur futen palë nëpër zyra të gjyqtarëve, për çka edhe e kanë problem largimin e njëjtëve, duke kërkuar kështu një angazhim që siguria të rritet në Pallatin e Drejtësisë.

    “Gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante, qoftë brenda hapësirave por edhe të aspektit të sigurisë, ku e vërejmë sidomos periudhën e fundit”, tha Totaj.

    Në këtë takim, u diskutua po ashtu për monitorimin që OSBE-ja i bën sistemit gjyqësor. Zyrtarët nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Mark Lasser- shef i Sektorit për Ligj dhe Drejtësi, si dhe Kahramon Sanginov- zyrtar i Projektit për Monitorimin e Rasteve të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionet, prezantuan rolin e programeve të monitorimit të gjyqësorit, si dhe metodologjinë dhe parimet e aplikuara në monitorim.

    Pas prezantimit, kryetari Rexhepi tha se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të shihet se si do të realizohet në të ardhmen.

    Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për hartimin e një akti nga ana e KGJK-së, për të qartësuar përgjegjësitë ndërvepruese të KGJK-së dhe SKGJK-së me gjykatat.

    Agron Maxhuni, mbikqyrës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega Vushtrri, tha se është mëse i nëvojshëm hartimi i një akti të tillë pasi që Këshilli ka miratuar një sërë aktesh dhe se duhet të qartësohen përgjegjësit e administratorit dhe kryetarëve të gjykatave.

    Më pas, u votua rekomandimi që Këshilli të fillojë punën për përpilimin e këtij akti.

    Asambleja caktoi gjykatësin Maxhuni si përfaqësues për ndërveprim me Komisionin për Administrimin e Gjykatave, krejt kjo me qëllim të lehtësimit dhe adresimit të problemeve që ka sistemit gjyqësor me administrimin e gjykatave.

    Po ashtu, në këtë takim u diskutua për fuqizimin e zyrave/shërbimit të ekzekutimit në gjykata (standardizimi i veprimeve, unifikimi i procedurave, si dhe definimi i përgjegjësive).

    Me këtë rast, u nxor rekomandim që Komisioni për Administrimin e Gjykatave të identifikojë problematikat dhe pastaj të fillojë me hartimin e një akti për unifikimin e praktikave pranë gjykatave për ekzekutimin e sanksioneve penale ose edhe civile.

    Paraprakisht, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama tha se është e nevojshme që Komisioni për Administrim të Gjykatave dhe vetë Sekretariati i Këshillit të kenë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë.

    Ajo shtoi se nuk është se kanë pasur takime të shumta me Komisionin dhe kërkoi që të dihen përgjegjësitë e Komisonit.

    “Po kërkojmë me u qartësu përgjegjësia e Sekretariatit dhe Komisionit për Administrim të Gjykatave dhe nuk është se kemi pas takime të shpeshta për ndihmë dhe përgjegjësitë që kanë në raport me përgjegjësitë e gjykatave m’u ba më të njohura përgjegjësitë e Komisionit për Administrimin e Gjykatave”, tha Shabani-Rama.

  • ​Përleshje mes sigurimit dhe qytetarëve para Kuvendit të Beogradit

    ​Përleshje mes sigurimit dhe qytetarëve para Kuvendit të Beogradit

    Ka përfunduar seanca e stuhishme e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Para ndërtesës ka pasur përleshje dhe incidente me sigurimin privat ku ndërhyri edhe policia, ku të paktën pesë aktivistë u arrestuan.

    Që nga mëngjesi herët, asamblistët në sheshin Nikolla Pashiq u pritën me gardhe metalike dhe një numër të madh të personelit të sigurisë. Kur do të fillonte seanca, asamblistët e opozitës dolën para stolit të kryetarit, të cilët mbanin në dorë flamujt e Serbisë dhe vazhdimisht transmetonin dhe këndonin himnin serb. Gjatë asaj kohe asamblistët e qeverisë ishin të ulur. Plani, siç thanë më parë përfaqësuesit e opozitës, ishte të parandalohej puna në kuvendin e qytetit, por të shmangej çdo dhunë dhe ndërhyrje në ndërtesë, raporton N1.

    Asamblistët e mazhorancës e miratuan rendin e ditës, ndërsa ritmet e “Bozhe pravde” bënë jehonë dhe vazhduan punën e tyre, sikur gjithçka ishte në rregull. Më pas ata përfunduan me shpejtësi punën e tyre dhe miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, përcjell KosovaPress.

    Në të njëjtën kohë, një incident ka ndodhur para Kuvendit, ku ka ndodhur një përleshje mes sigurimit privat dhe qytetarëve të grumbulluar. Qytetarët hodhën vezë dhe bojë të kuqe. Më pas policia zëvendësoi sigurimin privat para godinës dhe pasuan arrestime.

  • ​KQZ sot mban mbledhje, kjo pikë do të diskutohet

    ​KQZ sot mban mbledhje, kjo pikë do të diskutohet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot në orën 15:00 do të mbajë mbledhje.

    Njëra nga pikat e rendit të ditës është “Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së”.

    Ndërkohë të mërkurën në mbrëmje ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, raporton KosovaPress.

  • Trump po përgatitet të nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit

    Trump po përgatitet të nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit

    Presidenti amerikan, Donald Trump mund të vendosë këtë javë për të ndërmarrë hapat e parë për të mbyllur Departamentin e Arsimit, pasi ai duket të zvogëlojë në mënyrë dramatike stafin e qeverisë federale.

    Bëhet e ditur se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë përgatitur një urdhër ekzekutiv që udhëzon Sekretaren e Arsimit Linda McMahon të fillojë procesin e “çmontimit” të departamentit.

    Trump mund ta nënshkruante dokumentin që të enjten, por planet ende nuk ishin finalizuar, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

    “Republikani ka sinjalizuar prej kohësh synimin e tij për të mbyllur departamentin, por eliminimi i plotë i tij do të kërkojë që Kongresi të veprojë”, tha McMahon gjatë seancave dëgjimore të konfirmimit në fillim të këtij viti.

    Ndërsa thirrjet për të shfuqizuar Departamentin e Arsimit ose për ta bashkuar atë me një agjenci tjetër federale nuk janë të reja, lëvizja historikisht ka dështuar të marrë mbështetje nga Kongresi.

    Ndryshe, edhe nëse Trump do të ketë sukses në mbylljen e departamentit, është e mundur që disa programe dhe fonde të mund të mbahen dhe të zhvendosen në agjenci të tjera, ku ato ishin vendosur para se të krijohej departamenti në 1979.

  • Zelensky falënderon liderët e BE-së për ‘sinjalin e fortë’ të mbështetjes

    Zelensky falënderon liderët e BE-së për ‘sinjalin e fortë’ të mbështetjes

    Presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky ka falënderuar liderët evropianë për “mbështetjen e fortë” që i kanë treguar Ukrainës që nga fillimi i luftës e deri më tani.

    “Gjatë gjithë kësaj periudhe dhe javën e kaluar ju keni qëndruar me ne”, tha Zelensky teksa arriti në Samitin e Sigurisë të Këshillit Evropian në Bruksel.

    “Ne nuk jemi vetëm, dhe këto nuk janë vetëm fjalë, ne e ndiejmë atë. Ju i dhatë një sinjal të fortë popullit ukrainas”, është shprehur tutje ai.

  • Qeveria e miraton vendimin: TikTok-u mbyllet në Shqipëri

    Qeveria e miraton vendimin: TikTok-u mbyllet në Shqipëri

    Ministrja e Asimit në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi për mbylljen për një vit të platformës TikTok.

    “Kemi zhvilluar konsultime të gjera me prindërit, për sigurinë e fëmijëve në mjedisin digjital dhe efektet që sjellin në gjendjen psiko-emocionale te fëmijët platformat e rrjeteve sociale. Kanë qenë pro mbylljes apo kufizimit për TikTok”.

    Kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për 12 muaj, periudhe që do të na lejojë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok”, tha Manastirliu.

    Ministrja tha se është një vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve dhe sigurinë publike në mjedisin digjital.

  • Shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, kërkohet shtimi i numrit të logopedëve në institucione

    Shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, kërkohet shtimi i numrit të logopedëve në institucione

    Për herë të parë në Kosovë, nga ana e institucioneve shtetërore, po shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim me organizatën “zë”, ku u trajtuan sfidat që kanë logopedët në Kosovë.

    Nga një hulumtim pesë vjeçar i organizatës “Zë”, në vitin 2020 nga 400 logopedë të diplomuar, vetëm 27 prej tyre janë të licencuar, e dy prej tyre të punësuar në QKUK, raporton KosovaPress.

    Drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini tha se falë këtij bashkëpunim, me institucionet përgjegjëse do të mundohen të bëjnë progres dhe të identifikojnë sfidat e logopedëve në Kosovë.

    “Është një fushë e shkencave që merret me studime të diagnostifikimit dhe trajtimit të çrregullimit të komunikimit. Ne, jo vetëm që ngrisim vetëdijen te qytetarët dhe shoqëria, por bëjmë përgjegjës institucionet për të marrë premtime adekuate në këtë fushë. Falë këtij bashkëpunimi, ne së bashku me institucionet përgjegjëse mundohemi të bëjmë progres dhe të identifikojmë sfidat. Më 2024 është nda një buxhet nga ana e qeverisë që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve sociale ku hynë edhe shërbimet për logopedi”, tha Hajredini.

    Ndërsa, drejtori ekzekutiv i organizatës “Zë”, Lekë Gjurgjiali shpalosi hulumtimin e tij pesë vjeçar.

    Sipas tij, në vitin 2021 Klinika e ORL-së ka ofruar vetëm 379 shërbime logopedike, ndërsa organizata tij dyfishin e këtyre shërbimeve.

    “Në vitin 2020 kemi pa që kanë qenë rreth 400 logopedë të diplomuar, shqetësuese ka qenë që prej tyre vetëm 27 kanë qenë të licencuar. Në një hulumtim më të thellë, Prej 27, vetëm 7 prej tyre në edukim të vazhdueshëm me master. Në vitin 2020, Vetëm dy prej tyre kanë punuar në sektor publik, i vetmi vend në sektor publik është QKUK-ja ose Klinika e orl-së. 25 të tjerë kanë qenë në sektorë privat ose joqeveritar. Në kuadër të SHSKUK-se dhe Klinikës së ORL-së janë ofruar vetëm 379 shërbime logopedike. Ne të njëjtën kohë organizata “Zë” i ka ofruar dyfishin e këtyre shërbimeve”, u shpreh ai.

    E Donjeta Kelmendi nga organizata KOMF u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe atyre lokale që të rrisin numrin e logopedëve në institucione.

    “ Kjo si ditë shërben edhe për të avokuar dhe ngritur zërin për të gjitha këto sfida dhe shqetësime për logopedët që hasin në Kosovë por jo vetëm për ta, por edhe fëmijët. Numri i logopedëve në institucione publike është shume i vogël. Ne kemi një mungesë shumë të madhe. E dimë që shërbimet e logopedit janë jetike të cilat ndihmojnë shumë aftësitë e të folurit. Të jetë një thirrje drejtuar institucioneve qeveritare dhe komunave që duhet të investojnë në shërbimin e tyre”, shtoi ajo.

    Shërbimet logopedike, ndihmojnë fëmijët që kanë probleme në të folur dhe në komunikim. /kp

  • Abdixhiku në Kullën e Jasharajve: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

    Abdixhiku në Kullën e Jasharajve: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek Kulla e Jasharajve, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

    Nga Prekazi, Abdixhiku tha se sakrifica e familjes Jashari është vetë liria.

    “Nderojmë të shkuarën, bëjmë të ardhmen! Sot, tek Kulla e Jasharajve, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nderuam sakrificën sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari e nëpërmjet tyre dhe gjithë të rënëve në altarin e lirisë. Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të tonë të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë.

    Qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e tyre atëherë, ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja e tyre sot, si familje, mes brezave të rinj pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë neve në rrugën përpara”, shkruan ai.

  • Shea: Kosova të jetë e përgatitur, Trump mund ta pyes se çfarë favoresh ofron për t’i mbajtur trupat amerikane

    Shea: Kosova të jetë e përgatitur, Trump mund ta pyes se çfarë favoresh ofron për t’i mbajtur trupat amerikane

    Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se Kosova duhet të jetë e përgatitur sa i përket ndonjë zhvillimi të mundshëm sa i përket pranisë së forcave amerikane.

    Shea ka thënë se Kosova duhet të jetë e përgatitur pavarësisht faktit se kontingjenti amerikan në Kosovë është i vogël dhe s’është barrë e madhe financiare për Amerikën, kur krahasohet me kontingjentet në Gjermani apo Poloni.

    Sipas ish-zëdhënësit të NATO-s, Trump mund të pyes Kosovën se çfarë do të japë në këmbim të mbajtjes së trupave në Kosovë.

    “Por, Trump është transaksional dhe ai mund ta pyesë Kosovën se çfarë favoresh mund t’i ofrojë për t’i mbajtur trupat [amerikane] në Kosovë – sidomos në formë të marrëveshjeve biznesore dhe mundësive për investime. Ndaj, jini të përgatitur”, ka thënë Shea për Radio Evropa e Lirë.

    Ai gjithashtu kujton se Trump, në të kaluarën, “është përpjekur ta luajë paqebërësin mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe thotë se trupat amerikane në Kosovë “i japin SHBA-së një levë më të madhe në këtë rol”.