ATV

Category: Lajme

  • EUFOR do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje pas tensioneve mes Qeverisë dhe RS-së

    EUFOR do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje pas tensioneve mes Qeverisë dhe RS-së

    Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

    Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa treguar saktësisht sa.

    “Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.

    “Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.

    EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.

    Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës më 7 mars për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

    Gjykata i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

    Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

    Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

    Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

    Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka hedhur poshtë akuzat, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

    Ndërkohë, BE-ja më 4 mars e dënoi miratimin e një ligji në stilin rus për “agjentët e huaj” nga Republika Sërpska, duke i akuzuar autoritetet e këtij entiteti se po minojnë “rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnje e Hercegovinës”, sipas komenteve të dërguara për Radio Evropa e Lirë (REL).

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e shtoi trysninë të shtunën ndaj Republikës Sërpska, duke i cilësuar veprimet e Dodikut si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    “Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X të shtunën herët.

    Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

    Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

    Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

  • Rubio: Veprimet e Dodikut e kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës

    Rubio: Veprimet e Dodikut e kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka thënë se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

    Ai bëri thirrje për liderët atje që të dialogojnë, ndërsa nga partnerët në rajon kërkoi që ta kundërshtojnë këtë sjellje.

    “Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio.

    Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

    Më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e këtyre ligjeve të entitetit serb.

    Gjykata, Prokuroria e Bosnjës dhe SIPA janë formuar në bazë të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Bosnje dhe Hercegovinës dhe ato ligje janë konfirmuar nga Dhoma shtetërore e Popullit. Për t’u zhbërë, sipas Kushtetutës së shtetit, duhet që votimi i Kuvendit të Bosnje e Hercegovinës.

    Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi ligjet më 27 shkurt, pasi Gjykata e Bosnjës e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit të RS-së për gjashtë vjet.

  • Një parti paraqet tri ankesa në PZAP, KQZ: S’mund të procedojmë me shpalljen e rezultateve para shqyrtimit të tyre

    Një parti paraqet tri ankesa në PZAP, KQZ: S’mund të procedojmë me shpalljen e rezultateve para shqyrtimit të tyre

    Një subjekt politik ka paraqitur tri ankesa në nga Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Prandaj, zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor Qendror, Valmir Elezi, tha se KQZ-së do t’i duhet të presë vendimet e PZAP-së dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme për të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

    “KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, tha ai.

    Procesi i numërimit të votave përfundoi të mërkurën, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.

    Partitë apo kandidatët për deputetë kishin kohë 48 orë kohë për të bërë ankesa në PZAP në lidhje me ndonjë shkelje të supozuar gjatë numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

  • Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, presidentja Osmani uron gratë në uniformë

    Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, presidentja Osmani uron gratë në uniformë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar sot të gjitha gratë që shërbejnë në uniformë dhe kanë përgjegjësi të mëdha për shoqërinë, raporton Ekonomia Online.

    “Me gratë që mbrojnë dhe që shërbejnë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Përkushtimi, profesionalizmi dhe sakrifica e grave police janë shembull frymëzimi për të gjithë ne”, ka thënë Osmani.

    Presidentja ka thënë se uron veçanërisht gratë që mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për shoqërinë tonë.

    “Në këtë ditë, riafirmojmë angazhimin tonë për mbështetjen dhe fuqizimin e grave në çdo sektor, veçanërisht atyre që mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për shoqërinë tonë.  Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë në uniformë të cilat shërbejnë me nder, krenari dhe guxim!”, ka shkruar Osmani.

  • Nis marshi për liri dhe barazi

    Nis marshi për liri dhe barazi

    Me moton “Marshojmë për njana-tjetrën”, Kolektivi “Marshojmë S’Festojmë”, ka filluar marshin tradicional që shënon Ditën e Gruas në sheshi “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

    Dhjetëra gra, në mes tyre edhe disa burra me pankarta në duar kanë filluar ecjen e tyre, duke kërkuar liri dhe barazi për të drejtat e grave.

    “Grua”, “Nata s’ka ispat”, “Jetë”, “Liri”, “Drejtësia e vonuar është padrejtësi”, “Punët e shtëpisë nuk janë punët e grave”, janë mbishkrimet që gratë dhe burrat po mbajnë në duart e tyre, në marshin tradicional.

    Gjithashtu, ata po fishkëllojnë si shenjë për të protestuar për të drejtat e grave. Në sheshin “Zahir Pajaziti” po qëndrojnë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

  • Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit

    Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit

    Filatelia e Postës së Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përmes pullës postare, ka nderuar figurën e veprimtares së shquar për të drejtat e njeriut dhe ish-ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.

    Nekibe Kelmendi (1944–2011) ishte një juriste dhe politikane e përkushtuar, e cila gjithë jetën e saj ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave të njeriut. E njohur si një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtjen e viktimave të dhunës, ajo la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

    Pas luftës, si ministre e Drejtësisë, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke punuar pa u lodhur për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve.

    Në vitin 1999, përjetoi njërën nga tragjeditë më të rënda familjare, kur forcat serbe rrëmbyen dhe ekzekutuan bashkëshortin dhe dy djemtë e saj.

    Megjithatë, ajo e shndërroi dhembjen në forcë, duke vazhduar me përkushtim të palëkundur mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

    Jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit mbeten një frymëzim për brezat e rinj, si një simbol i forcës, guximit dhe përkushtimit për drejtësi.

    “Ky emision përbëhet nga pulla postare me nominale €1.30, si dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërkaq në dispozicion të qytetarëve do të jetë nga sot deri në konsum të plotë”, njofton Posta e Kosovës.

     

  • KFOR-i amerikan hasi në mjete të dyshuara, Policia konfiskon armë dhe municion në Zveçan

    KFOR-i amerikan hasi në mjete të dyshuara, Policia konfiskon armë dhe municion në Zveçan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar armë e municion në fshatin Bansjkë të Zveçanit.

    Në njoftim thuhet se ishte KFOR-i amerikan që kishte hasur në mjete të dyshuara, e më pas policia ka konfiskuar armët dhe municionin.

    “Është raportuar se KFOR-i amerikan në një mulli të vjetër të braktisur kanë hasur në disa mjete të dyshuara. Njësit relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe konfiskuar: uniforma ushtarake, tre gjoksore për mbajtje të armatimit, një palë pantallona, tre jakne, një maicë, tri granata dore, tre karikatorë të zbrazëta, dy shokë bomba, një bombë ndriçuese dhe njëzetë e tetë copë fishekë të armës së gjatë”, bëhet e ditur në njoftim.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti në hetime.

  • Për herë të parë, sot në Kirurgjinë Vaskulare bëhet stentimi i arterieve karotide

    Për herë të parë, sot në Kirurgjinë Vaskulare bëhet stentimi i arterieve karotide

    Sot, në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, për herë të parë do të bëhet stentimi i arterieve karotide.

    Kjo arritje është bërë e mundshme falë bashkëpunimit qe ka Klinika e Kirurgjisë Vaskulare me doktor Dimitrios Nikas nga Universiteti i Janinës në Greqi.

    Mediat mund të marrin pamje nga salla e operacionit në ora 11:30, ndërsa në 14:00 do të ketë deklarim për media.

  • Ngacmoi seksualisht dy djem të mitur, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

    Ngacmoi seksualisht dy djem të mitur, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

    Policia ka arrestuar një person në Ferizaj, pasi i njëjti dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy djem të mitur.

    Rasti ka ndodhur të premten, rreth orës 15:00.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti i ka ngacmuar seksualisht dy viktimat meshkuj kosovarë-të mitur.

    Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajte, rasti nën hetime.

  • “Sanksionet e Trumpit nuk na trembin”, Moska: Do arrijmë qëllimet tona në Ukrainë

    “Sanksionet e Trumpit nuk na trembin”, Moska: Do arrijmë qëllimet tona në Ukrainë

    Rusia i është kundërpërgjigjur kërcënimit të Donald Trump për më shumë sanksione ndaj tyre duke thënë se asgjë nuk do ta ndalë Moskën të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë.

    Trump reagoi pas sulmeve që lanë 5 persona të vrarë dhe mbi 18 të tjerë të plagosur në Ukrainë dhe shkroi se palët duhet të ulen në tryezën e negociatave përpara se të jetë tepër vonë.

    Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një prononcim për CNN u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetësi më i madh i Kievit në këtë luftë dhe e kanë kuptuar se Ukraina nuk mund ta fitojë këtë luftë në fushëbetejë.

    Zakharova u shpreh se Rusia ka duruar kaq shumë sanksione dhe se asgjë nuk do ta ndalë atë.

    Presidenti Amerikan i cili vijon këmbënguljen e tij për të mbyllur sa më parë luftën në Europën Lindore u shpreh këtë të premte nga Zyra Ovale se për të është e më e lehtë të komunikojë me Rusinë për fundin e luftës sesa me Ukrainën.

    Trump shtoi se është Moska ajo që ka kartat e kësaj lufte në duar ndërsa deklaroi se beson që Putin dëshiron paqe.