ATV

Category: Lajme

  • ​Shënohet përvjetori i holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë

    ​Shënohet përvjetori i holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë

    Komuniteti hebraik në Republikën e Maqedonisë sot do të shënojë 82 vjet nga deportimi dhe holokausti i 7.144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin e përqendrimit, Treblinka.

    Natën midis 10 dhe 11 marsit të vitit 1943 janë arrestuar të gjithë hebrenjtë në Maqedoni dhe janë burgosur në Monopol, sot Kombinati i duhanit, i cili atëherë ishte kamp përqendrimi i përkohshëm, raporton KosovaPress.

    Më së shumti hebrenj ka pasur nga Manastiri, Shkupi dhe nga Shtipi dhe nga disa familje nga qytetet më të vogla. Sipas evidencës së autoriteteve të atëhershme okupuese bullgare dhe gjermane, janë arrestuar 7.144 hebrenj.

    Më 11 mars ishin mbledhur në vagonë për transportin e kafshëve dhe nga Manastiri dhe Shtipi së bashku janë sjellë në Monopolin e Shkupit, ku kanë qëndruar deri në fund të muajit mars në kushte ekstreme të rënda higjienike dhe psikologjike.

    Tërë pasuria u ishte marrë, ndërsa ari dhe paratë u janë konfiskuar. Pastaj sërish ishin ngarkuar, midis 80 dhe 120 në një vagon dhe ishin transportuar në Poloninë e atëhershme të okupuar, në kampin e vdekjes Treblinka, ku janë ekzekutuar.

    Asnjëri nga të arrestuarit nuk është kthyer.

    Në Treblinkë janë vrarë 98 për qind nga komuniteti hebrej në Maqedoni në vitin 1943, që është përqindja më e madhe në botë.

    Në përkujtim të hebrenjve të depërtuar të Maqedonisë, një delegacion i Republikës së Maqedonisë në vitin 2008 në kampin Treblinka vendosi shenjë me mbishkrimin “Maqedonia”.

    Në mars të vitit 2011, në mëhallën hebraike në Shkup, në mënyrë solemne u hap Qendra memoriale e holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë. Muzeu është ndërtuar me mjetet e pronave të familjeve të hebraikëve të vrarë të Maqedonisë të cilët nuk kanë pasur trashëgimtarë.

    Sipas vlerësimeve në Treblinkë janë vrarë rreth 900 mijë njerëz, prej të cilëve mbi 750.000 hebrenj. Viktimat e holokaustit në këtë kamp, i cili ndodhej 100 kilometra në verilindje të Varshavës, ishin vrarë midis muajit korrik të vitit 1942 dhe tetorit të vitit 1943.

  • Sharaa nënshkruan marrëveshje me Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët

    Sharaa nënshkruan marrëveshje me Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët

    Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët e të mbështetura nga ShBA-ja dhe të cilat kontrollojnë një pjesë të madhe të verilindjes së pasur me naftë të Sirisë, nënshkruan një marrëveshje me Qeverinë e Sirisë të hënën për t’iu bashkuar institucioneve të reja shtetërore, tha të hënën presidenca siriane.

    Në disa fotografi shihen presidenti Ahmed al-Sharaa dhe komandanti i Forcave Demokratike Siriane, Mazloum Abdi, duke i shtrënguar duart në Damask. Me këtë marrëveshje u ofrohet integrim në shtet institucioneve civile e ushtarake të kontrolluara nga Forcat Demokratike Siriane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Pakti erdhi në një moment kritik, kur al-Sharaa po ballafaqohet me pasojat e vrasjes së anëtarëve të pakicës Alawite në pjesën perëndimore të Sirisë, dhunë e cila, sipas presidentit, e rrezikon përpjekjen e tij për ta bashkuar Sirinë pas 14 viteve konflikt.

    Në marrëveshjen e nënshkruar të hënën bëhet thirrje që pikëkalimet kufitare të kontrolluara nga SDF-ja si dhe që një aeroport e fushat e gazit dhe të naftës në lindje të Sirisë të bëhet pjesë e administratës qendrore në Damask.

    Në komentin e tij të parë zyrtar pas nënshkrimit të marrëveshjes, Abdi tha në një shkrim në rrjetin X se pakti paraqet “një mundësi reale për të ndërtuar një Siri të re”.

    Sipas tij, Forcat Demokratike Siriane janë duke punuar me administratën siriane në “një periudhë të tillë kritike” për të garantuar një fazë tranzicioni që i pasqyron aspiratat e popullit sirian për drejtësi dhe stabilitet.

    Zbatimi pritet në fund të vitit, por marrëveshja nuk saktëson se si operacioni ushtarak i SDF-së do të integrohet në Ministrinë e Mbrojtjes të Sirisë.

    Në marrëveshje gjithashtu jepet zotimi i Forcave Demokratike Siriane për t’i luftuar mbetjet e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad. Autoritetet siriane në Damask i kanë akuzuar besnikët e Assadit për mbjellje të konfliktit civil në pjesën perëndimore të vendit./Nacionale

  • Rutte në Kosovë, policia tregon se në disa rrugë do të ndërpritet qarkullimi

    Rutte në Kosovë, policia tregon se në disa rrugë do të ndërpritet qarkullimi

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Policia ka bërë me dije se gjatë kësaj vizite do të ketë ndërprerje të qarkullimit të trafikut në disa rrugë.

    “Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Republikën e Kosovës|.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës,  Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Rutte gjatë së hënës ka vizituar Bosnjë dhe Hercegovinën ku është takuar me anëtarët e Presidencës atje, Zheljko Cvijanoviq, Denis Beçiroviq dhe Zheljko Komshiq.

  • Ndryshim i motit, sot priten riga e rrebeshe shiu

    Ndryshim i motit, sot priten riga e rrebeshe shiu

    Sot në Kosovë do të kemi ndryshim të motit ku përpos intervaleve kohore me diell, parashihen edhe vranësira dhe riga ose rrebeshe lokale shiu. Rrebeshet do të jenë të karakterit lokal.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të lehta, për shkak të vranësirave dhe rrebesheve lokale të shiut, por mbetet ngrohtë për këtë periudhë kohore me rrymime të fuqishme ajrore nga jugu dhe jugperëndimi.

    Në Shqipëri nesër pasdite destabilizim i fuqishëm i motit. Priten zhvillime të fuqishme konvektive me rrebeshe afatshkurtra, por të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Stuhitë do të jenë të karakterit lokal.

    Rrebeshe më të pakta lokale nesër priten në disa vise në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës, ndërsa në Mal të Zi priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë.

    E Mërkura pritet mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat nganjëherë në disa rajone pritet të kushtëzojnë ndonjë rrebesh lokal shiu. Intensifikim i reshjeve gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të së Enjtes. Vende-vende priten rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë.

    Të Premten dhe të Shtunën rritje të ndjeshme të temperaturave, me mundësi për reshje lokale në veri të Shqipërisë dhe Mal të Zi. Të dielën reshje lokale në tërë rajonin./MeteoBallkan

  • Erion Veliaj sot del para gjykatës: A do të lirohet nga akuzat?

    Erion Veliaj sot del para gjykatës: A do të lirohet nga akuzat?

    Pas një muaji në paraburgim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të paraqitet sot në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku pritet të shqyrtohet ankimimi për masën e arrestit me burg.

    Kjo seancë pritet të nisë në orën 10:00.

    Gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi do të vendosë nëse do pranojë kërkesën e Veliajt për lirimin nga qelia, apo do të lë në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari Erion Bani.

    Një ditë më parë, në seancën e së martës, ai kërkoi lirinë.

    Ai theksoi se do të mbrojë veten, familjen, por edhe çdo shqiptar që beson te drejtësia.

    Prej datës 10 shkurt, kryetari i bashkisë së Tiranës mbahet i arrestuar me dyshimin se ka kryer dy vepra penale, atë të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

  • Shefi i NATO-s viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin

    Shefi i NATO-s viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot do të vizitojë Kosovën, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

    Shefi i NATO-s, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet në takime të ndara me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Pas takimit, Osmani dhe Rutte do të mbajnë konferencë për media.

    Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë që kur mori drejtimin e NATO-s në tetor të vitit të kaluar.

    Po ashtu, ai do të takojë përfaqësuesit e trupave ndërkombëtare në Kosovë.

  • Çfarë pritet nga bisedimet SHBA-Ukrainë në Arabinë Saudite?

    Çfarë pritet nga bisedimet SHBA-Ukrainë në Arabinë Saudite?

    Gjatë përplasjes së tyre në Zyrën Ovale, presidenti amerikan, Donald Trump, i tha homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, se “t’i aktualisht nuk i ke letrat”.

    Deklaratat e bëra nga Trumpi muajin e kaluar i referoheshin pozicionit të perceptuar të dobët të Kievit në dritë të përparimeve në fushëbetejë nga Rusia dhe një Shtëpie të Bardhë që është e etur që t’i japë fund luftës trevjeçare.

    Tani, teksa Zelensky viziton Arabinë Saudite – ku një ekip negociator ukrainas do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me zyrtarët amerikanë më 11 mars lidhur me një marrëveshje të mundshme të paqes – letrat e Kievit do të çelen plotësisht, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Ukraina ka letrat më të dobëta në tavolinë”, tha Michael Froman, president i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme. “Siç Trumpi dhe të emisarët e tij e kanë bërë të qartë, Uashingtoni nuk është i prirë ta mbështesë pafundësisht Kievin”.

    Që nga përplasja në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit, Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Ukrainës, duke pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës. Po ashtu, një marrëveshje e rëndësishme për minerale SHBA-Ukrainë ka mbetur e panënshkruar.

    Trump ka shprehur optimizëm për bisedimet, duke u thënë gazetarëve se “besoj që ne do të bëjmë shumë përparim gjatë kësaj jave”. Para se të udhëtonte për në Arabinë Saudite, Zelensky tha se “ne do të vazhdojmë të punojmë për hir të paqes”.

    “Tani vjen koha për një rund të ri bastesh”, tha Froman. “Cila është vija e kuqe e Ukrainës, me SHBA-në dhe Rusinë? Çfarë lëshimesh amerikane është Trump i gatshëm të bëjë, jo vetëm për të arritur një marrëveshje të çfarëdoshme, por një marrëveshje që krijon paqe të drejtë e të qëndrueshme?”.

    Kush do të marrë pjesë në bisedime?

    Bisedimet njëditore në Arabinë Saudite do të jenë bisedimet e para mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë që nga vizita e tensionuar e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.

    Ato do të mbahen po ashtu një muaj pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan në kryeqytetin saudit, Riad, lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë – pa praninë e Kievit.

    Presidenti ukrainas në vizitën e 10 marsit do të takohet me Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman.

    Ekipi negociues ukrainas do të qëndrojë në shtet për t’u takuar me homologët amerikanë një ditë më vonë. Delegacioni i Kievit do të përfshijë Andriy Yermak, shefin e stafit të Zelenskyt, ministrin ukrainas për Punë të Jashtme, Andriy Sybiha, dhe atë të Mbrojtjes, Rustem Umerov.

    Bisedimet SHBA-Ukrainë do të mbahen në qytetin Xheda. Ekipi negociues amerikan do të udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe në të do të bëjë pjesë edhe këshilltari për siguri kombëtar, Mike Waltz.

    I dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, që mori pjesë në bisedimet e Riadit, pritej të merrte pjesë. Por, raportimet tani thonë se ai mund të udhëtojë për në Katar për bisedime lidhur me armëpushimin e brishtë në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

    Çfarë dëshiron SHBA-ja nga Ukraina në këto bisedime?

    Trump tha se Ukrainës po i mbarojnë fuqitë njerëzore dhe burimet dhe duhet që shpejt të ulet në një tavolinë negocieuse me Rusinë.

    Fokusi i bisedimeve në Xheda do të jetë vlerësimi nga zyrtarët amerikanë dhe ukrainas se çfarë lloj i procesit të paqes është i mundur.

    Witkoff tha javën e kaluar se shpreson që të diskutohet për një “kornizë” lidhur me një marrëveshje të mundshme armëpushimi dhe marrëveshje të paqes.

    Zyrtarët amerikanë po ashtu do të shikojnë se ku Kievi është i gatshëm për kompromis. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Kievi ka bërë thirrje për kthimin e të gjithë territorit të tij dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse.

    Deklaratat e bëra nga Trumpi zyrtarët e tjerë amerikanë lanë të kuptohen se ky qëndrim nuk shihet si realist në Shtëpinë e Bardhë.

    Renditja e hapave në procesin e paqes për të arritur një marrëveshje gjithashtu mund të jetë pjesë e bisedimeve, duke përfshirë çështje si një armëpushim i hershëm për të ndërtuar besim, këmbimi i të burgosurve dhe, potencialisht, në një moment të caktuar, mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë.

    Para bisedimeve, Serhiy Leshchenko, këshilltar për kreun e Zyrës së Presidentit ukrainas, u tha gazetarëve se Kievi po përgatitet për të pranuar një armëpushim të pjesshëm që do të mbulonte sulmet ajrore dhe detare.

    “A dëshironi armëpushim, ne jemi gati”, tha ai më 10 mars. “Megjithatë, në terren ku [presidenti rus, Vladimir] Putin do të jetë në gjendje të pranojë një armëpushim për disa muaj: të kurojë të plagosurit, të rekrutojë këmbësori në Korenë e Veriut dhe ta rinisë këtë luftë”.

    Në këmbim të koncesioneve nga Ukraina, administrata Trump po shikon që të rinisë ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

    Trump tha më 9 mars se SHBA-ja “pothuajse” ka përfunduar pezullimin e ndarjes së inteligjencës me Ukrainën, duke lënë të kuptohet se ndarja e informacioneve mund të rifillojë dhe do të jetë një rezultat pozitiv në Arabinë Saudite.

    A ka Ukraina ndonjë levë negociuese?

    Zelensky është përballur me presion të madh nga SHBA-ja për të bërë koncesione para ndonjë bisede për paqe dhe ka kërkuar garanci të forta të sigurisë për Kievin, që deri më tani nuk i ka pranuar.

    Po ashtu, mbi takimin në Xheda rëndon edhe fati i marrëveshjes për minerale mes SHBA-së dhe Ukrainës. Kievi dëshiron të përfshijë një garanci të qartë të sigurisë nga SHBA-ja në këmbim të qasjes në burime të mineraleve të caktuara në Ukrainë, një kërkesë që është refuzuar nga Uashingtoni.

    Ajo marrëveshje u pezullua gjatë vizitës së Zelenskyt në Uashington, por të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë që ta nënshkruajnë atë. Para bisedimeve të ardhshme, Trump tha se mendon se Ukraina do ta nënshkruajë marrëveshjen.

    Gjatë një interviste dhënë së fundi, i dërguari i posaçëm amerikan, Keith Kellogg, sugjeroi se ky mund të jetë opsioni më i mirë i Kievit.

    “Nëse SHBA-ja ka interes të drejtpërdrejtë ekonomik në Ukrainë, atëherë SHBA-ja ka po ashtu interes të drejtpërdrejtë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike – që shërben, de facto ….. si garanci të sigurisë për Ukrainën”, tha ai.

    Po Rusia?

    Kësaj radhe, Rusia nuk do të jetë në tavolinë të bisedimeve në Arabinë Saudite, por ajo që Moska është e gatshme të heqë dorë – nëse ka diçka – është një pyetje që gjithashtu rëndon mbi takimin SHBA-Ukrainë.

    Zelensky ka thënë se Putini nuk dëshiron paqe dhe ka theksuar se udhëheqësi rus ka shkelur marrëveshjet paraprake të armëpushimit.

    Aleatët evropianë të Ukrainës kanë argumentuar se Kievi mund të arrijë një marrëveshje me Rusinë vetëm nga një pozicion i forcës dhe se Ukraina nuk duhet të nxitohet që të ulet në tavolinën e negociatave.

    Pavarësisht këtyre gjërave, ish-drejtori i Këshillit Kombëtar të Sigurisë për Rusinë, Thomas Graham, që ka shërbyer gjatë mandatit të presidentit George W.Bush dhe ende mban kontakte me zyrtarët në Moskë, tha se “Kremlini nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj maksimaliste për përfundimin e konfliktit”.

    Moska vazhdon të kërkojë që Ukraina të mbetet jashtë NATO-s, vazhdon të kërkojë që t’i njihen territoret ukrainase që i ka okupuar, çarmatosjen e Ukrainës dhe heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj ekonomisë ruse.

    “Kremlini mirëpret hapa të mëtejshëm të sekuencuar që dëmtojnë pozicionin e Ukrainës, siç është vendimi i SHBA-së për të pezulluar dërgesat e armëve për Ukrainën, të cilin një zëdhënës i Kremlinit e quajti ‘kontributin më të mirë për kauzën e paqes”, tha Graham.

  • Anulohen katër fluturime nga Prishtina për shkak të grevës në Gjermani

    Anulohen katër fluturime nga Prishtina për shkak të grevës në Gjermani

    Greva njëditore e punëtorëve të 13 aeroporteve në Gjemani, ka ndikuar në anulimin e katër fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara i ka thënë KosovaPress-it, se janë anuluar katër fluturime nga Prishtina, të cilat kanë qenë anulime të planifikuara dhe nuk kanë shkaktuar ndonjë tollovi në Aeroportin e Prishtinë.

    “Për shkak të grevës në disa nga aeroportet e Gjermanisë, ne aeroportin tonë janë anuluar 4 fluturime në nisje. Meqenëse këto kanë qenë anulime të planifikuara, nuk kanë shkaktuar ndonjë tollovi në aeroportin tonë. Gjatë pjesës tjetër të ditës nuk kemi fluturime tjera të planifikuara për Gjermani” potencoi Gara.

    Greva, e udhëhequr nga sindikata Verdi, nisi papritur të dielën në Aeroportin e Hamburgut dhe u përhap në të gjithë Gjermaninë. Udhëtarët në Frankfurt, Mynih, Berlin dhe aeroporte të tjera, janë paralajmëruar të mos udhëtojnë, pasi operacionet janë të rënduara.

    Verdi kërkon një rritje prej 8 për qind të pagave ose së paku 350 euro më shumë në muaj, si dhe përmirësime në kushtet e punës. Punëdhënësit i kanë refuzuar kërkesat si të papërballueshme. Greva pritet të vazhdojë edhe këtë javë në disa qytete të tjera.

  • ​Bullgaria mbështet integrimin evropian të Malit të Zi

    ​Bullgaria mbështet integrimin evropian të Malit të Zi

    Pas një takimi të hënën me homologun e tij malazez, Jakov Milatovic, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, tha se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Malit të Zi “veçanërisht bazuar në rezultatet e suksesshme të fundit që ka arritur në rrugën drejt anëtarësimit në BE, siç është mbyllja e kapitujve të rëndësishëm të negociatave në fund të vitit të kaluar”.

    Milatovic po zhvillon një vizitë dy-ditore në Bullgari.

    Fokusi i bisedimeve mes dy presidentëve ishte te mundësitë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat e ekonomisë, lidhshmërisë, arsimit dhe shkencës, kulturës, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, raporton BTA, përcjellë KP.

    “Kjo vizitë është e rëndësishme sepse konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Bullgarisë dhe Malit të Zi në nivelin më të lartë politik. Dy vendet tona ndajnë lidhje të lashta kulturore dhe shpirtërore, si dhe një histori të ngjashme. Sot po zhvillojmë marrëdhëniet tona mbi bazën e vlerave të përbashkëta, besimit të ndërsjellë, miqësisë, dhe bashkëpunimit konstruktiv brenda NATO-s dhe shumë forumeve ndërkombëtare. Presim që së shpejti të ndajmë vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta brenda Bashkimit Evropian,” tha Radev.

    Ai theksoi se dy vendet janë të lidhura nga angazhimi i përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit.

    “Kjo mund të arrihet vetëm nëse punojmë së bashku” shtoi ai, transmeton KP.

    Radev falënderoi Malin e Zi për vendimin e tij për të dërguar një kontingjent në krahun Lindor të NATO-s, në grupin shumëkombësh të betejës, i cili ndodhet në territorin bullgar.

    Radev gjithashtu komentoi mundësinë e krijimit të një lidhjeje ajrore direkte mes kryeqyteteve të të dyja vendeve.

    “Unë besoj se intensiteti i bisedimeve në nivelin e presidentëve, ministrave përkatës dhe transportuesve ajrorë do të çojë shpejt në një vendim dhe mundësinë për të pasur një lidhje ajrore direkte mes Podgoricës dhe Sofjes,” tha ai.

    Sipas tij, lidhja ajrore direkte do të forconte marrëdhëniet në të gjitha fushat e tjera.

    “Ka shumë për të dëshiruar në fushën e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike, të cilat janë larg potencialit të dy vendeve tona,” tha Radev. Ai vuri në dukje se dy vendet mund të bashkëpunojnë gjithashtu në fushën e turizmit, duke theksuar iniciativën “Destination Balkans” të këtij vendi. “Shpresojmë që me paketat e përbashkëta të mund të tërheqim turistë nga destinacione të largëta në vendet tona,” përfundoi ai.

  • ​Inflacioni fiksohet në 1.9% në Shqipëri, rriten çmimet e ushqimeve

    ​Inflacioni fiksohet në 1.9% në Shqipëri, rriten çmimet e ushqimeve

    Inflacioni në muajin shkurt mbeti i pandryshuar në Shqipëri, duke bërë që çmimet të rriteshin me të njëjtën përqindje si në janar.

    Treguesi i ndryshimit të çmimeve arriti në 1.9%, i cili, krahasuar me një vit më parë, ka shënuar rënie nga 2.6%, që ishte në shkurt 2024.

    Por, çfarë e ka shkaktuar këtë rritje të çmimeve?

    Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, qytetarët po paguajnë më shumë për produktet bazë të jetesës, si ushqimet, mirëmbajtja e shtëpisë, pijet, por edhe qiratë. Po ashtu, nuk kanë mbetur jashtë as shpenzimet për veshje, këpucë dhe argëtim.

    Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiq thotë: “Niveli i fuqisë blerëse është po i njëjtë shqiptarët po mundohen të mirëmenaxhojnë financat e tyre në të njëjtën masë. Patjetër në mirëmenaxhim është dhe evidentimi i prioriteteve duke qenë se shqiptarët kanë prioritete së pari nevojat fiziologjike ushqimin dhe strehimin. Patjetër që dhe niveli më i lartë i rritjes së çmimeve do të jetë këtu.”

    Shtysa kryesore e presioneve inflacioniste mbeten ushqimet, çmimet e të cilave u rritën me pothuajse 2.8%.

    Inflacioni tek ushqimet po e mban të lartë çmimin e disa produkteve kryesore, si mishi, i cili, sipas INSTAT, ka pësuar rritje me 4% në muajin shkurt, pasuar nga zarzavatet me 3.2%, qumështi, djathi dhe vezët me 2.8%, dhe më pas ëmbëlsirat dhe peshku.

    “Rritja e çmimit të mishit si pasojë e varësisë që ka vet blegtoria duke qenë së ne e importojmë mishin dhe e kemi në mungesë. Çmimi i mishi vjen me një çmim x vendosen dhe marzhet e fitimit të tregtarëve dhe tek konsumatori fundor vjen me çmim më të lartë dhe të papërballueshëm. Ndërsa tek zarzavatet duke qenë se janë jashtë stine janë edhe me çmime më të larta”, shton ajo

    Për familjet shqiptare, shpenzimet për ushqime zënë rreth 40% të buxhetit total, dhe kërkesa në rritje për këto produkte ndikon në ndryshimin e çmimeve në tregje.

    Po ashtu, në inflacionin e muajit shkurt ka ndikuar edhe sektori i bareve dhe restoranteve, si dhe ai i transportit, të cilat, me afrimin e sezonit turistik, kanë pësuar rritje të çmimeve.