ATV

Category: Lajme

  • ​Presidentja Osmani pyetet nëse synon vazhdimin e mandatit, ja si përgjigjet

    ​Presidentja Osmani pyetet nëse synon vazhdimin e mandatit, ja si përgjigjet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vetëm në fillim të vitit të ardhshëm do të mund të diskutohet lidhur me synimin e saj për një mandat të dytë.

    I pyetur nga KosovaPress nëse po synon ta vazhdojë mandatin dhe për katër vjet të tjera, Osmani tha se asnjë vendim i saj politik nuk është bazuar në kalkulimet se ku do të jetë ajo, por si janë interesat e qytetarëve të Kosovës.

    “Në fillim të vitit të ardhshëm ne do të diskutojmë për këtë çështje. Përgjatë gjithë karrierës sime politike kam punuar duke pasur parasysh vetëm interesin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim i imi politik nuk është bazuar në kalkulime se ku do të jem unë, por vetëm ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj. Edhe kësaj radhe ky vlerësim rreth asaj se ku mund të kontribuoj, do të përcaktohet vetëm e vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Asnjëherë në jetën time nuk jam varur nga politika, nuk varem as tash”, tha ai.

    Këtë deklarim Osmani e tha pas ngjarjes të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me iniciativën ËE për Gratë Sipërmarrëse në Kosovë.

  • Dyshohet për dhunim, një grua aborton në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë

    Dyshohet për dhunim, një grua aborton në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë

    Një grua ka kryer abort në Klinikën Gjinekologjike, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

    Ngjarja ka ndodhur më 20.03.2025 në Prishtinë, teksa rasti është cilësuar si “dhunim” dhe është duke u hetuar nga njësitë relevante.

    “‘Dhunim’, Prishtinë. Më 20.03.2025 raportohet se viktima femër kosovare ka kryer abortin në Klinikën Gjinekologjike. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti si më lartë dhe është duke u hetuar nga njësitë relevante”, thuhet në raport.

  • Digjet një xhami në Shqipëri, shkaktohen dëme të mëdha

    Digjet një xhami në Shqipëri, shkaktohen dëme të mëdha

    Një zjarr i madh ka përfshirë një xhami në fshatin Shupenzë të Bulqizës në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Sipas raportimeve të mediave shqiptare, flakët shpërthyen rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, vetëm 10 minuta pas largimit të hoxhës nga xhamia.

    Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe forcave të policisë, zjarri ka qenë i pamundur të shuhet me kohë.

    Aktualisht, forcat e rendit dhe grupi hetimor janë në vendngjarje për të zbuluar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

  • 7 vjet nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi

    7 vjet nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi

    Kuvendi i Kosovës, pas një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar që zgjati tri vjet, miratoi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, më 21 mars 2018.

    Pasditen e asaj dite, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan marrëveshjen, pasi disa ndërprerje për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Gjatë seancës, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga Kuvendi për shkak të sjelljeve.

    Procesi i miratimit të demarkacionit ishte i shoqëruar me protesta të shumta dhe reagime të ashpra nga qytetarët, politikanët dhe faktorët ndërkombëtarë.

    Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015.

    Mirëpo, deri te ratifikimi i saj në Kuvend, Kosova kaloi nëpër trazira të ndryshme.

    Në atë kohë, opozita kundërshtoi demarkacionin përmes protestave dhe gazit lotsjellës në Kuvend.

    Kjo marrëveshje u shndërrua në një ndër kushtet kryesore të shtetit të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe nuk u votua nga deputetët deri në momentin kur presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Filip Vujanoviq, nxorën një deklaratë të përbashkët, e cila parasheh rishikimin dhe përmirësimin e gabimeve eventuale.

  • Trump thotë se ShBA-ja dhe Ukraina do ta nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për minerale

    Trump thotë se ShBA-ja dhe Ukraina do ta nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për minerale

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje për minerale dhe burime natyrore me Ukrainën.

    Trump tha për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së enjtes se përpjekjet e tij për ta arritur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë janë duke shkuar “shumë mirë”, pasi këtë javë bisedoi me liderët e dy vendeve të përfshira në luftë.

    “Jemi duke ecur shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Dhe një nga gjërat që po bëjmë është nënshkrimi shumë shpejt i një marrëveshjeje me Ukrainën në lidhje me mineralet e rralla”, tha Trump.

    Derisa Trumpi po i bënte këto komente, forcat ruse sulmuan infrastrukturën civile në Odesa, duke shkaktuar dëme dhe duke plagosur tre persona, përfshirë një vajzë, tha guvernatori rajonal.

    “Armiku i sulmoi fuqishëm me dronë Odesën dhe rajonin”, tha guvernatori Oleh Kiper.

    “Ka dëme në infrastrukturën civile, duke përfshirë një ndërtesë të lartë banimi, një qendër tregtare dhe dyqane”, shkroi ai në Telegram.

    Ndërkohë, thuhet se në rajonin Kursk të Rusisë forcat ukrainase sulmuan stacionin e shpërndarjes së gazit në Sudzha.

    Media e pavarur Sota publikoi një foto në Telegram që shfaq një zjarr të madh.

    Zyrtarët e Qeverisë ukrainase nuk janë deklaruar për këtë sulm. As Moska nuk e raportoi incidentin.

    Stacioni ishte pika e vetme përmes së cilës kalonte gazi rus në rrugën e tij drejt Evropës, deri kur Ukraina refuzoi të zgjasë një marrëveshje tranziti në janar.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi të enjten ukrainasit në territoret e pushtuara të Ukrainës të marrin pasaportë ruse deri më 10 shtator ose të largohen. Ultimatumi vlen për ukrainasit në rajonet e pushtuara Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja, tha në X ish-ministri i Ekonomisë i Ukrainës, Tymofiy Mylovanov, raporton REL.

    Këtë javë, Trump zhvilloi bisedime të ndara me Putinin dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për ta ndërmjetësuar arritjen e një armëpushimi mes dy vendeve fqinje.

    Ai nuk arriti ta sigurojë një armëpushim të plotë 30-ditor, por bisedimet bënë që Putini të pajtohet për t’i ndaluar sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike për 30 ditë. Pas bisedimeve me Trumpin, Zelensky tha se ai gjithashtu do ta pranonte një pauzë të tillë.

    “Ne duam që kjo (luftë) të përfundojë, dhe mendoj se po ecim mjaft mirë në këtë drejtim”, tha Trump.

    Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan në fillim të këtij muaji për ta përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve të saj minerale. Përpjekjet për të finalizuar marrëveshjen u prishën më 28 shkurt pas një debati të ashpër midis Trumpit dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump dhe Zelensky ranë dakord më 19 mars të punojnë së bashku për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, gjatë një bisede telefonike që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si të “shkëlqyer”.

    Nuk është e qartë nëse kushtet e marrëveshjes për mineralet kanë ndryshuar. Një version i mëparshëm nuk përfshinte garancitë e sigurisë për Ukrainën që Zelensky kishte kërkuar.

  • Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në Shtërpcë

    Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në Shtërpcë

    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore, në kuadër të misionit të KFOR të udhëhequr nga NATO, së fundmi kanë realizuar patrullime në Komunën e Shtërpcës.

    Në njoftimin e KFOR-it, bëhet e ditur se ushtarët italianë kryen patrullime në këtë zonë për të siguruar transparencë dhe paanshmëri, dhe për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.

    “Këto angazhime janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet më tej në njoftimin e KFOR-it.

  • Maqedonci tregon se a do të vazhdojë të jetë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e re

    Maqedonci tregon se a do të vazhdojë të jetë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e re

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është i gatshëm të vazhdojë të shërbejë si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e re, nëse i kërkohet një gjë e tillë.

    Ai tha se prioriteti i momentit është konsolidimi i institucioneve të Kosovës dhe krijimi i Qeverisë, duke marrë parasysh vonesat e shkaktuara nga proceset zgjedhore dhe procedurat ligjore.

    “Pikë së pari, është e rëndësishme që të konsolidohet Parlamenti dhe të krijohen institucionet, përfshirë Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ne, si parti fituese, po bëjmë përpjekje që ta realizojmë këtë sa më shpejt, por kemi parasysh edhe periudhën e procedurave zgjedhore, përfshirë numërimin e votave dhe shqyrtimin e ankesave”, tha Maqedonci.

    Ai sqaroi se ka diskutuar me Kryeministrin për angazhimin e tij të ardhshëm dhe se mbrojtja do të mbetet fusha e tij kryesore e kontributit.

    “Unë vlerësoj që fusha ime do të vazhdojë të jetë mbrojtja dhe, përveç si deputet, do të jem i gatshëm të pranoj detyrën e ministrit të Mbrojtjes nëse më kërkohet në Qeverinë e re”, u shpreh Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Maqedonci: Për herë të parë, ushqimi në Ushtrinë e Kosovës përgatitet nga stafi i saj

    Maqedonci: Për herë të parë, ushqimi në Ushtrinë e Kosovës përgatitet nga stafi i saj

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për herë të parë, ushqimi për Ushtrinë e Kosovës po përgatitet nga stafi i rekrutuar nga jeta civile, duke siguruar cilësi më të lartë dhe pavarësi nga operatorët privatë.

    Sipas Maqedoncit, ky ndryshim jo vetëm që garanton ushqim më të mirë për ushtarët, por gjithashtu kursen buxhetin dhe rrit qëndrueshmërinë e forcave të armatosura.

    “Është rregulluar edhe çështja e ushqimit për herë të parë në Ushtrinë e Kosovës, për shërbim i cili përgatitet nga stafi i rekrutuar nga jeta civile. Me këtë, ne po kursejmë buxhetin, po ofrojmë mundësi më të mira në aspektin e cilësisë së ushqimit. Por çfarë është më e rëndësishmja, po vendosim vetë qëndrueshmëri me ushqim. Ne nuk varemi më nga operatorët për të përgatitur apo dërguar ushqimin në lokacionet ku njësitë tona operojnë”, tha Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Maqedonci: Qytetarët vazhdojnë të kontribuojnë për Fondin e Sigurisë

    Maqedonci: Qytetarët vazhdojnë të kontribuojnë për Fondin e Sigurisë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qytetarët dhe bizneset po vazhdojnë të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë, një iniciativë e rëndësishme për fuqizimin e mbrojtjes së Kosovës.

    Ai sqaroi se Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave, por Ministria e Mbrojtjes promovon dhe inkurajon qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë në të.

    “Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave, jo nga Ministria e Mbrojtjes. Natyrisht që ne promovojmë dhe synojmë të bindim qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë, pasi buxheti i Kosovës nuk është i mjaftueshëm për të mbështetur të gjitha projektet e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Maqedonci.

    Ai tha se rritja e investimeve në sektorin e mbrojtjes është e domosdoshme, sidomos përballë kërcënimeve në rritje, si në nivel rajonal ashtu edhe global.

    “Këto investime duhet të rriten për shkak të kërcënimeve që po shfaqen jo vetëm në nivel global, por edhe në rajon. Prandaj, kontributi në Fondin e Sigurisë është jetik për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, u shpreh Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Maqedonci: Kosova do të ketë rol kyç në ‘Defender Europe 2025’

    Maqedonci: Kosova do të ketë rol kyç në ‘Defender Europe 2025’

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në Defender Europe 2025, duke qenë jo vetëm vend pritës, por edhe qendër e komandës ushtarake amerikane për Ballkanin Perëndimor.

    Ai tha se në këtë edicion të ushtrimit të madh ushtarak, Kosova do të luajë një rol të zgjeruar, duke përfshirë pjesëmarrjen me njësi ushtarake dhe pritjen e një komande të lartë ushtarake amerikane.

    “Edhe më shumë dhe edhe më e involvuar se në Defender Europe 23, Kosova në Defender Europe 25 do të jetë jo vetëm vend pritës dhe pjesëmarrëse me njësi ushtarake, por edhe vendi ku do të vendoset një komandë e lartë ushtarake amerikane, nga e cila do të udhëhiqen të gjitha trajnimet në Ballkanin Perëndimor”, tha Maqedonci.

    Sipas tij, kjo është hera e parë që një komandë e tillë ushtarake do të vendoset në Kosovë, duke e bërë vendin një qendër strategjike për operacionet e Defender Europe 2025.

    “Për herë të parë, Kosova do të jetë jo vetëm vend pritës, siç ka qenë në Defender Europe 21 dhe 23, por edhe selia e një komande të lartë ushtarake, e cila do të udhëheqë operacionet nga bazat tona ushtarake”, u shpreh Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: