ATV

Category: Lajme

  • The Guardian: Çfarë presim të diskutohet gjatë bisedimeve për armëpushim në Arabinë Saudite

    The Guardian: Çfarë presim të diskutohet gjatë bisedimeve për armëpushim në Arabinë Saudite

    Ukraina do ta ketë një delegacion në Riad në të njëjtën ditë kur SHBA-ja do të zhvillojë bisedime për armëpushim me një ekip negociator rus të udhëhequr nga një ish-kryetar sekret i FSB-së, i cili luajti një rol kyç në planifikimin e pushtimit të plotë të Vladimir Putinit në vitin 2022.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se delegacioni ukrainas do të takohet me përfaqësuesit e SHBA-së të hënën dhe do t’ua dorëzojë atyre një listë të infrastrukturës energjetike që do të ishte e mbrojtur për sulmet nga ushtria ruse. Përfaqësuesit amerikanë do të takohen më pas me ekipin negociator rus, tha Zelensky të enjten, raporton The Guardian.

    Ky njoftim i Ukrainës tregon se SHBA-ja mund ta luajë rolin e ndërmjetësit mes të dyja palëve për ta përmbushur objektivin e Donald Trump për një armëpushim të shpejtë. Megjithatë, si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë kundërshtuar versionet e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet e mëparshme me presidentin amerikan, duke sugjeruar se Trump mund ta ketë keqinterpretuar progresin e bisedimeve dhe shanset e tij për ta arritur një marrëveshje të shpejtë për ndalimin e luftës.

    Moska njoftoi të enjten se Sergei Beseda, ish-kreu i drejtorisë së pestë të shërbimit sekret FSB – i cili mbikëqyri operacionet e inteligjencës në Ukrainë dhe organizoi rekrutimin e bashkëpunëtorëve përpara pushtimit të plotë – do të udhëtojë në Riad për bisedimet me SHBA-në të hënën.

    Të dyja palët thanë se bisedimet në Arabinë Saudite kanë për qëllim finalizimin e një marrëveshjeje të kufizuar për armëpushim të dakorduar këtë javë dhe nisjen e negociatave për një armëpushim detar.

    Zelensky e ka akuzuar Rusinë se po paraqet “kërkesa të panevojshme” që do ta zgjasin luftën dhe tha se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase nuk janë ndalur, pavarësisht pretendimeve të Putinit për gatishmërinë e tij për t’i ndaluar ato.

    Moska e përsëriti të enjten qëndrimin e saj se një kërkesë kyçe për bisedime serioze paqeje do të ishte ndalimi i plotë i ndihmës ushtarake të huaj dhe i furnizimit me inteligjencë për Kyivin.

  • Zelensky u bën thirrje aleatëve të ushtrojnë ‘presion të ri’ mbi Rusinë

    Zelensky u bën thirrje aleatëve të ushtrojnë ‘presion të ri’ mbi Rusinë

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se sulmet ruse në mbarë vendin e tij vazhdojnë të jenë një “realitet i përditshëm”, pavarësisht armëpushimit të pjesshëm të rënë dakord javën e kaluar, shkruan The Guardian.

    Ai përmendi sulmin me dron gjatë natës në Kiev, ku të paktën 3 persona u vranë, si dhe një sulm rus në qytetin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhia, i cili raportohet se vrau një familje prej tre anëtarësh të premten në mbrëmje.

    Zelenskyy, duke shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e sulmeve përpara bisedimeve për armëpushimin në Arabinë Saudite, shkroi në një postim në X:

    Ndjekje si nëpër filma në Paris, dy vetura policie përplasen njëra pas tjetrës me atë të të dyshuarit
    “Këto sulme janë një realitet i përditshëm. Vetëm këtë javë, mbi 1,580 bomba ajrore të drejtuara, gati 1,100 dronë sulmues dhe 15 raketa të tipeve të ndryshme janë përdorur kundër popullit tonë.

    Gjithë armatim përmban të paktën 102,000 komponentë të huaj. Prandaj, sanksionet kundër terroristëve rusë duhet të jenë më efektive. Çdo boshllëk që u lejon atyre të anashkalojnë regjimin e sanksioneve duhet të eliminohet.

    Vendime të reja dhe presion i ri mbi Moskën janë të nevojshme për t’i dhënë fund këtyre sulmeve dhe kësaj lufte. Duhet të forcojmë Ukrainën dhe ushtrinë tonë – me më shumë sisteme mbrojtjeje ajrore dhe mbështetje të vërtetë. Falënderoj të gjithë partnerët që e kuptojnë këtë dhe vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.”

  • Kremlini thotë se priten bisedime të “vështira” për armëpushimin Ukrainë-Rusi

    Kremlini thotë se priten bisedime të “vështira” për armëpushimin Ukrainë-Rusi

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur për televizionin shtetëror rus përpara bisedimeve të ndara të SHBA-së për armëpushim në Arabinë Saudite me Ukrainën dhe Rusinë, që do të mbahen të dielën dhe të hënën.

    Ai u citua të thoshte: “Ne jemi vetëm në fillim të këtij rrugëtimi”, duke shtuar se negociatat me Washingtonin nesër do të jenë “të vështira” dhe se fokusi kryesor i Moskës do të jetë mbi mundësinë e rifillimit të një marrëveshjeje për të garantuar lundrimin e sigurt të anijeve tregtare në Detin e Zi, raporton The Guardian

    Pas telefonatës mes Trump dhe Putin javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se të dy liderët ranë dakord që “lëvizja drejt paqes do të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën”, e ndjekur nga negociata për një “armëpushim detar në Detin e Zi, armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme”.

    Një armëpushim i shpejtë i ndërmjetësuar nga SHBA në Ukrainë është i pamundur për shumë arsye. Putin ka deklaruar se çdo bisedim duhet t’i trajtojë ato që ai i quan “shkaqet rrënjësore” të pushtimit të plotë të Moskës në vitin 2022, kryesisht shqetësimet e tij për zgjerimin e aleancës së NATO-s. Ukraina e ka bërë anëtarësimin në NATO një objektiv strategjik, duke thënë se kjo do të ndihmonte në mbrojtjen e vendit në rast të një agresioni të ardhshëm rus.

    Putin gjithashtu tha gjatë telefonatës me Trump se çdo marrëveshje afatgjatë do të kërkonte përfundimin e ndarjes së inteligjencës dhe ndihmës ushtarake për Kyivin nga aleatët e tij. Volodymyr Zelensky tha pas telefonatës se aleatët e Ukrainës kurrë nuk do ta pranonin një veprim të tillë, duke shtuar se shpreson që furnizimet të vazhdojnë.

  • Shala: Shtrenjtimi i serishëm i çmimit të energjisë, do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset

    Shala: Shtrenjtimi i serishëm i çmimit të energjisë, do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset

    Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka paralajmëruar se shtrenjtimi i mundshëm i çmimit të energjisë elektrike do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset kosovare, raporton Ekonomia Online.

    Ai kritikoi vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që detyron bizneset të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke theksuar se kjo do të krijojë pasiguri dhe do të çojë në çmime më të larta për konsumatorët.

    “Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët”, tha Shala.

    Shala e cilësoi këtë veprim si një skenar të rrezikshëm që dëmton ekonominë dhe familjet kosovare, duke u fshehur pas terminologjisë së “liberalizimit të tregut”.

    “Bizneset po detyrohen të hyjnë në një treg të paqëndrueshëm, pa alternativa reale dhe me rrezikun e rritjes së kostove operacionale. Asnjë garanci nuk është dhënë se ky proces do të sjellë shërbime më cilësore për konsumatorët. Kjo rritje do të reflektojë edhe në një inflacion të lartë, veçanërisht për prodhimin vendor. Për Kosovën, ku tregu energjetik ka qenë shpesh subjekt i manipulimeve dhe skandaleve, ky hap është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm”, tha Shala.

    Ai tha se PDK nuk është kundër reformave dhe zhvillimit të tregut të energjisë, por ato duhet të ndodhin në kushte të drejta dhe transparente.

    “Kjo do të thotë garantim i konkurrencës së vërtetë në treg, me më shumë furnizues dhe oferta të qarta për konsumatorët. Shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese për të siguruar stabilitet dhe pavarësi energjetike. Krijimin e një mekanizmi mbrojtës për konsumatorët e ndjeshëm, për të shmangur goditjet e papritura në ekonomi familjare dhe biznese”, tha Shala.

    Sipas Shalës Qeveria aktuale duhet të ndalojë menjëherë këtë politikë të dëmshme dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve.

    “Ne nuk do të lejojmë që familjet dhe bizneset kosovare të jenë viktimat e radhës të eksperimenteve të gabuara ekonomike. Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë, përfshirë kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese”, tha Shala.

  • Rama: E pranoj, nuk kemi dhënë sa duhet në Vlorë

    Rama: E pranoj, nuk kemi dhënë sa duhet në Vlorë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk kanë bërë mjaftueshëm për Vlorën, duke kritikuar kandidatët që kishin më parë Partia Socialiste.

    Kështu ai u shpreh në takimin që sot e pati me kandidatët për deputetë të PS-së.

    “Këtë herë do të marrim një rezultat më të mirë. Do t’u japim mundësinë shumë qytetarëve që deri dje kanë qenë simpatizantë të punës që ne kemi bërë. Fakti që në të gjithë skuadrën e zgjedhjeve të 11 majit kemi vetëm një deputet që është aktualisht në detyrë, Vullneti, tregon se na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës në Vlorë, pikërisht për të treguar se çfarë na ka munguar dhe çfarë duhet të bëjmë më tej”.

    “Disa deputetë, që unë i konsideroj miq, nuk kanë rrezatuar asgjë këtu në Vlorë. Ajo që ndodh në këtë qytet rrezaton më pas edhe në territoret e tjera, dhe më vjen keq për faktin që nuk kemi dhënë aq sa duhet në këtë qytet”, tha Rama, sipas EuronewsAlbania.

  • Stagnimi në dialog sprovon BE-në

    Stagnimi në dialog sprovon BE-në

    Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Me të dyja vendet të përfshira nga sfidat e brendshme, marrëveshja përfundimtare duket e largët. Analistët argumentojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të shtyjë përpara njohjen reciproke mes tyre, jo thjesht normalizimin e marrëdhënieve, dhe të ketë një plan B nëse dialogu dështon.

    Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt.

    Në Kosovë, vëmendja mbetet te çështjet paszgjedhore, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira të brendshme.

    Pavarësisht këtyre, mesazhi i emisarit evropian ishte i qartë: dialogu duhet të vazhdojë.

    “Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen më 17 mars në Prishtinë.

    Para 14 vjetësh kanë nisur rundet e para të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndër vite, ato janë zhvilluar herë më me vrull, herë më ngadalë. Ka pasur me dhjetëra marrëveshje e zotime, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

    Udhëheqësit, ndërkohë, kanë ndërruar në Bruksel, në Prishtinë e në Beograd, por, njësoj, ka ndërruar edhe narrativi. Nëse dikur flitej për njohjen e ndërsjellë si qëllim kryesor, tani flitet vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Sorensen, pasi takoi krerët shtetërorë të Kosovës, theksoi nevojën për të vazhduar dialogun, por tha se do që t’i dëgjojë të dyja palët, përpara se të vendosë për hapat e ardhshëm.

    “Qëllimi është që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por më duhet të shkoj edhe në Beograd. Pasi t’i zhvilloj këto biseda, do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, tha Sorensen.

    Dy palët nuk duket se janë askund afër. Bisedime të nivelit të lartë mes tyre nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

    Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

    Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

    Përpjekjet e mëvonshme të BE-së për t’i ulur dy liderët bashkë në tryezë, kanë dështuar – kryesisht për shkak të kushteve që i ka paraqitur njëra palë, e që tjetra i ka kundërshtuar.

    Pas takimit me Sorensenin, edhe Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë pasur një sërë kërkesash për të: nga heqja e masave ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës deri te dorëzimi i grupit që ka sulmuar Banjskën tek autoritetet e Kosovës.

    Për vëzhguesit e procesit të dialogut, topi, në fakt, është në fushën e BE-së. Ata thonë se është koha që ky bllok të fokusohet te një qëllim specifik, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, pasi, sipas tyre, kjo është zemra e problemit dhe kjo duhet të adresohet direkt.

    Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, flet më shumë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

    “Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.

    “Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartwell.

    Vuçiq këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Fokusi i tij është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – gjë të cilën shpesh e nxjerr edhe si kusht për vazhdimin e dialogut me palën tjetër.

    Për këtë asociacion ka një marrëveshje qysh në vitin 2013, porse Kosova – pavarësisht trysninë ndërkombëtare – nuk e ka zbatuar kurrë, nga frika se një mekanizëm i tillë, me kompetenca të gjera, do të mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.

    Kosova ka kohë që ka marrë një draft të hartuar nga BE-ja për statutin e këtij asociacioni, por edhe ai duket se është jashtë tryezës tashmë.

    Presidentja Osmani tha këtë javë se drafti, si i tillë, nuk do të merrte dritë jeshile nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

    “Unë, personalisht, besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe normat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Këshillit të Evropës, e as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015″, tha Osmani.

    Një asociacion me kompetenca të gjera do të vinte me rrezikun e krijimit të një Republike Sërpska në Kosovë, thotë Hartwell, duke iu referuar entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili ka pushtet legjislativ.

    “Ekziston një perceptim i fortë se Asociacioni do të ndihmonte në përparimin e dialogut, por unë jam shumë skeptik për këtë. Një opsion ndoshta për Kosovën do të ishte që të prezantonte një version të zbutur të Asociacionit dhe, në njëfarë mënyre, ta zbatonte atë, vetëm për t’i heshtur kritikët”.

    “Por, theksoj se zbatimi i Asociacionit me kompetenca të forta ekzekutive do të bëhej mjaft problematik për Kosovën”, thotë Hartwell.

    Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se Bosnje e Hercegovina, për shkak të organizimit të brendshëm që ka, ka mbetur çështje e hapur prej dekadash. Nuk e përjashton mundësinë që edhe kontesti mes Kosovës dhe Serbisë të mbetet i tillë, ndaj sugjeron që të gjitha palët t’i kthehen qëllimit të deklaruar fillestar: njohjes së ndërsjellë.

    “Askush nuk flet më për njohje të ndërsjellë. Të gjithë flasin për një normalizim dhe kjo nuk është në interesin e Kosovës, e do të thosha se nuk është as në interesin e një Serbisë demokratike”, thotë Bassuener.

    Në vazhdën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, ai thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi është një rajon ku BE-ja ka potencial të madh për të ndikuar në stabilizimin e situatës dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është thelbësore për këtë stabilitet.

    “Shpresoj të ketë një rivlerësim dhe riorganizim të politikave nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh ende asnjë provë për këtë – as në institucionet e BE-së dhe as në shtetet anëtare – edhe pse duhet kohë më e gjatë për ta kthyer anijen në drejtim tjetër”.

    “Është e kuptueshme që janë fokusuar në atë se si t’i ndihmojnë ukrainasit, nëse amerikanët tërhiqen, si ta mbrojnë veten në mënyrë legjitime… Këto janë prioritete, por Ballkani Perëndimor është i vetmi vend në botë ku BE-ja mund të jetë vërtet vendimtare”, thotë Bassuener për Exposenë.

    Analistët besojnë se BE-ja ka ende leva ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’i shtyrë përpara drejt një marrëveshjeje, edhe pse kushtëzimi i integrimit të tyre evropian me normalizimin e marrëdhënieve, deri më tash nuk ka dhënë rezultate.

    Hartwell thotë se Perëndimi duhet të ketë një plan të qartë B nëse dialogu dështon.

    “Një nga zgjidhjet mund të jetë që pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta njohin atë. Sepse, në atë rast, Serbia nuk mund të thotë se çështja e njohjes së Kosovës është ende në ajër. Asaj do t’i duhej të merrej me një Kosovë që njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Dhe, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE, Serbia do të duhet të punojë brenda kësaj kornize”, thotë Hartwell.

    Megjithatë, disa kanë hamendësuar se me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ka më shumë hapësirë veprimi, për shkak të lidhjeve të saj më të ngushta – qofshin politike, qofshin ekonomike – me njerëz të afërt me Trumpin.

    Ndaj, analistët thonë se fokusi i Kosovës duhet të jetë te ruajtja e mbështetjes dypartiake në Uashington.

    Sipas Hartwellit, vendi duhet të pozicionet si një partner i besueshëm, sidomos në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë, si dhe të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e energjisë dhe mbrojtjes.

    Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.

    Kontakti i fundit i ditur, që Kosova ka pasur me Shtëpinë e Bardhë, ka qenë një letër që presidenti Trump i ka dërguar presidentes Osmani, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në muajin shkurt.

    Në atë letër, Trump është zotuar për zgjerimin e lidhjeve me Kosovën dhe nuk e ka përmendur fare dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikojnë të thërrasin ndonjë takim mes udhëheqësve të të dyja vendeve së shpejti. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ata do t’i përgjigjeshin ftesës.

    Me Kosovën ende pa qeveri të re, pas zgjedhjeve të shkurtit, dhe me protestat e vazhdueshme në Serbi, e vetmja gjë që lëviz me siguri përpara, është kalendari.

  • Njohja e ndërsjellë zgjidh çështjet Kosovë – Serbi “njëherë e përgjithmonë”, e jo normalizimi i papërcktuar

    Njohja e ndërsjellë zgjidh çështjet Kosovë – Serbi “njëherë e përgjithmonë”, e jo normalizimi i papërcktuar

    Atë çka Bashkimi Evropian e jep vakët si “normalizim i marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë është gjë e papërcaktuar, ka thënë studiesi i lartë në London School of Economics, Leon Hartwell, në një bisedë me “Radio Evropa e Lirë”.

    Në një këshillim publik për emisarin e ri të BE-së, Peter Sorensen, ai thotë se rrënja e problemin është te mosnjohja e ndërsjellë mes vendeve – dhe se adresimi i saj çon te suksesi, e jo ajo çka jepet përmes fjalisë “normalizim i marrëdhënieve”.

    “Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.

    “Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartwell.

  • Papa Françesku sot do të dalë nga spitali, dhe do t’i përshëndet njerëzit

    Papa Françesku sot do të dalë nga spitali, dhe do t’i përshëndet njerëzit

    Papa Françesku do të dalë nga spitali Gemelli i Romës të dielën dhe do të ketë nevojë për të paktën dy muaj pushim në Vatikan, thanë mjekët që e trajtojnë atë.

    88-vjeçari u shtrua në spital më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator që rezultoi me pneumoni të dyfishtë.

    Gjatë pesë javëve të fundit, ai paraqiti “dy episode shumë kritike” ku “jeta e tij ishte në rrezik”, tha Dr Sergio Alfieri, një nga mjekët që trajtonte Papën.

    Papa Françesku nuk u intubua kurrë dhe mbeti gjithmonë vigjilent dhe i orientuar, tha Dr Alfieri. Papa nuk është shëruar plotësisht, por nuk ka më pneumoni dhe tani është në një gjendje të qëndrueshme, sipas mjekëve të tij.

    “Sot jemi të lumtur të themi se nesër ai do të jetë në shtëpi”, u tha Dr Alfieri gazetarëve të shtunën.

    Papa do të ofrojë një bekim nga dritarja e tij në spitalin Gemelli të dielën – hera e parë që ai do të shfaqet në publik që kur u shtrua në spital – përpara se të kthehet në rezidencën e tij në Vatikan.

    Dr.Alfieri tha se pacientët me pneumoni të dyfishtë humbasin pak zërin dhe “sidomos te të moshuarit do të duhet kohë që zëri juaj të kthehet në normalitet”..

    Nëse trendi i përmirësimit vazhdon, thonë mjekët, Papa do të jetë në gjendje të kthehet në punë sa më shpejt të jetë e mundur.

    Vatikani kishte thënë të premten se Papa kishte parë disa përmirësime e frymëmarrjen dhe lëvizshmërinë e tij, shkruan BBC.

  • Sali Berisha takohet me diasporën shqiptare në Napoli

    Sali Berisha takohet me diasporën shqiptare në Napoli

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të zhvillojë sot një takim me diasporën shqiptare në Napoli, në orën 15:00.

    Ky takim është pjesë e turit të Berishës me emigrantët shqiptarë në Europë, në kuadër të shpalljes së vitit 2025 si “Viti i Diasporës”. Më herët, ai ka mbajtur takime edhe në Romë, Milano dhe Parma.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 100 tiketa trafiku për 24-orë

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 100 tiketa trafiku për 24-orë

    Policia e Kosovës brenda 24 orëve ka shqiptuar 2 mijë e 110 tiketa trafiku.

    Në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se kanë ndodhur 52 aksidente, 26 prej tyre me të lënduar dhe 26 me dëme materiale.

    Ndër tjera thuhet se janë arrestuar 17 persona e nëntë janë dërguar në mbajtje, kurse një është në ndalim policor.