ATV

Category: Lajme

  • Ministria e Financave për shtesat e policëve: Duhet të sigurohen se kanë buxhet kur miratojnë shtesa

    Ministria e Financave për shtesat e policëve: Duhet të sigurohen se kanë buxhet kur miratojnë shtesa

    Ministria e Financave, ka reaguar në lidhje me mospagesat e orëve shtesë për policëve.

    Ministria ka deklaruar se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.

    ‘‘U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e ministrisë.

    Tutje, nga kjo ministri është thënë se tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.

    ‘‘Sqarim në lidhje me çështjen e ekzekutimit të pagave dhe shtesave tjera

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.

    MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.

    U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.

    MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.

    MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompenzohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar’’, thuhet në reagimin e ministrisë.

    Lexoni edhe:

    Policëve s’u paguhen shtesat, Sindikata del me një thirrje për Qeverinë

  • Policëve s’u paguhen shtesat, Sindikata del me një thirrje për Qeverinë

    Policëve s’u paguhen shtesat, Sindikata del me një thirrje për Qeverinë

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.

    Sipas Sindikatës, nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.

    ‘‘Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje’’, thuhet mes tjerash në reagim.

    Sindikata i bën thirrje Ministrisë së Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura dhe të sigurojë kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë.

    “Sindikata e Policisë së Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

  • Hezbollahu i bën thirrje Libanit të ndërmarrë veprime kundër sulmeve izraelite

    Hezbollahu i bën thirrje Libanit të ndërmarrë veprime kundër sulmeve izraelite

    Kreu i bllokut parlamentar të Hezbollahut, Mohammed Raad, ka bërë thirrje për unitet më të fortë kombëtar dhe një qëndrim më të fortë përballë “agresionit” izraelit dhe i bëri thirrje qeverisë libaneze të ndërmarrë “hapa praktikë” për të ndaluar sulmet ndaj vendit.

    Komentet e tij erdhën pasi forcat izraelite goditën Bejrutin më herët sot, pavarësisht nga një armëpushim i brishtë që hyri në fuqi vitin e kaluar pas 13 muajsh lufte midis Izraelit dhe grupit libanez.

    Raad tha se Hezbollahu nuk e ka shkelur armëpushimin dhe se shteti “duhet të përmbushë detyrën e tij për të penguar armikun”.

    Qeveria nuk ka “autoritet ekskluziv” mbi vendimet në lidhje me luftën, tha ai, duke shtuar se është e paaftë të mbrojë Libanin më vete.

    “Kushdo që mendon se rezistenca i përket të shkuarës, gabon,” tha ai.

  • Autoritetet turke prangosin edhe mbrojtësin ligjor të rivalit të Erdoganit

    Autoritetet turke prangosin edhe mbrojtësin ligjor të rivalit të Erdoganit

    Autoritetet turke kanë arrestuar avokatin e rivalit kryesor politik të presidentit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, Ekrem Imamoglu, ka njoftuar të premten një deputet nga radhët e partisë më të madhe opozitare, CHP.

    Mehmet Pehlivan, avokati që e ka mbrojtur kryetarin e bashkisë së Stambollit, në hetimet e fundit, është arrestuar mbi “akuza të fabrikuara”, ka shkruar deputeti i CHP-së, Taskin Ozer, në rrjetin social X pa dhënë detaje të tjera.

    Imamoglu, u arrestua të mërkurën e javës së kaluar nën akuzat për korrupsion dhe lidhje me organizata terroriste. Arrestimi i tij ka nxitur protesta masive anti-qeveritare në mbarë vendin. Si rezultat i protestave janë arrestuar me mijëra persona.

    E kundër arrestimit të avokatit, ka reaguar edhe vetë Imamoglu i cili përmes një postimi në X ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

    “Si të mos mjaftonte grusht-shteti kundër demokracisë, ata nuk mund ta durojnë faktin që viktimat e këtij grusht-shteti po mundohen të mbrohen”, ka thënë Imamoglu.

  • JD Vance s’e përjashton mundësinë e marrjes me forcë të Grenlandës

    JD Vance s’e përjashton mundësinë e marrjes me forcë të Grenlandës

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe gruaja e tij Usha kanë zbarkuar në bazën hapësinore ushtarake Pituffik në Grenlandën veriperëndimore.

    Sapo kanë mbërritur në Grenlandë, ata kanë hipur në një automjet të blinduar të SHBA-së.

    Ndërsa gjatë vizitës në bazë, Vance tha se “shumë amerikanë e pyesin pse Grenlanda ka kaq shumë rëndësi”.

    “Nëse një raketë do të lëshohej nga një vend armik në SHBA, janë njerëzit këtu përpara nesh ata që do të njoftonin burrat dhe gratë e guximshme më në jug në SHBA për t’i njoftuar se çfarë po ndodhte”, tha zëvendëspresidenti.

    Gjithashtu, ai njoftoi se Rusia dhe Kina po interesohen për kalimet e Arktikut.

    “Ne duhet të sigurohemi që Amerika të udhëheqë në Arktik”, shton ai.

  • Nesër Fitër Bajrami, Tërnava sot del para mediave

    Nesër Fitër Bajrami, Tërnava sot del para mediave

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të festës së Fitër Bajramit sot do të mbajë konferencë për media.

    Konferenca do të nisë nga ora 11:00 në Sallën e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.

    Pas një muaji agjërimi, myslimanët nesër në Kosovë festojnë Bajramin.

  • Kërkohet paraburgim për punëtorin e bufesë që u arrestua për ngacmimin seksual ndaj nxënëses në Gjakovë

    Kërkohet paraburgim për punëtorin e bufesë që u arrestua për ngacmimin seksual ndaj nxënëses në Gjakovë

    Një rast alarmant i ngacmimit seksual është raportuar në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku një punëtor i bufesë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Sinjali raportoi të enjten për këtë incident të rëndë, ndërsa tashmë është zbuluar emri i të dyshuarit.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    “Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet D.Ll., ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet D.Ll., me datë 26.03.2025 në Gjakovë, saktësisht në Shkollën Fillore të Ulët “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke u përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës/e mitur, veprime këto me të cilat të dëmtuarës/e mitur, i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Rasti është raportuar më 26 mars nga prindi i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka siguruar prezencën e të dyshuarit.

     

  • Pas tërmetit të fuqishëm 7.7 ballë, Mianmari shpall gjendjen e jashtëzakonshme

    Pas tërmetit të fuqishëm 7.7 ballë, Mianmari shpall gjendjen e jashtëzakonshme

    Mianmari ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë, i cili goditi mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar dëme të mëdha.

    Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në veri-perëndim të qytetit të Sagaing, ndërsa lëkundjet u ndjenë deri në Kinën jugperëndimore dhe Tajlandë.

    Raportohet se të paktën 43 punëtorë ndërtimi janë zhdukur pas shembjes së një ndërtese në Bangkok, ndërsa numri i viktimave në Mianmar mbetet ende i paqartë.

    Pas goditjes fillestare, një tjetër tërmet me magnitudë 6.4 ballë u regjistrua në afërsi të Mandalay. Situata komplikohet edhe më tej nga trazirat politike në Mianmar, që prej grushtit të shtetit ushtarak në vitin 2021, si dhe nga kufizimet në qasjen në internet, duke vështirësuar marrjen e informacionit mbi pasojat e tërmetit.

  • Osmani takon Shefen e Operacioneve në NATO, flasin për angazhimin për paqe, stabilitet e siguri në rajon

    Osmani takon Shefen e Operacioneve në NATO, flasin për angazhimin për paqe, stabilitet e siguri në rajon

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe Drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange.

    Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.

    “Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës.”

    Osmani po ashtu vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit.

    Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Osmani i ndau Gjeneral Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake.

    Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.

  • Tentim vrasje në Gjakovë: Theret me thikë disa herë një i mitur, të dyshuarit arratisen

    Tentim vrasje në Gjakovë: Theret me thikë disa herë një i mitur, të dyshuarit arratisen

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në rrugën “Skënderbeu” në Gjakovë, ku u ther me thikë një i mitur. Viktima u qëllua me thikë nga dy persona të panjohur dhe për pasojë përfundoi në spital, ndërsa të dyshuarit janë arratisur,.

    Gazeta Sinjali mëson se viktima që u ther me thikë disa herë në gjoks dhe në bark është E.K., 16 vjeçar.

    Bazuar në informacionet e para, viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetë, por është transferuar nga Spitali në Gjakovë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Dy persona dyshohen të jenë përfshirë në incident, të cilët menjëherë pas veprës janë larguar me shpejtësi me një veturë me targa të Shqipërisë.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa njësitë policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.