ATV

Category: Lajme

  • Ambasada e SHBA në Shqipëri i bën thirrje qytetarëve të saj: Shmagni demostratën në bulevard

    Ambasada e SHBA në Shqipëri i bën thirrje qytetarëve të saj: Shmagni demostratën në bulevard

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar këtë të enjte se në kryeqytetin shqiptar po vijojnë protestat e përnatshme përpara ndërtesës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.

    Sipas njoftimit, tubimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe mund të shtrihen potencialisht edhe në qytete të tjera të vendit. Ambasada thekson se, megjithëse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.

    Autoritetet paralajmërojnë se në zonat ku zhvillohen protestat mund të ketë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe vështirësi në qarkullim, veçanërisht në orët para dhe gjatë zhvillimit të tubimeve. Po ashtu, nuk përjashtohet zgjerimi i protestave në zona përreth, përfshirë institucione të tjera qeveritare.

    Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë dhe publikut në përgjithësi që të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm ndaj rrethinës, të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar.

    Gjithashtu rekomandohet që qytetarët të kenë gjithmonë një plan emergjence ose daljeje dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjes në zonat ku mund të ketë grumbullime.

  • Pasi PZAP ia refuzoi ankesën, Bekim Haxhiu do i drejtohet Supremes për zgjedhjet e 7 qershorit, flasin edhe nga Gjykata

    Pasi PZAP ia refuzoi ankesën, Bekim Haxhiu do i drejtohet Supremes për zgjedhjet e 7 qershorit, flasin edhe nga Gjykata

    Ditën e djeshme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar se, ka vendosur për refuzimin e pesë ankesave të deponuara lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Pjesë e këtyre ankesave, kanë qenë ato të Bekim Haxhiut, Qëndrim Kryeziut nga Partia Demokratike e Kosovës, NDS-së së Emilija Rexhepit dhe Listës Serbe.

    Rreth kësaj, Gazeta Express, ka dërguar pyetje në Gjykatën Supreme, për të kuptuar se nëse kjo gjykatë ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me vendimin e PZAP’së, nga ku është bërë e ditur se deri më tani s’është bërë një gjë e tillë.

    ‘’Pas konfirmimit nga Zyra për Menaxhimin e Lëndëve, ju njoftojmë se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë ndaj vendimeve të PZAP-së pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit’’, thuhet nga Supremja.

    Ndryshe, afati për të iu drejtuar Gjykatës lidhur me çështjen në fjalë, është deri nesër.

    Express, ka kontaktuar edhe me Bekim Haxhiun nga PDK. I pyetur se a do i drejtohet Supremes me ankesë, Haxhiu, në thënë shkurt ‘’po patjetër’’.

    Sa i përket certifikimit të rezultateve zgjedhore të 7 qershorit, për Express, nga KQZ kanë thënë se diçka e tillë do të bëhet pas përfundimit të këtyre procedurave.

  • OBSH shpall fundin e shpërthimit të Hantavirusit: Nuk ka raste të reja që prej 25 majit

    OBSH shpall fundin e shpërthimit të Hantavirusit: Nuk ka raste të reja që prej 25 majit

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi se shpërthimi i Hantavirusit konsiderohet zyrtarisht i përfunduar, pasi kontakti i fundit i një personi të ekspozuar rezultoi negativ dhe përfundoi periudhën e karantinës.

    “Kontakti i fundit i një personi të ekspozuar ndaj Hantavirusit në anijen turistike MV Hondius ka përfunduar periudhën e karantinës, ka rezultuar negativ në testim dhe është kthyer në shtëpi.

    Që nga 25 maji nuk janë raportuar raste të tjera. Prandaj, kemi kënaqësinë të njoftojmë se OBSH e konsideron të përfunduar shpërthimin e Hantavirusit”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    Sipas OBSH-së, numri i përgjithshëm i rasteve gjatë këtij shpërthimi mbetet 13, ndërsa tre persona humbën jetën. Autoritetet shëndetësore identifikuan dhe monitoruan më shumë se 650 kontakte në 33 vende.

    Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se puna nuk përfundon me mbylljen e shpërthimit. Tedros bëri të ditur se OBSH do të vijojë bashkëpunimin me qeveritë dhe partnerët ndërkombëtarë për të studiuar më tej Hantavirusin dhe për të përmirësuar njohuritë mbi zhvillimin e sëmundjes.

    Po ashtu, organizata po koordinon një studim ku marrin pjesë 21 shtete, me synim zhvillimin e metodave më të avancuara diagnostikuese, trajtimeve dhe vaksinave që mund të përdoren në raste të ngjashme në të ardhmen.

    Në përfundim të deklaratës së tij, kreu i OBSH-së falenderoi Argjentinën, Kepin e Gjelbër, Kilin, Holandën, Afrikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar dhe veçanërisht Spanjën për solidaritetin e treguar në mundësimin e zbarkimit dhe riatdhesimit të sigurt të pasagjerëve dhe ekuipazhit të anijes në Tenerife.

  • “Alarm për gjithë sektorin privat”, reagon Lidhja e Bizneseve të Kosovës

    “Alarm për gjithë sektorin privat”, reagon Lidhja e Bizneseve të Kosovës

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të Qumështores “Vita”.

    Në reagim thuhet se ky është alarm për gjithë sektorin privat në Kosovë.

    Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ky vendim është goditje direkte për gjithë ekonominë e Kosovës.

    Komunikata e plotë:

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës

    Mbyllja e Qumështores VITA është goditje direkte ndaj ekonomisë së Kosovës!

    Ajo që po ndodh me Qumështoren VITA është alarm për gjithë sektorin privat në Kosovë.

    Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk është vetëm çështje e një kompanie – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj qindra vendeve të punës, qindra fermerëve vendorë, zinxhirit të furnizimit dhe stabilitetit të tregut në Kosovë.

    Kjo është një goditje e rëndë ndaj prodhimit vendor dhe një sinjal jashtëzakonisht negativ për investitorët – si vendorë ashtu edhe të huaj.

    Institucionet duhet ta kenë të qartë: bizneset nuk janë objekt eksperimentesh apo vendimesh që rrezikojnë ekzistencën e tyre. Kosova nuk ndërtohet duke i mbyllur fabrikat, por duke i mbrojtur ato.

    Sundimi i ligjit po –

    Por jo selektivitet, jo presion dhe jo vendime që shkatërrojnë ekonomi.

    Mjaft më me qasje që dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe klimën e biznesit në vend.

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo biznesi vendor dhe të ekonomisë së vendit.

  • Familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e 78-vjeçarit nga Prishtina që vuan nga demenca

    Familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e 78-vjeçarit nga Prishtina që vuan nga demenca

    Një 78-vjeçar nga lagjja Bregu i Diellit në Prishtinë është raportuar i zhdukur që nga mëngjesi i së enjtes, ndërsa familjarët e tij kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për ta lokalizuar sa më shpejt.

    Bëhet fjalë për Xhafer Raqin, i cili, sipas familjarëve, është larguar nga shtëpia rreth orës 08:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

    Familja ka bërë të ditur se 78-vjeçari vuan nga demenca, gjë që e bën edhe më urgjente gjetjen e tij.

    Po ashtu, familjarët kanë njoftuar se rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës, e cila ka nisur procedurat për kërkimin e tij.

    “Rastin e kemi lajmëruar edhe në polici. Jo, për kërkime nuk kemi angazhuar ndonjë ekip të kërkim-shpëtimit. Kemi dal mbi 30 vetë për ta kërkuar, familjarë po e kërkojmë gjithkund nëpër qytet”, deklaruan ata për Klankosova.

    Ata bënë thirrje që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tij të lajmërojnë në numrin +383 44 737 900.

  • Mustafa: Qeveria po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes

    Mustafa: Qeveria po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka reaguar pas zhvillimeve rreth qumështores “VITA”, duke kritikuar ashpër qasjen e institucioneve shtetërore ndaj prodhuesve vendorë.

    Në një reagim publik, Mustafa ka thënë se veprimet e fundit ndaj kësaj fabrike tregojnë, sipas tij, një qasje represive ndaj sektorit privat dhe prodhuesve vendorë, të cilët po përballen me pasiguri të shtuar.

    Ai ka vlerësuar se një klimë e tillë e dëmton drejtpërdrejt ekonominë e vendit dhe ndikon në largimin e investimeve.

    “‘Inspektori’ Armend Muja po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes. Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë”, ka deklaruar Mustafa.
    Sipas tij, në një ambient të tillë nuk mund të ketë as investime vendore e as të huaja, pasi, siç tha ai, qeveria po shihet si armiqësore ndaj sektorit privat.

    Mustafa ka shtuar se kjo qasje nuk synon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet në Kosovë, por përkundrazi, po krijon një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë.

    Ai ka theksuar se Kosova duhet të orientohet drejt politikave që mbështesin prodhimin, punësimin dhe investimet, në vend të pengesave ndaj bizneseve vendore.

  • Lladrovci: Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

    Lladrovci: Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

    Pas lajmit rreth vendimit të Gjyqit për ish udhëheqësit e UÇK-së, Ramiz Lladrovci ka deklaruar se “shtyrja e afatit të vendimit të gjyqit nga Maji e Korriku në Shtator për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, është argument se vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!”

    Postimi i Lladrovcit në fb:

    Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

    Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën, i presim fitimtarë nga beteja e fundit për Republikën e Kosovës dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Betejat në frontin e luftës u fituan me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, bashkë me aleatët, fitoren diplomatike me mbi 120 njohje, i arritëm bashkë me aleatët, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e fituam të drejtën tonë për shtet, bashkë me drejtësinë ndërkombëtare, andaj edhe besimi ndaj aleatëve dhe drejtësisë ndërkombëtare ishte i pakufishëm.

    Retë e zeza mbi Kosovën, njëzet vjet pas çlirimit, i ranë barrë ti heq, Hashimi me shokë, në betejën e fundit për Republikën e Kosovës, për pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejtë në pajtim me normat ndërkombëtare.

    Fisnikëria, virtyti dhe guximi, janë veti të burrështetasve të cilët i krijojnë rrethanat për të ardhmen e popullit të vet dhe për këtë të ardhme, janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim, edhe atëherë kur kërkohet sakrificë me vetëmohim. Jemi me fat se kemi liderë të tillë, heronj të luftës dhe paqes, i presim fitimtarë, i presim të lirë, në Kosovën e lirë, të lirë e krenar!

    Shtyrja e afatit të vendimit të gjyqit nga Maji e Korriku në Shtator për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, është argument se vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

  • Rahovec, prindi i pakënaqur me rezultatet e fëmijës në shkollë dyshohet se e kanosi drejtoreshën e shkollës

    Rahovec, prindi i pakënaqur me rezultatet e fëmijës në shkollë dyshohet se e kanosi drejtoreshën e shkollës

    Dyshohet se një prind në Rahovec duke qenë i pakënaqur me rezultatin e fëmijës së tij në shkollë e ka kanosur përmes telefonit drejtoreshën e shkollës.

    Rasti dyshohet se ka ndodhur dje, më 01.07.2026.

    Vlera Krasniqi, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, kur është pyetur për këtë rast ka thënë për KALLXO se një grua më 01.07.2026 ka raportuar se një burrë e ka kanosur përmes telefonit.

    “Me ç’rast i dyshuari pas raportimit është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec ku edhe është intervistuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit ndaj tij është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt” – ka thënë Krasniqi.

    Edhe Prokuroria e Gjakovës e ka konfirmuar këtë rast, duke treguar se është iniciuar rast për veprën penale – kanosja.

    “Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Kurse, Muhamet Morina, drejtori i Arsimit në Rahovec, tha se është informuar se prindërit e kanë kërcënuar mësimdhënësin kujdestar të nxënësit përmes drejtoreshës së shkollës, pasi kanë menduar se ai ka ndikuar në rezultatet e fëmijës në shkollë.

    Morina ka shpjeguar se prindi i kishte thënë drejtoreshës “mos të më del përpara, mos ta shoh, se mund të ndodh problem”, për kujdestarin e klasës të fëmijës së tij.

    Drejtori Morina tha se është informuar nga drejtoresha e shkollës se prindërit fillimisht kishin shkuar tek Inspektorati i Arsimit në Gjakovë për të biseduar për rezultatin e fëmijës në shkollë dhe më pas kanë shkuar në shkollë.

    “Drejtoreshës së shkollës i është thënë: “Mësimdhënësin nuk është mirë ta takoj, sepse jam i pakënaqur, nuk është interesuar për [fëmijën tonë]”. Me një fjalë, një lloj kërcënimi përmes drejtoreshës, jo mësimdhënësit drejtpërdrejt. Sepse prindërit kanë menduar që kujdestari i klasës është personi kryesor i cili ka ndikuar në rezultatin e fëmijës tyre” – deklaroi Morina më 02.07.2026.

    Më pas Morina tha se drejtoresha e shkollës e ka njoftuar Policinë për këtë sjellje të prindërve.

    Kurse, të enjten, më 02.07.2026, drejtori Morina tha se prindërit e kanë takuar drejtoreshën e shkollës dhe e kanë pranuar se ishin ngutur me sjelljen që kanë treguar një ditë më parë.

    Në lidhje me këtë rast, mediumi është interesuar dhe e ka pyetur edhe Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë dhe është në pritje të përgjigjeve.

  • Mbështetja për Ballkanin: Kosova rrezikon të mbetet pa fondet e BE-së

    Mbështetja për Ballkanin: Kosova rrezikon të mbetet pa fondet e BE-së

    BE-ja do të ridrejtojë fondet për reformat në Ballkanin Perëndimor drejt vendeve kryesuese, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi vendet e tjera po përpiqen të përmbushin afatet e reformave.

    Komisioni Evropian është gati të rishpërndajë fondet në kuadër të mjetit të hartuar për të nxitur financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor që të kryejnë reformat e kërkuara për anëtarësim në BE në favor të vendeve “kryesore”, thanë dy zyrtarë të BE-së për Euronews.

    Programi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor u krijua në vitin 2024 për t’u dhënë vendeve kandidate në rajon mbështetje financiare të lidhur me kushte të rrepta, kryesisht zbatimin e reformave të nevojshme për t’u bashkuar me bllokun.

    Mjeti mbulon periudhën 2024-2027, me ambicien e dyfishimit të madhësisë së ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme.

    Megjithatë, sipas të dhënave të vetë Komisionit, vetëm rreth 673 milionë euro janë lëshuar në kuadër të këtij fondi, nga 6 miliardë euro të disponueshme. Pothuajse i gjithë ky fond ka shkuar vetëm në tre nga gjashtë vendet kandidate.

    Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë më të përparuarat në procesin e pranimit, falë axhendave të tyre të reformave të brendshme. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia, në të kundërt, konsiderohen përgjithësisht si të prapambetura.

    Instrumenti kërkon që reformat të përfundojnë brenda afateve të dakorduara — nëse nuk arrihet një i tillë, Komisioni mund të mbajë një pjesë ose të gjitha fondet që korrespondojnë me atë kusht.

    Përfituesit kanë një vit kohë për të përmbushur kushtet përpara se fondet të rialokohen, përveç vitit të parë kur afati zgjatet në dy vjet. Kjo do të thotë se fundi i qershorit ishte afati i parë i tillë.

    “Siç nënvizon rregullorja, aty ku hapat e reformës nuk janë përmbushur dhe kanë skaduar brenda periudhës së hirit, fondet përkatëse mund të rishpërndahen midis përfituesve të tjerë”, tha një zëdhënës i Komisionit për Euronews.

    “Lidhur me hapat që duheshin ndërmarrë më 30 qershor 2026, Komisioni tani do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv për të gjithë përfituesit”, shtoi zëdhënësi.

    Me fjalë të tjera, Komisioni është i vendosur të rishpërndajë paratë e pashpenzuara te vendet që gjykohen se po bëjnë përparimin më të madh në reforma. Këto janë Mali i Zi dhe Shqipëria, të ashtuquajturit kryesues, dhe Maqedonia e Veriut, e cila gjithashtu ka një historik të mirë reformash.

    Humbësi më i madh pritet të jetë Bosnja dhe Hercegovina, e cila deri më tani nuk ka marrë asnjë financim nga ky program, pasi ka dështuar të zbatojë asnjë nga reformat e kërkuara – kryesisht për shkak të strukturës së saj komplekse institucionale. Kosova dhe Serbia gjithashtu pritet të jenë në disavantazh, edhe pse ato tashmë kanë marrë disa disbursime.

    Kjo situatë u certifikua që në prill, kur Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos u shkroi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i nxitur ato të përshpejtonin reformat ose rrezikonin të humbisnin paratë e ofruara në kuadër të instrumentit.

    Zyrtarët e BE-së theksojnë se ky instrument ofron fonde nxitëse: Komisioni nuk po heq para, thonë ata, pasi vendet nuk kanë pasur kurrë të drejtë për to, përveç nëse kanë zbatuar reformat në fjalë.

    «Është si të punosh me orë», tha një zyrtar i BE-së, duke kërkuar të mbetej anonim për të folur hapur. «Paguhesh vetëm për punën që bën në të vërtetë».

    Komisioni pritet t’u japë shteteve anëtare më shumë detaje mbi këtë çështje më vonë këtë muaj, duke përfshirë edhe sasinë e fondeve që do të rialokohen.

    Mundësi të tjera të mundshme përfshijnë ndarjen e parave shtesë në mënyrë të barabartë midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për asistencë teknike, transferimin e parave në vende të tjera kandidate jashtë rajonit, ose edhe transferimin e parave përsëri në buxhetin e BE-së.

    “Reformat duhet të mbeten një përparësi për përfituesit, në mënyrë që ata të përfitojnë sa më shumë nga ajo që ofron Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi i Komisionit.

  • Dajë e nip të plagosur në Podujevë, Prokuroria me detaje të reja

    Dajë e nip të plagosur në Podujevë, Prokuroria me detaje të reja

    Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje të armatosur që ka ndodhur të enjten rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, sipas të dhënave fillestare të hetimit, në ngjarje janë përfshirë tre persona, ndërsa nga të shtënat me armë zjarri lëndime trupore kanë pësuar tre të përfshirët, si dhe një kalimtar i rastit.

    Sipas Prokurorisë, dyshohet se personat e përfshirë kanë lidhje familjare, përkatësisht bëhet fjalë për nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i konfliktit lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.

    Menjëherë pas marrjes së informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, në bashkëpunim me njësitet policore, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

    Prokuroria ka njoftuar se personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.