ATV

Category: Lajme

  • Paga minimale 500 euro: Kush fiton, kush humb?

    Paga minimale 500 euro: Kush fiton, kush humb?

    Paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto në muaj, duke prekur, sipas zyrtarëve, rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat. Derisa Qeveria e ka paraqitur vendimin si mbështetje për punëtorët, ekspertët vënë në pikëpyetje ndikimin e tij në mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë. Çfarë, realisht, pritet të sjellë kjo rritje?

    Mijëra punëtorë në Kosovë pritet të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 500 euro bruto në muaj, e cila hyri në fuqi më 1 korrik.

    Por, mbetet e paqartë nëse kjo rritje do të përkthehet në një përmirësim të mirëfilltë të standardit të jetesës së tyre, përballë inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve

    Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë analizë e hollësishme zyrtare mbi ndikimin e kësaj rritjeje apo në fuqinë blerëse të familjeve.

    Ekspertë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, vlerësojnë se paga e re minimale nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje në Kosovë.

    Qeveria e Albin Kurtit, tani kryeministër në detyrë, e mori këtë vendim në tetorin e 2025-tës, në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa ai hyri në fuqi në dy faza, në janar dhe në korrik 2026.

    Vendimi prek rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat, sipas zyrtarëve.

    Mungesa e një studimi paraprak

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë pas vendimit për rritjen e pagës minimale se ai erdhi pas “analizave dhe diskutimeve që kemi pasur, si dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve”.

    Por, pretendimet e Muratit hidhen poshtë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili akuzon Qeverinë për mospërfshirjen e Odës dhe të bizneseve në analizimin e ndikimit të pagës së re minimale.

    “Nuk jemi konsultuar. Nuk e kemi parë asnjë raport, asnjë studim. Kjo është pikërisht kërkesa jonë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

    Ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se Qeveria e “politizoi” pagën minimale, duke anashkaluar aktorët e tjerë nga diskutimet rreth ndikimit para marrjes së vendimit.

    “Asnjë pagë, qoftë minimale, qoftë mesatare, nuk duhet të politizohet, sepse kjo vetëm e dëmton aspektin ekonomik dhe social. Dhe, në këtë drejtim, definitivisht, paga minimale duhet të jetë e diskutuar dhe e kalkuluar në trendët e rritjes së inflacionit”, shpjegon ai për Radion Evropa e Lirë.

    A mjafton kjo rritje?

    Paga minimale, tani 500 euro, u rrit fillimisht në 425 euro në janar, nga 350 sa ishte paraprakisht.

    Me një inflacion të rritur në rreth 6.8 për qind, dhe një ekonomi të ngadalësuar, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, paga e re minimale në Kosovë nuk do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, thonë ekspertët.

    “Në rrethana reale, në një ekonomi të qëndrueshme, është dashur të fitojë qytetari, por duke pasur parasysh faktin që jemi një shtet i varur nga importi dhe afër 90% e të hyrave familjare shkojnë në konsum, atëherë shumë më tepër do të fitojnë tregtia dhe importi, sesa qytetarët dhe shteti”, vlerëson Gërxhaliu

    Një hulumtim, i publikuar më 2024 nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë, ka gjetur se një familje 4-anëtarëshe në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për ushqim, strehim, arsim, shëndetësi dhe transport.

    Në zonat urbane, shpenzimet arrijnë mbi 1.200 euro, ndërsa në ato rurale rreth 1.090 euro.

    Rafuna thotë se paga minimale prej 500 eurosh “nuk i mbulon” nevojat e kostot reale jetësore të familjes në Kosovë.

    Ai shton se Qeveria ka mundur të vinte me një vendim më të mirë për pagën minimale, sikur t’i jepte mundësi OEK-ut për të sjellë propozime pas bisedimeve me përfaqësuesit e tij, me anëtarët e Odës, por edhe me joanëtarët e saj.

    Ndikimi tek bizneset dhe informaliteti

    Ekspertët e ekonomisë parashikojnë ndikim negativ tek bizneset, që, sipas Gërxhalut, “nuk kanë qenë të përgatitura që do të ndodhë diçka e tillë”, pasi nuk janë konsultuar nga Qeveria.

    “E tërë kjo do të ndikojë në radhë të parë në tkurrje apo në zvogëlim të vendeve të punës, në rendin e kërkesës për punëtorë dhe, kuptohet, si efekt i tretë do të jetë edhe tentativa për informalitet”, vlerëson ai.

    Rafuna, në anën tjetër, pajtohet se bizneset mund të preken, por nuk mendon se do të ketë rritje të informalitetit.

    “Sipas të dhënave tona, nuk do të ketë informalitet, për shkak se […] sektori privat ka lëvizur goxha mirë me paga si rezultat edhe i kohës, por edhe si rezultat i kërkesës për të pasur fuqi punëtore të mirë dhe kualitative brenda ndërmarrjes”, tregon ai

    Ai shpjegon ndikimin tek bizneset e mesme dhe ato të reja, apo start-up.

    “Te bizneset e mesme, sfiduese është ngarkesa, se edhe është rritur pragu i pagës minimale, por edhe nuk është liruar nga tatimi i të ardhurave personale”, thotë ai.

    Për shembull, fqinja e Kosovës, Shqipëria, në janar e rriti pagën minimale në 50.000 lekë, apo 500 euro, dhe vendosi se ajo nuk do të tatohet

    Ministria në detyrë e Financave në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të tatohet apo jo paga minimale.

    Rafuna thotë se situata e re do të jetë “shumë sfiduese” edhe për bizneset e vogla, për shkak se “ato janë në hapat e parë, në ditët e para, dhe paga minimale prej 500 eurove padyshim që do t’i shtyjë ose ta kufizojnë numrin e stafit, ose të riorganizohen”.

  • Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut

    Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut

    Ekrem Bajroviqi është shpallur sërish fajtor në rigjykim dhe është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Saradran të Istogut.

    Fillimisht, në korrik të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Bajroviqin me 12 vjet burgim për të njëjtat akuza.

    Megjithatë, Gjykata Supreme e ktheu rastin në rigjykim, duke vlerësuar se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë procesit se më herët kishin dhënë dëshmi edhe për UNMIK-un dhe EULEX-in lidhur me këtë rast, por këto deklarata nuk ishin pjesë e dosjes së lëndës.

    Sipas aktakuzës, Bajroviqi, në cilësinë e policit në Stacionin Policor të Gurrakocit, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, më 8 maj 1999 ndaloi në Saradran të Istogut një kolonë civilësh shqiptarë që po largoheshin drejt Shqipërisë.

    Ai akuzohet se, së bashku me të tjerë, ndau 16 burra nga kolona, i dërgoi në një shtëpi ku u rrahën me mjete të forta dhe u keqtrajtuan, duke u drejtuar fjalët: “Ku e keni NATO-n, ku e keni UÇK-në?”

    Aktakuza thotë se më pas, në bashkëpunim me forca paramilitare serbe, civilët u dërguan një nga një në një shtëpi tjetër, ku u ekzekutuan.

    Sipas prokurorisë, 15 persona humbën jetën, ndërsa njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet N.E., mbijetoi pasi u plagos rëndë në fytyrë dhe u la mes trupave të viktimave.

    Po ashtu, Bajroviqi akuzohet se më 7 maj 1999, në Saradran të Istogut, mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë.

    Sipas aktakuzës, burrat u ndanë nga pjesa tjetër e kolonës së civilëve, iu morën paratë dhe sendet me vlerë, ndërsa më pas u dërguan në një lokal në Gurrakoc, ku u maltretuan dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore.

    Të nesërmen, më 8 maj 1999, ata u transferuan në Stacionin Policor në Gurrakoc, ku, sipas aktakuzës, kolonës i printe i akuzuari Ekrem Bajroviqi.

  • Tahiri uron Haradinajn për ditëlindje: Kontributi i tij për lirinë dhe shtetin e Kosovës është historik

    Tahiri uron Haradinajn për ditëlindje: Kontributi i tij për lirinë dhe shtetin e Kosovës është historik

    Deputeti i rizgjedhur, Besnik Tahiri ka uruar ish-kryetarin e Aleancës, Ramush Haradinaj, me rastin e 58-vjetorit të lindjes, duke e cilësuar atë si një burrështetas që ka dhënë gjithçka për popullin dhe shtetin e Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri është shprehur se historia do të dëshmojë se kontributi i Haradinajt për lirinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës me kufijtë aktualë është vendimtar dhe historik.

    “Sot, feston ditëlindjen burrështetasi që dha gjithçka për popullin e vendit tonë. Historia do të dëshmojë se kontributi i Ramush Haradinaj për lirinë e shtetin me këta kufij është vendimtar e historik. Gëzuar 58-vjetorin, kryeministër Haradinaj, edhe 100 të tjera”, ka shkruar Tahiri.

  • Raportohet për një grua të zhdukur në Prizren, Policia nis hetimet

    Raportohet për një grua të zhdukur në Prizren, Policia nis hetimet

    Një rast i personit të zhdukur është raportuar në Prizren, ku një femër kosovare dyshohet se është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 2 korrik 2026, rreth orës 11:30, ndërsa menjëherë janë angazhuar njësitë relevante për hetimin e rrethanave të zhdukjes.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe se nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për identitetin e personit të zhdukur apo rrethanat e mundshme të rastit, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

  • Rafuna: Kosova po humb fonde dhe projekte për shkak të bllokadës institucionale, duhen reforma urgjente

    Rafuna: Kosova po humb fonde dhe projekte për shkak të bllokadës institucionale, duhen reforma urgjente

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe bllokada institucionale kanë ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e fondeve dhe projekteve të rëndësishme për Kosovën, derisa vendet e rajonit kanë përfituar nga këto mjete.

    Rafuna tha se vendi fillimisht humbi një pjesë të fondeve për shkak të masave sanksionuese, ndërsa tani kemi humbur edhe mjete të tjera nga Plani i Rritjes, pasi nuk janë përmbushur reformat e kërkuara brenda afatit.

    “Po, kanë ndikuar shumë, për shkak se ne nuk kemi arritur që t’i marrim fondet të cilat kanë qenë të parapara për Kosovën. Së pari kishim masat ndëshkuese, ku humbëm prej disa fondeve një pjesën tonë, që vendet e rajonit i morën të gjitha, ndërsa Kosova nuk i ka marrë, për shkak që ishim nën masa sanksionuese. Kurse tani kemi sfidën më të madhe me Planin e Rritjes, ku sipas të gjitha gjasave një shumë goxha të madhe do ta humbim, ose thuajse e kemi humbur, se e kemi pasur afatin deri më 30 qershor që ta dorëzojmë raportin edhe të dëshmojmë që i kemi bërë reformat, ku nuk janë arritur që të bëhen reformat qysh është kërkuar me Planin e Rritjes, edhe këtu ne do të humbim një shumë. Kështu që, gjersa Kosova humb, vendet e rajonit përfitojnë, për shkak se këto mjete nuk do të kthehen në Bruksel, ose nuk do të na presin ne si Kosovë derisa ne t’i plotësojmë kushtet, mirëpo do t’u shpërndahen vendeve të cilat kanë ecur shumë shpejt në reforma”, tha ai, për Ekonomia Online.

    Ai bëri të ditur se disa projekte tashmë janë humbur ose kanë mbetur të pezulluara.

    “Po, ka disa projekte, janë ka projekte të ndryshme, domethënë prekin në infrastrukturë, te ujërat e zeza, projekte të hekurudhave, të digjitalizimit, e kështu me radhë. Që ndër vite i kemi humbur ose janë pezull”, tha Rafuna.

    Ai shtoi se në shumë sektorë hapësira për reforma, por se kjo nuk po ndodhë shkaku i bllokadës institucionale.

    “Po ne nuk po kemi, si të them, bizneset tona janë duke u përballur që nuk po ka investime, qofshin publike apo investime të huaja. Dhe shto këtu që mungesa e qeverisë, ose si të them bllokada institucionale, është edhe mungesa e të bërit reforma që kishin me i ndihmuar bizneset që produktet e tyre t’i plasojnë në tregun jo vetëm rajonal por edhe evropian, me kushte shumë më të mira dhe me standarde më të larta. Kështu që nevojiten ligje, nevojiten politika fiskale, nevojitet sundimi i ligjit. Ka shumë, shumë hapësirë në shumë sektorë ku duhet të bëhen reforma, nuk po mund të bëhen për shkak të bllokadës institucionale”, tha ai.

    Në fund, Rafuna u bëri thirrje partive politike që të konstituojnë sa më shpejt institucionet dhe të nisin reformat ekonomike.

    “Po mesazhi im do të ishte në fakt kërkesë. Kërkesë që në qoftë se ia duan të mirën këtij vendi të gjitha partitë politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që sa më shpejt t’i themelojnë institucionet, të jenë në fuqi të plotë dhe të fillojnë reformat. Bile, në rrethanat, në kushtet në të cilat gjendet ekonomia e Kosovës, na nevojiten dy ministra: një ministër i ditës dhe një ministër i ndërrimit të natës, në mënyrë që me vrapu, se me ecë jemi shumë vonë, po me vrapu për t’i zënë vendet e rajonit dhe për t’u kyçur në proceset integruese ku përfiton ekonomia e Kosovës” , tha ai./EO/

  • Lëshohet për qarkullim kyçja në Mazgit, thotë Ministria e Infrastrukturës

    Lëshohet për qarkullim kyçja në Mazgit, thotë Ministria e Infrastrukturës

    Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se është lëshuar për qarkullim kyçja në Mazgit, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

    “Siç edhe ishte planifikuar, punimet e asfaltimit në kyçjen e Mazgitit kanë përfunduar dhe segmenti tashmë është hapur për qarkullimin e automjeteve. Ndërhyrja është realizuar si masë e përkohshme për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në këtë segment, deri në përfundimin e analizave teknike që do të përcaktojnë zgjidhjen afatgjatë për problemin e ujërave nëntokësore, të cilat po dëmtojnë trupin e rrugës”, tha Ministria.

    Ky dikaster bëri me dije se gjatë ditëve në vijim do të përfundojë edhe vendosja e sinjalizimit horizontal, dhe se do të kompletohen të gjitha punimet e planifikuara në këtë fazë.

    Në fund, Ministria ka falënderuar qytetarët “për durimin dhe mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve”.

  • Realizohet me sukses një ndërhyrje e rrallë kirurgjikale, tumori largohet nga foshnja e posalindur

    Realizohet me sukses një ndërhyrje e rrallë kirurgjikale, tumori largohet nga foshnja e posalindur

    Ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK, ka realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e rrallë tek një i porsalindur njëjavësh, i diagnostikuar me teratomë kongjenitale orofaringo-nazofaringeale (Epignathus), një patologji jashtëzakonisht e rrallë që rrezikonte seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen.

    Me incidencë rreth 1 në 35.000 deri në 1 në 200.000 lindje të gjalla, dhe shoqërohet me mortalitet të lartë, deri në 80–100% nëse nuk sigurohet në kohë rrugët e frymëmarrjes.Pas diagnostikimit të hershëm dhe sigurimit emergjent të rrugëve të frymëmarrjes nga ekipi i Klinikës së Neonatologjisë pacienti iu nënshtrua ekzaminimeve të nevojshme radiologjike dhe vlerësimit multidiciplinar.

    Menaxhimi u realizua nga ekipi i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë.

    Në njoftimin e QKUK thuhet se tumori u largua në tërësi.

    “Tumori u largua në tërësi, me ruajtjen maksimale të strukturave anatomike përreth dhe pa komplikime intraoperative. Ecuria postoperative ka qenë shumë e favorshme, foshnja merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e ekipeve mjekësore”, thuhet në njoftim.

  • Vendimi final për ish krerët e UÇK-së në shtator, çka ndikoi që shpallja e aktgjykimit të shtyhet

    Vendimi final për ish krerët e UÇK-së në shtator, çka ndikoi që shpallja e aktgjykimit të shtyhet

    Shtyrja e shpalljes së vendimit për ish krerët e UÇK-së, në Dhomat e Specializuara për Kosovën, në Kosovë po vlerësohet si e paarsyeshme, si dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, Gjykata Speciale janë arsyetuar me numrin e madh të dëshmitarëve dhe kompleksitetin e rastit, por sipas tyre, kjo nuk lidhet me periudhën e pushimeve të gjykatës.

    29 mijë e 238 faqe është numri i transkriptave të gjykimit më të rëndësishëm që është zhvilluar në Dhomat e Specializuara për Kosovën, kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Për shqyrtimin e tyre e të qindra materialeve të tjera që kanë në dorë trupi gjykues, u vendos që shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të bëhet më 16 shtator të këtij viti.

    “Trupi Gjykues shpjegoi se, në përputhje me Rregulloren, kishte gjykuar se një zgjatje e mëtejshme e afatit ishte absolutisht e domosdoshme për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe sasisë së madhe të provave që Trupit Gjykues i duhet të shqyrtojë. Trupi Gjykues mori dëshmi dhe prova nga 270 dëshmitarë (me gojë dhe me shkrim), pranoi 5467 prova materiale, ndërsa transkripti i gjykimit ka 29.238 faqe. Trupi Gjykues gjykoi se kjo zgjatje e afatit përligjej nga nevoja për të garantuar një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të provave, si dhe nga detyrimi për të dhënë një arsyetim me shkrim që i pasqyron me saktësi ato prova. Pushimi i gjykatës nuk kishte ndikim në caktimin e datës për shpalljen e Aktgjykimit. Gjatë periudhës së pushimit, Gjykata është plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha njësitë e DHSK-së.”

    Por, sipas avokatit të Artan Qerkini një shtyerje e tillë ishte e paarsyeshme pasi që trupi gjykues ka pasur kohë mjaftueshëm për të vendosur.

    “Trupi gjykues e ka pasur vetëm këtë lëndë vetëm këtë çështje në punë dhe është e pamundur që gjyqtarët gjatë zgjatjes së gjykimit të mos i vlerësojnë provat mirëpo nëse shtyrja do kishte ndodhur në kohën kur të pandehurit janë duke u mbrojtur në liri atëherë nuk do ishte ndonjë shkelje e madhe, një vazhdimisht kemi potencuar faktin se është shkel parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm dhe kjo vetëm sa po e vazhdon këtë agoni, prandaj mendoj se gjykata është dashur që brenda afateve të përcaktuara më herët të dal me një verdikt”, ka thënë Qerkini.

    Të njëjtën e thotë edhe avokati Skënder Musa, i cili thotë se është dashur të shqyrtohet edhe njëherë masa e paraburgimit ndaj katërshes së UÇK-së.

    “Duke e pas parasysh materialin e shumtë shtyerja është e drejtë edhe e arsyeshme mirëpo tash Gjykata nëse don me tregu që është Gjykate që vepron në bazë të ligjit ta shqyrtojë masën e paraburgimit edhe pse diku 60 ditë është shtyerja kur dihet se janë refuzu të gjitha kërkesat për lirimin e tyre”, ka thënë Musa.

    Gjatë fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar burgim prej 45 vjetësh ndaras për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, por avokatët mbrojtës kanë argumentuar për lirimin e tyre.

    Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e janë nën masën e paraburgimit që nga viti 2020, ndonëse gjykimi për ta nisi në prillin e vitit 2023./Dukagjini/

  • Nafta pak më shtrenjtë sot

    Nafta pak më shtrenjtë sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 40 centë, një cent më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 35 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.66 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Gjendet një mjet i dyshuar në Bjeshkët e Junikut, largohet nga FSK-ja dhe KFOR-i

    Gjendet një mjet i dyshuar në Bjeshkët e Junikut, largohet nga FSK-ja dhe KFOR-i

    Një mjet i dyshuar është gjetur në zonën e Bjeshkëve të Junikut.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar dje më 2 korrik rreth orës 14:00, pasi në një zonë pyjore është hasur një mjet i dyshuar.

    Njësitë policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitë për deminim të FSK-së dhe KFOR-it kanë bërë largimin e mjetit pa incidente.

    “Bjeshkët e Junikut 02.07.2026-14:00. Është raportuar se në pyll është hasur një mjet i dyshuar. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së dhe KFOR-it ka larguar mjetin pa incidente”.