ATV

Category: Lajme

  • Kos: Kërkesat e studentëve janë të njëjta me ato që kërkon Komisioni Evropian nga Serbia

    Kos: Kërkesat e studentëve janë të njëjta me ato që kërkon Komisioni Evropian nga Serbia

    Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos ka deklaruar se kërkesat e studentëve dhe protestuesve në Serbi janë të njëjta me ato që kërkon Komisioni Evropian nga Serbia, përkatësisht reforma urgjente, kryesisht në legjislacionin zgjedhor dhe mediatik, si dhe krijimin e një rregullatori për mediat elektronike.

    Marta Kos ka thënë në një intervistë për N1 slloven, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dhënë garanci për këtë në një takim në Bruksel.

    Duke thënë se ishte e mahnitur nga energjia e protestuesve në Serbi për të ndryshuar rrethanat me të cilat nuk ishin të kënaqur, Marta Kos ka thënë se ia kishte shprehur protestën e saj Vuçiqit për përdorimin e dhunës dhe frikësimin e organizatave joqeveritare, transmeton Paparaci.

    Ajo ka thënë se shpresob se hetimi para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të tregojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në protestën e 15 marsit në Beograd, sepse po marrin informacione krejtësisht të ndryshme.

    “Kam informacione të dorës së parë, nga OJQ-të, të cilat më kanë informuar saktësisht se çfarë ka ndodhur”, ka shtuar ajo.

    Sipas saj, Serbia është në stagnim dhe duhet të ndërmarrë shumë hapa për të vazhduar negociatat.

    Komisioni Evropian kërkon reforma urgjente nga Serbia dhe afati për hapa urgjent është tre deri në katër javë, ka thënë Marta Kos, e cila në intervistë shpjegoi gjerësisht se si ndodhi që katër ditë pas protestës historike në Beograd, takimin me Vuçiqin në llogarinë e saj në “X” e cilësoi si konstruktiv, gjë që shkaktoi reagime të nxehta.

    Marta Kos ka thënë se në kabinetin e saj janë 16 persona, se është punë ekipore dhe se e kupton që njerëzit nuk pajtohen me njoftimin.

    “Por kërkoj gjithashtu mirëkuptimin tuaj, që të mos e gjykoni punën time në bazë të 280 germave. Detyra në të cilën jam duke punuar dhe në të cilën kam punuar gjatë bisedës me presidentin Vuçiq, është t’i mundësoj Serbisë të zbatojë reformat, të cilat janë të nevojshme për të vazhduar negociatat që kanë ngecur prej disa kohësh”, ka thënë ajo, duke përmendur se përgjegjësia e saj është që ta kthejë Serbinë në rrugën evropiane në të cilën ka qenë disa muaj të kaluar.

    “Dhe unë gjithmonë do të angazhohem për të folur me politikanët, me ata njerëz që mund të bëjnë diçka. Më tregoni se me kë mund të flasim në Serbi në këtë moment, për të arritur reformat, dhe gjithçka që kërkohet nga protestuesit, studentët dhe opozita. Kjo ishte tema e bisedës sime me presidentin Vuçiqin. Serbia nuk ka qeveri në këtë moment, i kam thënë se ka ngecur, se ajo duhet të bëjë shumë hapa në mënyrë që të vazhdojmë me negociatat”, ka thënë Kos, përcjell Paparaci.

    Ajo ka përmendur mediat dhe ligjet zgjedhore si ato hapa, dhe gjithashtu i ka përmendur masat e këqija të qeverisë serbe ndaj përfaqësuesve të organizatave joqeveritare.

    Sipas saj, gjatë gjithë ngecjes së negociatave me Serbinë ka qenë në kontakt me organizata joqeveritare, “me disa jam takuar dhe këtë e kam njoftuar publikisht, ndërsa me disa kam qenë në kontakt dhe nuk është njoftuar sepse ata kanë kërkuar që të mos e bëjë këtë për të mos i rrezikuar”.

    “Unë ia shpreha protestën time presidentit Vuçiq për dhunën dhe frikësimin e organizatave joqeveritare. Si mund ta bëj ndryshe këtë veçse të takohem me të dhe t’ia them hapur. Të gjithë ata që tani po më kritikojnë për takimin me Vuçiqin, nga ana tjetër, kërkojnë nga Komisioni Evropian të negociojë me Putinin, ka thënë Marta Kos.”

    “Kërkesat e studentëve, të protestuesve dhe të gjithë të tjerëve mund të bëjnë që populli serb të zgjedhë presidentin dhe qeverinë e vet. BE-ja nuk është ajo që emëron kryeministrat dhe krerët e shteteve. Kështu që fati i Serbisë është në duart e popullit serb dhe shpresoj se energjia që tani po grumbullohet atje do të çojë në zbatimin e reformave të nevojshme që po zbatohen nga ana e Komisionit Evropian”.

    Duke vënë në dukje se një nga kushtet që një vend të bëhet anëtar i BE-së është përputhja 100% me sigurinë dhe politikën e jashtme evropiane, Marta Kos ka thënë se Serbia aktualisht është në 65%, dhe katër vende janë 100% në përputhje, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

    “Flirtimi me Moskën sigurisht nuk është diçka që mund ta ndihmojë Serbinë në këtë rrugë. Dhe sigurisht që nuk do ta ndihmojë Serbinë në atë rrugë, nëse presidenti Vuçiq shkon në një paradë ushtarake në Moskë më 9 maj. Mos u shqetësoni, ne po i regjistrojmë të gjitha këto dhe do t’i kujtojmë të gjitha, dhe kjo do të ndikojë në vlerësimin tonë të procesit”, ka thënë Marta Kos.

  • Shpëtohen 4 persona të tjerë pas tërmetit në Mianmar

    Shpëtohen 4 persona të tjerë pas tërmetit në Mianmar

    Katër persona të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat gati 60 orë pasi tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.7 që goditi Mianmarin të premten, duke vrarë të paktën 1700 njerëz në vendin e Azisë juglindore.

    Të mbijetuarit u shpëtuan nga një ndërtesë shkolle e shembur në rajonin verior të Sagaing, gjet edhe një siç njoftoi shërbimi zjarrfikës i Mianmarit.

    Qindra njerëz mbeten të zhdukur, ndërsa përpjekjet e forcave të kërkim-shpëtimit vijojnë si në Mianmar ashtu edhe në Tajlandën fqinje. Megjithëse përpjekjet e shpëtimit kanë nisur që nga e premtja dhe ndihma ndërkombëtare po fillon të arrijë në Mianamar, ka pasur vonesa në arritjen e zonave më të goditura, duke i lënë vendasit të përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit me dorë.

    Të shtunën mbrëma, një grua e moshuar u shpëtua në kryeqytetin e Mianmarit, pasi u bllokua për 36 orë nën rrënojat e një spitali. Pamjet treguan se ajo u transportua me barelë në një ambulancë në pritje, e rrethuar nga punonjës të urgjencës. Njëzet e nëntë persona u shpëtuan gjithashtu nga një bllok apartamentesh i shembur në Mandalay, tha të dielën autoriteti lokal i zjarrfikësve.

    Ekipet ndërkombëtare të shpëtimit i janë bashkuar përpjekjeve për katastrofën, me disa vende që kanë dërguar ndihmë në Mianmar. Kina ka drguar një ekip shpëtimi prej 82 personash, India një ekip shpëtimi dhe furnizime emergjente. Malajzia, Filipinet , Vietnami , Indonezia , Irlanda , Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re gjithashtu po dërgojnë ekipe shpëtimi.

  • Policia e Kosovës shqiptoi 784 gjoba trafiku në ditën e Fitër Bajramit

    Policia e Kosovës shqiptoi 784 gjoba trafiku në ditën e Fitër Bajramit

    Në ditën e Fitër Bajramit, Policia e Kosovës shqiptoi gjithsej 784 gjoba trafiku.

    Po në këtë ditë, sipas të dhënave të policisë, u regjistruan 51 aksidente, një me fatalitet, 23 me lëndime dhe 27 me dëme materiale.

    Katër persona u arrestuan, ndërsa tre u dërguan në mbajtje.

  • Burri që vdiq dje te Ferronikeli ishte roje sigurimi

    Burri që vdiq dje te Ferronikeli ishte roje sigurimi

    Policia ka njoftuar se personi që vdiq dje afër Ferronikelit në Drenas ka qenë roje sigurimi.

    Rasti po hetohet.

    “HETIM I VDEKJES- Gllogoc / 30.03.2025 – 07:21. Viktima mashkull kosovar (roje sigurimi) derisa ishte në detyrë në një fabrikë, dyshohet se është rrëzuar në vendin e punës dhe ka mbetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Rasti është duke u hetuar.”

  • Bizneset kundër shtrenjtimit të rrymës, kërkojnë heqjen e TVSH-së në afat të caktuar

    Bizneset kundër shtrenjtimit të rrymës, kërkojnë heqjen e TVSH-së në afat të caktuar

    Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike 15 për qind ka ngjallur shqetësim te bizneset në Kosovë, të cilat thonë se kjo barrë e re do të ndikojë drejtpërdrejt në prodhim dhe konsum, raporton Ekonomia Online.

    Përfaqësuesit e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë thanë për Ekonomia Online se kjo rritje e çmimit të energjisë do të ketë ndikim edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe kërkojnë masa lehtësuese nga qeveria, përfshirë heqjen e përkohshme të TVSH-së për energjinë elektrike.

    Ahmet Kuçi, pronar i fabrikës së këpucëve “Solid” në Suharekë, e cilëson këtë rritje si tepër të rëndë për prodhuesit, sidomos duke marrë parasysh standardin ekonomik të Kosovës.

    “Ne të gjithë e dimë se çka do të thotë 15 për qind. 15 për qind e kemi rritjen në shpenzime. Derisa në fitimet tona si kompani e prodhimit të këpucëve ne nuk kemi ndonjë marzhë tejet të madhe, 15-20 për qind. Unë kam dëgjuar nëpër vende të tjera se si shkon dy- tre për qind, po në një stad të thuhet 15 për qind mua më duket është tepër ngarkesë, sidomos për prodhuesit. Duke marrë për bazë standardin e Kosovës, se thonë rryma më e lirë në Gjermani e ku ta di unë. Po, por ku është standardi gjerman e ku është standardi i Kosovës”, ka thënë Kuçi.

    Ai shtoi se kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike do të reflektohet menjëherë edhe në çmimet e produkteve.

    “15 për qind është tejet e ngarkuar dhe normale që do të ketë edhe ngritje të çmimeve. Ne ashtu kemi mbetur me disa çmime, meqë nga pandemia aty e kemi një mangësi në çmim sa ne kemi pretenduar, normale që do të ngrihet çmimi. Sepse edhe çmimi i lëndës së parë është ngritur. Kjo unë mendoj, është tejet e ngarkuar. Ne kërkojmë si popull, por edhe si prodhues, që të paktën të hiqet TVSH-ja në një afat të caktuar. Kjo do të kishte qenë një ndihmesë”, ka thënë Kuçi.

    Nga ana tjetër, Suad Berisha, pronar i kolegjit “Universum”, u shpreh se kjo rritje do të ndikojë më së shumti tek qytetarët dhe bizneset, duke qenë se prodhimtaria është e varur nga energjia elektrike.

    Ai përmendi edhe një aspekt pozitiv, atë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

    “Kisha shprehur shqetësimin që te qytetaret e Kosovës kjo sigurisht do të ketë ndikim më të madh. Ndërsa, normale edhe te bizneset, sepse prodhimtaria varet, kryesisht nga energjia elektrike. Ajo çka pakëz ju jep një lehtësi bizneseve është që më në fund pas 25 vjetësh ZRRE-ja, gjegjësisht qeveria e Kosovës ka vendosur që ta liberalizojë tregun e energjisë elektrike dhe ta eliminojë edhe ndikimin e monopolit që ka zgjatur për 25 vjet. Çka nënkupton kjo në tregun e lirë? Nënkupton që tash e tutje ekonomia e Kosovës nuk varet vetëm nga një furnizues si ka qenë KESCO, që ka blerë kryesisht nga KEK-u dhe industria kosovare nuk ka pasur alternativë tjetër dhe është detyruar që të furnizohet nga KESCO”, ka thënë Berisha.

    Sipas tij, liberalizimi i tregut do t’u japë bizneseve më shumë alternativa për furnizim me energji, por ky proces nuk do të jetë i lehtë. Ai kërkon që qeveria të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, të paktën për një periudhë të caktuar për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.

    “Heqja e TVSH-së është një kërkesë e përkohshme, meqenëse me vetë faktin se tash po kalohet j në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë ka shqetësime nga komuniteti i biznesit se jo shpejt dhe jo lehtë do të përfshihen në atë treg të lirë. Është një kërkesë për një periudhë, derisa të stabilizohet furnizimi nga tregu i lirë”, ka thënë Berisha.

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Në Kosovë sot do të mbretërojë mot kryesisht i vranët, vranësira këto që pritet të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4-6 gradë Celsius ndërkaq, maksimalet prej 9-13 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 metër për sekond.

  • Trump: Tarifat nisin më 2 prill, Grenlanda do jetë e jona 100%

    Trump: Tarifat nisin më 2 prill, Grenlanda do jetë e jona 100%

    Donald Trump konfirmon se nuk do të ketë vonesa në vendosjen e tarifave më 2 prill, datë e përcaktuar nga presidenti amerikan si dita e çlirimit.

    Në një intervistë për NBC, manjati theksoi se ishte i gatshëm të negocionte vetëm nëse vendet “janë të gatshme të na japin diçka të madhe, përndryshe nuk ka vend për të negociuar”.

    “Nuk më intereson nëse prodhuesit e huaj të automjeteve i rrisin çmimet për shkak të tarifave. Shpresoj që t’i rrisin ato sepse nëse i bëjnë, njerëzit do të blejnë makina amerikane, ne kemi shumë prej tyre”, tha Trump, duke mohuar raportet se ai u kishte kërkuar CEO-ve të prodhuesve të automjeteve të mos rrisin çmimet, raporton ANSA.

    Presidenti amerikan më pas përsëriti synimin e tij për të fituar Grenlandën: “Ne do ta marrim atë 100%”, tha ai, duke shpjeguar se ka “mundësi” që Shtetet e Bashkuara ta marrin atë “pa forcë ushtarake”, por “asgjë nuk përjashtohet”.

  • Irani i përgjigjet negativisht Trumpit, refuzon bisedimet për programin e tij bërthamor

    Irani i përgjigjet negativisht Trumpit, refuzon bisedimet për programin e tij bërthamor

    Irani ka refuzuar zyrtarisht çdo mundësi për negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara mbi programin e tij bërthamor që po zhvillohet me shpejtësi, njoftoi presidenti i vendit, Masoud Peskov.

    Ky është reagimi i parë zyrtar nga Teherani pas letrës së Donald Trump drejtuar liderit suprem fetar të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

    Sipas presidentit iranian, përgjigja e Iranit është përcjellë përmes Sulltanatit të Omanit dhe lë të hapur mundësinë e bisedimeve indirekte me Uashingtonin.

    Megjithatë, siç sqaroi ai, këto përpjekje nuk kanë sjellë asnjë rezultat të prekshëm që nga viti 2018, kur Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja për programin bërthamor të Iranit.

    Përshkallëzimi mes paqëndrueshmërisë rajonale

    Situata është përkeqësuar në mënyrë dramatike vitet e fundit, me një sërë sulmesh në det dhe në tokë duke intensifikuar tensionet rajonale. Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës implikoi më tej Iranin, pasi Izraeli synonte figurat kryesore të të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”, të cilin Teherani e mbështet.

    Në të njëjtën kohë, sulmet ajrore të SHBA-së kundër rebelëve shiitë Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen po ringjallin skenarët e veprimeve ushtarake kundër programit bërthamor iranian.

    “Ne nuk i shmangemi dialogut. Ajo që na ka shkaktuar probleme deri tani është shkelja e premtimeve,” tha Pezheskian gjatë një takimi të kabinetit, i cili u transmetua në televizion. “Ata duhet të provojnë se mund të fitojnë besimin tonë ,” shtoi ai.

    Qeveria amerikane nuk e ka komentuar zyrtarisht njoftimin e Iranit.

  • Kurti bëri homazhe te varrezat e tetë martirëve të lagjes Muliqi në Abri të Epërme

    Kurti bëri homazhe te varrezat e tetë martirëve të lagjes Muliqi në Abri të Epërme

    Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë varreve të tetë martirëve të lagjes Muliqi, në 26-vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës.

    Pas masakrës së 26 shtatorit, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu, forcat e armatosura serbe më 30 mars 1999, vranë tetë djem e burra të familjes Muliqi. Katër nga ta ishin nxënës të moshave nga 13 deri 17 vjeç.

  • Asociacioni i Komunave: Tatimi në pronë, energjia dhe inflacioni po rëndojnë qytetarët

    Asociacioni i Komunave: Tatimi në pronë, energjia dhe inflacioni po rëndojnë qytetarët

    Kryetarët e komunave të Kosovës po përballen me ankesa të vazhdueshme nga qytetarët lidhur me rritjen e kostos së jetesës, të ndikuar nga tatimi në pronë, tatimi në tokat bujqësore dhe mundësia e shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka kërkuar Qeverisë që të marrë parasysh këto shqetësime, duke paralajmëruar se këto masa po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal dhe mirëqenien e qytetarëve.

    Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se komunat janë institucionet e para ku qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre dhe se së fundmi janë adresuar ankesa të shumta për këto rritje. Ibrahimi theksoi se rregullimi i fundit për tatimin në tokat bujqësore ka anashkaluar përjashtimin për tokat që punohen.

    “Komunat dhe kryetarët e komunave janë dera e parë ku qytetarët ankohen, në këtë rast janë ankuar edhe për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, që do të ndikojë në koston e jetës së qytetarit të Kosovës. Gjatë këtyre viteve të fundit kemi pasur ngritje të tatimit në pronë, si pasojë e rivlerësimit, që është bërë nga Ministria e Financave. Pastaj vitin e kaluar ka filluar për herë të parë që edhe tokat bujqësore të tatohen, kështu që ka pasur direkt një impakt në xhepin e bujqve, duke marrë parasysh që në ligjin e fundit ka qenë e paraparë që tokat, të cilat nuk punohen mund të tatohen, kurse ato që punohen mos të tatohen në mënyrë që bujqit të inkurajohen ta punojnë tokën. Këtë herë niveli qendror ka vendosur që pa marrë parasysh se a punohen apo nuk punohen tokat ato duhet të tatohen. Ngritja e tatimit në pronë, pastaj tatimi në tokat bujqësore, mundësia e ngritjes së rrymës elektrike 15 për qind, të gjitha këto po ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe në jetën e qytetarit”, ka thënë ai.

    Asociacioni i Komunave ka reaguar për këto çështje duke kërkuar nga Qeveria të rishikojë vendimet që rëndojnë barrën financiare të qytetarëve. Ibrahimi tha se shpreson që ligji për tatimin në pronë do të amandamentohet në mënyrë që të mos rëndojë më tej qytetarët.

    “Bordi i AKK-së ka dalë me një deklaratë dhe ka kërkuar nga niveli qendror që të marr parasysh këto shtrenjtime, këto ngritje të cilat po i kushtojnë qytetarit të Kosovës. Gjithçka ndikon në zhvillimin ekonomik lokal. Fatmirësisht, këtë vit pasi që AKK-ja reagoi niveli qendror mori vendim që ta pezullojë shkallën progresive të tatimit në pronë, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë faturat e bizneseve do të ngriheshin deri në tri herë apo 300 për qind, mirëpo kjo është pezulluar momentalisht, sepse mund të zbatohet vitin e ardhshëm. Po shpresojmë që niveli qendror gjatë këtij viti do ta amandamentojë Ligjin për tatimin në pronë dhe kërkesat e kryetarëve të komunave të kanalizuara përmes AKK-së të merren parasysh dhe faturat e qytetarëve t’i shkojnë ashtu siç i kanë shkuar para tri vjetësh para rivlerësimit të pronës”, ka thënë ai.

    Ibrahimi vlerësoi se situata ekonomike për qytetarët po vështirësohet çdo ditë.

    “Për çdo ditë jetë e qytetarit është duke u vështirësuar, për shkak të ngritjes së çmimeve, për shkak të inflacionit, tatimit në pronë, tatimit në tokë bujqësore, tani edhe rryma elektrike dhe gjitha këto brenga të qytetarëve së pari po dëgjohen nga kryetarët e komunave që përmes AKK-së kërkojnë që të merren parasysh këto kërkesa. Çka është tjetër një kërkesë e komunave gjithmonë kur bëhen këso veprime drejtpërdrejt ndikohen qytetarët e Kosovës dhe duhen të merren parasysh kërkesat e komunave, kërkesat e kryetarëve të komunave, sepse edhe ata janë kushtimisht hisedarë në këto procese”, ka thënë ai.