ATV

Category: Lajme

  • Dyshohet keqtrajtoi fëmijët e saj, dërgohet në Psikiatri gruaja nga Podujeva

    Dyshohet keqtrajtoi fëmijët e saj, dërgohet në Psikiatri gruaja nga Podujeva

    Një grua është arrestuar në Podujevë, pasi që e njëjta dyshohet se keqtrajtoi fëmijët e saj.

    Policia përmes raportit 24-orwsh njoftoi se e dyshuara tashmë është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

    “Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia policore si dhe ekipi mjekësor të cilët i kanë ofruar ndihmë mjekësore femrës kosovare dhe pastaj me autoambulancë e kanë dërguar në QKUK-Reparti i Psikiatrisë ku dhe është ndaluar për tretman të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në raportin policor.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas kalendarit të publikuar, seanca pritet të nisë në orën 09:00.

    Në këtë seancë, dëshminë do ta vazhdojë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Ndërkohë, gjatë kësaj jave pritet të përfundojë lista e emrave të propozuar për intervistim nga Prokuroria.

    Sipas vendimit të marrë në konferencën e mbajtur më 19 shkurt në Gjykatën Speciale, më 4 prill do të përmbyllen dëshmitë e Prokurorisë në këtë rast.

  • Një tjetër mjet i pashpërthyer u gjet mbrëmë brenda Postës në Zveçan, deklarohen nga Policia

    Një tjetër mjet i pashpërthyer u gjet mbrëmë brenda Postës në Zveçan, deklarohen nga Policia

    Një shpërthim ka ndodhur pas mesnate në qendër të Zveçanit, pranë objektit të Postës, duke shkaktuar dëme materiale, ku si pasojë e incidentit, forca të shumta të Policisë së Kosovës janë vendosur në zonë që nga mbrëmë.

    Lidhur me rastin, Policia e Rajonit të Veriut ka dhënë detaje, duke konfirmuar se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për Sinjalin se xhamat e një pjese të objektit janë thyer si pasojë e shpërthimit, ndërsa policia po vazhdon hetimet në vendngjarje.

    “Nuk ka persona të lënduar, janë thyer xhamat në një pjesë të objektit, por për momentin nuk mund të japim më shumë informacione. Policia, me njësitë përkatëse, është ende në vendin e ngjarjes”, tha Elshani.

    Ndërsa sot, Elshani konfirmoi se në objekt është gjetur edhe një mjet i pashpërthyer, i cili më pas u neutralizua në mënyrë të kontrolluar nga njësitë policore.

    “Një mjet veç ka shpërthy e një tjetër e kemi shpërthyer ne në mënyrë të kontrolluar. Nuk ka lëndime, ka dëme materiale dhe  Policia po punon në ndriçim të rastit.”, tha Elshani.

  • Kurti takohet me drejtorin e Bosch Rexroth, e fton të vijë të investojë në Kosovë

    Kurti takohet me drejtorin e Bosch Rexroth, e fton të vijë të investojë në Kosovë

    Kryeministri Kurti u takua me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Bosch Rexroth, Steffen Haack

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mbërritur në Hannover të Gjermanisë, ku po merr pjesë në panairin “Hannover Messe 2025”.

    Ai, së bashku me ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari u takua me drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, Steffen Haack, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit.

    “Temë kryesore e bisedës mes tyre ishte mundësia e investimeve në Kosovë, gjersa kryeministri e njoftoi atë mbi reformat e suksesshme dhe arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati”, thuhet në njoftim.

    ZKM tha se u diskutua gjithashtu “mundësia e bashkëpunimit në fushën e kërkimit, hulumtimit dhe zhvillimit në sektorët e automatizimit dhe teknologjisë industriale”.

    “Kryeministri theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të mbështetur iniciativat e kompanive gjermane në themelimin e qendrave të inovacionit dhe trajnimit profesional në vend, në bashkëpunim me universitetet”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

  • Në disa vende, muslimanët festuan sot Fitër Bajramin

    Në disa vende, muslimanët festuan sot Fitër Bajramin

    Në disa vende myslimanët festuan sot dhe mbushën xhamitë në ditën e parë të Fitër Bajramit, raporton Anadolu.

    Myslimanët në vendet si Iran, Pakistan, Irak, Indi, Malajzi, Indonezi, e festuan sot ditën e parë të Fitër Bajramin, sipas rezultateve të vëzhgimit të gjysmëhënës.

    Në këtë kuadër, myslimanët mbushën xhamitë për faljen e namazit të Bajramit.

  • Kryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë

    Kryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë

    Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) tha se është “e indinjuar” nga vrasja e tetë mjekëve në detyrë, në qytetin Rafah në jug të Gazës.

    Ekipi prej nëntë personash u sulmua më 23 mars, tha IFRC-ja, ndërsa trupat e tyre u morën të dielën, pasi qasja në vendngjarje nuk u lejua për një javë.

    Një mjek është ende i zhdukur.

    Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS) tha se trupat e stafit të saj u zbuluan së bashku me ato të gjashtë anëtarëve të Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës – të drejtuar nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – si dhe të një punonjësi të OKB-së.

    Ata nuk thanë se kush hapi zjarr ndaj kolonës, por Hamasi fajësoi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për sulmin.

    Në një deklaratë të lëshuar të dielën, IFRC-ja tha se tetë trupat e punëtorëve të PRCS-së u morën “pas shtatë ditësh heshtjeje”.

    Forca e Mbrojtjes e Izraelit nuk e komentoi publikisht deklaratën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

    Agjencia e lajmeve AFP raportoi se ushtria izraelite, të shtunën, ka pranuar se ka qëlluar mbi autoambulancat në jug të Gazës, të dielën e kaluar, pasi i ka identifikuar ato si “automjete të dyshimta”.

    Trupat izraelite “kanë hapur zjarr ndaj automjeteve të Hamasit dhe kanë eliminuar disa terroristë të Hamasit”, tha ushtria në një deklaratë për AFP-në.

    Ushtria shtoi se “pas një hetimi fillestar, është konstatuar se disa nga automjetet e dyshimta, kanë qenë ambulanca dhe kamionë zjarrfikës”.

    Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars, pasi faza e parë e një armëpushimi që filloi në janar, përfundoi, ndërsa negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes ngecën.

    Që atëherë u vranë më shumë se 900 njerëz nga sulmet e Izraelit në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi.

    Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje mbi 250 të tjerë.

    Izraeli u përgjigj me një ofensivë masive ushtarake, duke vrarë më shumë se 50.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të udhëhequr nga Hamasi. /REL/

  • Profesoresha serbe: Vuçiqin nuk e do as nëna e tij

    Profesoresha serbe: Vuçiqin nuk e do as nëna e tij

    Dekania e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Nishit, prof. Doktoresha Natalija Jovanoviq, e cila dje u sulmua me thikë nga një grua e panjohur, u lirua nga spitali po atë ditë dhe po shërohet në shtëpi.

    Ajo në një bashkëbisedim me portalin Nova thotë se është më e zemëruar se kurrë dhe se ka vendosur ta padisë shtetin dhe se populli pas asaj çka i ndodhi duhet të kërkojë vetëm një gjë.

    “Populli duhet të kërkojë që Aleksandar Vuçiq duhet të humbasë çdo detyrë publike”.

    Kjo pasi thotë se presidentin e Serbisë nuk e do as nëna e tij.

    “Kam marrë mbështetje nga Kolegjiumi i Dekanëve të Beogradit dhe Novi Sadit dhe nga Rektorati, si dhe nga kolegë nga jashtë. Kjo do të thotë shumë për mua, sepse mbështetja nga të gjitha anët tregon se sa jemi. Vuçiqin është një njeri që nuk e do as nëna e tij, e lëre më tifozët në stadium”, thotë ajo.

    Kjo nuk është hera e parë që ajo është shënjestër e një sulmi – në shkurt ajo u sulmua fizikisht nga një grua e moshuar, e cila më parë kishte sulmuar studentët.

    Sulmet verbale dhe fizike ndaj profesorëve dhe studentëve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa ditëve të fundit janë shënuar incidente në Novi Sad, ku janë rrahur studentë dhe është sulmuar profesoresha Dragana Budakov.

    Këto sulme ndaj Jovanoviqit vijnë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq e thirri atë në disa paraqitje publike, duke e quajtur atë një “hajdut në kub” dhe duke insinuuar se ajo është një kriminele.
    Ai më parë kishte deklaruar se kishte bërë një gabim duke falur njerëz “si ajo”, duke pretenduar se ajo ishte duke udhëhequr demonstratat në Nish dhe se kishte çanta të shtrenjta.

    “Kam bërë gabimin më të madh që kur jam bërë president sepse kam falur disa njerëz. Në mesin e tyre është ajo gruaja nga Nishi, gruaja e Bane Bananës, e cila ka çantat më të shtrenjta se unë kam ngrënë akullore në jetën time dhe luan rolin e një revolucionari të madh. A është ajo dekane e Fakultetit Filozofik?”, tha në atë kohë Vuçiq.

    Pas sulmit, bashkëshorti i saj Branislav Jovanoviq e akuzoi drejtpërdrejt Vuçiqin, duke thënë se ai kishte bërë një fushatë kundër tyre prej disa kohësh dhe se shalli i përgjakur i gruas së tij ishte “vazhdim i këmishave të përgjakur në Serbi”.

    Opozita dhe personazhet publike gjithashtu e konsiderojnë Vuçiqin përgjegjës, duke theksuar se fjalimet e tij dhe mediat pro-qeveritare kanë krijuar një atmosferë në të cilën sulmet ndaj disidencës janë normalizuar.

  • Al Jazeera: Ky është ndër profesionet më të kërkuara në Kosovë

    Al Jazeera: Ky është ndër profesionet më të kërkuara në Kosovë

    Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po bën që një numër në rritje i të rinjve në Kosovë të zgjedhin arsimin profesional, raporton sot Al Jazeera Balkans.

    Mediumi ndërkombëtar i ka kushtuar vëmendje aftësimit të të rinjve kosovarë për punë profesionale.

    Sipas Al Jazeera, automekanikët janë ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punës në Kosovë.

    “Pagat në këtë profesion janë më të larta se mesatarja”, raporton Al Jazeera, e cila ka vizituar shkollën profesionale të mesme të lartë “Shtjëfen Gjeçovi” në Prishtinë.

    Ndryshe nga të rinjtë me diploma akademike, të cilët kanë vështirësi për të gjetur punë, ata me kualifikime profesionale kanë mundësinë të zgjedhin se ku duan të punojnë, raporton Al Jaazera.

  • ZKM: Kurti udhëton sot për në Hannover për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar “Hannover Messe 2025”

    ZKM: Kurti udhëton sot për në Hannover për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar “Hannover Messe 2025”

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, udhëton sot për në Hannover të Gjermanisë për të marrë pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”. Kjo është hera e dytë që Kryeministri Kurti merr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme globale për inovacionin, automatizimin dhe transformimin industrial.

    Gjatë vizitës së tij, Kryeministri Kurti bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të zhvillojë një tur të udhëzuar nëpër pavijonet e kompanive lidere si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric, me fokus në teknologjitë inteligjente të prodhimit, automatizimin industrial dhe ekosistemet digjitale.

    Në kuadër të pjesëmarrjes në panair, Kryeministri do të zhvillojë takime bilaterale me drejtues të kompanive dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë takimin me Dr. Jochen Köckler, Drejtor Ekzekutiv i Deutsche Messe AG, si dhe një takim me Kryeministrin e landit të Baden-Württemberg, z. Winfried Kretschmann.

    Po ashtu, Kryeministri Kurti do të vizitojë stendën e Kosovës në Panair, ku këtë vit janë të pranishme disa kompani nga Kosova, përfshirë Tenton, Innovation Academy, Proton Cable, UBT, Nori Glass dhe kompani të tjera që përfaqësojnë kapacitetin prodhues dhe inovativ të vendit tonë. Stenda e Republikës së Kosovës financohet nga KIESA.

    Pjesëmarrja në “Hannover Messe 2025” konfirmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar ekonominë, tërhequr investime të huaja dhe ndërtuar partneritete strategjike me kompani dhe shtete të zhvilluara.

  • Zelensky: Rusia nuk dëshiron asgjë përveç luftës

    Zelensky: Rusia nuk dëshiron asgjë përveç luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky kishte rezervuar disa fjalë për liderin rus në fjalimin e tij të natës.

    Prej disa javësh, ka një propozim të SHBA-së për një armëpushim pa kushte dhe pothuajse çdo ditë, në përgjigje të këtij propozimi, ka dronë rusë, bomba, granatime artilerie dhe sulme balistike.

    “Gjeografia dhe brutaliteti i sulmeve ruse, jo vetëm herë pas here, por fjalë për fjalë çdo ditë dhe natë, tregojnë se Putinit nuk kujdeset për diplomacinë”, tha ai, shkruajnë mediat e huaja.

    Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje gjithashtu Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj që të rrisin presionin ndaj Rusisë për të “thyer kapacitetin e saj për të bërë luftë”.

    “Rusia meriton presion të shtuar – të gjitha masat e ashpra që mund të thyejnë kapacitetin e saj për të bërë luftë dhe për të mbështetur sistemin që nuk dëshiron asgjë përveç luftës”, shtoi ai.

    Më tej ai theksoi se sanksionet kundër Rusisë janë thelbësore.

    “Sanksionet kundër Rusisë janë thelbësore. Më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën është thelbësore. Më shumë bashkëpunim dhe unitet midis të gjithë partnerëve është thelbësor”.