ATV

Category: Lajme

  • Zëdhënësit e Speciales: Gjykata e Hagës mban përgjegjës individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

    Zëdhënësit e Speciales: Gjykata e Hagës mban përgjegjës individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

    Zëdhënësit e Gjykatës Speciale, Michael Doyle dhe Angela Griep, kanë mbajtur sot një konferencë për media për gazetarë nga Kosova, lidhur me procesin gjyqësor që po vazhdon në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e për të cilin në Kosovë po bëhen kritika të mëdha.
    Zëdhënësit kanë thënë se Gjykata është e themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe përgjigjet rreth legjitimitetit të saj janë në Kushtetutën e Kosovës. Ata thonë se duan që njerëzit të kuptojnë se roli i Gjykatës është që të japë gjykime të drejta, të paanshëm dhe të pavarura.

    “Gjykata është themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës që doli nga marrëveshja ndërkombëtare me Kosovën. Pyetja rreth legjitimitetit të Gjykatës gjen përgjigje në Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, kur bëhet fjalë për legjitimitetin, ne duam që njerëzit të kupton që roli i kësaj Gjykate është që të japë gjykime të drejta, të pavarura dhe të paanshme për individët të cilët Prokuroria Speciale i ndjek, apo për të mbrojtur dëshmitarët dhe për të siguruar të drejtat dhe dinjitetin e viktimave”, kanë thënë atë në konferencën për media.

    Tutje ata kanë theksuar se Gjykata Speciale merret vetëm me përgjegjësi penale individuale dhe se Dhomat e Specializaura mbajnë përgjegjës “vetëm individët për krimet me të cilat ngarkohen në aktakuzë” dhe jo “grupet etnike, organizata apo komunitete”.

    Në këtë konferencë zëdhënësit kanë përmendur edhe ankesën që mbrojtja e Hashim Thaçit ka bërë ndaj gjyqtarëve për pyetjet që kanë bërë ndaj dëshmitarëve dhe për përgjigjen që gjyqtarët kanë pasur ndaj kësaj ankese.

    “Gjyqtarët rikujtuan se në bazë të Rregullores së Punës dhe provave atyre u lejohet apo edhe kërkohet që të bëjnë pyetje pasi që është detyrë e tyre të përcaktojnë të vërtetën. Kufizimi i aftësisë së tyre për të bërë pyetje do të ndërhynte në rolin e tyre si një gjetës neutral i fakteve”.

  • Rubio në Bruksel: Duam që NATO-ja të jetë më e fortë

    Rubio në Bruksel: Duam që NATO-ja të jetë më e fortë

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, udhëtoi të enjten drejt Brukselit për Samitin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, mes shqetësimeve të mëdha për qasjen e administratës Trump ndaj Evropës, përfshirë luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe luftën tregtare në rritje të Presidentit Trump me kontinentin.

    Vizita e Rubio në selinë e aleancës vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë përkeqësuar ndjeshëm, duke kaluar nga bashkëpunimi i ngushtë gjatë epokës së Biden-it në mosbesim dhe përçarje nën administratën e Trump-it.

    Megjithatë, zyrtarët e NATO-s mund ta mirëpresin mundësinë për të biseduar me Rubio, i cili konsiderohet nga shumë si anëtari më pro-NATO i ekipit të sigurisë kombëtare të Trump-it.

    “Ne duam që NATO të jetë më e fortë, ne duam që NATO të jetë më e dukshme dhe e vetmja mënyrë që NATO-ja mund të bëhet më e fortë, më e dukshme është nëse partnerët tanë, shtetet kombëtare që përbëjnë këtë aleancë të rëndësishme, kanë më shumë aftësi”, ka thënë Rubio shkruajnë mediat ndërkombëtare, përcjell KosovaPress.

    Kjo u bë e qartë për zyrtarët evropianë nga një bisedë midis zyrtarëve të lartë të administratës Trump muajin e kaluar në aplikacionin Signal, e cila pa dashje përfshinte një gazetar, Jeffrey Goldberg nga revista The Atlantic. Gjatë bisedës me tekst, rreth një plani të SHBA për të bombarduar militantët Houthi në Jemen, nënpresidenti JD Vance u ankua se Amerika do të duhej “përsëri” të “shpëtonte” Evropën duke ndërmarrë veprime të njëanshme për të mbrojtur rrugët ndërkombëtare të transportit detar që janë sulmuar nga Houthit.

    Vetë Donald Trump ka paralajmëruar se mund të mos vijë në mbrojtje të vendeve të NATO-s që ai mendon se nuk po shpenzojnë mjaftueshëm për ushtrinë e tyre, pavarësisht angazhimit të aleancës për mbrojtje të ndërsjellë. “Nëse nuk paguajnë, unë nuk do t’i mbroj”, u tha presidenti gazetarëve muajin e kaluar.

    Një tjetër pikë tensioni është vendosmëria e Trump për të blerë ishullin e Grenlandës, i cili është një territor autonom i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s. Ai ka tronditur zyrtarët nga Danimarka dhe vende të tjera të NATO-s duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së Grenlandës me forcë, edhe pse JD Vance tha gjatë një vizite të fundit në ishull se veprimi ushtarak nuk ishte në shqyrtim.

  • ​Zhvillimet në Kosovë, Orav takohet me Kurtin

    ​Zhvillimet në Kosovë, Orav takohet me Kurtin

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Orav ka shkruar në rrjetin social X se ka diskutuar rreth zhvillimeve në Kosovë, Bashkimin Evropian dhe në botë.

    “Një këmbim i mirë me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, rreth zhvillimeve në Kosovë, BE dhe në botë”, ka shkruar ai.

  • (VIDEO) Momenti kur kryeministri australian rrëzohet nga skena derisa po fotografohej

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri australian rrëzohet nga skena derisa po fotografohej

    Kryeministri australian Anthony Albanese po përpiqej të pozonte për një foto pasi iu dha një çmim për arritje të jetës në një konferencë të Unionit të Minierave dhe Energjisë në Lovedale, në Luginën Hunter të enjten pasdite, kur u rrëzua në pjesën e pasme të një skene një metër të lartë.

    Ai u ngrit në këmbë me ndihmën e tre personave – por jo përpara se rrëshqitja të mund të kapej nga mediat në pritje, përcjell Insajderi.

    Udhëheqësi laburist ishte i gjithë buzëqeshur sapo u kthye në skenë, duke ngritur të dyja duart për t’i sinjalizuar audiencës brohoritëse për të treguar se ai ishte në rregull. Për fat të mirë nuk kishte pësuar lëndime.

    Në një intervistë të mëvonshme me ABC Newcastle, Albanese u përpoq të pretendonte se në fakt nuk kishte rënë nga skena.

    ‘Unë u tërhoqa një hap prapa. Nuk rashë nga skena”, tha ai.

    Gazetari i tha se dukej sikur kishte rënë.

    “Vetëm një këmbë përfundoi poshtë”, shtoi kryeministri australian.

  • Kurti takon ambasadorin suedez, diskutojnë për koalicionin pas zgjedhjeve dhe formimin e Qeverisë së re

    Kurti takon ambasadorin suedez, diskutojnë për koalicionin pas zgjedhjeve dhe formimin e Qeverisë së re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, për një takim ku kanë diskutuar mbi mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Gjatë bisedës, fokus i diskutimit ka qenë bashkëpunimi me Odën Ekonomike Nordike dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve suedeze në Kosovë.

    Kryeministri Kurti theksoi potencialin që ofron vendi për investitorët e huaj dhe mundësitë që Kosova i ofron për zhvillimin e biznesit.

    Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe aktualiteti politik në vend, ku kryeministri Kurti ka njoftuar ambasadorin Westerlund për fillimin e konsultimeve me partitë e komuniteteve joshumicë për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Në fund të takimit, Kurti ka falënderuar ambasadorin suedez për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës dhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy vendeve.

  • Oda Ekonomike Amerikane kërkon që Kosova ta heqë tarifën për mallrat nga SHBA-ja

    Oda Ekonomike Amerikane kërkon që Kosova ta heqë tarifën për mallrat nga SHBA-ja

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kjo kërkesë vjen pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e një tarife bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se vendosja e tarifës nga SHBA-ja do të afektojë aftësinë e eksportuesve kosovarë dhe do të ulë përparësinë konkurruese të produkteve të Kosovës në tregun amerikan.

    “Po që se Kosova lëviz përpara në mënyrë të njëanshme me ndërmarrjen e një mase preferenciale tregtare, duke tërhequr në tërësi tarifën doganore për produktet amerikane, mund të shpresojmë që i njëjti hap do të pasohet dhe do të hiqet nga administrata amerikane”, tha Zeka për REL-in.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën e kryeministrit të Kosovës dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se a do shqyrtohet kjo kërkesë dhe cilat janë mundësitë për tërheqjen e kësaj tarife, por nga këto institucione ende nuk kanë kthyer përgjigje.

    Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan për vendosjen e tarifës bazë prej 10 për qind.

    “Ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejt SHBA-së ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit”, u tha në njoftimin për media të kësaj dhome.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu dalë në ndihmë bizneseve që preken nga ky vendim.

    Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019 ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA./REL

     

  • Koalicioni Vakat shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin për formimin e qeverisë së re

    Koalicioni Vakat shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin për formimin e qeverisë së re

    Koalicioni Vakat ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

    Pas një takimi me Kurtin, përfaqësuesi i këtij koalicioni, Rasim Demiri, tha se bashkëpunimi me Vetëvendosjen ka ekzistuar edhe në të kaluarën dhe se një partneritet i tillë mund të vazhdojë edhe në qeverinë e ardhshme.

    “Më herët, edhe kur ka qenë Qeveria Kurti I edhe Qeveria Kurti II, ne kemi pasur bashkëpunim me kryeministrin. Shpresoj që edhe tash do të kemi bashkëpunim. Sot kemi pasur një takim të rëndësishëm, kemi biseduar shumë gjëra. Edhe kryeministri ka gatishmëri, edhe ne kemi gatishmëri për formimin e institucioneve dhe Qeverinë e Kosovës”, tha Demiri.

    Sipas tij, takimi u fokusua kryesisht në çështje që prekin komunitetin boshnjak, përfshirë themelimin e Komunës së Reçanit.

    Ai theksoi se për këtë çështje vendimmarrës duhet të jenë përfaqësuesit e komunitetit boshnjak dhe se ai vetë mund të jetë kandidat për kryetar të kësaj komune.

    “Më shumë sot bisedimet kanë qenë për më tutje për bashkëpunim. Kemi folur më shumë për disa gjëra që janë shumë të rëndësishme për komunitetin boshnjak. Për shembull, kur është në pyetje Komuna e Boshnjakëve. Ata që duhet të flasim për Komunën e Reçanit jemi ne dhe nëse do të bëhet komuna, unë jam ai që mund të jem edhe kandidat për kryetar për këtë komunë”, deklaroi Demiri.

  • Trump vendos tarifa për mallrat që hyjnë në ShBA, paralajmërohet rëndimi i ekonomisë së Kosovës

    Trump vendos tarifa për mallrat që hyjnë në ShBA, paralajmërohet rëndimi i ekonomisë së Kosovës

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10% për të gjitha importet nga vendet e botës, përfshirë këtu edhe Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Ky vendim pritet të ketë pasoja të mëdha për eksportet kosovare, duke pasur parasysh që vitet e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të tregtisë mes dy vendeve.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vendimin e presidentit Trump, ku thuhet se ky vendim pritet të dëmtojë edhe më shumë sektorin e eksportit, i cili tashmë ka pësuar një ulje të dukshme.

    Dhoma e Tregtisë ka theksuar se ky është një problem që ka qenë parashikuar prej kohësh, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të përdorin kanalet diplomatike për të parandaluar këtë vendim.

    Ata kanë apeluar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të shpejta për të mbrojtur interesat e biznesve kosovare, të cilat mund të përballen me vështirësi të mëdha në rast se ky vendim mbetet në fuqi.

    Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ofrojë mbështetje për bizneset që do të preken nga kjo tarifë e re, duke u siguruar që ato të kenë mundësi të adaptohen dhe të minimizojnë ndikimet negative të kësaj situate.

    “Taksa e SHBA-ve ndaj Kosovës, do ta rëndoj edhe më shumë ekonominë tonë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan Donald Trump që t’i vendos eksporteve nga Kosova taksën prej 10%.DhTIK, ka kohë që ka alarmuar për një vendim të tillë dhe ka kërkuar nga institucionet që të shfrytëzojnë kanalet diplomatike për të mos ndodhur ky vendim.

    Gjithashtu, DhTIK i bënë thirrje qeverisë që t’u dalë në ndihmë bizneseve që atakohen nga ky vendim sepse nga ky hap do të rrezikohen qindra vende të punës. Vendimi i marr nga administrata Trump, pritet ta godas edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejtë SHBA-ve ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dhjetor 2024, eksportet tona ishin 3.5%, përderisa në muajin janar dhe shkurt 2025, ato ranë në 2.8, përkatësisht 2.5% në muajin shkurt të këtij viti“, thuhet në reagim.

    Vendimi i presidentit amerikan Trump për të vendosur një tarifë 10% për importet nga Kosova është pjesë e një politike më të gjerë të Shteteve të Bashkuara, e cila synon të mbrojë industrinë amerikane nga konkurrenca e jashtme dhe të reduktojë deficitin tregtar.

    Ky hap ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset dhe autoritetet kosovare, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë të institucioneve për të ruajtur marrëdhëniet tregtare dhe për të mbrojtur interesat ekonomike të Kosovës.

    Në këtë kontekst, është e qartë se Kosova do të duhet të angazhohet më shumë në diplomaci dhe të forcojë marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera, për të ulur pasojat që mund të vijnë nga ky vendim i Shteteve të Bashkuara.

  • Kryediplomatit britanik me mesazhe të qarta: Normalizim me Serbinë, anëtarësim në KiE e përparim në dialog

    Kryediplomatit britanik me mesazhe të qarta: Normalizim me Serbinë, anëtarësim në KiE e përparim në dialog

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka dhënë një përmbledhje të mesazheve që i la kryediplomati britanik, David Lammy, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Hargreaves ka theksuar se Lammy pati një reflektim mbi qëllimin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, i cili kishte synuar që Kosova të kishte mundësinë të formësonte të ardhmen e saj, të bashkëjetonte në mënyrë paqësore me fqinjët dhe të mbrojë diversitetin e qytetarëve të saj.

    Hargreaves shtoi se ky mbetet edhe synimi i Mbretërisë së Bashkuar, që është angazhuar për një normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ambasadori britanik theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë për të siguruar përparim në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Sekretari i Jashtëm britanik shfaqi shpresën se qeveria e ardhshme e Kosovës do të adresojë të gjitha nevojat e qytetarëve, përfshirë integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne do të punojmë së bashku me BE-në për të siguruar një përparim të vërtetë që funksionon për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, tha Hargreaves.

    Ambasadori britanik po ashtu theksoi mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shprehu shpresën se Kosova do të përmbushë shpejt kërkesat për të bërë këtë hap të rëndësishëm.

    “Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për kontributin tonë të rëndësishëm në KFOR, një element thelbësor i sigurisë së Kosovës. Sekretari i Jashtëm dhe Presidentja Osmani diskutuan gjithashtu për zhvillimin e një marrëdhënieje më të thellë dhe më të strukturuar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës në muajt në vijim”, theksoi ambasadori.

    Ai poashtu potencoi se ishte një kënaqësi e madhe që Dame Karen Pierce, e dërguara e re speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, iu bashkua Sekretarit të Jashtëm gjatë vizitës.

    “Mezi presim ta mirëpresim sërish në Kosovë së shpejti dhe udhëheqjen e saj në Samitin e Procesit të Berlinit, të cilin Mbretëria e Bashkuar do ta mirëpresë këtë vjeshtë”, tha Hargreaves.

  • Caktohet data për konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Caktohet data për konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë caktuar 23 prillin 2025 si datë për mbajtjen e konferencës për ecurinë e çështjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Konferenca pritet të fillojë nga ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kjo konferencë është e para pasi Prokuroria ka përfunduar dëshmitarët e saj në këtë rast.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.