ATV

Category: Lajme

  • “U realizua nga dy persona”- Gazetarja jep detaje nga vrasja e rreshterit policor në Kaçanik

    “U realizua nga dy persona”- Gazetarja jep detaje nga vrasja e rreshterit policor në Kaçanik

    Vrasja e rreshterit policor, Muhamed Lika dyshohet se u vra nga dy persona.

    Gazetarja Pranvera Krasniqi e cila i ka qëndruar gjatë ditës në vendin e ngjarjes, në emisionin Compass në ATV ka dhënë informacionet dhe pistat e hetimit që Policia dhe prokuroria posedon.

    Rreshteri policor, Muhamed Lika u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik mbrëmjen e së martës pasi kishte përfunduar punën.

  • Hargreaves tregon çka foli Sekretari Lammy me opozitarët

    Hargreaves tregon çka foli Sekretari Lammy me opozitarët

    Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ia ka prezantuar politikanët e partive opozitare nga PDK, LDK dhe AAK në fund të vizitës së tij në Kosovë.

    Hargreaves tha se Lammy ka përgëzuar ata për zgjedhjet paqësore të 9 shkurtit dhe se e pret formimin e qeverisë.

    “Në përfundim të vizitës së tij, e kam njohur Sekretarin e Jashtëm David Lammy me politikanë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Ai e përgëzoi Kosovën për zgjedhjet paqësore në shkurt dhe e pret formimin e shpejtë të një qeverie që është e fokusuar në një qasje pozitive ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe adresimin e nevojave të të gjithë qytetarëve të saj”, tha ambasadori britanik.

    Lammy pas takimit që pati me presidenten Osmani dhe kryeministrin në detyrë Kurti u takua edhe me Memli Krasniqin e PDK-së, Ramush Haradinajn e AAK-së, si dhe nga LDK nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili.

  • ZRRE-ja del me reagim për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës ku u arrestuan 12 aktivistë

    ZRRE-ja del me reagim për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës ku u arrestuan 12 aktivistë

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka dalë me një reagim pas protestës që aktivistë të grupit “Asnji Cent Ma Shumë” zhvilluan para këtij institucioni, që përfundoi me arrestimin e 12 prej tyre.

    Në reagim, ZRRE thotë se respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës, por ka kërkuar që të mos e pengojnë në ushtrimin e detyrave, konform mandatit.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyreve të ZRRE-së. ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi. Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit te saj”, thuhet në reagim.

    Policia e Kosovës ka thënë se në protestën e sotme tek Zyra e Rregulallatorit të Energjisë kundër shtrenjtimit të rrymës, ka arrestuar 12 protestues.

    Zëdhënësja e Policisë pë Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka deklaruar se ata kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë dhe se i kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre.

    “Sot rreth orës 08:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, disa persona kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Të njëjtit kanë shpërfillë urdhërat e zyrtarëve policor dhe kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre. Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 12 prej protestuesve dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar konform autorizimeve policore në koordinim me Prokurorin e shtetit”, ka deklaruar Ahmeti.

  • ​Avokati i Hashim Thaçit: E pyes veten pse është akuzuar – provat janë të dobëta

    ​Avokati i Hashim Thaçit: E pyes veten pse është akuzuar – provat janë të dobëta

    Avokati Luka Misetiq thotë se ish-presidenti Hashim Thaçi është krejtësisht i pafajshëm dhe se provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë janë shumë të dobëta.

    Misetiq në një intervistë për mediat e Kosovës, në dyvjetorin e fillimit të procesit gjyqësor, shprehet i bindur se ish-presidenti Thaçi është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij nuk kanë asnjë lidhje me provat e paraqitura në gjykim.

    “Në përgjithësi, mendoj se ky rast dhe provat kundër z. Thaçi kanë qenë shumë të dobëta. Nuk mund të flas për provat tani, por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e (senatorit zviceran Dick) Marty nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër z. Thaçit në këtë gjykim për mbi dy vjet. Në këtë kuptim jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast, për z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur”, tha Misetiq.

    Avokati Misetiq thotë se ka pasur raste kur gjatë procesit gjyqësor ka pyetur veten pse është akuzuar ish-presidenti Thaçi.

    “Siç dihet nuk mund të jap komente rreth asaj që është thënë në seanca private, nuk mund ta komentoj, por mund të ju them se nëse flas në përgjithësi, për mendimin tonë provat kundër z. Thaçi janë jashtëzakonisht të dobëta deri në atë pikë që nganjëherë gjatë procesit e kam pyetur veten “pse është akuzuar z. Thaçi?” Do t’i dorëzojmë parashtresat tona Trupit Gjykues në kohën e duhur, por nuk ka shumë gjëra që mund të them për prova specifike të rastit, por jemi të bindur për rezultatin për z. Thaçi dhe e vetmja gjë që ka mbetur tani është të kalojmë nëpër fazat tjera të procesit sa më shpejt dhe ta kemi aktgjykimin sa më parë të jetë e mundur”, tha ai.

    Misetiq ka theksuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë apo të sjellë prova të mjaftueshme për disa pjesë të caktuara të dosjes së tyre.

    “Tani nuk mund të jap detaje, sepse nuk është as vendi e as koha e duhur, do ta bëjmë këtë brenda gjykatores, por po, ne besojmë që Prokuroria ka dështuar të paraqesë fakte të mjaftueshme për pjesë të caktuara të aktakuzës”, tha ai.

    Avokati Misetiq ka thënë se pala mbrojtëse do të thërrasë dëshmitarët që mendon se janë të përshtatshëm.

    Ai pret një konferencë statusore për ecurinë e çështjes në fund të muajit prill ku do të diskutohen afatet dhe periudhat kohore e çështje tjera specifike, por në këtë pikë nuk ka një afat të caktuar të vendosur nga ana e gjykatës.

    “Mesazhi është që ta lënë procesin të rrjedhë këtu, ne i kemi vërtetuar faktet që lidhen me z. Thaçi në këtë rast dhe le ta lëmë procesin të rrjedhë. Nuk mund të them diçka më shumë në lidhje me këtë, duhet të kem besim në sistemin e drejtësisë dhe në faktin se gjyqtarët do të sigurohen se këtu ka drejtësi dhe nëse ata i shohin gjërat me sytë tanë atëherë në fund do të ketë rezultat shumë pozitiv për z. Thaçi. Nuk mund të flas për motivet e tyre, ata duhet të përgjigjen se pse bëjnë gjëra të caktuara, por qëndrimi ynë është se dhe kjo shihet nëse e lexoni aktakuzën, se prokuroria nuk pretendon se është ndërhyrë tek ndonjëri prej dëshmitarëve dhe mendoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Ky rasti, pra rasti kryesor do të vendoset bazuar në provat që Prokuroria ka menduar se i kanë në fillim, gjithë ato prova tani janë para Trupit Gjykues, janë sfiduar me kundërpyetje, epo shumica prej tyre sepse disa nuk janë sfiduar, por për shumicën ka pasur kundërpyetje. Dhe ne besojmë se kredibiliteti i atyre provave është testuar mjaftueshëm në atë mënyrë që siç thashë besoj se do të kemi rezultat pozitiv për z. Thaçi. Në këtë pikë do të shmang çdo diskutim politik. Kemi bërë më të mirën që mundemi me mjetet që i kemi dhe mund t’i kthehemi kësaj më vonë e ta diskutojmë, por tani besoj se edhe me mjetet që i kemi pasur kemi qenë në gjendje të dëshmojmë se akuzat që i ngarkohen z. Thaçi nuk mbështeten në fakte të mjaftueshme… Siç thashë ne besojmë se gjatë procesit është qartësuar dështimi i Prokurorisë për të vërtetuar pretendimet kundër z. Thaçi. Pra edhe njëherë, nëse gjyqtarët e shohin këtë rast sikurse ne, gjithë çfarë mund të bëjmë është të shpresojmë për rezultatin pozitiv të cilin po e presim në fund të gjykimit”, tha avokati Misetiq.

    Ai tha se është i zhgënjyer që ish-krerët e UÇK-së po mbahen për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim në Hagë dhe se janë nevojitur dy vjet e gjysmë që çështja e prokurorisë të përfundonte.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është shtyrë dje për shkak të mosparaqitjes së një dëshmitari të Prokurorisë.Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Speciale në një njoftim zyrtar. Seancat e planifikuara për pjesën e mbetur të javës janë anuluar, ndërsa gjykimi është shtyrë deri në një njoftim tjetër.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohen për kinse përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje gjatë luftës në Kosovë. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, pasi Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

  • ​Samir Mane, miliarderi i parë shqiptar në renditjen e Forbes

    ​Samir Mane, miliarderi i parë shqiptar në renditjen e Forbes

    Forbes, revista amerikane e biznesit, ka publikuar raportin e vitit 2025 ku tregon miliarderin më të pasur nga secili shtet në botë.

    Kosova nuk gjendet në këtë listë, mirëpo Forbes ka cilësuar Samir Mane, me vlerë neto 1.4 miliardë dollarë, si personin më të pasur në Shqipëri. Samir Mane është themeluesi dhe presidenti i Grupit BALFIN, një konglomerat investimesh me seli në Tiranë, Shqipëri.

    BALFIN është një nga grupet më të mëdha të investimeve në Ballkanin Perëndimor, duke zotëruar qendra tregtare, dyqane elektronike dhe lodrash, si dhe një bankë dhe projekte luksoze të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, transmeton KosovaPress.

    Samir Mane u largua nga Shqipëria në vitin 1991 për t’i shpëtuar regjimit komunist dhe u vendos në Austri si refugjat. Në vitin 1993, ai nisi të tregtonte pajisje shtëpiake për tregun shqiptar. Në vitin 1998, ai themeloi Neptun, një zinxhir dyqanesh elektronike, ndërsa në 2005 u kthye në Shqipëri për të hapur qendrën e parë tregtare në vend.

    Grupi BALFIN ka gjithashtu pasuri të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri, si dhe investime në parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri. Ndërkohë raporti i Forbes tregon se më i pasuri në botë është Elon Musk, bashkëthemelues dhe kryeshef ekzekutiv i Tesla-s, me 342 miliardë dollarë. I lindur me dy shtetësi, të Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, ai mori shtetësinë amerikane në vitin 2002 dhe ka pasur SHBA-në si vendbanim kryesor që nga atëherë.

  • Detaje të reja për vrasjen e rreshterit Lika: Të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë

    Detaje të reja për vrasjen e rreshterit Lika: Të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

    Sipas tij, dy të dyshuarit janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe deri më tani nuk ka informacione që viktima kishte pasur ndonjë problem me dikë.

    Në një konferencë për media, Çerkini ka thënë se bazuar në provat e mbledhura, autorët e dyshuar janë parë duke u larguar nga banesa ku ndodhi vrasja.

    “Nga ajo që shihet deri më tani, ata kanë ikur në këmbë. Nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar ndonjë veturë apo ndonjë mjet tjetër për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”, tha ai.

    Sa i përket mundësisë që rreshteri Lika mund të ketë pasur ndonjë konflikt, kryeprokurori ka theksuar se nuk ka asnjë informacion që ai kishte pasur probleme, as në aspektin profesional e as atë personal.

    “Rreshteri Muhamed Lika njihej si një person tejet profesional dhe nuk kemi asnjë indikacion, qoftë më të voglin, që gjatë punës ai ka pasur ndonjë problem me ndokënd, qoftë për shkak të procedurave policore apo ndonjë çështje personale që do të na ndihmonte të zbardhim motivin e kësaj vrasjeje”, shtoi Çerkini.

    Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa organet e drejtësisë janë ende në përpjekje për të kuptuar motivin që qëndron pas kësaj vrasjeje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.

  • Kurti takohet me Nenad Rashiqin, merr mbështetjen e tij për formimin e qeverisë

    Kurti takohet me Nenad Rashiqin, merr mbështetjen e tij për formimin e qeverisë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re,

    u takua me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.

    Ministri në detyrë Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm.

    Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysmë mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim.

    Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katër vjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

  • ​Kallas: Dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur, po shqyrtojmë mjete të tjera për normalizim

    ​Kallas: Dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur, po shqyrtojmë mjete të tjera për normalizim

    Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër, ka thënë shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    “Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, tha Kallas, e cila pritet ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.

    Kallas foli, po ashtu, për ndikimin e mundshëm të luftës tregtare mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për mundësinë e një armëpushimi në Ukrainë, duke theksuar nevojën për përfshirjen e Evropës në çdo negociatë për këtë çështje.

    Radio Evropa e Lirë: Sot hyjnë në fuqi tarifat e reja [të Shteteve të Bashkuara të Amerikës] prej 25 për qind për automjetet. Si do të përgjigjet Bashkimi Evropian dhe çfarë mendoni se tregon kjo për marrëdhëniet transatlantike?

    Kaja Kallas: Deri tani, njerëzit tanë të tregtisë po bashkëveprojnë me amerikanët, kështu që nuk e dinë saktësisht se çfarë po vjen. Ka deklarata që i shohim, por cilat janë veprimet reale? Nëse vjen një veprim i tillë, edhe ne kemi një plan të gatshëm, por ajo që dua të theksoj është se nuk ka fitues në luftërat tregtare.

    Në fund, çmimet rriten dhe konsumatorët paguajnë më shumë për këto produkte, dhe ky nuk është veprim i mençur. Prandaj, ende shpresoj që nuk do të fillojmë këtë luftë tregtare.

    Radio Evropa e Lirë: [Presidenti i Finlandës], Alexander Stubb, kur ishte në Amerikë së voni, foli për një armëpushim të mundshëm të plotë në luftë [mes Ukrainës dhe Rusisë] më 20 prill. A mendoni se kjo është e realizueshme?

    Kaja Kallas: Deri tani, Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim që para tre javësh, dhe nuk kemi parë asnjë shenjë pozitive nga Rusia. Ata thjesht po luajnë lojëra.

    Mendoj se do të ishte shumë mirë t’u vihet një afat i qartë se deri kur duhet të përgjigjen, të tregojnë qëndrimin e tyre dhe të shfaqin vullnet të mirë se duan paqe.

    Është e qartë që ukrainasit e duan atë.

    Radio Evropa e Lirë: [Kirill] Dmitriev, një nga negociatorët e Kremlinit, pritet ta vizitojë Uashingtonin së shpejti. A do të dëshironit të flisnit me të? A mendoni se BE-ja duhet të negociojë me të?

    Kaja Kallas: Për Ukrainën, Ukraina duhet të negociojë me Rusinë. Kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, sepse bëhet fjalë për Ukrainën dhe nuk mund të bëhet pa Ukrainën.

    Mendoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kur bëhet fjalë për sigurinë evropiane, sigurisht që duhet të diskutojmë mes nesh dhe me aleatët tanë për mënyrën se si ta rregullojmë këtë çështje.

    Radio Evropa e Lirë: Por, a është BE-ja apo ndonjë vend evropian i gatshëm të diskutojë drejtpërdrejt me Moskën?

    Kaja Kallas: Kur bëhet fjalë për negociatat reale që lidhen me Evropën, mendoj se është e rëndësishme të kemi parasysh se Rusia nuk duhet të ketë ndikim mbi mënyrën se si ne organizojmë sigurinë tonë, sepse Evropa nuk po e sulmon Rusinë. Përkundrazi, Rusia ka sulmuar fqinjët e saj, prandaj ne po diskutojmë rreth aranzhimeve tona të sigurisë.

    Megjithatë, sa i përket negociatave për Ukrainën, është e qartë se Evropa duhet të jetë pjesë e tryezës, sepse rezultati i tyre na prek edhe neve. Dhe, çdo marrëveshje nuk mund të funksionojë pa zbatimin e saj nga ana e evropianëve.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, a do të flisni për këtë me [sekretarin amerikan të Shtetit, Marco] Rubio, kur ai të jetë në Bruksel ditët në vijim?

    Kaja Kallas: Ne kemi folur për këtë edhe më parë, kur kishim takimet në kuadër të G7-tës në Kanada, dhe padyshim që do të flasim për këtë sërish. Është shumë e qartë se çfarë ka BE-ja në dorë – sanksionet janë vendosur nga Bashkimi Evropian, kemi misionin e trajnimit për ushtarët ukrainas, misionin civil në Ukrainë dhe gjithashtu procesin e zgjerimit të BE-së, që përfshin Ukrainën.

    Radio Evropa e Lirë: Si e shihni vizitën e [kryeministrit izraelit, Benjamin] Netanyahu, në Hungari, një shtet anëtar i BE-së? A jeni të shqetësuar se ndoshta persona të tjerë të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të vijnë në BE? Sidomos udhëheqja ruse.

    Kaja Kallas: Shtetet anëtare janë palë të Konventës së Romës, që ka të bëjë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Prandaj, u takon shteteve anëtare që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe detyrimet që kanë marrë përsipër. Është e qartë se është e rëndësishme të ruhet besueshmëria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dhe Bashkimi Evropian e mbështet këtë gjykatë në çdo mënyrë të mundshme.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që [presidenti rus, Vladimir] Putin të vizitojë një shtet anëtar të BE-së së shpejti, nëse BE-ja nuk zbaton konventën?

    Kaja Kallas: BE-ja e zbaton, por problemi është se BE-ja nuk është anëtare e konventës, janë shtetet anëtare. Prandaj, shtetet anëtare duhet ta zbatojnë atë – nëse një person hyn në territorin e tyre, ata duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

    Dialogu Kosovë–Serbi

    Radio Evropa e Lirë: Javën tjetër do të vizitoni Ballkanin Perëndimor. Çfarë mendoni për protestat që po shohim aktualisht në Serbi? A jeni të gatshëm të organizoni së shpejti një takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

    Kaja Kallas: Sa i përket protestave, kjo është demokracia – ndodh edhe në vendet anëtare të BE-së që njerëzit të lodhen nga qeveritë dhe të protestojnë. Kjo tregon se demokracia po funksionon.

    Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ose dialogun Beograd-Prishtinë, unë kam emëruar një Përfaqësues të Posaçëm, me të cilin do të ulem për të parë të ardhmen. Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, a mund të jetë diçka tjetër, përveç dialogut?

    Kaja Kallas: Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane.

    Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim.

    Radio Evropa e Lirë: Dhe, për fund, lidhur me Gjeorgjinë, si i vlerësoni ndryshimet në Ligjin për agjentët e huaj dhe Ligjin për transmetimin? A ka ende BE-ja ndonjë ndikim mbi Gjeorgjinë?

    Kaja Kallas: Situata atje është jashtëzakonisht e vështirë. Dimë që shumica e popullit gjeorgjian mbështet fuqimisht Bashkimin Evropian, dhe dëshiron që Gjeorgjia t’i bashkohet BE-së.

    Por, kjo nuk është rruga që ka zgjedhur qeveria. Pyetja për ne është: çfarë mund të bëjmë realisht për ta ndihmuar? Kemi ridrejtuar fondet nga qeveria tek organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile, për t’iu ndihmuar që të vazhdojnë rrugën evropiane.

    Radio Evropa e Lirë: Por, a ka diçka më konkrete ndaj qeverisë? Sanksionet nuk funksionuan, a ka diçka tjetër?

    Kaja Kallas: Ne duhet të kemi marrëveshje në mes të 27 vendeve anëtare. Dhe, ky është problemi këtu. Prandaj, ne ende po punojmë për opsionet që mund të kemi. Kemi vendosur kërkesën për viza për pasaportat diplomatike, por vazhdimisht po diskutojmë se çfarë tjetër mund të bëjmë.

  • ​Inaugurohet lapidari për dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva

    ​Inaugurohet lapidari për dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva

    Sot u inaugurua lapidari në nderim të dëshmorëve të parë të demonstratave të vitit 1981, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Në këtë ceremoni u vlerësuan lart sakrifica e tyre për çështjen kombëtare.

    Fazli Veliu, ish-kryetari i LPK-së, tha se dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva me veprën e tyre treguan shembullin se si mbrohet atdheu, duke zgjedhur rrugën e betimit të madh – liri ose vdekje.

    “Për dy faktorë këta dy djem ranë këtu, një ishte atdhedashuria, që e kanë dashur ata deri në Sarandë, edhe me Ulqinin dhe hapësirën shqiptare. E dyta ishte domosdoshmëria për t’u vetëmbrojtur, nuk kishte tjetër rrugë dalje. Si njëri dhe tjetri zgjodhën rrugën e betimit të madh të vdesin për lirinë, rrugën e madhe liri a vdekje. Janë të pabarabartë në hapësirën shqiptare këta dy djem, dhe të gjithë ata që bënë historinë e lavdishme të asaj kohe”, potencoi Veliu.

    Shefik Sadiku, kryetar i shoqatës së burgosurve politikë, tha se rruga e lirisë që filluan dëshmorët Hajrizi e Pireva vazhdoi deri te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “U tërbua politika jugosllave në krye të cilës qëndronte kryesia e RSFJ-së, përgjegjëse për të gjitha krimet bashkë me komitetet qendrore të lidhjes komuniste jugosllave. Fashizmi dhe racizmi ishte pikërisht tek ata, ndërsa populli shqiptar luftonte kërkonte rrugën e lirisë. Këta demonstrues dhe masa që ishin në këtë vend i tërboi pushtuesit dhe i goditën, dhe i vranë edhe Naser Hajrizin dhe Asllan Pireven. Prandaj, ne me përkushtim të madh i nderojmë jo vetëm këta, por edhe shokët e tyre të cilët u vranë në të njëjtën ditë”, tha ai.

    Bujar Hajrizi, vëllai i dëshmorit Naser Hajrizi, tha se dëshmorët e dinin se rruga e lirisë kishte shumë sakrifica, por asnjëherë nuk hoqën dorë.

    “Vendin më meritorë e zënë dëshmorët, sepse ata dhanë gjithçka nga vetja e tyre, duke mos kursyer as jetën. Dashuria ndaj atdheut matet me sakrificë, dhe në emër të kësaj dashurie ata bënë sakrificë sublime. Ata u brumosën dhe u ushqyen me ndjenjat patriotike duke formuar karakterin luftarak dhe çlirimtar, ata mëshironin shpirtin kryengritës të përcjellë nga brezat e shumtë të traditës së lëvizjes shqiptare. Dëshmorët e dinin se lufta drejt lirisë ishte e vështirë dhe me plot sakrifica, por ishin të bindur në përfundimin fitimtar të saj”, tha ai.

    Demonstratat e 11 dhe 26 marsit 1981 ishin vazhdimësi e përpjekjeve të pandërprera që nga orët e para të lëvizjes për liri dhe pavarësi kombëtare. Këto ngjarje shënuan një hallkë të rëndësishme në përpjekjet për çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Vetëm pesë ditë më pas, më 1 dhe 2 prill, me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli./kp

  • Osmani: Mediat e mbështetura nga Rusia dezinformuan për zgjedhjet në Kosovë

    Osmani: Mediat e mbështetura nga Rusia dezinformuan për zgjedhjet në Kosovë

    Rusia dhe Serbia kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në proceset demokratike në Kosovë. Kështu u tha gjatë publikimit të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuse, Birn Kosova, raporton KosovaPress.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se dezinformimi është më shumë se thjesht përmbajtje mashtruese. Ai shtoi se dezinformomi manipulon opinionin publik, nxit ndarjen dhe minon besimin tek institucionet.

    Orav tha se çdo individ mund të bëhet objektiv i manipulimit të informacionit.

    “Dezinformimi është më shumë se thjesht përmbajtje mashtruese. Ai përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë thelbin e demokracisë. Manipulon opinionin publik, nxit ndarjen dhe minon besimin tek institucionet. Ajo që është gjithashtu kritike për çdo proces zgjedhor është integriteti i informacionit dhe qasja e votuesve në informacion të saktë, të besueshëm dhe autentik… Siç ka thënë autori dhe producenti i njohur televiziv Peter Pomerantsev, ‘kur informacioni është një armë, të gjithë janë në luftë’. Çdo individ mund të bëhet objektiv i manipulimit të informacionit. Gjetjet e sotme, të bazuara në një analizë të gjerë të kryer nga BIRN Kosovo, do të shpjegojnë se si ky fenomen u manifestua gjatë periudhës zgjedhore, kush ishte pas tij dhe ndikimin e gjerë që pati në procesin demokratik”, tha Orav.

    Ndër të tjera, Orav potencoi se raporti në fjalë zbulon se narrativat dezinformuese u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës, shkruan KosovaPress.

    “Raporti zbulon se narrativat dezinformuese u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës. Përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe e gjuhës së dehumanizimit ishte alarmuese, me grupe dhe individë të caktuar që u shënjestruan në mënyrë disproporcionale, veçanërisht gratë në pozita me ndikim”, potencoi Orav.

    Orav tha se Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në mbështetjen e lirisë së medias, gazetarisë së bazuar në fakte dhe përpjekjeve për të luftuar dezinformimin.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dezinformimi nuk është vetëm sfidë por rrezik real për stabilitetitin, integritetin tonë si shtet dhe demokracinë. Ajo shtoi se në kontekstin e sigurisë shtetërore mosverfikimi i fakteve nuk është thjeshtë një problem etik apo profesional i medias, por sipas saj shndërrohet në kërcënim serioz ndaj shtetit.

    Osmani, shkruan KosovaPress, theksoi se Serbia dhe Rusia kanë promovuar dezinformimin për ta minuar procesin e demokracisë në Kosovë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.

    “E vërteta është arma më e fortë e demokracisë. Ka qenë gjithnjë, mbetet edhe sot. Prandaj, kur sulmohet e vërteta, sulmohet vetë liria, vetë vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë me shumë mund e sakrificë… Në epokën në të cilën po jetojmë, lajmi i rremë tonë mund të përhapet më shpejtë sesa e vërteta. Prandaj, kjo nuk është vetëm një sfidë, por një rrezik real edhe për stabilitetin tonë, për integritetin tonë si shtet, për demokracinë, por mbi të gjitha për sigurinë kombëtare… Gazetaria qytetare ndihmuar nga zhvillimi marramendës teknologjik, përfshirë dhe zhvillimet në IA e kanë bërë verifikimin e fakteve më të vështirë dhe më sfidues se çdo herë tjetër…Aktorë të huaj, veçanërisht Rusia dhe Serbia, siç e dini, kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në proceset demokratike në Kosovë. Mediat, të mbështetura nga Rusia, kanë luajtur një rol në përhapjen e dezinfomatave mbi integritetin zgjedhor të Kosovës dhe nxitjen e tensioneve në rajonin tonë, tha Osmani.

    Ndërkaq, të gjeturat kryesore të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë i shpalosi Kreshnik Gashi nga Birn Kosova.

    Ai theksoi se zgjedhjet në Kosovë u karakterizuan me gjuhë të urrejtjes dhe dezinformata nga Kremlini dhe Serbia.

    Po ashtu, Gashi tha se pati gjuhë të urrejtjes dhe dehumanizim për kundërshtarët politik brenda vendit.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit sipas këtij raporti pati përdorim të lartë të rrjeteve sociale në multiplifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe narrativave dezinformuese.

    “Është shumë e qartë se gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka pasur një fushatë dezinformuese dhe me materiale të urrejtjes e cila është nisur dhe krijuar nga Kremlini, pra nga qeveria ruse. Kemi pasur një fushatë dehumanizuese dhe një fushatë të urrejtjes, e cila e ka pasur burimin tek njerëzit të cilët kanë rol në qeverinë e Serbisë apo në shtetin serb. Rrjetet sociale konstatohen si problem shumë serioz, për shkak se kanë krijuar mundësi të multiplifikimit të narrativave dezinformuese, të gjuhës së urrejtjes, por edhe në raste të krijimit të saj varësisht prej teknikës që është përdorur. Ose ka qenë politikani burim i gjuhës së urrejtjes ose ka qenë media sociale që e ka zhvilluar gjuhën e urrejtjes. Ajo që është problematike për neve dhe në raport identifikohet është faktori që institucionet e shtetit ose mekanizmat rregullues të mediave në vendit tonë kanë dështuar në rregullimin e audiencës”, tha Gashi.

    Rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale në dezinformim, prani të influencës kineze në artikuj të sponzorizuar e transparencë e ulët e financimit të fushatës, janë ndër karakteristikat e zgjedhjeve parlamentare sipas raportit të publikuar të mërkurën./kp