ATV

Category: Lajme

  • 17 vjet nga hapja Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    17 vjet nga hapja Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    Sot janë bërë 17 vjet që kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u zyrtarizua në Kosovë.

    Ky ndryshim pasoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas shpalljes historike të Kosovës.

    “Kalimi nga një Zyrë amerikane në një Ambasadë shënoi fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin tonë të fortë dhe të qëndrueshëm“, thuhet në një njoftim nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

  • Konjufca pas takimit me përfaqësuesit e partive: U caktuan ulëset, gjithçka shkoi mirë

    Konjufca pas takimit me përfaqësuesit e partive: U caktuan ulëset, gjithçka shkoi mirë

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në takimin me përfaqësuesit e partive u caktuan ulëset në parlament dhe se gjithçka shkoi mirë.

    “Në këtë mbledhje caktohen ulëset e partive politike të prezantuara në Kuvendin e Kosovës dhe po ashtu bashkë me ta e diskutova skenarin, përmbajtjen e mbledhjes e cila e themelon legjislaturën e nëntë të Kuvendit tonë”, ka thënë Konjufca në konferencë për media.

    “Këto bëhen të gjitha në bazë të rezultateve të cilat i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

    “Gjithçka shkoi mirë në këtë mbledhje, u caktuan ulëset, nuk ka ndryshim shumë të madh sa u përket ulëseve në Kuvendin e Kosovës, në mes ulet Partia me më së shumti ulëse në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, dy krahët e Kuvendit, krahu i majtë dhe krahu i djathtë, janë siç kanë qenë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu u deklarua vetë. Ulet aty ku ka qenë në legjislaturën e tetë. Edhe pakicat me të njëjtën sipas të njëjtës radhë”.

  • Përgatitja e seancës konstituive, fillon takimi i Konjufcës me përfaqësuesit e partive politike

    Përgatitja e seancës konstituive, fillon takimi i Konjufcës me përfaqësuesit e partive politike

    Ka filluar takimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive politike, ku do të diskutohet për përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturë së nëntë.

    Në këtë takim partitë politike kanë zgjedhur të mos shkojnë liderët e tyre politik.

    Lëvizja Vetëvendosje në këtë takim po përfaqësohet nga anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhi, e cila është edhe ministre në detyrë e Drejtësisë.

    PDK-ja në takim po përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Uran Ismaili. Edhe LDK-ja në takim po përfaqësohet nga nënkryetarja, Doarsa Kica-Xhelili. Kurse, prej AAK-së në takim po merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj.

    Në takim po marrin pjesë edhe kryetarët e partive politike të minoriteteve jo serbe. Pjesë e takimit është Duda Balje, Nenad Rashiqi, Fikrim Damka, Elbert Krasniqi dhe disa.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.

    Përgatitjet për këtë seance, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, i takojnë kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës. Ky i fundit, së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.

    Pas caktimit të seancës konstitutive, partia fituese e zgjedhjeve ka filluar takimet konsultative me partitë tjera politike për të formuar qeverinë e re.

    Javën e kaluar, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, i ka takuar përfaqësuesit e partive të minoriteteve jo serbe.

    Pas këtyre takimeve është raportuar se Kurti është takuar edhe me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Por, deri me tani asnjëra palë nuk e ka konfirmuar këtë takim.

    Ndërsa, dje është bërë publike ftesa që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka bërë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në fund të muajit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Sipas këtij rezultati, LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë).

    Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).

  • Haradinaj refuzon çdo takim me Kurtin: Ata që e mbështesin vazhdimin e qeverisjes së tij, i bëjnë dëm Kosovës

    Haradinaj refuzon çdo takim me Kurtin: Ata që e mbështesin vazhdimin e qeverisjes së tij, i bëjnë dëm Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk janë ftuar në takim konsultativ nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    “Nuk i shkojmë [në takim]”, tha Haradinaj në një deklaratë për KosovaPress të martën më 8 prill. Sipas Haradinajt, ata që e mbështesin qeverisjen e Kurtit, bëjnë “një dëm të madh për vendin”.

    Gjatë ditës së hënë u bë e ditur se Kurti ka ftuar për takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në LDK për KosovaPress thanë se Abdixhiku do të shqyrtojë këtë ftesë dhe më pas do t’i përgjigjen Kurtit.

    Ndërkaq, Haradinaj tha se opozita duhet të “qëndrojë bashkë dhe t’i jap vendit ndryshimin e pritur”.

    “Kurti e di që nuk ka takim me ne, nuk na ka ftuar, nuk i shkojmë ajo dihet”, tha shkurt Haradinaj.

    Kryetari i AAK-së tha se votuesit nuk i kanë dhënë besimin e plotë Kurtit.

    Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend.

    Lëvizja Vetëvendosje në koalicion qeverisës me Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet jo shumicë, përjashto Listës Serbe, po konsiderohet skenari më real për formimin e qeverisë së re në Kosovë.

    Megjithatë, në partinë e Albin Kurtit si dhe atë të Fatmir Limajt nuk kanë konfirmuar për KosovaPress nisjen e diskutimeve për arritjen e një koalicioni, përkundër që është raportuar për një takim në mes tyre.

    “Ende po punojmë për qeverinë e opozitës, të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse do ta kenë hapësirën e vetë, me këtë rast edhe Limaj edhe Nisma. Mendojmë se ia kemi borxh qytetarëve të vendit, se ne ua kemi kërkuar votën për ndryshim. Pra, mendoj se duhet të qëndrojmë bashkë e t’i japim vendit ndryshimin e pritur. Dihet që votuesit e Kosovës nuk i dhanë besimin e plotë ose si përpara Kurtit. Ai ka 10 deputetë më pak duhet ta lexojmë këtë mesazh të votuesve të gjithë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është i dëmshëm për Kosovën, kushdo që mbështet vazhdimin e Kurtit, qeverisë Kurti, është e dëmshme për Kosovën, është i dëmshëm për proceset që do të ndodhin”, theksoi Haradinaj.

    Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe PDK-ja me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë si dhe AAK me 5 deputetë. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka siguruar tre deputetë në legjislativ, duke garuar në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt.

    Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë.

    “Jo nuk do ta bëjë [qeverinë] nuk e ka shumicën së pari shqiptare, shihni si tenton ta bëjë qeverinë me Listën Serbe, po tenton ta bëjë qeverinë dhe thotë se Vuçiq po e pengon ta bëjë qeverinë. Si ka mundësi Vuçiq ta pengojë bërjen e qeverisë së Kosovës se ai po u varka nga Lista Serbe ose në deputetët serbë, partitë shqiptare të opozitës ashtu siç e sheh demokracia kërkojnë ndryshimin dhe kanë marrë më shumë deputetë sesa ai që është në pushtet”, tha kreu i AAK-së.

    Sipas Haradinajt, askush nuk duhet ta mbështesë një qeveri Kurti 3.

    “Një pjesë e njerëzve po jetojnë të mbyllur dhe nuk po i përcjellin proceset që janë duke ndodhur nëpër botë, mjafton qytetarët e Kosovës veç me e rikthye vëmendjen tek vizita e djalit të Trump me Vuçiq dhe biseda që ndodhi. Ne jemi duke humbur terren me shpejtësi të madhe kjo është rrezik për të ardhmen tonë dhe kjo fal Kurtit, unë e quaj mashtruesit. Është një marre e madhe e një dëm i madh për vendin kushdo që mbështet qeverisjen Kurti”, theksoi ai.

    Ndërkaq sa i përket komunitetit serb, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq, dhe 9 ulëse do t’i takojnë Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.

  • AUV: E kemi konfirmuar, mishi i bardhë në tregun e Kosovës është i sigurt

    AUV: E kemi konfirmuar, mishi i bardhë në tregun e Kosovës është i sigurt

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se të gjitha rezultatet e analizave konfirmojnë se mishi i bardhë i pulës qe tregtohet në Kosovë është i sigurt.

    Pas ngritjes së dyshimeve se mishi i pulës me origjinë nga Brazili kishte rezultuar pozitiv në Shqipëri, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte ndërmarrë veprime për të hequr dyshimet për konsumatorët kosovarë.

    “Me një gjurmim të plotë, duke vendosur masa shtesë kontrolli, përfshirë edhe marrjen e mostrave, kufizime të shitjes deri në konfirmim përmes rezultateve të analizave laboratorike”, thuhet në njoftim.

    Sot janë nxjerrë rezultatet, të cilat kanë konfirmuar, se mishi i cili ka qenë duke u tregtuar dhe ai qe ishte duke u importuar, është i sigurt për konsum dhe i plotëson kriteret ligjore për tregtim.

    “Mostrat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili janë testuar në aspektin mikrobiologjik, në parametrat e prezencës se Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis. Testet janë kryer me ANSR metodë e avancuar për amplifikimin e ADN-së se Salmonelles spp. Të njëjtat janë konfirmuar edhe me metodën klasike e bazuar në ISO 6579-1. Limitet të përcaktuara sipas rregullores për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore Nr. 27/2012 , si dhe plotësim ndryshimit 09/2018”.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjithmonë do të veprojë konform legjislacionit në fuqi, për të hequr dyshimet e konsumatorit mbi çdo pasiguri në produkte. Po punojmë çdo ditë qe për sigurinë e ushqimit në vend, të besohet si fakt dhe si perceptim”, thuhet më tej.

  • Merret vendim për dy serbët e ndaluar të dielën në Prizren, Prokuroria Themelore i liron ata

    Merret vendim për dy serbët e ndaluar të dielën në Prizren, Prokuroria Themelore i liron ata

    Pas ndalimit të dy të pandehurve serb për 48 orë që u arrestuan në vikend në Prizren, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit.

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.

    Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve.

  • Po vazhdon edhe sot kërkimi për 26-vjeçarin e humbur në Pashtrik

    Po vazhdon edhe sot kërkimi për 26-vjeçarin e humbur në Pashtrik

    Po vazhdon edhe sot kërkimi për 26-vjeçarin e humbur në Pashtrik.

    Nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, kanë konfirmuar se ende nuk është arritur të lokalizohet vendndodhja e tij.

    Personi i humbur raportohet se kishte dalë për gjueti, dhe nuk ka arritur të kthehet më.

    I njëjti ka telefonuar babanë e tij dhe ka kërkuar ndihmë.

     

  • Kallas nga Tirana: Kosova dhe Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugën evropiane, pa normalizim të raporteve

    Kallas nga Tirana: Kosova dhe Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugën evropiane, pa normalizim të raporteve

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nga Tirana, ka dhënë mesazh për dialogun Kosovë-Serbi.

    Ajo ka thënë se nuk mund të ketë rrugë përpara evropiane, pa normalizim – për asnjërin prej shteteve.

    “Ajo që është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies ndërmjet këtyre dy vendeve”.

    “Do të shkoj në Bosnje e Hercegovinë dhe do të takohem me të gjithë palët atje në mënyrë që të qetësohet situata atje”, tha Kallas.

    “Ky është një proces i vazhdueshëm, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre europiane”, tha ajo.

  • Takimi me Konjufcën – kryetarët e partive nuk do të marrin pjesë, dërgojnë përfaqësues

    Takimi me Konjufcën – kryetarët e partive nuk do të marrin pjesë, dërgojnë përfaqësues

    Kryetari i Kuvendit në detyrë, Glauk Konjufca sot do të mbajë një takim të përbashkët me partitë politike ku do të diskutohet për seancën konstitutive të Kuvendit.

    Ky takim do të mbahet në orën 12:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    Ndonëse ishte paraparë që takimi të mbahet me kryetarët e partive, të njëjtit nuk do të jenë prezent.

    Kështu kanë konfirmuar zëdhënësit e partive.

    Në takim do të jetë vetë një pikë në rendin e ditës: “Përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

    Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani.

    Duke kërkuar formimin e qeverisë “sa më parë që të jetë e mundur”, presidentja konsideron se deri më 15 prill “ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme”.

    Ajo ka uruar që “ai proces të shkojë sa më mirë që është e mundshme dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë”.

    Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

    LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet.

    Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë).

    Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).

    Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.

  • Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës

    Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës

    Me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.

    Në njoftim thuhet se ministrja në detyrë Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi i produkteve të naftës.

    “Këto të dhëna janë nga evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Sipas këtij vendimi, përcaktohet: marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në 12 eurocentë për litër”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, sipas MINT, ky vendim i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masa mbrojtëse të përcaktuara.

    “Po ashtu, zbatimi i këtij vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitjen e rasteve të dyshimta te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Ministrja Hajdari gjithashtu theksoi se ky vendim është një hap tutje drejt promovimit të konkurrencës së ndershme të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, duke parandaluar sjelljet antikonkurruese, duke siguruar transparencë dhe kushte të barabarta në tregun e Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, aktualisht në tregun e Kosovës një litër naftë shitet nga 1 euro 19 centë deri 1.25 centë. Shoqata e naftëtarëve ka paralajmëruar rënie të çmimit për derivate pas vendosjes së tarifave nga administrata Trump për gati 200 shtete.