ATV

Category: Lajme

  • ​Abdixhiku sot pritet t’i kthej përgjigje Kurtit

    ​Abdixhiku sot pritet t’i kthej përgjigje Kurtit

    Anëtarja e kryesisë së Lidhja Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku pas pak do t’i kthej përgjigje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një letre zyrtare të cilën do ta bëjë publike.

    Derisa Abdixhiku po mban takim me nënkryetarët e kësaj partie, Lushaku tha se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar karshi LVV-së.

    “Edhe gjatë fushatës, edhe parafushatës, të gjithë kritikën që e kemi ndërtuar, e kemi ndërtuar me argumente dhe kemi totalisht konsistencë, kështu që mos mendoni që kemi ndryshuar diçka radikalisht, jemi konsistent ndaj të gjitha partive politike, veçanërisht ndaj Vetëvendosjes, meqë kemi qen kritik ndaj gjuhës që është përdorur”, tha ajo.

    Përndryshe, Albin Kurti ka ftuar Abdixhikun për takim nesër por i ka lënë mundësi edhe pasnesër.

  • ​Importi nga Turqia arrin shifra rekorde, thellohet dificiti tregtar

    ​Importi nga Turqia arrin shifra rekorde, thellohet dificiti tregtar

    Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të lirë me Turqinë, Kosova ka shumëfishuar importin e mallrave nga ky shtet, derisa eksporti i vendit tonë drejt Turqisë është në vlera tejet minimale.

    Turqia është vendi nga i cili Kosova importoi më së shumti mallra pas kësaj marrëveshje, ku vetëm gjatë vitit 2024 vlera e importeve të mallrave nga Turqia ka arritur në 912 milionë euro, ndërsa eksporti ka mbetur vetëm në nivelin 27.5 milionë euro ose me një deficit tregtar në 884.5 milionë euro, raporton KosovaPress.

    Pabarazia në bilancin tregtar me këtë shtet është përkeqësuar pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në shtator të vitit 2019.

    Në vetëm gjashtë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, importet janë dyfishuar, nga Turqia, derisa shifrat e eksporteve të Kosovës mbeten ende minimale.

    Tregtia me Turqinë, ndonëse e rëndësishme, mbetet e pabalancuar për Kosovën. Marrëveshja për Tregti të Lirë nuk ka arritur të sjellë përfitime të dukshme në rritjen e eksporteve, ndërsa ka lehtësuar hyrjen e produkteve turke në tregun kosovar.

    Importi nga Turqia është rritur gjatë dekadës së fundit, por jo në mënyrë të balancuar. Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për periudhën 2011–2023 tregojnë një rritje të konsiderueshme të importeve nga Turqia, krahas një rritjeje shumë më modeste të eksporteve nga Kosova, raporton KosovaPress.

    Kjo marrëveshje e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2019, kishte për qëllim të eliminonte barrierat doganore dhe të lehtësonte qarkullimin e mallrave në të dy drejtimet. Megjithatë, të dhënat tregojnë se nga kjo marrëveshje kanë përfituar më shumë kryesisht kompanitë turke.

    Në vitin 2011, Kosova importonte mallra nga Turqia në vlerë prej 184.4 milionë euro, ndërsa vendi eksportoi vetëm 7.8 milionë euro, duke shënuar një deficit tregtar prej mbi 176 milionë euro. Kjo pabarazi është zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme. Derisa edhe në vitin 2012, eksportet u rritën në 11.3 milionë euro, por importet arritën në 199.8 milionë euro, duke e thelluar deficitin në 188.5 milionë euro. Ndërkaq në vitin 2013 pati rënie të eksporteve në 7.3 milionë euro, ndërsa importet u rritën në mbi 204 milionë euro. Bilanci tregtar negativ shënoi rreth 197.5 milionë euro, shkruan KosovaPress.

    Në vitin 2014, eksportet u rritën në 10.3 milionë euro, por importet u rritën edhe më shumë në 238.2 milionë euro. Ndërkaq në vitin 2015 eksportet shënuan 9.2 milionë euro, ndërsa importet 252.2 milionë euro, duke e mbajtur deficitin në nivele të larta. Në vitin 2016, 7.6 milionë euro eksport dhe 288.4 milionë euro import, rreth 281 milionë euro më shumë importe se eksporte. Derisa edhe në vitin 2017 ndodhi një situatë e ngjashme, 7.1 milionë euro eksport, 292.6 milionë euro import. Në vitin 2018, eksportet arrijnë në 8.3 milionë euro, ndërsa importet shkojnë në 336.5 milionë euro.

    Ndërkaq, në vitin 2019, viti kur u nënshkrua Marrëveshja për Tregti të Lirë, eksportet arritën në 7.9 milionë euro, ndërsa importet në 431.4 milionë euro. Pavarësisht marrëveshjes, eksportet mbetën të ulëta. Derisa në vitin 2020 u shënua rritje tejet e vogël, eksportet arritën në 11 milionë euro, ndërsa importet shënuan rënie në 409.3 milionë euro, kjo edhe për shkak të pandemisë.

    Në 2021 importet arritën në 587.5 milionë euro, ndërsa eksportet 17.5 milionë euro. Në vitin 2022, importet nga Turqia pothuajse u dyfishuan nga viti 2020, duke shkuar në rreth 843 milionë euro, ndërsa eksporti mbeti me vetëm 23.4 milionë euro.

    Derisa në vitin 2023 eksportet shënojnë një rënie në 20.2 milionë euro, ndërsa importet arrijnë një rekord me 877.1 milionë euro. Diferenca tregtare shkon mbi 856 milionë euro. Po kështu në vitin e kaluar, 2024 importi me Turqinë u rrit sërish ku arriti 912 milionë, ndërsa eksporti ishte 27.5 milionë, ose deficiti tregtar në 884.5 milionë euro, raporton KosovaPress.

    Derisa shtetet tjera mbrojnë produktet e tyre, Kosova nuk i mbron ato, pra nuk ka bërë marrëveshje t’i mbrojë produktet e veta. Shembull, Kosova ka të drejtë të eksportojë në Kosovë e në BE vetëm 24 ton peshk, edhe pse është marrëveshje e tregtisë së lirë, nuk është e pakufizuar.

    Bazuar në rritjen e deficiti tregtar me Turqinë, nevojitet që Kosova të ri-shikojë rinegocimin e marrëveshjeve për tregti të lirë, në mënyrë që shteti ynë t’i mbrojë prodhimet vendore.

  • Vrasja me thikë në Fushë-Kosovë, babai i njërit të akuzuar thotë se djalin ia mori në qafë shoku

    Vrasja me thikë në Fushë-Kosovë, babai i njërit të akuzuar thotë se djalin ia mori në qafë shoku

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, dëshmitari Fadil Musliu- babai i të akuzuarit Atdhe Musliu, deklaroi se djalin e tij ia ka marrë në qafë shoku i tij- i akuzuari Labinot Bajrami. Këtë gjë, ai tha se ia kishte thënë edhe vetë i akuzuari Atdhe kur kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte trguar për rastin.

    “Po, ashtu është. Një shok i tij- Labinoti e ka marrë në qafë, pasi që nuk kemi pas asnjë kontakt me të, as nuk na ka njohur, as nuk e kemi njohur (të ndjerin A.H)”, tha dëshmitari Fadil Musliu.

    Musliu e bëri këtë deklarim pasi u pyet nga prokurori Armend Hamiti lidhur me deklaratën e tij të dhënë në Polici, në të cilën ai kishte thënë se djali i tij ia kishte pohuar një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzohen se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

    Sipas dëshmitarit, djali i tij- Atdheu, në ditën kritike kishte shkuar tek motra e tij në Fushë-Kosovë dhe kur ishte kthyer në mbrëmje i kishte thënë se kishte therur një person. Ai tha se nuk ka njohuri lidhur me motivin e vrasjes dhe se këtë gjë e di më mirë “ai që e ka nisur”.

    “Edhe unë jam interesuar ta di arsyen pasi që as nuk i kam pas borxh dhe as nuk më ka pas borxh. Këtë e di më së miri ai që e ka nisë”, shtoi tutje dëshmitari.

    Babai i të akuzuarit Atdhe Musliu thotë se personi që e ka nisur këtë problem është i akuzuari Labinot Bajrami.

    “Labionti, tjetërkush nuk ka pas kush”, tha ai.

    Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe vëllai i të ndjerit A.H., Riza Hamiti, i cili tha se nuk ka pasur njohuri se vëllai i tij kishte pasur probleme me dikë.

    I pyetur nëse ndokush ka dërguar njerëz të pajtohen me familjen e tyre, dëshmitari Hamiti e pohoi një gjë të tillë, por tha se nuk janë pajtuar dhe që rasti ende qëndron pezull.

    “Po, për të ndjerë keqardhje. Kjo ka ndodh pas vrasjes. Unë kam qenë i tronditur dhe nuk e di saktë se cila familje ka qenë…, por nuk jemi pajtuar pasi që ata nuk kanë dërguar më njerëz dhe kjo çështje ka mbetur pezull deri në vendosjen e drejtësisë”, tha Hamiti.

    Vëllai i viktimës tha se deri më sot nuk ka mësuar asnjë informacion lidhur me rastin.

    Më pas, u dëgjua edhe vajza e axhës së të ndjerit- Suzana Berisha-Hamiti, e cila tha se lajmin që tani i ndjeri A.H., gjendej në Emergjencë, e kishte marrë nga motra e saj. Kjo e fundit, sipas saj, ishte njoftuar nga një shoqe e saj që punon si infermiere në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Kur e ka pa rastin çka ka ndodh, e ka thirrë motrën shpejt dhe i ka thënë se është në gjendje shumë të rëndë. Pastaj ajo më ka thirrë mua, se ajo e ka pas të pamundur me shku. Më ka thënë shko se A., qenka shumë rëndë. Unë mbërrita në Emergjencë dhe e takova infermieren, e lypa me pa A., dhe aty mora vesh që veç ka ndërru jetë”, tha dëshmitarja.

    Pasi kishte ndodhur rasti, ajo tha se kishin dëgjuar disa thashetheme lidhur me rastin në fjalë, se kinse tani të ndjerin kishin tentuar ta plaçkisin.

    “Unë kam dëgju diçka, por këto janë vetëm hamendësime. Në Zonën Industriale më ka rastis që të dëgjohem edhe me kolegë që punojnë në atë pjesë të Postës në Fushë-Kosovë. Dhe atje ka qarkullu lajmi se gjoja kanë dashur ta plaçkitin. Tjerat janë ato që i kemi dëgju në seanca. Edhe ne jemi të interesuar me ditë se pse ka ndodh”, shtoi Berisha-Hamiti.

    Në seancën e së martës u dëgjua edhe dëshmitari Jeton Morina, i cili është pronari i veturës, të cilën i akuzuari Labinot e kishte pasur në posedim ditën e ngjarjes kritike, e të cilën ai e kishte marrë me qira.

    Morina tha se i akuzuari Labinot kishte shkuar me dy gra për ta marrë veturën, e që vetura sipas tij ishte marrë në emër të gruas të cilën e kishte prezantuar si bashkëshorten e tij.

    I pyetur se si kishte përfunduar patentë shoferi me emrin Avni Thaqi në atë veturë, dëshmitari tha se i akuzuari Bajrami atë patentë ia kishte dërguar, duke i thënë se është daja i tij.

    “Në bazë të Viber-it, më ka dërguar këtë patentë shofer. Ma ka dërgu Labinot Bajrami dhe më ka thënë, nëse nuk gaboj se e ka dajë”, tha dëshmitari Morina.

    Ndërsa, dëshmitari Fehmi Topalli, u pyet nga prokurori Hamiti se a është e vërtetë që në deklaratën e dhënë në Polici ka thënë se kishte dëgjuar se ka hyrë një hajn një në banesë. Topalli tha se këtë gjë ia kishte dhënë një banor, por nuk e di se kush është.

    Topalli tha se sa ishte duke punuar si sigurim rreth atij objekti, në natën kritike ka parë një veturë e cila ka qenë e dyshimtë.

    “Vetura ka qenë me drita të gjata. Nuk më kujtohet modeli, por kam dëgju një ushtimë (zhurmë) dhe që ka qenë afër një shitores, në ara dhe më pas ka vazhdu në drejtim të asaj banesës në të cilën ka thënë se është hi një hajn. Mbaj mend që vetura është nisur si për ngutë, nuk ka qenë nisje normale”, tha dëshmitari.

    Ndryshe, në fillim të seancës, meqenëse gjykimi ka filluar rishtas pasi është bashkuar procedura për dy të akuzuarit, ata u deklaruan rreth fajësisë.

    I akuzuari Musliu pranoi fajësinë për veprën penale “Vrasje”, por ky pranim fajësie iu refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për pranim fajësie dhe për shkak të sugjerimeve të dhënë nga Gjykata Supreme.

    “Refuzohet pranimi i fajësisë për veprën penale të vrasjes, pasi që duke u bazuar edhe në sugjerimet e Gjykatës Supreme në raport me bashkëkryerjen, po ashtu edhe përshkrimet e veprimeve të kryerësve të paraqitura në dispozitiv të aktakuzës, nuk plotësohen kushtet për pranim të fajësisë”, tha kryetari i trupit gjykues, Gent Beka.

    Musliu e pranoi fajësinë edhe për armëmbajtje pa leje, por edhe për këtë vepër penale iu refuzua pranimi i fajësie, pasi sipas udhëzimit të Gjykatës Supreme duhet të vlerësohet cilësia e mjetit me të cilën është kryer vrasja.

    “Po ashtu, refuzohet pranimi i fajësisë për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që nuk përmbushen kushtet nga neni 242, par.2, pika 2.3 të KPRK, si dhe udhëzimeve të Gjykatës Supreme që gjatë shqyrtimit gjyqësor të konstatohet se kjo thikë a e ka cilësinë e armës së ftoftë në kuptim të dispozitave të aplikueshme. Andaj, vlerësohet se është e nevojshme që të zhvillohet shqyrtimi gjyqësor edhe në drejtim të kësaj vepre për të eliminuar të gjitha vërejtjet e përcaktuara nga Gjykata Supreme”, tha gjykatësi.

    Po ashtu, i akuzuari Musliu tha se ndjen keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur dhe se e gjithë kjo ka ndodhur pa dashje.

    “Ndjej keqardhje për çfarë ka ndodh. Kërkoj falje, pa dashje ka ndodhur kjo. Unë nuk kam pasur probleme me të ndjerin. Unë kam hy në mes për t’i ndarë, nuk kam pasur asgjë më të”, tha Musliu.

    Ndërkaq, i akuzuari tjetër Bajrami u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

    Për shkak të bashkimi të procedurës për të akuzuarit, pasi që për ta paraprakisht zhvillohej procesi i ndarë, pasi gjykimi filloi rishtas, palët dhanë fjalët hyrëse.

    Në fjalën hyrëse, prokurori Armend Hamiti tha se qëndron pas fjalës hyrëse që ka dhënë lidhur me të akuzuarin Bajrami në seancën e kaluar dhe se e njëjta qëndron edhe për të akuzuarin Musliu. Kjo pasi për këtë të fundit nuk ishte dhënë fjala hyrëse, ngase e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar.

    “E njëjta fjalë hyrëse që është bërë për Labinotin, vlen edhe për Atdheun në rastin kur është bërë bashkimi i procedurës”, tha prokurori.

    Përfaqësuesi i palës së dëmtar, avokati Bujar Ejupi mbështeti fjalën hyrëse të prokurorit Hamiti për të akuzuarin Musliu, duke thënë se pas administrimit të provave do të kuptohet motivi i vrasjes. Po ashtu, tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë për të akuzuarin Bajrami.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Taulant Broqi, tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, do të kuptohet se Musliu këtë vepër nuk e ka kryer me dashje, dhe se nëse i akuzuari Labinot nuk do ta telefononte, kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur.

    “Ai ka qenë duke shku në shtëpi, dhe nëse nuk do ta kishte thirrë Labionti, kjo ngjarje nuk do të ndodhte fare”, tha Broqi.

    Kurse, mbrojtësja e Bajramit, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, tha se kjo vrasje mund të jetë kryer edhe për shkak të tronditjes së fortë mendore.

    “Kjo vepër mund të jetë vrasje e kryer për shkak të tronditjes së fortë mendore nga neni 174 të KPRK-së, për arsye se në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes së atëçasshme”, tha Gashi-Bytyqi.

    Ajo tha se klienti i saj nuk ka mohuar t’i ketë shkaktuar lëndime të lehta trupore tani të ndjerit.

    Gashi-Bytyqi propozoi të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit eksperti mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu, i cili ka kryer edhe ekspertizën. Sipas saj, përmes tij do të definohet edhe përgjegjësia e të pandehurve.

    Për shkak se gjatë kësaj seance nuk prezantuan dëshmitarët: Shqipe Kyreziu, Kaltrina Musliu, Avni Thaqi, Hajrie Bajrami, Suzana Hamiti dhe Bekim Topalli, seanca u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.

    Ndryshe, më 5 shtator 2023 i akuzuari Musliu e kishte pranuar fajësinë, kurse i akuzuari Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm. Andaj, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, më 2 tetor 2023. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.

    Ndërsa, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

    Në seancën e 20 qershorit 2024, ishte propozuar të bëhet bashkimi i procedurës penale ndaj dy të akuzuarve.

    Andaj, më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka kishte njoftuar se në këtë çështje penale është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të pandehurit Atdhe Musliu, për të cilin ka qenë duke u vazhduar procedurë e veçantë. Kështu, ndaj dy të pandehurve Labinot Bajrami dhe Atdhe Musliu procedura vazhdon si një.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

    Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

  • Agjenda e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Agjenda e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mbajti sot mbledhje me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Me vendim të presidentes Vjosa Osmani seanca konstituive do të mbahet të martën, më 15 prill 2025, në orën 10:00.

    Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare. Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

    Në vijim kryetari Konjufca ua bëri të ditur përfaqësuesve të subjekteve politike agjendën e seancës konstituive. Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Në vijim do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve.

    Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).

    Para përfaqësuesve të subjekteve politike që kanë fituar vende në Kuvend kryetari Konjufca prezantoi edhe agjendën e regjistrimit të deputetëve, si procedurë standarde para seancës konstituive.

    Kështu, të enjten, më 10 prill, nga ora 9:00 – 16:00 do të regjistrohen deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të premten, më 11 prill deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të hënën, më 14 prill, deputetët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të komuniteteve pakicë, në intervalin e njëjtë kohor.

  • Një muaj paraburgim për 58-vjeçarin që dyshohet se e dhunoi një të mitur në Prishtinë

    Një muaj paraburgim për 58-vjeçarin që dyshohet se e dhunoi një të mitur në Prishtinë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit J.G., nën dyshimin për dhunimin e një të miture.

    Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin J.G., pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjykata vlerësoj se nëse i pandehuri J.G. lihet në liri, ekziston rreziku se i njëjti mund të pengojë rrjedhën e zhvillimit të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, mund të ndikoj dhe pengoj hetimin në të dëmtuarën e mitur, gjithashtu gjykata vlerësoj se nëse i pandehuri gjendet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij. Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin me sukses të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Vendimi i MINT-it për rregullimin e çmimit të naftës, Berjani: Do t’i shkatërrojë bizneset

    Vendimi i MINT-it për rregullimin e çmimit të naftës, Berjani: Do t’i shkatërrojë bizneset

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendim për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.

    Në njoftim thuhet se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi të produkteve të naftës.

    Sipas këtij vendimi, përcaktohet, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në dymbëdhjetë eurocentë për litër.

    Por me këtë vendim nuk po pajtohen naftëtarët.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Fadil Berjani ka thënë për Indeksonlinen se vendimi i MINT-it është një vendim i gabuar i cili i shkatërron bizneset.

    “Vendimin të cilin e ka nxjerr MINT-i është shumë gabim dhe i paqëlluar. Ju e dini se unë kam qenë shumë transparent, kur ka pas vendime të sakta. Ky vendim është i paarsyeshëm dhe pa u konsultu me Shoqatën e Naftëtarëve. Vendim i gabuar me ketë vendim i shkatërron bizneset. Kompanitë e mëdha mundet vetëm me i lodh pak, por kompanitë e mesme dhe te vogla mundet apo është qëllimi me i bankrotu”, thotë Berjani.

    E sa i përket uljes së çmimit të derivateve të naftës në nivel global pas vënies së tarifave nga Trumpi, Berjani thotë se rënia e çmimit të naftës për 4 centë në Kosovë, është si pasojë e uljeve të tarifave nga Trumpi dhe jo nga vendimi i gabuar i MINT-it.

    “Ka ndryshim në çmim ka 4 centë. Tarifat e Trumpit e kanë ulë çmimin, jo vendimi i gabuar i MINT-it. Për gjendjen ekonomike çfare kemi në Kosovë, çmimi real kishte me qenë 1 euro. Po kjo nuk varet nga qeveria dhe as nga Shoqata e Naftëtarëve, po varet nga bursa dhe organizata prodhuese OPEC”, thotë Berjani.

    Ndryshe çmimet në tregun kosovar përafërsisht sillen: Diesel 1.18 centë deri 1.29 centë, Benzina 1.19 centë deri 1.28 centë. Ndërkaq çmimet e derivateve në Shqipëri, dieseli 1.89 centë dhe benzina 1.88 centë.

    Ndërkaq në Serbi dieseli 1.78. centë dhe benzina 1.79 centë.

  • Reagon Sveçla pas lirimit të dy serbëve

    Reagon Sveçla pas lirimit të dy serbëve

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshm, Xhelal Sveçla, ka dal me reagim lidhur me lirimin e dy serbëve që u arrestuan të dielën në Prizren, e për të cilët u tha se ishin oficerë aktiv të shërbimeve të sigurisë serbe.

    Sveçla tha forca e ligjit dhe e drejtësisë në këtë rast nuk ka pasur peshë.

    “Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka thënë Sveçla.

    Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka theksuar se është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.

  • Haxhiu: Ose e bëjmë qeverinë ne ose shkojmë në zgjedhje

    Haxhiu: Ose e bëjmë qeverinë ne ose shkojmë në zgjedhje

    Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se kryeministër i ri do të jetë Albin Kurti.

    Haxhiu tha se deri më tani dihet vetëm emri i kryeministrit, ndërsa për opozitën tha se s’mund ta bëjë qeverinë.

    “Ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e personave të tjerë që do të mbajnë pozicione tjera qoftë në qeveri qoftë në kuvend. Ajo që dihet është se kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti dhe qeveria e ardhshme shumë shpejt do të votohet”.

    “Qeverinë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje dhe në anën tjetër nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë qeverinë si e vetme. Prandaj, duke qenë kështu ose e bëjmë qeverinë ne ose shkojmë në zgjedhje. Dhe ne jemi të interesuar që ta bëjmë qeverinë”, tha ajo.

  • Cilat janë kushtet e PDK-së për koalicionin me VV-në? Flet nënkryetari Uran Ismaili

    Cilat janë kushtet e PDK-së për koalicionin me VV-në? Flet nënkryetari Uran Ismaili

    Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se nuk sheh probleme në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij tradita e ka treguar se një gjë e tillë është bërë gjithmonë edhe pa votën e tyre, kur dhe kanë votuar kundër.

    Për një letër të mundshme nga Kurti, Ismaili s’pranoi të deklarohej.

    “Kryetari gjithmonë është zgjedh. Nuk shoh ndonjë pengesë. Ne se kemi votuar as herën e kaluar dhe ai është zgjedh, dhe tu e ditë këtë gjë ajo bëhet, pasi partia e parë e jep emrin dhe zgjidhet. Nëse ngritet si problematik, atëherë marrim një qëndrim, por duke e marrë si traditë, s’shoh ndonjë problem”.

    “Sa i përket ftesës, mos të përgjigjem në diçka që ka karakter hipotetik”, shtoi Ismaili.

    Kur u pyet për vijat e kuqe me VV-në, duke ju referuar një deklarate të Bedri Hamzës, nënkryetari i PDK-së theksoi se vijat e kuqe jo gjithmonë janë për koalicionin, por që ai theksoi se po presin partinë e parë të krijojë, dhe nëse s’arrin ta bëjë, atëherë marrin të drejtën PDK-ja, si parti e dytë.

    “Fushata jonë ka qenë fushatë e cila ka tentu me përafru qytetarin në bazë të një programi për zhvillimin e vendit. Programi jonë ka qenë përafrues e hapur për të gjithë. Ideja e vijave të kuqe nuk do të thotë gjithmonë në kuptimin e një koalicioni, jo demoes me hek vija të kuqe për një koalicion. Prandaj si opozitë kemi thënë i takon partisë që i takon e para të krijojë qeverinë, nëse nuk arrihet, është obligim institucional i partisë së dytë. Kam bindjen që nëse ka paaftësi të partisë së parë, Bedri Hamza jam i bindur që do të ndërtohet një koalicion për zhvillimin e vendit siç e ka premtuar”.

    Ai tha se si PDK nuk kanë vendosur kushte deri në këtë fazë.

    “Nuk jemi në atë fazë, s’kemi qitë as kushte. Opsionet janë brenda partive opozitare. E kuptoj që ka mungesë transparence nga partia e parë në mënyrën si ka realizuar deri tani negociatat, dhe mandej po implikohet që të kemi pyetje hipotetike, por ne kemi një pozicion jashtëzakonisht të qartë por edhe me një besim të madh që kemi një kandidat që arrin me kriju një shumicë, nëse ka paaftësi nga partia e parë. Dëgjova që po dihet emri i kryeministrit, emrin e kryeministrit e dinë 61 votat dhe këtu përfundon. Jemi të gatshëm me pa konsumimin e të drejtës nga partia e parë, dhe kur konsumohet na jepet neve e drejta”, tha Ismaili.

  • Konjufca e pranon: E pamundshme ta bëjmë qeverinë pa koalicion

    Konjufca e pranon: E pamundshme ta bëjmë qeverinë pa koalicion

    Glauk Konjufca thotë se është e pamundshme që Lëvizja vetëvendosje të bëjë qeverinë pa koalicion.

    Këtë deklaratë e tha pas takimit me përfaqësuesit e partive politike.

    Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit dhe se formimi i qeverisë është i pamundur pa themelim të një koalicioni.

    “Sa i përket kryetarit të Kuvendit, LVV ende nuk ka emër, kjo për arsye se mendoj se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës që pastaj shndërrohet në qeveri i nënshtrohen disa principeve, një kryesor është përpjekja për me themelu qeverinë. Kuvendi themelohet për me mujt me i zgjedh institucionet tjera, me rëndësi është ekzekutivi. Te qeveria, është e pamundshme pa u themelu një koalicion i cili e krijon mazhorancën e aftë për me zgjedh me 61 vota qeverinë e re”.

    Ai njoftoi se gjithçka shkoi mirë në atë takim dhe se u caktuan ulëset në Kuvend.

    “Gjithçka shkoi mirë në takim, u caktuan ulëset, nuk ka ndryshim shumë të madh sa i përket ulëseve. Në mes ulet partia me më shumë ulëse në Kuvend, LVV, dy krahët, janë siç kanë qenë, PDK dhe LDK, AAK po ashtu u deklaruar vet, ulet aty ku ka qenë në legjislaturën e tetë. Pakicat sipas të njëjtës radhë. Dallimet janë të vogla me legjislaturën e tetë. Përfundoi mbledhja, gjithçka shkoi mirë”.