ATV

Category: Lajme

  • Kusari-Lila: Vetëm me votat e komuniteteve jo-shumicë nuk është e mundshme të formohet Qeveria

    Kusari-Lila: Vetëm me votat e komuniteteve jo-shumicë nuk është e mundshme të formohet Qeveria

    Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për dallim nga e kaluara, kësaj radhe nuk është e mjaftueshme mbështetja vetëm nga komunitetet jo-shumicë për formimin e Qeverisë së re.

    Sipas saj, edhe në të kaluarën bashkëpunimi me komunitetet joshumicë ka qenë formal dhe i natyrshëm, por tani nuk i mjaftojnë numrat.

    “Edhe në të kalumen, Qeverinë Kurti 2, përkundër që e kemi pasë një shumicë me 10 deputetë më shumë, kanë fillu, domethënë, koalicioni, gjegjësisht arsyeja e lidhjes së koalicionit ose një bashkëpunimi formal ka qenë me këto parti. Me këto është edhe njëfarë forme – janë edhe vendet e garantume edhe në Kuvend, edhe në Qeveri. Njëjtë edhe për pakicën tjetër apo komunitetin e një shumice tjetër, por gjithsesi që ka pasur trajtim në kuptimin e bashkëpunimit ose një vazhdimësie të komunikimit prej edhe mandatit të kalum”, tha Kusari-Lila.

    Ajo shtoi se në këtë mandat nuk mund të arrihet numri i nevojshëm i votave vetëm me komunitetet joshumicë dhe prandaj do të nevojiten diskutime të mëtejshme për formimin e Qeverisë.

    “Nuk është më e lehtë, është pak më e vështirë, qysh e kemi pa – numrat e tregojnë që vetëm me komunitetet joshumicë, si herën e kalume, nuk ka me qenë e mjaftueshme ose nuk është e mundshme të arrihet numri 61 i minimumit që duhet për një Qeveri të votohet. Prandaj kjo është tashmë një punë e cila ka me vazhdu procesin dhe e cila ka me shty përpara gjithsesi diskutim të matutjeshëm mbi formën e mënyrën e arritjes së këtij numri”, deklaroi Kusari-Lila.

    Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Mes sfidave dhe varfërisë, komuniteti Rom shënon ditën ndërkombëtare

    Mes sfidave dhe varfërisë, komuniteti Rom shënon ditën ndërkombëtare

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Përgatitjen e ushqimit e bënë aty ku e bënë edhe gjumin.

    E në këtë shtëpi me vetëm dy dhoma jeton një nënë 72 vjeçare me tre djemtë e saj.

    Përveç mungesës së hapësirës dhe kushteve të rënda të jetës, Demira Demirov, nga komunitet rom duhet të paguajë edhe qira mujore. Sipas 72-vjeçares, nga Gjilani, jeta bëhet edhe më të vështirë për shkak të vet përkatësisë etnike që ka.

    “Jeta vërtet është e vështirë, fëmijët nuk kamë arritur t’i shkolloj dhe tan nuk punojnë askund, mezi mbijetojmë, kjo shtëpi nuk është e jona ne jemi me qira 220 paguajmë çdo muaj”, tha Demirov.

    Por pavarësisht paragjykimeve dhe shumë sfidave që i janë paraqitur përgjatë rrugës, Shpresa Gashi nuk hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të përmirësuar sado pak jetën e komunitetit.

    Si rome që është, ajo i takon komunitetit që vlerësohet të jetë më i margjinalizuari në shoqërinë kosovare por paraqet histori suksesi si aktivistja e parë grua rome.

    “Paragjykimet që janë bërë komuniteteve më ka bërë që të punojmë më shumë për ta nuk ka qenë e lehtë por megjithatë ja kemi dal të përmirësojmë sado pak jetën e tyre..”, tha Gashi.

    Pavarësisht problemeve shëndetësore 54 vjeçarja punën nuk e ndal as në shtëpi, andaj përkushtimi i saj është vlerësuar me shumë shpërblime.

    Komuniteti rom në Kosovë dhe gjithandej në botë më 8 prill shënon Ditën Ndërkombëtare e sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Kosovë jetojnë 8 mijë e 700 rom.

  • Çështja e të pagjeturve në tavolinën e diskutimeve në Bruksel gjatë prillit

    Çështja e të pagjeturve në tavolinën e diskutimeve në Bruksel gjatë prillit

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas refuzimit të palës serbe në janar të këtij viti të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për çështjen e të pagjeturve, një takim i ri pritet të mbahet gjatë muajit prill.

    Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti takimi i Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit do të mbahet brenda dhjetë ditësh.

    Hoti, që të martën u takua në Prishtinë me përfaqësues të emisarit për dialogun Kosovë- Serbi Peter Sorensen, ka thënë se dy temat që do të shpalosen në Bruksel janë arkivat shtetërore të Serbisë dhe lokacionet për gërmime atje.

    Hoti në një intervistë për ATV, tha se pret qasje ndryshe ndaj Serbisë nga strukturat e reja të BE-së.

    Nëse edhe kësaj radhe, pala serbe refuzon të marrë pjesë dhe nuk ndëshkohet, sipas Hotit nuk do të kishte më kuptim as dialogu me Serbinë.

    Hoti në shkurt të këtij viti, i kishte dërguar letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të zbatojë deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, dhe të hapë arkivat ushtarake, policore dhe të inteligjencës.

  • Tenderi 18 milionë për bulevardin e Gjilanit përfundon në OSHP

    Tenderi 18 milionë për bulevardin e Gjilanit përfundon në OSHP

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Projekti edhe mund të bëhet, por jo pa vonesa.

    Tenderi 18 milionësh, për bulevardin e Gjilanit, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas dy ankesave të pranuara më 4 prill.

    Operatori ekonomik, Pro&Co Grup shpk, pretendon se Komuna vendosi një kriter diskriminues.

    “Përderisa shumica dërrmuese e punëve ka të bëjë me ndërtimin e sheshit, parkingut dhe objektit të administratës, është e pakuptueshme se si është vendosur si kriter edhe vlera prej 6 milionë eurosh në ndërtimin e nënkalimeve”, janë deklaruar operatorët ekonomik ankues, Pro&Co Grup.

    Pikërisht ky kriter, cilësohet si diskriminues edhe nga operatori tjetër ekonomik Semaks SHPK, i cili po ashtu ka dorëzuar ankesë në OSHP.

    Kjo kompani, madje pretendon se në këtë paramasë, diskriminuese është edhe kërkesa që kompania ta posedojë një gjysmë-rimorkio për zhbllokim të kanalizimit.

    “Kjo pajisje është e panevojshme dhe diksriminuese sepse s’ka pozicion në paramasë për këtë pajisje sepse këtu kemi të bëjmë me ndërtim dhe jo mirëmbajtje të projektit..”, janë deklaruar nga kompania Semaks SHPK.
    Ndarja e mjeteve për këtë projekt, nuk ishte mbështetur nga Kuvendi Komunal i Gjilanit për buxhetin e vitit 2025.

    Por, pak javë më vonë, kryetari Alban Hyseni, njoftoi se pushteti i siguroi paratë e nevojshme, pa dhënë më shumë detaje.

  • ​Dekretohen 20 gjyqtarë me mandat fillestar

    ​Dekretohen 20 gjyqtarë me mandat fillestar

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi sot 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga gjyqtarët e dekretuar, 12 janë gra dhe 8 burra.

    Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri.

    Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani theksoi se ndërtimi i një shteti të suksesshëm dhe demokratik është i mundur vetëm përmes një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe funksional, raporton KP.

    Ajo vuri në dukje se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë shtyllat kryesore për garantimin e barazisë para ligjit dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

  • ​Kurti: Mos shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE rrezikon besimin ndaj procesit

    ​Kurti: Mos shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE rrezikon besimin ndaj procesit

    Në ditën e dytë të qëndrim në Bruksel, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se mbajtja në sirtar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se 27 muaj, nuk pasqyron qasje të bazuar në meritë, dhe se një situatë e këtillë rrezikon besimin ndaj procesit.

    Kurti këto komente i bëri derisa ishte i ftuar si folës kryesor në Konferencën e organizuar nga Fondacioni për Studime Progresive Evropiane (FEPS), Friedirch-Elbert-Stiftung (FES), Fondacioni Max car der Stoel, Qendra Ndërkombëtare Olaf Palme, së bashku me Grupin e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, me temë “Një kapitull i ri i përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, raporton KosovaPress.

    Gjatë adresimit të tij hyrës, theksoi se për herë të parë në më shumë se 20 vjet, në botë ka më pak vende me demokraci sesa autokraci, 88, respektivisht 91, kurse numri i demokracive liberale ka rënë nga 42 në vitin 2012, në 29 në vitin 2024.

    Ai citoi ish-kancelarin gjerman Ëilly Brandt, i cili në vitin 1969 kishte sfiduar Gjermaninë dhe Evropën për të përqafuar më shumë demokracinë duke thënë, “Ne duam të guxojmë më shumë demokraci”. Kryeministri veçoi se në këtë thënie të ish-kanceralit gjerman nuk duhet të harrojmë se ai përmend fjalën guxoj/marr guximin, kështu që në politikë është shumë e rëndësishme të guxojmë.

    “Deficiti demokratik nuk është gjë e re për BE-në dhe që nga ditët e Traktatit të Mastrihtit, janë bërë përpjekje për të reformuar dhe zgjeruar unionin. Për të guxuar demokracinë, unë besoj se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë të dyja: reformimin dhe zgjerimin. Unë marr guximin të them se këto mundësojnë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën njëkohësisht. Vetëm një BE që është e gatshme të reformohet mund të zgjerohet gjithashtu, dhe vetëm një BE që dëshiron të zgjerohet, do të jetë në gjendje të reformohet”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Duke folur për nevojën dhe përgjegjësinë për të mbrojtur demokracinë, kudo, ai tha se çdo vonesë është e kushtueshme.

    “Që demokracia të mbijetojë, ne patjetër duhet ta mbrojmë atë, kudo. Çdo vonesë për ta bërë këtë është e kushtueshme. Për ta mbrojtur atë, së pari duhet ta pranojmë se kjo është detyra jonë historike dhe morale. Për sa i përket zgjerimit, pranimi do të thotë një ‘garë drejt majës’, një qasje e bazuar në merita. Progresi demokratik duhet të shpërblehet, ndërsa rrëshqitja prapa duhet të trajtohet. Regjimet autoritare dhe vetëkënaqësia në shoqëritë demokratike duhet të sfidohen, menjëherë, jo të lihen për më vonë”, deklaroi kryeministri.

    Ai tha se mbajtja në sirtar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se 27 muaj, përkundër angazhimit dhe reformave të realizuara të vendit tonë, nuk pasqyron qasje të bazuar në meritë, dhe se një situatë e këtillë rrezikon besimin ndaj procesit. Me tej, shtoi se te Komisioni i ri Evropian ka vërejtur më shumë gatishmëri, vullnet dhe interes për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, megjithëse duket të ketë më shumë gatishmëri dhe interes sesa vullnet, teksa theksoi rëndësinë që të rritet vullneti, sepse gatishmëria dhe interesi nuk mjaftojnë pa vullnetin.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në fund, kryeministri bëri thirrje për më shumë aktivizim, bashkëpunim dhe solidaritet ndërmjet partive simotra dhe socialdemokratëve dhe njëkohësisht më shumë optimizëm të përgjegjshëm dhe entuziazëm ndaj qytetarëve.

    Kjo konferencë u organizua në kuadër të programit “Ëilly Brandt për Zgjerimin e Bashkimit Evropian” të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian.

  • ​Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit, ia përmend ‘hajvanatin’

    ​Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit, ia përmend ‘hajvanatin’

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurit për diskutime për një koalicion që do ta formonte Qeverinë e re.

    Ai ka shkruar në Facebook se sado që ai dhe LDK nuk udhëhiqen nga inati; sado që besojnë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik, një takim i tillë, madje edhe konsultativ, do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

    “Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë i Abdixhikut:

    Të dashur qytetarë të Republikës,

    Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme.

    Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë.

    Prandaj, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin.

    Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë.

    Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh.

    Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

    Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim.

    Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë.

    Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës.

    Besë do të ketë!

    Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë.

    LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj.

    Sepse fjalët kanë peshë!

    LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës.

    LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta.

    I juaji,

    Lumir Abdixhiku

  • ​Mbretërorët e Anglisë vizitojnë Italinë

    ​Mbretërorët e Anglisë vizitojnë Italinë

    Vizita e mbretit Charles dhe gruas së tij Camilla në Itali ka nisur me ndalesën e parë në Pallatin Quirinale, ku ata janë pritur nga Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, dhe vajza e tij Laura. Në oborrin e nderit të pallatit, rojtarët e forcave të ndryshme ishin të pozicionuara për nderime ushtarake, ndërsa 32 kalorës në uniformë të plotë shoqëruan mbretin deri te pallati, raporton ANSA.

    Ndërsa himnet kombëtare u dëgjuan në oborrin e nderit, flamuri britanik u ngrit në kullën e Quirinale, duke u valëvitur krah për krah me flamurin italian dhe atë evropian, transmeton KosovaPress.

    Pas bisedimeve me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla, në Bentley-n e tyre mbretërore, shkuan te Altari i Atdheut për të nderuar monumentin kushtuar ushtarëve të panjohur, ku ata u pritën nga Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto. Pas interpretimit të himneve britanike dhe italiane, Charles nderoi flamurin e Luftës të Regjimentit “Granatieri di Sardegna” me një përkulje, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes.

  • ​Musk i ka kërkuar Trump heqjen e tarifave të reja

    ​Musk i ka kërkuar Trump heqjen e tarifave të reja

    Gjatë fundjavës, ndërsa Elon Musk kritikonte ashpër në rrjetet sociale një nga këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë për planin tarifor agresiv të presidentit Trump, ai po i drejtohej drejtpërdrejt vetë Trumpit me thirrje për të ndryshuar kurs. Sipas burimeve, ndërhyrja e Musk deri tani nuk ka pasur sukses; Trump kërcënoi të hënën me tarifa të reja 50% mbi importet nga Kina, përveç atyre 34% të shpallura më herët, shkruan The Washington Post.

    Musk postoi gjithashtu një video të ekonomistit Milton Friedman, duke theksuar përfitimet e tregtisë së lirë. Përçarja e tij me Trump për një prioritet të rëndësishëm të administratës shënon një konflikt të madh me një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të presidentit. Musk kritikoi ashpër këshilltarin tregtar Peter Navarro, duke vënë në dyshim aftësitë e tij. Navarro nuk komentoi.

    Musk u shpreh edhe në një intervistë me Matteo Salvini, duke mbështetur krijimin e një zone të lirë tregtare SHBA-BE dhe lëvizjen e lirë të njerëzve mes dy kontinenteve. Ai ka qenë kundër tarifave që prej mandatit të parë të Trump dhe Tesla ka paditur administratën për tarifat ndaj produkteve kineze.

    Megjithatë, Musk ka hezituar përballë kritikave nga e djathta ekstreme për qëndrimet e tij. Biznesmenë të afërt me të kanë lobuar kundër tarifave pranë administratës Trump, përfshirë nënpresidentin JD Vance. Investitori Joe Lonsdale tha se tarifat do dëmtojnë më shumë kompanitë amerikane, transmeton KosovaPress.

    Ndërkohë, Tesla po përballet me rënie të kërkesës dhe çmimit të aksioneve, që disa e lidhin me përfshirjen politike të Musk. Analisti Dan Ives e quajti situatën një “tornado F5” për markën Tesla, duke ulur vlerësimin për aksionet. Musk tregoi shenja pajtimi më vonë të hënën, ndërsa vëllai i tij Kimbal kritikoi tarifat si “taksa të përhershme mbi konsumatorët amerikanë”.

  • ​Osmani: Moszbatimi i marrëveshjeve nga Serbia pengesë për stabilitetin në rajon

    ​Osmani: Moszbatimi i marrëveshjeve nga Serbia pengesë për stabilitetin në rajon

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës.

    Presidentja Osmani u shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek përpjekjet e përbashkëta për avancimin e synimeve euroatlantike.

    Ajo theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Francën dhe rolin e saj kyç në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

    Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Vjosa Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjëskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi.

    Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Osmani potencoi mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

    Më tej, Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces, raporton Kosovapress.

    Sipas njw komunikate tw Presidencws, Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj.