ATV

Category: Lajme

  • Zelensky konfirmon se ushtria ukrainase ka hyrë në rajonin rus të Belgorodit

    Zelensky konfirmon se ushtria ukrainase ka hyrë në rajonin rus të Belgorodit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë publikisht se trupat e shtetit të tij janë aktive në rajonin Belgorod të Rusisë.

    “Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut dhe kjo është absolutisht drejtësia – lufta duhet të rikthehet aty nga erdhi”, ka thënë ai.

    Komentet e tij po ashtu i referoheshin edhe rajonit Kursk në Rusi, ku Ukraina mban ende një pjesë pas ofensivës së madhe vitin e kaluar. Moska ka kthyer shumicën e territorit.

    Zelensky ka thënë se “qëllim kryesor” ishte të mbrohen rajonet kufitare ukrainase Sumy dhe Kharkiv dhe “të lirohet presioni” në pjesët tjera të vijës së frontit, sidomos në rajonin Donetsk.

    Ushtria ruse muajin e shkuar raportoi se Ukraina ka tentuar të kalojë në rajonin Belgorod –por sipas saj, këto përpjekje kanë dështuar.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022. Moska aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas.

    Në një videoadresim të hënën vonë, Zelensky u shpreh se ka marrë informata nga gjenerali Oleksandr Syrskyi për situatën në front “përfshirë praninë në rajonet Kursk dhe Belgorod”.

    Zelensky ka falënderuar njësitet ushtarake që mbrojnë Ukrainën, përfshirë regjimentin “225 Assault” që ka hyrë në rajonin Belgorod.

  • Balla kërkon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

    Balla kërkon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

    Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i hapë negociatat për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

    Ai foli në konferencën dyditore të organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve të Parlamentit Evropian, në Bruksel, mbi programin Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së, ku deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në 2030-n.

    Balla ka thënë se Kosova e meriton hapjen e negociatave, e edhe Maqedonia e Veriut.

    “Ne do të donim shumë që çdo vend t’i niste negociatat. Gjithashtu, Kosova e meriton t’i nisë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur – sa më shpejt që ju të mundeni. Dhe ne duam shumë që edhe Maqedonia e Veriut t’i nisë negociatat”, deklaroi Balla, raportoi ATSH.

  • Kaja Kallas sot në Tiranë, takohet me Begajn dhe Ramën

    Kaja Kallas sot në Tiranë, takohet me Begajn dhe Ramën

    Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, do të zhvillojë këtë të martë një vizitë zyrtare në Tiranë, në sajë të turit të vizitës në Ballkanin Perëndimor.

    Ajo vjen në Tiranë pas vizitës në Malin e Zi, ku u takua me presidentin Jakov Millatoviq, kryeministrin Millojko Spajiq dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

    Sot Kallas do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, ku pritet që të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media me kreun e qeverisë.

    Më tej takimet do të jenë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.

    Nesër zyrtarja e lartë do të ketë një ndalesë në Bosnje e Hercegovinë, ku Kallas do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnje, EUFOR, duke mbyllur kështu turin e saj.

  • ​BE i ofron Trumpit marrëveshjen “zero për zero” për mallrat industrial

    ​BE i ofron Trumpit marrëveshjen “zero për zero” për mallrat industrial

    Bashkimi Evropian (BE) u ka ofruar Shteteve të Bashkuara një skemë tarifore “zero për zero”, tha të hënën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke kërkuar të shmangë një luftë tregtare kokë më kokë.

    “Ne kemi ofruar tarifa zero për zero për mallrat industriale siç kemi bërë me sukses me shumë partnerë të tjerë tregtarë. Sepse Evropa është gjithmonë e gatshme për një marrëveshje të mirë. Kështu që ne e mbajmë atë në tryezë”, tha ajo në një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store, përcjell Euronews Albania.

    SHBA dhe BE iu afruan heqjes së tarifave industriale një dekadë më parë në diskutimet e tyre për TTIP, Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, që përfundimisht u anulua nga Trump në mandatin e tij të parë.

    Heqja e tarifave për produktet industriale si makinat dhe kimikatet nuk shihej si e diskutueshme në atë kohë, produktet bujqësore dhe standardet e sigurisë ishin një patate shumë më e nxehtë.

    Oferta e rinovuar e Von der Leyen vjen pasi Trump javën e kaluar vendosi tarifa 20 për qind ndaj BE-së dhe një morie partnerësh të tjerë tregtarë, duke i rritur barrierat tregtare të SHBA-së në nivelin më të lartë në më shumë se një shekull.

    Lufta tregtare e Trump ka shkaktuar panik investitorët, me tregjet financiare në të gjithë botën duke humbur triliona dollarë ose euro në vlerë . Aksionet evropiane pësuan rëniet e tyre më të mëdha njëditore që nga fillimi i pandemisë Covid të hënën.

    Mes trazirave të tregut, von der Leyen u përpoq të krijonte qetësi

    “Ne jemi gati për të negociuar me SHBA-në”, tha ajo.

    BE-ja vendos tarifa mesatare prej vetëm 1.6 për qind për produktet jo-bujqësore të SHBA-së, në bazë të ponderimit të tregtisë. Por ajo vendos një tarifë më të lartë prej 10 për qind për makinat e importuara amerikane – megjithëse SHBA është i vetmi vend i G7 që ende e paguan atë, sepse TTIP nuk ishte përfunduar.

    Duke sqaruar, Komisioneri i Tregtisë së BE-së Maros Sefçoviç tha veçmas se marrëveshja zero për zero mund të mbulojë makinat dhe të gjitha mallrat e tjera industriale, të tilla si kimikatet, farmaceutikët, makineritë e gomës dhe plastike.

    Von der Leyen gjithashtu nuk përjashtoi hakmarrjen : “Ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi përmes kundërmasave dhe të mbrojmë interesat tona,” tha ajo.

    27 ministrat e tregtisë të BE-së u takuan në Luksemburg më herët të hënën për të diskutuar masat e SHBA-së dhe përgjigjen e Komisionit.

    Ende pritet këtë javë hakmarrja e BE-së kundër tarifave prej 25 për qind të Trump për çelikun dhe aluminin që kanë qenë në fuqi që nga muaji i kaluar. Šefčovich, duke folur me gazetarët pas takimit në Luksemburg, tha se Komisioni kishte përgatitur “një listë të fortë”.

  • “Dita e Çlirimit”, shoqatat e dala nga lufta refuzojnë çdo organizim me Qeverinë

    “Dita e Çlirimit”, shoqatat e dala nga lufta refuzojnë çdo organizim me Qeverinë

    Shoqatat e dala nga lufta – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve njoftojnë se nuk do të marrin pjesë në asnjë organizim të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për Ditën e Çlirimit.

    “Këtë vendim e kemi marrë si shprehje të qëndrimit tonë të qartë kundër qasjes përbuzëse dhe mosrespektuese që kjo qeveri, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka treguar ndaj kategorive të dala nga lufta që nga ardhja e saj në pushtet”, thuhet në komunikatë.

    Më tej në njoftimin e tyre thuhet se “Ftesës për pjesëmarrje i themi JO. Respekti për sakrificën dhe kontributin për liri nuk shprehet me fjalë, por me vepra”.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk patën marrë pjesë edhe në aktivitetet e organizuara nga Qeveria për 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për shkak se siç paten thënë “qeveria nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë për të bashkëpunuar me organizatat e dala nga lufta”.

  • Rasti Thaçi dhe të tjerët: Aprovohet pjesërisht kërkesa e Prokurorisë për t’i pranuar në prova disa dokumente për Zonën e Nerdorimes

    Rasti Thaçi dhe të tjerët: Aprovohet pjesërisht kërkesa e Prokurorisë për t’i pranuar në prova disa dokumente për Zonën e Nerdorimes

    Trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka aprovuar pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për t’i pranuar në prova materiale disa dokumente për Zonën Operative të Nerodimes.

    Sipas vendimit të 4 prillit 2025, Prokuroria në kërkesën e saj më 21 tetor 2024 ka pretenduar se këto dokumente janë autentike, të rëndësishme dhe me vlerë provuese, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërsa, mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë praktikë të Prokurorisë, sipas saj, për të paraqitur mijëra prova për të cilat prejardhja e tyre është e pasigurt dhe kanë besueshmëri të dyshimtë.

    Mbrojtja argumenton se shumë nga provat e propozuara nuk kanë lidhje të dukshme me akuzat dhe Prokuroria po e përdorë këtë metodë për të shmangur verifikimin e drejtë të provave të saj për të anashkaluar procedurën e verifikimit të provave përmes dëshmitarëve.

    Sipas mbrojtjes, ZPS-ja nuk ka dëshmuar autenticitetin dhe besueshmërinë e këtyre provave, dhe se pranimi i tyre do të shkaktonte paragjykim.

    Në vendim, trupi gjykues ka thënë se dëshmitë e propozuara përbehen nga dokumente dhe video të UÇK-së të kohës së ngjarjeve që lidhen me organizimin dhe aktivitetet e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes midis viteve 1998 dhe 1999.

    Sipas vendimit, Prokuroria ka thënë se këto dëshmi dëshmojnë nivelin e lartë të organizimit të UÇK-së duke përfshirë edhe zonën në fjalë gjatë periudhës së aktakuzës.

    ZPS-ja ka pretenduar se anëtarët e UÇK-së në këtë zonë vepruan nën autoritetin dhe sipas urdhrave të të akuzuarve dhe Shtabit të Përgjithshëm.

    Veç kësaj, ZPS-ja thotë se përmes këtyre dokumenteve ata synojnë që të provohet se disa nga të akuzuarit dhe disa anëtarë të UÇK-së në këtë zonë, kishin qëllimin e përbashkët kriminal të cilin e zbatuan personalisht dhe përmes strukturave ekzistuese.

    Dëshminë 35 dhe 37 e kishte kundërshtuar mbrojtja, ndërsa Paneli nëpërmjet këtij vendimi ka thënë se është krah argumentit të ZPS-së se këto dokumente janë të rëndësishme për të treguar praktikën e pretenduar të UÇK-së për të identifikuar dhe monitoruar persona të dyshuar për bashkëpunim me serbët.

    ZPS-ja për këto dokumente sipas vendimit thotë se përforcojnë dhe plotësojnë provat e tjera dhe fakte të gjykuara më parë që lidhen me krimet në aktakuzë, e po ashtu atë të ekzistimit të një sulmi sistematik dhe të përhapur kundër popullsisë civile.

    “ZPS pohon se dëshmitë e propozuara gjithashtu përforcojnë dhe plotësojnë prova të tjera dhe fakte të gjykuara më parë, përfshirë lidhur me: (i) krimet e akuzuara; (ii) ekzistencën dhe elementet e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar dhe ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur dhe/ose sistematik kundër popullsisë civile; (iii) kontrollin efektiv të pretenduar nga të akuzuarit, drejtpërdrejt dhe përmes strukturave të ZON; (iv) ndihmën praktike, inkurajimin dhe/ose mbështetjen morale të ofruar nga i akuzuari për autorët e krimeve të akuzuara; dhe (v) dijen dhe qëllimin e të akuzuarit dhe anëtarëve të tjerë të NPK-së”, thuhet në vendim.

    Sa i përket autenticitetit, paneli ka thënë në vendim se shumica e dëshmive të propozuara janë dokumente të shkruara me dorë dhe që përbejnë nënshkrime që duken se janë të anëtarëve të UÇK-së, duke përfshirë komandantët si ‘Ferri’, ‘Meti’, ‘Profesori’, ‘Haxhiu’, ‘Ahmet Kaçiku, ‘z. Selimi, ‘Graniti’, ‘Dulla’, ‘Agimi’, ‘Ramadan Rexhepi’ dhe ‘Topi’.

    Sipas vendimit, shumica prej dokumenteve mbajnë gjithashtu logo ose numra reference të Zonës së Nerodimës. Pesë prej këtyre provave, sipas vendimit, janë edhe video publike që paraqesin anëtarët e UÇK-së gjatë periudhës së aktakuzës.

    Këto dokumente, paneli i ka konsideruar si të pranueshme që pastaj një vlerësim i përgjithshëm i tyre mund të bëhet në fund të gjykimit.

    Për dëshminë shtatë dhe disa nga faqet (1, 2, 4 deri në 11) të dëshmisë 47, sipas vendimit, s’ka elemente të mjaftueshme të autenticitetit dhe si rrjedhojë paneli i ka refuzuar ato.

    Si rrjedhojë, në prova materiale u pranuan dëshmia 1 deri në 6, 8 deri në 46, dhe 48 deri në 97. Po ashtu edhe faqja 3 e dëshmisë 47 u pranua në prova materiale. Kurse, nuk u pranua në faqet 1-2 dhe 4-11 të dëshmisë 47 dhe dëshmia 7.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kurti ankohet në CEPS: Procesi i anëtarësimit s’është i bazuar në merita, koha që BE ta bëjë më të prekshme këtë rrugë për Kosovën

    Kurti ankohet në CEPS: Procesi i anëtarësimit s’është i bazuar në merita, koha që BE ta bëjë më të prekshme këtë rrugë për Kosovën

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se “Kosova nuk ka Plan B për anëtarësimin në BE”, ndërsa foli në Qendrën për Studime të Politikave Europiane (CEPS)

    “Zgjerimi duhet të jetë strategjik, i bazuar në meritë dhe real. Ata që harmonizohen me CFSP dhe mbështesin vlerat e BE-së duhet të shpërblehen, jo të mbahen nën masa kufizuese të BE-së. Statusi i kandidatit për Kosovën ka vonuar shumë”, shkroi ai në një postim në X, ku e bashkëngjiti një vegëz që çon te fjalimi i tij i plotë.

    Aty, Kurti thotë se në aspektin e zgjerimit, “kohët e fundit gjërat duken më shpresëdhënëse”.

    Ai tha se në rastin e Kosovës, procesi i anëtarësimit nuk ka qenë i bazuar në merita.

    “Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe bartëse e vlerave themelore të BE-së, megjithatë mbetet vetëm një kandidate potenciale për anëtarësim në BE”, tha ai.

    “Kosova ka treguar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Europian dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj europiane. Si shembull i demokracisë në rajon, ne kemi treguar përkushtimin tonë kur jepen shanse të barabarta. Është koha që BE-ja të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të së ardhmes së saj. Kjo do ta forcojë edhe më tej përkushtimin tonë ndaj agjendës europiane, duke e bërë më të prekshme rrugën drejt BE-së. Ka ardhur koha që Kosova dhe BE-ja t’i intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për tejkalimin e pengesave që pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Gjegjësisht: Të inicohet pyetësori për Kosovën, duke vlerësuar kapacitetet tona institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE; dhe Përgatitja e një opinioni të bazuar në merita për statusin e kandidatit në BE”, tha ai.

  • ​QKSS: Serbia e interesuar që ta mbajë situatën e tensionuar në Kosovë

    ​QKSS: Serbia e interesuar që ta mbajë situatën e tensionuar në Kosovë

    Serbia është e interesuar që ta mbaj situatën e tensionuar në Kosovë, por nuk është në interes të vendit tonë që elemente destabilizuese të lëvizin lirshëm në territorin e saj.

    Kështu ka deklaruar për KosovaPress, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli pas arrestimeve që ndodhën këtë fundjavë të paraqitur si pelegrinë serbë në Gjakovë dhe Prizren.

    Vrajolli theksoi po ashtu se “potenciali që Serbia t’i përdorë këto elemente destabilizuese nw Kosovw ka qenë dhe mbetet”.

    Ai bën thirrje tek institucionet kosovare për ngritje të vigjilencës ndaj çdo lëvizje nga shteti serb.

    “Ne duhet ta kemi parasysh se Serbia është e interesuar që ta mbaj situatën në Kosovë të tensionuar. Ndërkohë, që tashmë kemi disa zhvillime mendoj më të mëdha që kemi parë në dekadën e fundit sa i përket politikës së jashtme në pjesën perëndimore në mesin e aleatëve tanë perëndimorë. Kemi një përthyerje e cila duket të jetë mjaftë evidente në mes të SHBA dhe Evropës. Kështu që palët mbase kanë qenë duke shikuar se cili do të ishte hapi i radhës i administratës amerikane. Deri më tani duket se administrata amerikane nuk e ka trajtuar problemet e Ballkanit Perëndimor me prioritet për shkak se nuk ka ndonjë prononcim signifikant sa i përket Ballkanit Perëndimor. Edhe qëndrimet e deritanishme kanë qenë mjaftë në konsistencë dhe ato që ka qenë në administrata e kaluara”, theksoi Vrajolli.

    Megjithatë, drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Mentor Vrajolli konsideron se me kontrollin rigoroz të kufirit Kosovë-Serbi qoftë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por edhe KFOR-it dhe NATO-Së gjasat për një eskalim të përgjithshëm të konfliktit është e vogël.

    “Për konflikt të hapur mendoj që krejt varet nga roli të cilin do ta ushtroj KFOR mendoj se Policia e Kosovës është duke kryer një punë mjaftë të vështirë dhe mendoj se deri më tani e ka kryer në mënyrë të kënaqshme, megjithatë bëhet fjalë për një vijë territoriale jashtëzakonisht të gjerë ku mbase edhe vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë i limiton mandatin Policisë së Kosovës për të ushtruar kontroll efektiv por edhe i tejkalon kapacitet që Policia e Kosovës i ka… Derisa kemi kontroll rigoroz të kufirit mendoj se risku për me pas eskalim të përgjithshëm të konfliktit është jashtëzakonisht i vogël, por mbetet të shihet se sa do të jetë vigjilent KFOR-i dhe NATO në këtë drejtim”, thotë ai.

    Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë sipas Zyrës së Kryeministrit Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.

    Sipas Vrajollit në këtë aspekt formimi i institucioneve të reja është në dorën e partive politike në vend. Por, shton se edhe pakicat duhet të bashkohen të gjejnë zgjidhje për formim të qeverisë së re.

    “Mendoj se takimi i Këshillit të Sigurisë është i duhur për shkak se ky është roli i Këshillit të Sigurisë. Për atë se a ka për qëllim që Serbia të ndikoj në formimin…e qeverisë në Kosovë mendoj se kjo vazhdon të mbetet përgjegjësi e partive politike shumicë në Kosovë, partive politike shqiptare që i kanë numrat e mjaftueshëm. Por, po ashtu përgjegjësi të tillë kanë edhe pakicat etnike që të bashkohen të gjejnë zgjidhjet e duhura dhe të krijojnë sa më parë institucionet. Sepse interes i joni është të mos kërkohet vakum institucional”, deklaroi drejtori i QKSS.

    16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë u arrestuan të shtunën dhe të dielën në Gjakovë dhe Prizren. Kështu bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbrëmë, i cili tha se katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, raporton KosovaPress.

    Sipas Sveçlës njëri nga të arrestuarit është i afërt me të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    E me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dje u mbajt një mbledhje e Këshillit të Sigurisë.

    Prokurori Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për veprën penale armëmbajtje pa leje.

    Aktualisht në Gjykatën Themelore në Gjakovë është duke u mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë. /kp

  • ​Synohet promovimi në Ligën B, Kosova gati për përballjen me Maqedoninë e Veriut

    ​Synohet promovimi në Ligën B, Kosova gati për përballjen me Maqedoninë e Veriut

    Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan KosovaPress.

    Dardanet, të martën, në orën 14:00, përballen me fqinjet në kuadër të Grupit C6 në Ligën e Kombeve. Përzgjedhësi Sami Sermaxhaj theksoi se përgatitjet kanë shkuar sipas planit dhe se nesër pret nga Dardanet të bëjnë më të mirën.

    Në ndeshjen e parë ndaj Maqedonisë së Veriut, Kosova kishte shënuar fitore me rezultat 0:4, ndërsa këtë rezultat Sermaxhaj e konsideron të kaluar dhe sipas tij kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë por se i gjithë fokusi duhet të jetë në ndeshjen e radhës.

    Kosova pas dy ndeshjeve ka 3 pikë të grumbulluara, ndërsa sipas Sermaxhaj promovimi në Ligën B mbetet objektiv, por duhet përqendrim maksimal në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, si dhe atë kundër Letonisë, në qershor që mund të jetë si një finale, transmeton KosovaPress.

    Në rezultat pozitiv shpresojnë edhe futbollistet e Kosovës. Valentina Limani tregoi se përgatitjet gjatë këtij grumbullimi ishin në nivelin e duhur, derisa premtoi se pavarësisht motit të papërshtatshëm për këtë stinë, nesër do ta japin më të mirën.

    Nga ana tjetër Kaltrina Biqkaj fitoren e kaluar ndaj të njëjtit kundërshtar e sheh si motiv për të arritur rezultat pozitiv në takimin e radhës. Biqkaj vlerëson se mysafiret mund të jenë të rrezikshme në sulm por konsideron se mbrojtja e Kosovës është e pakalueshme.

  • KOMF-i u dërgon letër subjekteve politike për rikthimin e një ministrie

    KOMF-i u dërgon letër subjekteve politike për rikthimin e një ministrie

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre i drejtohet partive politike që do të krijojnë Qeverinë, me kërkesën që të rikthehet Ministria për Mirëqenie Sociale.

    KOMF konsideron se mirëqenia dhe shërbimet sociale duhet të jenë prioritet dhe një ndër shtyllat kryesore të programit të qeverisë, kjo për shkak të rëndësisë dhe nevojës për ndërhyrje në këtë fushë.

    “Prandaj kjo duhet të reflektohet edhe në ndarjen e ministrive, specifikisht në krijimin e Ministrisë që do të ketë në protfolio politikat dhe mirëqenien sociale, shërbimet sociale, mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin e familjeve, etj”, thuhet në letrën e KOMF dërguar partive poltike.

    Më tej thuhet se mirëqenia sociale mbetet ndër sektorët më në nevojë për ndërhyrje dhe investime.

    KOMF bën të ditur se “Të dhënat e fundit nga Karta e Vlerësimit të publikuar nga KOMF në vitin 2024, tregojnë se shteti i Kosovës nuk ka prioritizuar dhe nuk ka politika dhe programe të mjaftueshme për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjeve. Në anën tjetër, kërkesat për shërbime nga qytetarët në nevojë janë në rritje të madhe viteve të fundit”.

    “Prandaj, KOMF kërkon proritizimin e mirëqenies sociale, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, përmes krijimit të Ministrisë së veçantë për këto fusha shumë të rëndësishme. KOMF kërkon që në kuadër të kësaj ministrie, të rikthehen si sektori i politikave dhe skemave sociale, ashtu edhe ai i shërbimeve sociale. Në të gjitha praktikat, në emër të interesit më të mirë të qytetarëve në nevojë për shërbime dhe mbrojtje, skemat sociale shërbejnë si një instrument apo masë, e cila është një ndër format e shërbimeve sociale, dhe e cila krahas formave të tjera të këtyre shërbimeve, synon fuqizimin e individit dhe familjes”, thuhet në letër.

    Për më tepër thuhet se të dhënat nga institucionet publike, agjencitë ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare tregojnë për probleme të mëdha në këtë fushë. Sipas KOMF, dhuna dhe ndëshkimi i fëmijëve në Kosovë vazhdon të praktikohet në masë të madhe.

    “72% e fëmijëve në Kosovë disiplinohen përmes formave të dhunshme. Kosova vazhdon të mos ketë shërbime të specializuara të ofruara për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve nga punët e rënda, përfshirë fëmijët në situatë rruge. 5% e fëmijëve në Kosovë punojnë punë të rënda. Vetëm 10% e fëmijëve më aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale cilësore. Fëmijët pa përkujdesje prindërore vazhdojnë të mbesin pa shtesa të fëmijëve dhe pa përkrahjen financiare që qeveria ka ndarë për fëmijët, gjatë viteve të fundit”, njofton KOMF.

    Po ashtu sipas KOMF, Kosova përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë. Viteve të fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30.000 ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.

    “Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Numri i fëmijëve në konflikt me ligjin është në rritje. Gjatë 2023, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin, raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2.175 fëmijë, ndërsa numri i kallëzimeve penale të kryesve të mitur të pranuara gjatë 2023, është rritur për 18.00%, krahasuar me 2022”, thuhet në letër.

    Sipas KOMF, shteti është përgjegjës për mirëqenien sociale, organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë dhe për të siguruar që të gjithë banorët e Republikës së Kosovës të kenë qasje të barabartë në shërbime sociale dhe familjare pa asnjë dallim.

    “Shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut”, thuhet në fund të letrës drejtuar institucioneve publike.

    Megjithatë, pas ndryshimeve në strukturën e Qeverisë, veçanërisht në mandatin e fundit, kompetencat e saj janë shpërndarë në ministri të tjera, kryesisht te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.