ATV

Category: Lajme

  • Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e masave të BE-së

    Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e masave të BE-së

    Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar draft rezolutën për Kosovën në të cilën mes tjerash kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së.

    Autor i raportit është Riho Terras raportues i këtij institucioni për Kosovën, i cili tashmë i ka porositur se vendi i Kosovës është në BE.

    Në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

    Nënvizohet gjithashtu progresi domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.

    Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve.

    Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.

    Keqardhje e veçantë shprehet përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog.

    Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do e merr edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian./RTK/

  • Haradinaj bëri homazhe në Koshare: Heronj që bënë historinë, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar

    Haradinaj bëri homazhe në Koshare: Heronj që bënë historinë, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar

    Në përvjetorin e 26-të të Betejës së lavdishme të Koshares, kryetari i AKK-së, Ramush Haradinaj, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, raporton EO.Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e masave të BE-së

    “Jemi në vendin ku pushojnë heronjtë e Kosovës: Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemail Fetahu e plot të tjerë heronj që bënë historinë, që e thyen kufirin shqiptaro-shqiptar. Ata që mposhtën regjimin e Millosheviqit, forcat e tij. Ata që i dhanë shpresë lirisë së Kosovës, edhe ata që janë themel të lirisë sonë. Besoj që për të gjithë ne është nder të jemi këtu, t’i kujtojmë, t’i nderojmë dhe t’i përjetësojmë jo vetëm në kujtime, por edhe në punët që bëjmë që të forcojmë lirinë, që të forcojmë kombin”, tha Haradinaj

  • Kacafytje mes prindërve në një kënd lodrash në Prishtinë, rasti përfundon në polici

    Kacafytje mes prindërve në një kënd lodrash në Prishtinë, rasti përfundon në polici

    Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një kënd të lojërave në Prishtinë.

    Dy prindër janë kanosur pasi fëmiu i njërit prind e ka goditur nga pakujdesia femiun e prindit tjetër.

    “Prishtinë / 08.04.2025 – 20:15. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë me fëmijët e tij te këndi i lojërave, një fëmijë tjetër gjatë vrapimit dyshohet nga pakujdesia ka goditur fëmijën e tij, ndërkohë prindi i atij fëmiu e ka shtyrë me dorë ankuesin dhe është largua nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin e policisë.

  • Arbër Rexhaj: Kurti po e analizon mundësinë e formimit të Qeverisë me koalicion

    Arbër Rexhaj: Kurti po e analizon mundësinë e formimit të Qeverisë me koalicion

    Deputeti i VV’së, Arbër Rexhaj, ka thënë se shumica e deputetëve nga minoritetet do të jenë pjesë e Qeverisë.

    “Unë mendoj se në shumësi pra pothuajse të gjithë që do i përfaqësojnë interesat e minoriteteve, do jenë pjesë e Qeverisë,” ka thënë ai.

    Rexhaj ka thënë se është e rëndësishme krijimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit, duke shtuar se shpreson që deri më 15 prill të arrihet edhe votimi i Qeverisë.

    “Të zgjidhet Kuvendi, kryetari i Kuvendit dhe në afatin 15 ditor pra të votohet edhe Qeveria,” ka thënë Rexhaj për FrontOnline, duke theksuar angazhimin e partisë për të përmbyllur këtë proces në një kohë të shkurtër.

    Rexhaj ka shtuar se, megjithëse qëllimi është të arrihet formimi i Qeverisë deri më 15 prill, ka ende kohë për analizuar mundësitë.

    “Ne do donim që me 15 prill të votohet edhe Qeveria, por deri atëherë ka kohë dhe Kurti si kryetar i VV-së, do e analizoj numrat e Qeverisë dhe në këtë mënyrë mendoj se po analizon edhe mundësinë e qeverisjes,” ka shtuar ai.

    Ai ka përfunduar duke theksuar se, përveç mundësisë së krijimit të një shumice të qëndrueshme, VV po shqyrton edhe mundësinë për një bashkëpunim me parti të tjera, duke nënvizuar se kjo do të bëhet vetëm nëse është e lavdërueshme për vendin.

    “Apo do kemi ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt politik,” ka thënë Rexhaj.

  • Abdixhiku nderon të rënët në Koshare: Dhanë jetën, më të shtrenjtën, për lirinë tonë dhe për brezat e ardhshëm

    Abdixhiku nderon të rënët në Koshare: Dhanë jetën, më të shtrenjtën, për lirinë tonë dhe për brezat e ardhshëm

    Në përvjetorin e 26-të të Betejës së lavdishme të Koshares, kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, raporton Ekonomia Online. Ai tha se nderojnë të gjithë që dhanë jetën për liri.

    “Sot me bashkëpunëtorët e mi të LDK-së, por mbi të gjitha me heronjtë e gjallë të Betejës së Koshares nderuam një ndër betejat më madhështore të UÇK-së, atë të Koshares, 26 vjet më parë. Djemtë dhe vajzat më të mira të vendit nisën thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me këtë nxitën dritën e parë të triumfit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Sot nderojmë 130 martirët dhe heronjtë e rënë, Agim Ramadanin, Sali Çekajn dhe gjithë të tjerët që dhanë jetën, më të shtrenjtën, për lirinë tonë dhe për brezat e ardhshëm”, tha Abdixhiku.

  • Tahiri: Dy qeveritë e udhëhequra nga Kurti, kanë bërë 11 shkelje kushtetuese

    Tahiri: Dy qeveritë e udhëhequra nga Kurti, kanë bërë 11 shkelje kushtetuese

    Abelard Tahiri i PDK-së ka theksuar rëndësinë historike të 17-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, duke e cilësuar atë si themelin juridik dhe politik të shtetit..

    Ai ka theksuar se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe stabile. Megjithatë, ai ka kritikuar dy qeveritë e udhëhoqura nga Albin Kurti, të cilat kanë kryer 11 shkelje kushtetuese në pesë vitet e fundit, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

    Tahiri ka shtuar se PDK ka dorëzuar 28 lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur rendin kushtetues, duke theksuar se qëllimi i partisë është ruajtja e integritetit të shtetit, parandalimi i kapjes së institucioneve dhe mbrojtja e rendit demokratik.

  • Edhe nga dy muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për rastin e vrasjes në Aktash

    Edhe nga dy muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për rastin e vrasjes në Aktash

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe nga dy muaj të tjerë (secilit veç e veç) Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja për informim e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve K.G, V.A, R.Ll ,S.S dhe F.A. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 01.04.2025 ka aprovuar kërkesën e PTHP-në, për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve K.G, V.A, R.Ll ,S.S dhe F.A., të njëjtëve masa e paraburgimit iu është vazhduar në kohëzgjatje prej (2) muaj, për secilin”, konfirmoi Gashi.

    Ndryshe, lidhur me këtë rast, më 11 shtator 2024 është arrestuar edhe Vesel Bunjaku, i dyshuar për manipulim me prova në këtë rast. I njëjti gjendet po ashtu nën masën e paraburgimit.

  • Rebelët Huthi thonë se ShBA-ja ka kryer sulm vdekjeprurës në Jemen

    Rebelët Huthi thonë se ShBA-ja ka kryer sulm vdekjeprurës në Jemen

    Rebelët jemenas, Huthi, thanë se një numër personash janë vrarë gjatë një sulmi ajror në Hodeida një ditë më parë.

    Rebelët Huthi – që janë të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – fajësuan Uashingtonin për këtë sulm, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Numri i viktimave nga agresioni amerikan në Hodeida është rritur në tetë dhe janë 16 të plagosur, teksa operacionet për largimin e rrënojave po vazhdojnë”, raportoi televizioni i rebelëve jemenas, Al-Masirah, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë.

    Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e rebelëve jemenas tha se katër fëmijë dhe dy gra ishin vrarë.

    Sipas mediave të rebelëve Huthi, sulmi ajror shënjestroi një zonë të banuar në Hodeida, qytetin-port në Detin e Kuq.

    Zonat e kontrolluara nga rebelët në Jemen kanë përballur me sulme pothuajse të përditshme që kur Uashingtoni nisi një fushatë ajrore kundër rebelëve – që mbështeten nga Irani – më 15 mars për t’i detyruar ata që të ndalojnë së kërcënuari anijet tregtare që kalojnë në Detin e Kuq.

    Që atëherë, rebelët Huthi kanë kryer sulme duke shënjestruar anijet e ushtrisë së SHBA-së dhe Izraelit, duke thënë se sulmet janë në shenjë solidariteti me palestinezët në Rripin e Gazës.

    Rebelët nisën sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, por edhe në territorin izraelit, pas nisjes së luftës në Gazë tetorin e vitit 2023. Por, më pas ata ndërprenë sulmet gjatë armëpushimit që u arrit mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

    Në mars, Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet në Gazë dhe rinisi ofensivën në enklavën palestineze.

    Sulmet e rebelëve Huthi në rrugën tregtare përmes Detit të Kuq, ku kalon 12 për qind e të gjitha dërgesave botërore, ka detyruar shumë kompani që të ndryshojnë linjën e transportit të mallrave të tyre./REL

  • Osmani: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike

    Osmani: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thekson se sot, shënohet një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore të Kosovës, miratimin e Kushtetutës sonë, që më 9 prill 2008 i vuri themelet juridike dhe institucionale shtetit tonë të pavarur.

    Presidentja Vjosa Osmani theksoi se Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë.

    “Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve”, citohet Osmani në komunikatën e Zyrës së Presidencës.

    Ajo ka thënë po ashtu se “Në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim. Sepse vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve të vet me dinjitet dhe drejtësi”, transmeton KosovaPress.

    Më tej Vjosa Osmani ka thënë se një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij.

    Sot bëhen 17-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

  • Familjarët rikujtojnë heroizmin e dëshmorëve në Koshare, dhimbjen e mbajnë në zemër

    Familjarët rikujtojnë heroizmin e dëshmorëve në Koshare, dhimbjen e mbajnë në zemër

    Kosharja, vendi ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar dhe u shkrua një nga faqet më të lavdishme të luftës së UÇK-së, sot kujtohet me krenari dhe me lot në sy nga familjarët e dëshmorëve, raporton EO.

    Në 26-vjetorin e kësaj beteje, zërat e familjarëve të dëshmorëve rikujtojnë jo vetëm heroizmin, por edhe dhimbjen që mbajnë në zemër prej dekadash.

    “Nuk na ka treguar se ku po shkon, na tha po shkoj në Gjermani…”, kështu nis rrëfimin Xhemile Qelaj, motra e dëshmorit 19 vjeçar Rifat Qelaj, i cili ra dëshmor në ditën e parë të Betejës së Koshares.

    Ajo tha se ai në Gjermani është organizuar me shokët atje edhe ka ardhur për të luftuar në Koshare.

    “Rifati ka qenë shumë i ri, ka pasur dëshirë që të shkojë në UÇK, po nuk e merrnin ata. Dëshironte të shkojë në Shqipëri. U mërzit. Thoshte nuk po më lënë të shkojë. Unë burrin e kam pasur ushtar, më thoshte me bë një emblemë të UÇK-së ta vendosi. Neve na ka mashtruar, tha dua të shkoj për Gjermani, sepse i kam pasur dy vëllezër në Gjermani. Është nisur për Gjermani, nuk ka qëndruar atje. Në Gjermani është organizuar me shokët atje edhe ka ardhur për Koshare këndej. Ne nuk e kemi ditur”, tha ajo.

    Disa ditë para se të binte dëshmor, Rifat Qelaj, kishte shkuar në fshat për të kërkuar të afërmit, pasi shumë kushërinj i ishin vrarë në masakrën e Izbicës. Ajo tha se aty kishte shpërthyer dhimbja e tij dhe vendosmëria për të luftuar.

    “Dy ditë pa u vrarë ka shkuar për të na kërkuar në fshat se aty kanë vrarë në Izbicë shumë mixhallarë. Aty është mërzitur shumë, ka thënë se i pari do të dalë në UÇK. Agim Ramadani i ka thënë se ti je më i ri, duhet të qëndrosh i fundit. Ai ka thënë se unë do të dalë i pari se në Izbicë i kanë vrarë kushërinjtë e mi. Këtu i pari ka qenë që është vrarë. Ditën e parë të Koshares që është thyer kufiri ai është vrarë. Vëllai i madh tha se po dalë me lyp, kur del këtu takohet me shokët e tij, ata i tregojnë që ai është i vrarë”, tha ajo.

    Kade Hajzeri, nëna e dëshmorit Shaban Hajzeri, kujton momentin kur biri i saj vendosi t’i bashkohej luftës. Një vendim që e mori me zemër, pavarësisht nga përpjekjet e familjes për ta ndalur.

    “Ka dalë nga shtëpia, janë munduar ta ndalin vëllezërit, babai. Jo, ka thënë, dua të shkoj që të luftojë. Ka dalë, ne nuk e dinim, ka hyrë një herë në Shqipëri, ka dalë kah Shqipëria me shokët e vet, ka thënë dua të shkoj që të luftoj në Koshare. Ka luftuar, kur është vrarë ne nuk e kemi ditur. Ne kemi qenë në Rozhajë, kur kemi ardhur na kanë treguar që është vrarë. Me kuletën, me krejt qysh i ka pasur në xhep, me të gjitha. I kemi marrë vesh që është vrarë”, rrëfen ajo me sy të përlotur.

    Fjalët e saj i japin zë një dhembjeje që s’është shuar as pas 26 vjetësh.

    “19 vjeç ende nuk i ka pasur. I ri, po Zoti e ka shkruar. Është betuar për këtë, Zoti inshallah e ka mëshiruar me xhenet. Neve na kanë lënë në liri, po nuk po dinë këta vlerën e as hiç. Ku jemi ne, nuk e di askush. As nuk kemi rrugë, as kurrgjë, nuk na kanë ngjitur dorën qe 27 vjet që ka ra ky”, tha ajo.