ATV

Category: Lajme

  • Bahtiri i bindur se Vetëvendosje i ka numra për ta bërë qeverinë, por nuk tregon saktë kush voton

    Bahtiri i bindur se Vetëvendosje i ka numra për ta bërë qeverinë, por nuk tregon saktë kush voton

    Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai komentoi para mediave qëndrimet sa i përket formimit të qeverisë, për çka tha se numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës.

    Sa i përket formimit të qeverisë së re, Bahtiri tha se “numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës”.

    “Unë mendoj se po, janë numrat për formimin e qeverisë…Numrat janë të deputetëve të cilët janë 61 e më shumë dhe ata do të bëhen… Është mendim i tyre, ne e dimë se i kemi numrat dhe do i bëjmë me deputetët e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

    Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti edhe sot (e enjte) nuk i është përgjigjur mediave sa i përket formimit të qeverisë apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mundshme.

    Kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk është përgjigjur as dje për refuzimin e ftesës për konsultim që i bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së martë. Përgjigje nuk dha as nëse do t’i ftojë partitë e tjera.

    Ndërsa, nga legjislatura e ardhshme, Bahtiri tha se pret normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    “Mendoj se qytetarë e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre për t’i çuar njerëzit më të mirë që ata kanë menduar dhe ne do t’i çojmë proceset e tyre… mendoj se zhvillimi ekonomik më të mirë për gjithë qytetarët pa dalim nacionaliteti dhe rajoni. Dhe mendoj se kryesorja e kësaj kohe që do të vije është që të bëjmë një herë e përgjithmonë ndërprerjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë”, deklaroi ai.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.

  • Specialja i referohet “Kosovo i Metohija”, avokati Bajraktari: Ka fakte që procesi është i manipuluar nga Serbia

    Specialja i referohet “Kosovo i Metohija”, avokati Bajraktari: Ka fakte që procesi është i manipuluar nga Serbia

    Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur sërish akuza të rënda ndaj Dhomave të Specializuara, duke deklaruar se posedon fakte që dëshmojnë manipulimin e procesit gjyqësor me “prova” të ofruara nga shteti serb.

    Sipas tij, kjo është një çështje që është theksuar vazhdimisht nga ai dhe të tjerë, por tashmë po del në sipërfaqe me të dhëna të reja që, siç thotë, vërtetojnë pretendimet e bëra më herët.

    “Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me ‘dokumente’ të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia”.

    “Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla!Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me ‘prova’ nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni”, ka shkruar avokati në një postim publik, të cilit i ka bashkëngjitur edhe disa dokumente që ai i konsideron dëshmi të qarta të këtij manipulimi.

    Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave – rasti nuk është përmbyllur

    Me 3 prill gjatë një konference për media në Prishtinë, zëdhënësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë raportuan mbi zhvillimet e procesit ndaj ish krerëve të UÇK-së.

    Ata informuan se Prokuroria ka përfunduar zyrtarisht prezantimin e provave në gjykatë, por nuk e ka mbyllur ende rastin, pasi seanca e ardhshme është caktuar për 23 prill.

    Zëdhënësja e Gjykatës Speciale Angela Griep ka thënë se në gjykatë kanë dëshmuar 125 dëshmitarë, kurse 117 me shkrim.

    “Nga ajo që dimë është se Prokuroria ka konfirmuar se kanë përfunduar me prezantimin e provave, por nuk e kanë mbyllur rastin zyrtarisht. Seanca e radhës është caktuar më 23 prill. Prokuroria deri atëherë do ta përfundojë rastin…125 dëshmitarë kanë qenë, dhe 117 kanë dëshmuar vetëm me shkrim. 206 ditë të gjykimit, dhe 150 viktima”, deklaroi Griep.

    Ajo shtoi se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara sigurojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke nënvizuar se ata janë të angazhuar për të zbatuar një kod etik.

    Ndërsa, zëdhënësi tjetër, Michael Doyle, u shpreh se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë se Specialja sjell vendime të drejta, dhe se vendimi i gjyqtarëve bazohet vetëm në prova.

    Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që viktimat dhe dëshmitarët të mund të japin dëshmi në një mjedis të sigurt dhe të dinjitetshëm.

    Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Hagë.

    Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Gjykata Speciale, deri më tani, ka shpallur dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit./Telegrafi/

  • BE-ja i ndalon kundërmasat ndaj tarifave të Trump për 90 ditë

    BE-ja i ndalon kundërmasat ndaj tarifave të Trump për 90 ditë

    Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të pezullojë për 90 ditë kundërmasat ndaj tarifave të vendosura nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se BE-ja dëshiron t’i japë një mundësi negociatave, pas vendimit të Trump për të vendosur një pauzë 90-ditore për disa vende të prekura nga tarifat më të larta të importit të SHBA-së.

    Kjo pauzë, e shpallur nga Trump dje, përjashton Kinën, për të cilën tarifa është rritur në 125 për qind, duke e lënë këtë vend jashtë këtij periudhe pushimi. Gjithashtu, Trump ka njoftuar një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Presidenti amerikan ka njoftuar gjithashtu se do të rrisë tarifat për dhjetëra shtete që kanë suficit tregtar me SHBA-në, duke shtuar mundësinë e një lufte tregtare dhe ndikim të mundshëm në inflacionin global.

  • KFOR-i italian kryen patrullime përgjatë kufirit me Serbinë në Istog

    KFOR-i italian kryen patrullime përgjatë kufirit me Serbinë në Istog

    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndim të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë kryer patrullime me automjete përgjatë Vijës Kufitare Administrative (VKA) në pjesën veriore të komunës së Istogut.

    KFOR-i ka shkruar se kontrolli i ABL është angazhim i përditshëm ndaj njësive të KFOR-it. Prezenca në këtë fushë është shumë e rëndësishme për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

    Postimi i plotë:

    Ushtarët italianë 🇮🇹 të Komandës Rajonale Perëndim të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO, zhvilluan patrulla të montuara përgjatë Vijave të Kufirit Administrativ (ABL) në veri të Istogut/Istok.

    Kontrolli i ABL është angazhim i përditshëm ndaj njësive të KFOR-it. Prezenca në këtë fushë është shumë e rëndësishme për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Rusia paralajmëron përplasje me NATO-n nëse trupat evropiane futen në Odesa

    Rusia paralajmëron përplasje me NATO-n nëse trupat evropiane futen në Odesa

    Kriza në Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet ndjeshëm, pasi Rusia ka paralajmëruar se një ndërhyrje ushtarake e vendeve të NATO-s në portin strategjik të Odesës do të çojë në përplasje të drejtpërdrejtë me Aleancën. Sipas Moskës, po përgatitet një plan për zbarkimin e trupave franko-britanike në jug të Ukrainës, një veprim që Kremlini e cilëson si “kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare”.

    “Çdo prani e trupave të NATO-s në Ukrainë, pavarësisht flamurit, shenjave apo mandatit të deklaruar, do të konsiderohet nga Rusia si një kërcënim për sigurinë e saj dhe do të mbartë rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me të gjithë Aleancën”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një konferencë për mediat.

    Ajo nënvizoi se më 3 dhe 4 prill në Kiev është zhvilluar një takim i nivelit të lartë mes shefave të shtabit të ushtrive të Ukrainës, Francës dhe Britanisë së Madhe. Sipas saj, ky takim ka prodhuar tensione të brendshme në qeverinë ukrainase, pasi nuk u arrit një marrëveshje konkrete për praninë e trupave aleate në terren.

    Paralajmërimi i Rusisë vjen në një kohë kur një tjetër tension po rritet mes Ukrainës dhe Kinës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pretenduar se dy ushtarë kinezë janë arrestuar në territorin ukrainas, nën dyshimin se kanë luftuar përkrah forcave ruse.

    Kina i ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar të pabazuara. “Nuk ka asnjë provë për një gjë të tillë,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, duke kujtuar se Pekini ka ruajtur një qëndrim neutral ndaj luftës dhe ka propozuar disa herë platforma për negociata paqësore, megjithëse, deri tani, pa dënuar qartë veprimet e Rusisë.

  • Kurti regjistrohet si deputet, por nuk flet për formimin e Qeverisë

    Kurti regjistrohet si deputet, por nuk flet për formimin e Qeverisë

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës në kuadër të regjistrimit të deputetëve të VV-se të cilët kanë siguruar mandatet.

    Ai pas regjistrimit, nuk ka folur para mediave i cili u pyet për formimin e Qeverisë.

    Sot do të regjistrohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Ky është një proces formal dhe i domosdoshëm që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paraparë të mbahet më 15 prill 2025. Në atë seancë pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.

    Regjistrimi i deputetëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për t’i dhënë kohë të gjithë anëtarëve të rinj të kryejnë procedurat zyrtare para se të fillojë puna legjislative.

  • Osmani: Synojmë ta forcojmë aleancën edhe më shumë bashkë me Trumpin dhe administratën e tij

    Osmani: Synojmë ta forcojmë aleancën edhe më shumë bashkë me Trumpin dhe administratën e tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar angazhimin e Kosovës për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës Trump.

    Në një intervistë të dhënë për influencerin australian, Mario Nawfal, Osmani e ka vlerësuar mbështetjen amerikane gjatë periudhave më të vështira të historisë së Kosovës, duke theksuar se “që nga nata më e errët e luftës, e deri te mëngjesi i lirisë – Amerika ishte aty për ne”.

    “Këtë aleancë synojmë ta forcojmë edhe më shumë bashkë me Presidentin Trump dhe Administratën e tij.”, tha tutje Osmani.

    Presidentja Osmani ka folur gjithashtu për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rolin shkatërrues të Sllobodan Millosheviqit në këtë proces. Ajo ka deklaruar se shpërbërja ka nisur që kur Millosheviqi ka nisur ta luftojë çdo komb që nuk mendonte si ai, duke përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bosnje e Hercegovinën dhe më pas edhe Kosovën.

    Ajo ka theksuar se lufta e Millosheviqit në Kosovë nuk ishte vetëm për territor, por ishte një luftë ndaj civilëve, grave dhe fëmijëve.

    Sipas Presidentes Osmani, regjimi i Millosheviqit synonte të shkaktonte një dëm të paimagjinueshëm ndër gjenerata në Kosovë.

    “Qëllimi i tij ishte të zhdukte shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut,” tha ajo, duke shtuar se kjo ishte ndaluar falë ndërhyrjes së demokracive botërore, me SHBA-në në krye.

    Osmani theksoi se Kosova, e shpëtuar nga shkatërrimi, është tani një nga vendet më pro-amerikane në botë, dhe kjo lidhje është thelbësore për të ardhmen e vendit.

    “Millosheviqi deshi t’na fshijë nga faqja e dheut. Dhe mrekullisht, demokracitë nga e gjithë bota na shpëtuan, të udhëhequra nga SHBA, dhe shpëtuan jetët tona,” tha ajo.

    Në fund, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të qëndrojë gjithmonë e pathyeshme dhe e palëkundur: “Kosova do të qëndrojë e përjetshme, ashtu si edhe aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjakovë, Policia nis hetimet

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjakovë, Policia nis hetimet

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në Gjakovë, ku një person i gjinisë mashkullore është gjetur pa shenja jete.

    Sipas informacioneve të para, njësitet policore në Gjakovë janë njoftuar për një trup të pa jetë mbrëmë rreth orës 21:00.

    Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes.

    Ndërkaq, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Policia është duke vazhduar hetimet në lidhje me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa rasti është inicuar si “Hetim i vdekjes”.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

  • Kërkesa e PE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës, deputetja britanike: Lajm i vonuar por i mirëpritur

    Kërkesa e PE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës, deputetja britanike: Lajm i vonuar por i mirëpritur

    Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar draft-raportin që vlerëson përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian gjatë viteve 2023 dhe 2024. Në këtë raport, eurodeputetët kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë të justifikueshme, pasi Kosova ka përmbushur tashmë kërkesat e BE-së.

    Autori i raportit, eurodeputeti Riho Terras, ka theksuar se është e nevojshme një hap i ri në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka shprehur vlerësim për faktin se të gjitha partitë kryesore në Kosovë janë të angazhuara fuqishëm për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

    “E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane, duke u bazuar në një agjendë reformash, dhe ne do të punojmë së bashku për ta arritur këtë objektiv”, ka thënë Terras.

    Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar pozitivisht ndaj këtij zhvillimi, duke e cilësuar si një hap të vonuar, por të domosdoshëm për të rivendosur ekuilibrin në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit.

    “Lajm i vonuar prej kohësh, por jashtëzakonisht i mirëpritur. Shpresoj që këto thirrje të merren seriozisht nga institucionet evropiane”, ka thënë Kearns.

    Masat kufizuese të Bashkimit Evropian ishin vendosur fillimisht si reagim ndaj krizës në veri të Kosovës, veçanërisht pas tensioneve të rënda në komunat me shumicë serbe në vitin 2023. Ato ishin një mjet për të shtyrë autoritetet kosovare të ndërmerrnin hapa konkretë për de-përshkallëzimin e situatës dhe rritjen e bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar.

    BE-ja e kishte kushtëzuar heqjen e këtyre masave me përpjekje të dukshme nga ana e Qeverisë së Kosovës për të ulur tensionet në veri, duke përfshirë organizimin e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrje të serbëve dhe bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare si EULEX dhe KFOR.

    Miratimi i raportit nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian mund të sinjalizojë një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës dhe një vlerësim më të balancuar të situatës në terren.

  • Nesër sërish protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Nesër sërish protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Grupi i aktivistëve, “Asnjë cent më shumë”, që ka për qëllim kundërshtimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike për 15%, ka paralajmëruar sërish protestë për ditën e nesërme, nga ora 12:00, në sheshin Zahir Pajaziti.

    Për shkaqet e kësaj rritje, para disa ditësh ka folur drejtori i ZRRE-së, Petrit Pepaj, i cili tha se shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursat e energjisë elektrike.

    “Po pritet rritje prej 15%. Shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodh në bursat e energjisë elektrike, shkaktari kryesor, s’ka përshtatje tjera qe kanë ndiku në këtë 15%”, tha Drejtori i ZRrE-së, ndërsa shtoi se do të respektohet çdo pakënaqësi e qytetarëve”.