ATV

Category: Lajme

  • Begaj sot vjen për vizitë në Kosovë, pritet të takohet me shefat e grupeve parlamentare

    Begaj sot vjen për vizitë në Kosovë, pritet të takohet me shefat e grupeve parlamentare

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot do të vijë për vizitë në Kosovë, saktësisht në komunën e Gjilanit, ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni nga ora 13:00.

    Tutje, nga ora 13:45, Begaj do të takohet me shefat e grupeve parlamentare politike.

    Presidenti shqiptar do të ketë edhe bashkëbisedim me personalitete të qytetit të Gjilanit, duke përfshirë të dënuar politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shkrimtarë dhe artistë.

    Ky bashkëbisedim pritet të bëhet me fillim nga ora 20:00 deri në 21:00.

  • Tarifat e vendosura nga Trump, Bashkimi Europian i kundërpërgjigjet SHBA-së

    Tarifat e vendosura nga Trump, Bashkimi Europian i kundërpërgjigjet SHBA-së

    Bashkimi Evropian ka mbështetur kundërmasat e tij të para kundër tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, pasi vendet anëtare miratuan sot një propozim të bërë në përgjigje të tarifës prej 25% që SHBA vendosi për eksportet e çelikut dhe aluminit të BE-së.

    “BE i konsideron tarifat e SHBA të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar dëm ekonomik për të dyja palët, si dhe për ekonominë globale. BE-ja ka deklaruar preferencën e saj të qartë për të gjetur rezultate të negociuara me SHBA, të cilat do të ishin të balancuara dhe reciprokisht të dobishme”, tha Komisioni Europian në një deklaratë.

    Ai tha se do të fillojë të mbledhë detyrime nga 15 prilli, duke theksuar se “këto kundërmasa mund të pezullohen në çdo kohë, nëse SHBA bie dakord për një rezultat të drejtë dhe të balancuar të negociuar”.

    Komisioni nuk dha menjëherë detaje rreth tarifës që do të vendoste për disa mallra të importuara nga SHBA.

  • ​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

    ​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

    Formimi i qeverisë së re në Kosovë vazhdon të jetë një temë e debatit të gjallë publik pas zgjedhjeve të fundit dhe qëndrimeve të ndryshme të partive politike.

    Qytetarët shprehin mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet ndërtuar shumica parlamentare, me theks të veçantë në nevojën për stabilitet, bashkëpunim mes partive shqiptare dhe përjashtimin e varësisë nga Lista Serbe.

    Hasan Berisha, qytetar, mendon se qeveria e ardhshme e vendit do të ishte më stabile nëse ajo do të formohej nga Lëvizja Vetëvendosje me ndonjërën nga partitë e tjera.

    “Ka qenë e natyrshme, LDK-ja me iu bashkëngjit, mirëpo deklarata e djeshme që e dha kryetari i partisë nuk më ka pëlqyer, është politikë me inati, ndryshe duhet formuar sa ma shpejt qeverinë, sipas kushtetutës ajo parti që e fituar shumicën. Po stabile do të ishte, njëra prej partive më të mëdha me iu bashkëngjitur Vetëvendosjes ose PDK-ja ose Lidhja Demokratike ka qenë e natyrshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa Hajrush Emini thotë se në bazë situatës aktuale është mirë që tri partitë e mëdha të bëjnë koalicion së bashku, dhe të mos varen nga Lista Serbe.

    “Jemi në situatë të rëndë në tona anët po na kërcënon Serbia, prandaj sipas mendimit tim është dashur që shqiptarët tri partitë e mëdha në koalicion me krijuar një qeveri me 90 e diçka deputetë shqiptarë, të mos varen prej kurrkujt”, tha ai.

    Një tjetër qytetar Mirsad Krasniqi thotë se tani mundësia ka mbetur një koalicion ndërmjet VV dhe PDK-së, por nuk beson se do të jetë stabile.

    “LDK-ja definitivisht nuk është, së paku ashtu u deklaruan, tash ka ngelë vetëm me PDK-në. Nuk e di sa është e qëndrueshme me atë, unë prapë mendoj se do të bëhet, por do të jetë shumë në numër jo të madh do të jetë jo stabile”, tha Krasniqi.

    Kujtojmë për datën 15 prill është thirrur seanca konstituive e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte paralajmëruar se do të formojë e vetme qeverinë, ndërkohë që partitë e tjera kanë refuzuar mundësinë e koalicionit me partinë fituese.

    PDK-ja ka kërkuar që qeverinë ta formojë së bashku me LDK-në, AAK-NISMA e minoritetet, nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje të formojë qeverinë.

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka pranuar më 8 prill se qeveria e ardhshme është e pamundur të krijohet pa koalicione qeverisëse.

    Ai tha se qëllimi i LVV-së ishte të formonte qeverinë vetëm, mirëpo rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e determinon nevojën për koalicion, andaj edhe iu kanë drejtuar me ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit.

    Por, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se qeverinë e ardhshme e formon Lëvizja Vetëvendosje ose shkohet në zgjedhje të reja. Ajo e përjashtoi mundësinë që ekzekutivin e ardhshëm ta formojnë partitë të tjera nëse LVV-ja dështon ta bëjë një gjë të tillë.

    Në zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, LDK 20, AAK-NISMA 8. Minoritet kanë 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për serbët. Lista Serbe e përkrahur nga Serbia, ka fituar 9 ulëse, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq./

  • Çeku njofton se kanë nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të Suharekës

    Çeku njofton se kanë nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të Suharekës

    Ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës, raporton KosovaPress.

    Ai ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ky stadium do të jetë i kategorisë 2, me kapacitet 6518 ulëse, dhe plotëson standardet më të larta ndërkombëtare.

    “Një tjetër projekt i madh për infrastrukturën sportive po bëhet realitet. Kemi shpallur procedurën për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës. Stadiumi për të cilin kemi ndarë 13 milionë euro, do të jetë i kategorisë 2, me kapacitet 6518 ulëse, dhe plotëson standardet më të larta ndërkombëtare. Sapo të kontraktohet operatori do të nis realizimi i punimeve” , ka shkruar Çeku.

  • ​Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi nderon të rënët në Betejën e Koshares

    ​Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi nderon të rënët në Betejën e Koshares

    Me rastin e 26-vjetorit të Betejës së Koshares, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, aty ku prehen dëshmorët e njërës prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Xhafer Gashi, duke kujtuar këtë përvjetor, tha se kjo është një ditë e veçantë, e mbushur me dhimbje, por edhe me krenari të thellë për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.

    “Është një ditë e veçantë me plot dhembje dhe krenari, pasi falë gjakut të sakrificës së gjithë këtyre që sot pushojnë këtu në varreza në po e gëzojmë lirinë. Duke qenë edhe pjesë e kësaj beteje na kujtomë shumë momente të vështira gjatë periudhës së zhvillimit të betejës….Është bërë shumë përgatitje në këtë drejtim, kanë qenë njerëzit më të mirë në procesin e përgatitjes dhe si rezultat i kësaj ka ndodh edhe thyerja e kufirit Shqipëri-Kosovë dhe është zhvilluar një betejë e mirë organizuar”, ka thënë Gashi.

    Në kuadër të manifestimit përkujtimor për 26-vjetorin e Betejës së lavdishme të Koshares, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur Donika Kada-Bujupi, e cila ka theksuar rëndësinë historike të kësaj beteje, të cilën e ka quajtur si një pikë kthese për lirinë dhe shtetformimin e Kosovës, raporton KosovaPress.

    Ajo rikujtoi nisjen e betejës më 9 prill 1999 dhe rolin udhëheqës të strategut ushtarak dhe heroit kombëtar, Agim Ramadani.

    Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

    Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

  • Osmani për masakrën në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut: Ata u flijuan për lirinë tonë

    Osmani për masakrën në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut: Ata u flijuan për lirinë tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me nderim të thellë përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut.

    Aty, 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë heroikisht, ndërsa 32 civilë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

    Presidentja theksoi se kujtimi për këta martirë do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për Kosovën dhe brezat që vijnë.

  • Dita e Kushtetutës, Hamza: Secili nga ne duhet të punojë që çdo dispozitë e Kushtetutës të jetë realitet

    Dita e Kushtetutës, Hamza: Secili nga ne duhet të punojë që çdo dispozitë e Kushtetutës të jetë realitet

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Kushtetutës.

    Ai ka vlerësuar se Kushtetuta sot është udhërrëfyes i shoqërisë kosovare.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari, do të forcohet shteti i Kosovës.

    “Çdo popull e ka fuqinë ta formësojë të ardhmen e vet dhe me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 17 vjet më parë, ne i dhamë formë shtetit të së drejtës dhe të ardhmes sonë evropiane. Kushtetuta sot është udhërrëfyese e shoqërisë sonë dhe duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari, ne do ta forcojmë shtetin tonë! Secili nga ne duhet të përkushtohet dhe punojë që çdo dispozitë e Kushtetutës së Kosovës, çdo fjalë brenda saj, të jetë realitet për të gjithë qytetarët tanë!”, ka shkruar Hamza.

  • SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

    SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

    Besimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë janë disa nga pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar nga Qeveria e re e Kosovës.

    Këto tri shtete, së bashku me Italinë dhe Francën, bëjnë pjesë e grupit të shteteve që njihen si QUINT. Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ambasadën e Italisë dhe Francës lidhur me pritjet e tyre nga ekzekutivi i ri i Kosovës, por këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

    Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

    Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja për një kohë të gjatë e ka mbështetur Kosovën në rrugën e ndërtimit të një shteti sovran, demokratik, multientik dhe prosperues.

    “Presim të punojmë me Qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se pret që më 15 prill të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke hapur kështu rrugën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane deklaroi se pret gjithashtu “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën dhe qeverinë e saj të ardhshme”, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

    “Për ta arritur këtë, nevojitet besim i ndërsjellë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm. Gjermania mbetet e bindur se qeveria e ardhshme do të forcojë koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të punojë për përparim të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke ndihmuar në realizimin, sa më shpejt, të perspektivës evropiane të Kosovës”, tha Ambasada gjermane.

    Gjermania shtoi se afrimi i mëtejmë i Kosovës me BE-në është “qëllimi ynë i përbashkët, forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit si dhe përparimi thelbësor në dialogun për normalizim me Serbinë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit me anekset përkatëse, janë çështje që duhen arritur”.

    Ambasada britanike në Prishtinë deklaroi se shpreson që Qeveria e ardhshme e Kosovës të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe përparimin sa i përket integrimit të serbëve dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    “Mbretëria e Bashkuar e mbështet pa asnjë rezervë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shpreson që ajo të mund t’i përmbushë sa më shpejt kërkesat e të tjerëve”, tha Ambasada britanike në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

    Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë pengesa kryesore për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Qeveria Kurti ka qenë hezituese për formimin e Asociacionit, duke shprehur frikën se mund të minojë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

    Thirrje për përparim në dialog u bënë edhe në mbledhjen e 8 prillit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza ndaj.

    Kosova e akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e demokracisë në vend, “jo vetëm përmes retorikës, por edhe përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.

    Ndërsa Serbia e akuzoi Kosovën se situata e serbëve në Kosovë po “përkeqësohet” pasi sipas saj, “është përshkallëzuar fushata për shkatërrimin sistematik të institucioneve serbe në gjithë Kosovën”.

    Edhe shtetet aleate të Kosovës kanë qenë kritike ndaj Qeverisë së Kosovës për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit, ku autoritetet kanë mbyllur institucionet serbe.

    Autoritetet e Kosovës filloi mbylljen e institucioneve serbe për Kosovën në fillim të vitit 2024, me arsyetimin se ato nuk kanë leje për të vepruar dhe se funksionimi i tyre është i paligjshëm.

  • Kurti darkoi me deputetë francezë dhe ambasadorin Guérot, i njoftoi mbi zhvillimet pas zgjedhjeve

    Kurti darkoi me deputetë francezë dhe ambasadorin Guérot, i njoftoi mbi zhvillimet pas zgjedhjeve

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë pati një darkë pune me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Parlamentare të Francës, Marine Hamelet, Frédéric Petit, Pierre Pribetich, Jean-dhe Louis Roumégas, shtruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

    Sipas njoftimit ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe për rëndësinë e diplomacisë parlamentare për thellimin e mëtejmë të tyre dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, transmeton klankosova.tv.

    Ndër tjera biseduan edhe për raportet me Serbinë, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe Marrëveshjen Bazike të arritur atje dhe aneksin e saj të zbatimit.

    Kurti ka falënderuar deputetët për vizitën që po i bëjnë Kosovës dhe shtetin francez për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.

    Ai thet t’i ketë njoftuar ata me zhvillimet e fundit në vend dhe me rezultatet e qeverisjes dhe siç pretendon qeveria, përparimin e arritur në katër vitet e fundit si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë demokratik dhe të të drejtave të njeriut.

    Gjatë darkës që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit francez në Kosovë, gjithashtu u diskutua edhe për hapat dhe rrugën përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe seancës së thirrur nga presidentja e vendit për datën 15 prill.

  • Osmani: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë

    Osmani: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë

    Presidentja e Kosovës ka dekalruar se sot 17 vite më parë është shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore të vendit, miratimin e Kushtetutës më 9 prill 2008.

    Ajo theksoi se Kushtetuta është kontrata e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë, që garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie.

    Presidentja riafirmoi përkushtimin për ta mbrojtur dhe zbatuar Kushtetutën me përpikëri, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues për ndërtimin e një shteti që shërben me dinjitet dhe drejtësi për qytetarët e tij.