ATV

Category: Lajme

  • Të shtëna me armë zjarri në Suharekë, një person në gjendje të rëndë – i dyshuari në arrati

    Të shtëna me armë zjarri në Suharekë, një person në gjendje të rëndë – i dyshuari në arrati

    Një person është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Emergjencë në Suharekë, pasi i njëjti si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqitr Bytyqi.

    “Më datën 18.11.2026, rreth orës 12:20, është raportuar se në qytetin e Suharekës, një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi të gjinisë mashkullore. Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe, në gjendje të rëndë shëndetësore, është transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Sipas tij, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të tij.

    “Njëkohësisht, është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka thënë Bytyqi.

  • Blerim Isufaj kërkoi pezullimin e vendimit që e largoi nga drejtimi i Speciales, Administrativja ia refuzon kërkesën

    Blerim Isufaj kërkoi pezullimin e vendimit që e largoi nga drejtimi i Speciales, Administrativja ia refuzon kërkesën

    Gjykata Administrative ka refuzuar kërkesën e Blerim Isufajt për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai u largua nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Me aktvendimin e 6 nëntorit 2026, gjykata e refuzoi në tërësi kërkesën për masë sigurie, ndërsa shqyrtimi i padisë për anulimin e vendimit të KPK-së vazhdon.

    Isufaj e paditi KPK-në më 30 tetor, pasi Këshilli e largoi nga drejtimi i Prokurorisë Speciale më 2 tetor. Ai kërkoi të vazhdonte ushtrimin e detyrës deri në vendimin e formës së prerë për padinë. Gjithashtu, kërkoi që gjatë kësaj kohe të pezulloheshin efektet e caktimit të Dren Pacës si ushtrues detyre dhe që KPK-ja të mos shpallte konkurs apo të emëronte kryeprokuror të ri.

    Sipas Isufajt, mandati i tij katërvjeçar përfundonte në dhjetor të vitit 2027. Ai argumentoi se emërimi i një kryeprokurori të ri me mandat të plotë do ta bënte të pamundur rikthimin e tij në pozitë, nëse gjykata do t’ia aprovonte padinë.

    KPK-ja e kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se Isufaj nuk kishte paraqitur prova për një dëm të rëndë dhe të pakthyeshëm. Këshilli theksoi se vendimi për largimin nga pozita drejtuese nuk ia prek statusin e prokurorit.

    Gjykata vlerësoi se kohëzgjatja e kufizuar e mandatit, në vetvete, nuk mjaftonte për të dëshmuar një dëm të rëndë dhe të pakthyeshëm. Sipas aktvendimit, Isufaj nuk paraqiti të dhëna konkrete për një konkurs apo emërim të ri, as prova se publikimi i vendimit do t’i shkaktonte pasoja të pakthyeshme në reputacion.

    Administrativja konstatoi gjithashtu se kërkesa nuk përmbante argumente konkrete që pezullimi i vendimit nuk do ta cenonte rëndë interesin publik. Për caktimin e masës së sigurisë, të dyja kushtet ligjore duhej të plotësoheshin njëkohësisht.

    Isufaj mund ta ankimojë aktvendimin në Gjykatën e Apelit brenda shtatë ditësh nga pranimi i tij.

  • Jakup Krasniqi mbërrin në shtëpinë e tij në Prishtinë, pritet me përqafime nga familjarët

    Jakup Krasniqi mbërrin në shtëpinë e tij në Prishtinë, pritet me përqafime nga familjarët

    Jakup Krasniqi tashmë ka arritur në shtëpinë e tij në Prishtinë.

    Mësohet se arsyeja e vizitës së Krasniqit në Kosovë është gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij.

    Me të mbërritur në shtëpi, Krasniqi është pritur me përqafime nga familjarët e tij.

    Krasniqi do të qëndroj në shtëpi deir në roa 17:00.

    Kjo është vizita e dytë e ish-kreut të UÇK-së në Kosovë që nga transferimi në Hagë.

    Më 16 shtator, Krasniqi u dënuar me 25 vjet burgim nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale.

  • Arrestohet një zyrtar policor në Ferizaj, dyshohet për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

    Arrestohet një zyrtar policor në Ferizaj, dyshohet për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka arrestuar të martën një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj pas zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

    Arrestimi i zyrtarit policor është bërë me dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që përfshijnë organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

    Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Në njoftim thuhet se si pjesë e veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së, të martën janë bastisur shtatë lokacione, ku janë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë e gjuetisë, dy armë të ftohta (thika), si dhe municion i llojeve të ndryshme.

    Sipas dyshimeve fillestare, zyrtari policor jashtë detyrës zyrtare gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online, si dhe dyshohet se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.

    Në kuadër të këtij rasti janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”, ndaj të cilëve hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.

    Ndërkaq, thuhet se në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor. /Telegafi/

  • Arrestohet një person në Lipjan, dyshohet se i shiti veturat që i mori me qira

    Arrestohet një person në Lipjan, dyshohet se i shiti veturat që i mori me qira

    Një person është arrestuar të martën në Lipjan.

    Ai dyshohet se i shiti veturat të cilit i kishte marrë me qira.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Lipjan/12.11.2026 – 23:40. Më 17.11.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti pasi kishte marrë me qera veturat nga ankuesi, dyshohet se të njëjtat i kishte shitur. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport 24 orësh të Policisë.

  • Vrasja e Arlinda Zekajt, aksion para Kuvendit – aktivistet kërkojnë ndëshkimin e zyrtarëve përgjegjës

    Vrasja e Arlinda Zekajt, aksion para Kuvendit – aktivistet kërkojnë ndëshkimin e zyrtarëve përgjegjës

    Aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist kanë mbajtur një aksion para Kuvendit të Kosovës, ku Komisioni Hetimor Parlamentar po zhvillon intervistimet lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

    Ato po kërkojnë ndëshkimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që, sipas tyre, nuk i kanë përmbushur përgjegjësitë institucionale në këtë rast.

    Aktivistja Qëndresa Hyseni tha se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë përgjegjësi për zyrtarët që dyshohet se kanë dështuar në kryerjen e detyrave të tyre.

    “Qysh edhe e kemi pasur sot, kanë filluar intervistimet e para për rastin e Alindës që të përfshihet dhe të ftuar për intervistë është kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, po ashtu dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë në rastin e Alindës, për neve mbetet çështje shumë e rëndësi qysh komisioni po i trajton këto raste, po ashtu a ka me pasë dënime për krejt personat e përfshirë dhe ndjekje penale për moskryerjen e përgjegjësive të tyre të punës. 

    Andaj sot jemi këtu me iu treguar që ne nuk jemi me u ndalë deri në momentin që kërkesat tona, që lidhen kryekëput me ndëshkimin e personave të cilët nuk kanë marrë përgjegjësi në rastin e Alindës, me u dënuar”, tha ajo.

    Hyseni kundërshtoi edhe vendimin që një pjesë e intervistimeve të Komisionit Hetimor të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke shprehur shqetësimin se kjo mund të lërë jashtë vëmendjes së publikut çështje të rëndësishme që lidhen me rastin, transmeton kp.

    “Po tentohet të mbahen çështje larg syrit të publikut”, aktivistet kundërshtojnë mbylljen e Komisionit Hetimor

    “Mbyllja e komisionit tregon qartë që shumë çështje tentojnë me qenë jashtë syrit të publikut. Tu qenë jashtë syrit të publikut nënkupton që mundet me pasë raste të cilat nuk kanë me shkuar në drejtimin që ne po kërkojmë, që është me kërkuar drejtësi për Alindën edhe me dërguar deri në fund këtë drejtësi”, tha ajo.

    Ndërkohë, në Komisionin Hetimor Parlamentar është intervistuar menaxherja e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Toskë Gega.

    Në kuadër të intervistimeve është paraparë të dëgjohen edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe zyrtarë të tjerë që kanë pasur përgjegjësi institucionale lidhur me rastin.

  • Arrestohet një person në Fushë Kosovë nën dyshimin për ngacmim seksual

    Arrestohet një person në Fushë Kosovë nën dyshimin për ngacmim seksual

    Një person është arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të ngacmimit seksual ndaj një gruaje.

    Policia njofton se rasti dyshohet të ketë ndodhur më 12 nëntor.

    I dyshuari është arrestuar të martën dhe është intervistuar nga organet e rendit.

    Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

  • Jakup Krasniqi niset drejt Kosovës, Specialja i aprovon vizitën familjare për arsye humanitare

    Jakup Krasniqi niset drejt Kosovës, Specialja i aprovon vizitën familjare për arsye humanitare

    Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, është nisur drejt Kosovës, pasi Gjykata Speciale ia ka aprovuar një vizitë familjare në vendlindje për arsye të forta humanitare.

    Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Speciale në një përgjigje për ATV-në, ku është bërë e ditur se Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të organizojë vizitën nën masa të kujdestarisë.

    Sipas Speciales, kjo është vizita e 15-të e këtij lloji që gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar deri më tani për një të paraburgosur në Kosovë, për arsye humanitare.

    Në përgjigjen e gjykatës thuhet se vizitat e tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    Krasniqi, njëri nga figurat kyçe të UÇK-së, pak javë më parë u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

    Kjo është hera e dytë që ai kthehet në Kosovë që nga dërgimi në Hagë. Herën e parë kishte ardhur në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.

  • Aksioni “Heshtja” në Prishtinë, arrestohet edhe një person dhe sekuestrohen tri vetura

    Aksioni “Heshtja” në Prishtinë, arrestohet edhe një person dhe sekuestrohen tri vetura

    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi tjetër në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e narkotikëve në Prishtinë, për të cilin më herët ishin arrestuar edhe ish-ministri Astrit Haraqija dhe disa persona të tjerë

    Sipas policisë, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin e datës 14 nëntor 2026, më 17 nëntor është arrestuar edhe një i dyshuar, shtetas i Kosovës.

    Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar edhe tri vetura.

    “I dyshuari, pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

    Kujtojmë se më 14 nëntor, Policia e Kosovës kishte realizuar operacionin e koduar “Heshtja” në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për veprat penale që lidhen me narkotikët.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, si dhe ndaj Jeton Stanovcit, Gëzim Fekës, Arjanit Beqirit, Albana Xhemajli-Ramadanit dhe Alban Malokut.

    Sipas aktvendimit, për pesë të pandehurit e tjerë masa e paraburgimit llogaritet nga 14 nëntori deri më 14 dhjetor 2026, ndërsa për Astrit Haraqijën nga 15 nëntori deri më 15 dhjetor 2026.

    Me arrestimin e fundit, hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë, ndërsa Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e personit të arrestuar më 17 nëntor.

  • Tërmeti 5.3 ballë godet Rumaninë, lëkundjet ndihen edhe në Serbi e Bosnjë

    Tërmeti 5.3 ballë godet Rumaninë, lëkundjet ndihen edhe në Serbi e Bosnjë

    Një tërmet me magnitudë 5.3 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në rajonin Vrancea të Rumanisë, është ndjerë gjatë natës së së martës ndaj të mërkurës në disa vende të Evropës Juglindore.

    Lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 02:48 sipas kohës lokale dhe u ndjenë veçanërisht në Rumani, Bullgari, Moldavi dhe Ukrainë. Raportime për ndjesinë e tërmetit pati edhe nga vende të tjera të rajonit, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

    Si pasojë e tërmetit, në Rumani janë raportuar dy persona të lënduar, si dhe dëme të vogla materiale në disa ndërtesa banimi dhe dyqane.