ATV

Category: Lajme

  • Gjyqi i UÇK në Hagë! Prokuroria solli 125 dëshmitarë, tani është radha e mbrojtjes

    Gjyqi i UÇK në Hagë! Prokuroria solli 125 dëshmitarë, tani është radha e mbrojtjes

    Pas dy vjetësh e dëshmive të dhëna nga më shumë se 125 dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria e Specializuar, kësaj të fundit po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj ndaj ish-krerëve te UÇK-së.

    Tetorin e vitit 2020 u konfirmuan aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “sipërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

    Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase. Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi ka qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

    Tani, pas intervestimit të 125 dëshmitarëve, Prokuroria do ta mbyllë çështjen e saj në 15 prill, thotë REL, do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse, që të përpiqen të rrëzojnë pretendimet e organit të akuzës.

  • ​Krasniqi dhe Rexhepi pro Qeverisë Kurti

    ​Krasniqi dhe Rexhepi pro Qeverisë Kurti

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i komuniteteve, të cilit i përket ai, do të mbështesë formimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe qeverinë e tretë të mundshme të drejtuar nga Albin Kurti.

    Ai pas regjistrimit si deputet, theksoi se ky grup parlamentar mbështet qeverinë Kurti, duke u bazuar në rezultatin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas tij, përfaqëson shumicën shqiptare në Kuvend.

    “Ne jemi grupi parlamentar i komuniteteve. Në këtë grup do të jenë së paku edhe dy deputetë KDTP të partisë turke. Jemi 7 aktualisht, nënkuptojnë që… ne jemi për votimin e kryetarit të Kuvendit edhe të qeverisë. Ky grupi i deputetëve që jemi sot këtu, duke përfshirë edhe ata të KDTP-së, ne jemi për qeverinë Kurti për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve, edhe tash po i relativiozjmë numrat është 42.3, është shumë thujase sa të gjithë të tjerët bashkë”, ka thënë Krasniqi.

    Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi është shprehur se e di se kush është kandidati për kryetar të Kuvendit, por sipas saj, kjo është diçka që duhet ta bëjë publike vetë kryeministri.

    “Neser votojmë kryetarin i parlamentit e shohim pastaj se si do të shkoj proceduara. Unë besoj që qeverinë Kurti 3 ta votojmë sa më shpejtë. Ne e dimë (se kush është kandidat për kryetar të Kuvendit) por këtë kryeministri duhet ta thotë. Jo mua asnjë nuk me ka ftuar”, ka thënë Rexhepi.

    Përndryshe, sot janë regjistruar edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe së shpejti do të nënshkruhet edhe ata të Nismës Socialdemokrate.

  • Autobusi prishet në Serbi, raportohet se rreth 70 udhëtarë që po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë janë në pritje të autobusit tjetër

    Autobusi prishet në Serbi, raportohet se rreth 70 udhëtarë që po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë janë në pritje të autobusit tjetër

    Rreth 70 udhëtarë që po vinin nga Gjermania për në Kosovë kanë mbetur në Serbi, disa kilometra larg pikës kufitare në Merdar, pasi autobusi me të cilin udhëtonin pësoi prishje gjatë rrugës.

    Dukagjini nga burimet e veta merr vesh se në dalje të Rudares ka ndodhur prishja e autobusit, ndërsa në mesin e udhëtarëve ka edhe gra e fëmijë.

    Kompania është kontaktuar nga Dukagjini dhe të njëjtit e kanë konfirmuar rastin dhe kanë njoftuar se autobusit të prishur do t’i dërgohet menjëherë zëvendësimi – pasi është disa minuta larg kufirit – në mënyrë që udhëtarët të vazhdojnë udhëtimin për në Kosovë.

  • Zelensky: Nëse nuk ndalet, Rusia do të nisë Luftën e Tretë Botërore

    Zelensky: Nëse nuk ndalet, Rusia do të nisë Luftën e Tretë Botërore

    Rusia do të përshkallëzojë luftën e saj në Ukrainë dhe do të shkaktojë një konflikt global nëse nuk ndalet së shpejti, ka paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zekensky.

    Presidenti i Ukrainës po fliste për gazetën amerikane CBS përpara sulmit shkatërrues të Rusisë në Sumy, i cili vrau 34 persona.

    “Nëse nuk qëndrojmë të vendosur, ai do të përparojë më tej”, citohet të ketë thënë Zelensky.

    “Nuk janë thjesht spekulime të kota; kërcënimi është real. Qëllimi përfundimtar i (Vladimir) Putinit është të ringjallë perandorinë ruse dhe të rimarrë territoret aktualisht nën mbrojtjen e NATO-s. Duke marrë parasysh të gjitha këto, unë besoj se mund të përshkallëzohet në një luftë botërore”, ka thënë më tej ai.

    Ai shtoi: “Nuk do të ketë një vend të sigurt, nuk do të ketë një vend të sigurt për (askënd)”.

    Ndryshe, kujtojnë mediat e huaja, Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Donald Trump, ka kërkuar të mbajë kanalet diplomatike të hapura me Rusinë, duke pretenduar muajin e kaluar se Putini “dëshiron paqe”.

    Kur u pyet për ambiciet territoriale të presidentit rus përtej Ukrainës, Witkoff u përgjigj: “Unë thjesht nuk shoh se ai dëshiron të marrë të gjithë Evropën”.

  • Ndahet nga jeta ish-kryeprokurori Ismet Kabashi

    Ndahet nga jeta ish-kryeprokurori Ismet Kabashi

    Të dielën më 13 prill, ka ndërruar jetë ish-Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi.

    Familjarët e tij njoftuan se Kabashi do të varroset të hënën më 14 prill në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.

    Ndërkohë, sot do të mbahet një akademi përkujtimore e cila fillon në orën 15:00, në sallën e Kulturës, në Mitrovicë.

    Ndërkohë, telegram ngushëllimi kanë dërguar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj dhe ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

    Kabashi ka qenë edhe gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës Komunale të Skenderajt, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, etj.

    Ai u vlerësua një figurë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, duke qenë ndër drejtuesit e institucionit të Prokurorit të Shtetit pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku si rezultat i reformës në drejtësi u krijuan institucionet e reja të pushtetit gjyqësor.

    Gjatë kohës sa shërbeu në sistemin prokurorial, fillimisht si prokuror dhe më pas si Kryeprokuror i Shtetit dhe Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ai u dallua për integritetin profesional, për përkushtimin ndaj forcimit të sundimit të ligjit dhe dha kontribut të çmuar në fuqizimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

  • ​Rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës: Policia serbe janë turpi, jo ne

    ​Rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës: Policia serbe janë turpi, jo ne

    Fundin e shtatorit të vitit 1998, Ramadan Nishori thotë se nuk do ta harrojë kurrë.

    Gjatë rrëfimit të tij publik, ai kujtoi ngjarjen që ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

    “Kanë ardhur dy policë me uniforma dhe më kanë futur në një banjo, dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Sepse atë kurrë nuk e kisha menduar se do të më ndodhte mua. Dhe njëri më dhunoi, ndërsa, derisa po përgatitej i dyti për dhunë, nga bërtimat e mia, një shqiptar që ishte aty hyri brenda dhe më nxori prej aty”, rrëfen ai.

    Ai foli edhe për maltretimet në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit.

    Ramadan Nishori nga Drenica thotë se njerëzit nuk dëshiron ta shohin me keqardhje. I mbijetuari i dhunës seksuale thotë se jeta pas luftës ishte shumë e vështirë.

    “Më 16 mars 2001 jam liruar prej burgut dhe në atë kohë kam qenë i fejuar, dhe pas dy javëve jam martuar. Jetoja me prindër dhe vëllezër në fshat, dhe pasi u martova i thashë vetes: ‘Do të filloj një jetë të re, do të krijoj një familje.’ Por kjo ishte e pamundur, sepse çdo natë më kujtohej çka më kishte ndodhur. Jetoja me frikë mos e hetonte dikush se çka më kishte ndodhur. Pas një viti u vendosëm të jetonim me qira në Fushë Kosovë. Aty u ndjeva pak më i lirë, por përsëri isha i mbyllur në burgun brenda vetes”, tregon ai.

    “Jam një burrë që po mundohem të ndërtoj një jetë normale. Njerëzit dua të më shohin si një njeri që jam munduar shumë, por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje. Dua të më shohin me respekt, si një njeri që shumë herë jam rrëzuar, por prapë jam ngritur në këmbë. Unë jam sot këtu jo se kam harruar atë që më ka ndodhur”, ka thënë ai.

    Pas tmerrit të përjetuar në vitin 1998, kur u dhunua në një stacion policor, Ramadan Nishori rrëfen për jetën e tij plot sfida.

    “Thosha: unë jam burrë, dhe për këtë që e kam përjetuar nuk duhet të dijë askush, se thosha më nënçmojnë dhe më bullizojnë. Isha shumë i mbyllur në vetvete. Më vinte me qa, me bërtitë me të madhe, ikja natën prej shtëpisë, dilja, qaja dhe shfryhesha. Se turpi ishte më i rëndë se dhimbja”, thotë ai.

    Ai tregon se për vite të tëra nuk e mori guximin të kërkonte ndihmë profesionale.

    “Ka qenë viti 2005. Për herë të parë jam afruar te organizata QKRMT. Kam shkuar dhjetëra herë, por kurrsesi nuk merrja guximin të hyja brenda. Vendosa dhe thashë: më mirë të iki krejt prej Kosovës. Shkova në Mal të Zi, por edhe atje shumë më pengonte gjuha e tyre malazeze. Kështu që u kthyem prapë në Kosovë. Një natë e pashë një intervistë, ishte Vasfije Krasniqi dhe për mua është heroinë e gjallë. I kisha shumë lakmi, thosha: kjo po flet, po shfryhet… dhe kështu i kam marrë dhe i kam shkruar menjëherë”, shtoi ai.

  • Haradinaj: Në parim për konstituim të Kuvendit, qeverinë ta krijojë opozita

    Haradinaj: Në parim për konstituim të Kuvendit, qeverinë ta krijojë opozita

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në parim do ta votojnë kryetarin e e Kuvendit të Kosovës, ndërsa AAK-ja angazhohet për krijimin e qeverisë nga opozita, raporton Ekonomia Online.

    Ai deklaratën e bëri pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

    “Konstiuimi i Kuvendit është interes i të gjithëve. Do të konsultohemi edhe me PDK-në dhe LDK-në. AAK-ja angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita në rast se partia e parë nuk e krijon atë”, tha Haradinaj.

  • Lushtaku: PDK nuk merr pjesë në votim pa një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën

    Lushtaku: PDK nuk merr pjesë në votim pa një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, tha se PDK nuk do të marrë pjesë në votimin për Kuvendin, përderisa nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për vendin, duke theksuar mbështetjen për kandidaturën e Bedri Hamzës si kryeministër, raporton Ekonomia Online.

    “Sigurisht që qëndrimet e mia janë edhe ato të PDK-së, ne nuk do të marrim pjesë në votim derisa nuk kemi një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën. Edhe sigurisht që zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e kryeministrit Bedri Hamza si udhëheqës i qeverisë së Kosovës edhe mendoj që do të krijohet edhe stabiliteti edhe qëndrueshmëria në vend,” tha Lushtaku.

    Ai shtoi se janë bërë thirrje të vazhdueshme ndaj partive tjera politike për të qëndruar në përputhje me premtimet publike sa i përket refuzimit të një mandati të tretë për kryeministrin aktual.

    “Sigurisht ne i bëjmë thirrje edhe individuale edhe publike që ka takim edhe të ndryshme me partitë politike. Që t’i bëjmë thirrje që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë sa i përket mos zgjedhjes së kryeministrit Kurti apo mos dhënies së mundësisë së Kurtit III. Sigurisht që në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret por besoj që mbetet në qëndrueshmërinë dhe premtimet publike që kanë bërë. Besoj që e ka bërë të qartë PDK se ne kemi pozitën që na ka besuar edhe qytetari i vendit në mundësinë e dytë në formimin e qeverisë, besoj që ne qëndrojmë në premtimet tona,” u shpreh Lushtaku.

  • Haradinaj: Me Limajn s’kam pasur asnjë kontakt që nga intervista e tij, ishte ndarje e turpshme

    Haradinaj: Me Limajn s’kam pasur asnjë kontakt që nga intervista e tij, ishte ndarje e turpshme

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar për gazetarë pas regjistrimit si deputet i legjislaturës së nëntë.

    “Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të kuvendit, kuptohet se do të bëjmë konsulta me partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK, por besoj që konstituimi i Kuvendit është në interes të të gjithëve më pastaj sikurse e dini Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë së krijimit të shumicës nga pozita”, tha ai.

    Ai u pyet për raportet me Nismën.

    “S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, shtoi ai.

    “Për VV i kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë. Për opozitën asnjë kusht”, tha ai kur u pyet nëse ka ndonjë kusht për me hy në koalicion.

  • Ushtarët italianë të KFOR-it inspektojnë urat në Pejë, Klinë dhe Gjakovë

    Ushtarët italianë të KFOR-it inspektojnë urat në Pejë, Klinë dhe Gjakovë

    Trupat italianë të KFOR-it kanë ndërmarrë së fundmi inspektime teknike në disa ura në komunat Pejë, Klinë dhe Gjakovë.

    Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të tyre për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në rajon, thuhet në komunikatën.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes”, thuhet në një njoftim në Facebook.