ATV

Category: Lajme

  • Vëllai i Vasfije Krasniqit: Rrëfimi i Ramadan Nishorit po e kompleton mozaikun e dëshmive për rrugën drejt lirisë

    Vëllai i Vasfije Krasniqit: Rrëfimi i Ramadan Nishorit po e kompleton mozaikun e dëshmive për rrugën drejt lirisë

    Rrëfimi i parë publik i një burri të dhunuar seksualisht gjatë luftës, sipas vëllait të Vasfije Krasniqi-Goodman, po e kompleton mozaikun e dëshmive për rrugën drejt lirisë. Nafi Krasniqi ka thënë se rrëfimi i Ramadan Nishorit është dëshmi se “dhuna seksuale nuk njeh gjini dhe se lufta nuk kursen askënd dhe ajo zhvesh çdo njeri nga identiteti i tij”.

    Sipas tij, rrëfimi për luftën e viteve 1998–99 është ndërtuar kryesisht mbi heroizmin e popullit shqiptar, duke pasur pak hapësirë për diskutimin dhe trajtimin e krimeve si dhuna seksuale.

    Më poshtë lexoni shkrimin e plotë:

    Kujtesa kolektive dhe rrëfimi gjysmak i luftës

    Kujtesa kolektive, si koncept shoqëror, përfaqëson përpjekjen e një shoqërie për të ndërtuar, ruajtur dhe riprodhuar kujtimet e përbashkëta mbi të kaluarën.

    Ndërkohë, kujtimet personale, ndonëse subjektive, shpeshherë nuk mund të shprehen ashtu siç ishin, e nëse shprehen ato i nënshtrohen një strukturimi dhe riformësimi si rezultat i ndikimeve të jashtme.

    Në vendet post-konfliktuale të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, ndërtimi i kujtesës kolektive shpesh shoqërohet me përzgjedhje selektive. Në vend të një qasjeje gjithëpërfshirëse, ndodh selektimi i ngjarjeve, veprimeve apo përvojave që përputhen me narrativën heroike. Kështu, shpërfillen zëra të shumtë dhe krijohet një “rrëfim i ngushtë” për heroizmat, i cili, në mënyrë të pavetëdijshme, minimizon sakrificën e popullit për liri dhe redukton shumëdimensionalitetin dhe realitetin e luftës. Ky lloj rrëfimi, i ndërtuar mbi heroizmin dhe rezistencën, është i kuptueshëm në rrethanat e një populli me një të kaluar të shtypur dhe të traumatizuar. Megjithatë, ai bëhet problem dhe pengesë kur dominon mbi të vërtetën dhe përdoret për të heshtur dhe shtypur përvojat e dhimbshme të mijëra viktimave civile, veçanërisht të atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale. Në këtë mënyrë, krijohet një “rrëfim gjysmak” i luftës, një narrativë që lë jashtë segmente thelbësore të vuajtjes dhe dhimbjes kolektive, e ku në të ardhmen, mund të rezultojë i dëmshëm për të vërtetën historike.

    Në vend që e kaluara të na shërbejë si një burim gjithëpërfshirës prej nga dalin mësime për paqen, drejtësinë dhe progresin shoqëror, ajo përmes “rrëfimit gjysmak” shndërrohet në një instrument që synon të riformulojë narracionin për luftën dhe pasojat e saj.

    Prandaj, nëse kujtesa kolektive përdoret për të mbrojtur identitetin përmes mohimit të së kaluarës së dhimbshme, ajo nuk kontribuon në njohjen e së vërtetës por në devijimin e historisë, gjithashtu nuk kontribuon në shërimin kolektiv, por në thellimin e traumës, fshehjen e krimeve dhe, rrjedhimisht, në amnistimin e kryerësve të tyre.

    Në rastin e Kosovës, rrëfimi për luftën e viteve 1998–99 është ndërtuar kryesisht mbi heroizmin e popullit shqiptar. Kjo qasje, ndonëse e kuptueshme në kontekstin e një populli të shtypur për dekada, ka lënë shumë pak hapësirë për diskutimin dhe trajtimin e krimeve si dhuna seksuale. Kësisoj, jo vetëm që janë amnistuar kryerësit e këtyre krimeve, por është mohuar një segment dhe një kategori e rëndësishme e sakrificës për liri.

    Organizatat që kanë punuar me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë inkurajuar të mbijetuarat të thyejnë heshtjen. Zëra të fuqishëm si Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri dhe tani, Ramadan Nishori, kanë dëshmuar publikisht për përjetimet e tyre. Rrëfimet e tyre jo vetëm që i japin zë një të vërtete të heshtur, por dëshmojnë se këto viktima kanë emra, kanë identitet dhe janë pjesë e gjallë e shoqërisë sonë dhe nuk mund të injorohen më.

    Megjithatë, këto përpjekje përballen me rezistencë të fortë e të vazhdueshme individuale, familjare dhe komunitare. Stigma, segregimi dhe paragjykimet, frika etj., vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqërinë tonë, duke i penguar të mbijetuarit të kërkojnë drejtësi, shërim apo, thjesht, të dëgjohen. Pavarësisht kësaj, janë bërë hapa të rëndësishëm drejt ngritjes së një vetëdije më të gjerë publike dhe institucionale.

    Këto zhvillime përbëjnë një kontribut të rëndësishëm drejt përmbushjes së “mozaikut të sakrificës për liri”.

    Kujtesa kolektive për luftën e fundit në Kosovë mund të shndërrohet në një pasqyrim të vërtetë të rrugëtimit tonë për liri dhe në një themel mbi të cilin ndërtohet procesi i shërimit të shoqërisë nga traumat e luftës.

    Rrëfimi i Ramadan Nishorit është dëshmi se dhuna seksuale nuk njeh gjini dhe se lufta nuk kursen askënd dhe ajo zhvesh çdo njeri nga identiteti i tij. Trupat njerëzorë, pavarësisht gjinisë, shndërrohen në fushë betejë të pushtueshme mbi të cilin ushtrohet dhunë për qëllime politike. Por Ramadani nuk është vetëm trup. Ai është kujtesë. Është dëshmi që flet, ndonëse i është dashur një jetë e tërë për ta bërë këtë. Zëri i tij dje, sot, nesër dhe përgjithmonë do të jetë i domosdoshëm për të thënë se “Unë, sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar, dhe turpi, u takon atyre që kanë kryer krimin”. Me këtë rrëfim, dhe rrëfime të tjera do të kompletohet mozaiku i rrëfimit për rrugën tonë drejtë lirisë.

    Faleminderit Dan, që u rrëfeve!

  • Osmani: Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

    Osmani: Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Zyra e Presidencës ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.

    “Ne e kemi gati ligjin që do t’ia propozojmë Kuvendit në momentin që konstituohet. Kam diskutuar me shumë deputetë, jam e bindur që do të kalojë”, tha Osmani në një intervistë për RTV 21.

    Më 3 prill, Osmani i kishte kërkuar Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

    Vendimi i Trumpit përfshinte tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës me tarifë bazë prej 10 për qind, por më të lartë për vendet me të cilat SHBA-ja ka deficit tregtar.

    Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e kishte kritikuar qasjen e presidentes Osmani duke thënë se “politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit” dhe se këto çështje duhet të trajtohen larg mediave.

    Kjo kishte nxitur reagim nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cili e kishte cilësuar përgjigjen e Muratit “të turpshme dhe skandaloze”.

    Osmani tha se kjo mosmarrëveshje mes institucioneve shtetërore të Kosovës e ka dëmtuar “interesin e Republikës së Kosovës jashtë mase”.

    “Ajo përgjigje ishte një dëm i madh për Kosovën, sepse Kosova e pat një momentum të jashtëzakonshëm që ta fuqizonte aleancën me Amerikën, në një moment kur për Amerikën ka qenë esenciale se kush është shteti i parë qe del me një propozim të tillë. Dhe unë kam qenë presidentja e shtetit të parë që kam dalë me atë propozim dhe ka qenë me rëndësi të dalim ne të parët”, tha Osmani.

    Tarifa prej 10 për qind ndaj importeve të SHBA-së – si tarifë që Kosova ua vendos të gjitha vendeve me të cilat nuk ka marrëveshje për treg të lirë – është ende në fuqi, edhe pse Murati kishte thënë se Qeveria ka qenë duke e shqyrtuar heqjen e kësaj tarife për SHBA-në që një kohë të gjatë.

    Ndërkohë, Osmani tha se ajo është duke punuar intensivisht me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Ka një sërë hapash që tashmë i kemi ndërmarrë, që janë në proces e që nuk mund për momentin t’i bëj publike për shkak se janë duke u shqyrtuar nga administrata e Trumpit”, shtoi Osmani.

    Ajo gjithashtu tha se shpreson që Kuvendi i ri i Kosovës të konstituohet sa më shpejt, pasi që tha se kjo është në interes të vendit.

    “Kosova ka shumë punë të cilat duhet të kryhen urgjentisht dhe Kuvendi është i domosdoshëm për një gjë të tillë. Prandaj mbes me shpresën që 15 prilli të jetë një ditë e suksesshme për gjithë Kosovën”, tha ajo.

    Nesër është caktuar seanca konstituive të Kuvendit, ku do të tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. PDK-ja, që doli si partia e dytë në zgjedhje, ka thënë se s’do të marrë pjesë në këtë seancë.

    LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, e ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin. Seanca konstituive, e caktuar për të martën, konsiderohet e përmbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, e deputetët e rinj të kenë bërë betimin. Për votimin e kryetarit kërkohen 61 vota.

    Vetëm pas kësaj, LVV-ja do të mund të vazhdojë me përpjekjet për të formuar Qeverinë e re, për të cilën po ashtu kërkohen 61 vota. Megjithatë, më herët gjatë së hënës, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të votohet për Qeverinë e re të Kosovës.

    Osmani tha se Kosova ka nevojë për qeveri stabile, por se u takon partive politike e jo asaj të vendosë për këtë proces.

    Në intervistën për RTV 21, Osmani komentoi gjithashtu njohjen e fundit të pavarësisë së Kosovës nga Sudani, për të cilin Serbia kishte vënë dyshim mbi “kapacitetin e Qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me rëndësi jetike për marrëdhëniet ndërkombëtare”.

    Osmani tha se gjatë qëndrimin të saj në Turqi, për Forumin e Diplomacisë në Antalia, janë arritur marrëveshje për njohje edhe me shtete të tjera.

    “Por, jemi dakorduar që procesi të formalizohet në vijim, [me shtete] të cilat nuk do të doja që t’i përmendi këtu për shkak se është me rëndësi që t’i mos i rrezikojmë ato procese”, tha Osmani.

    Ndër këto shtete me të cilat Kosova po punon për të marrë njohje zyrtare të pavarësisë, Osmani e përmendi Sirinë.

    “Ne si institucione nuk kemi kërkuar marrëdhënie diplomatike asnjëherë me atë regjim [të Bashar al-Assadit], mirëpo tani me institucionet e Sirisë së lirë, natyrisht që shpresojmë që ky proces të konsiluhet dhe të përfundohet sa më parë”, tha Osmani.

  • ​Formimi i qeverisë së re, deklarohet Veton Berisha

    ​Formimi i qeverisë së re, deklarohet Veton Berisha

    Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar sot se ende nuk është marrë ndonjë vendim për votimin në seancën e nesërme të Kuvendit, pasi nuk ka asnjë propozim zyrtar për kandidatin për kryetar të Kuvendit, raporton KP.

    Ndërsa ka thënë se janë në diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje.

    “Nesër është caktuar seanca plenare. Për momentin nuk e di a kam me votua ose jo, sepse nuk kemi ndonjë propozim i cili e dimë që do të vjen. Sigurisht që bazojmë edhe në personin dhe në marrëveshjen të cilën jemi. Për momentin jemi ashtu siç kemi qenë…Po e diskutojmë dhe po shohim mundësitë e një bashkëpunimi të mundshëm mes nesh (me LVV-në), nëse janë numrat kryhet, sepse është në mandatin e tij…Jo, s’kemi një marrëveshje ( me VV-në)”, tha ai, transmeton KosovaPress

    Sa i përket raportit me subjektet e tjera politike, Berisha u shpreh se partia që ai udhëheq është e hapur për bashkëpunim me të gjithë, për aq kohë sa respektohet reciprociteti në qëndrime.

    “Ne kemi kolegë secilin, për dallim prej krejt tjerëve nuk kemi problem me askend. Problemi i vetëm është që kushdo që nuk na respekton, nuk do të respektohet, derisa ata që na respektojnë do t’i respektojnë. Asnjë pengesë, as një vijë të kuqe me askënd nuk e kemi”, ka shtuar ai.

    Ndërsa, edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar sot gjatë ditës se partia që ai drejton nuk ka arritur asnjë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër politik në lidhje me formimin e institucioneve të reja, raporton KosovaPress.

    Limaj theksoi se Nisma është e gatshme të kontribuojë në funksion të stabilitetit institucional.

    Nesër pritet të mbahet seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës.

  • Avokati Taulant Hodaj nderohet nga Asambleja e Shtetit të New York-ut

    Avokati Taulant Hodaj nderohet nga Asambleja e Shtetit të New York-ut

    Avokati i njohur kosovar, Taulant Hodaj, është pritur me nderime të larta në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, institucioni më i lartë legjislativ në këtë shtet amerikan.

    Gjatë një ceremonie solemne, Asambleisti Sam Pirozzolo dhe drejtues të tjerë të Asamblesë vlerësuan kontributin e Hodajt si jurist, rolin e tij në avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si dhe angazhimin e tij me komunitetin shqiptaro-amerikan në SHBA.

    Përmes një postimi në Facebook, Hodaj u shpreh se ndihet shumë i nderuar për këtë pritje dhe falënderues për vlerësimin që mori, duke e quajtur këtë një moment të paharrueshëm për karrierën e tij si avokat.

    Më poshtë e gjeni postimin e plotë të avokatit Taulant Hodaj:

  • Rexhepi: VV e ka kandidatin për kryetar të Kuvendit, por emrin duhet ta tregojë Kurti

    Rexhepi: VV e ka kandidatin për kryetar të Kuvendit, por emrin duhet ta tregojë Kurti

    Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, tha se Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka përcaktuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Megjithatë, ajo nuk zbuloi se për kë bëhet fjalë, duke shtuar se është detyrë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ta bëjë publik emrin.

    Ajo shtoi gjithashtu se nesër pritet të zhvillohet votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe se më pas do të shihen hapat e mëtejshëm për formimin e institucioneve të reja.

    “Nesër votojmë kryetarin e parlamentit e shohim pastaj se si do të shkojë procedura. Unë besoj që qeverinë Kurti do ta votojmë sa më shpejt. Ne e dimë (se kush është kandidat për kryetar të Kuvendit), por këtë kryeministri duhet ta thotë.”, tha Rexhepi.

  • Kurti: Rrëfimi i Nishorit thirrje për mbështetje për burrat e dhunuar që ende përballen me paragjykime

    Kurti: Rrëfimi i Nishorit thirrje për mbështetje për burrat e dhunuar që ende përballen me paragjykime

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka theksuar se rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, Ramadan Nishori, është thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar.

    Kurti ka thënë se në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nderojnë çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe.

    “Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.

    “Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton”, ka shkruar Kurti pas homazheve që ka zhvilluar te memorialë “Heroinat” në kryeqytet.

    Sipas tij heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje.

    “Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe empati. Dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021, u shënua një hap drejt drejtësisë, me dënimin e parë të kriminelit të luftës Zoran Vukotiq për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Këto krime nuk parashkruhen e as nuk falen”, ka shkruar Kurti.

    Sipas tij kjo ditë është rikujtim se nuk do të lejojnë kurrë që dhembja, vuajtja dhe sakrifica e të mbijetuarave e të mbijetuarve të harrohet apo të shpërfillet. “Duke u ballafaquar me të kaluarën, duke kërkuar drejtësi dhe me solidaritet, ne mund të ndërtojmë një shoqëri paqësore e të ardhme të drejtë për të gjithë”, ka shkruar Kurti.

  • Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kërkuan më shumë angazhim institucional

    Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kërkuan më shumë angazhim institucional

    Me rastin e 14 Prillit, Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, të mbijetuarat kërkuan më shumë angazhim institucional, raporton Ekonomia Online.

    E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfie Krasniqi, tha se shumë viktima i kontaktojnë, ndërsa Serbia vazhdon të mohojë krimet. Ajo kërkoi nga qeveria zgjatjen e mandatit të Komisionit për njohjen e statusit të viktimave.

    “Ka raste që nuk merren parasysh. Komisioni duhet të marrë masa ose të ndryshohet. Kam shumë viktima që na kontaktojnë neve. Serbia i mohon krimet në Kosovë. Lus qeverinë që të merr parasysh këto raste dhe t’i zgjatet mandati komisionit që të njihet statusi i viktimave. Ka qenë shumë e vështirë. Para se tregojë vetë Ramadan Nishori rastin më ka treguar mua. Më ka marrë në telefon dhe kemi qarë bashkë. Sot ndihem mirë që po marrin guximin të mos heshtin. Nuk është hera e parë që kam kërkuar që komisioni të njohë viktima që nuk merren parasysh. Komisioni duhet të marrë masa, ose të ndryshohet, ose të ketë diçka tjetër për të trajtuar ato raste dhe të aprovohen”, tha Krasniqi.

    Shyhrete Tahiri-Sylejmani vlerësoi mbështetjen e Presidentes dhe KRCT-së, por theksoi se qeveria duhet të bëjë më shumë për drejtësinë.

    “Mendoj se duhet të bëjmë më shumë. Mendoj se presidentja e Kosovës po bën më të mirën dhe ne duam ta falënderojmë për mbështetjen e saj. Dua të jem më specifike, sepse ajo është nga ato të rralla që na mbështet në çdo hap. Dua ta falënderoj edhe KRCT-në për përkrahjen. Siç e pamë sot, sot ishte një ditë shumë e veçantë, pasi një person i ri, një mik, një vëlla iu bashkua rrugëtimit tonë. Mendoj se qeveria duhet të punojë më shumë për drejtësinë. Në rastin tim, ata janë thjesht aty, pa bërë asgjë. Nuk mund të them nga këndvështrimi im se nuk ka shkuar mirë, ende jo, por mendoj se kanë nevojë për më shumë njerëz që të punojnë në këtë drejtim. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Dhe nëse nuk kemi drejtësi, nuk do të kemi paqe. Kjo është përgjigjja ime”, tha Sylejmani.

  • Limaj i përgjigjet Haradinajt për “ndarjen e turpshme”: S’ka marrëveshje që na ndalon të takohemi

    Limaj i përgjigjet Haradinajt për “ndarjen e turpshme”: S’ka marrëveshje që na ndalon të takohemi

    Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj ka mohuar zërat që mund të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se deri më tani nuk kanë marrëveshje me askënd.

    Ai u është përgjigjur edhe kritikave nga partneri i tij i koalicionit parazgjedhor, Ramush Haradinaj nga AAK.

    Limaj tha se nuk ka ndonjë dakordim që dikush mos me u taku.

    “Unë nuk kam asnjë shkresë nga askush dhe nuk kam parë ndonjë takim, ndonjë dakordim që dikush mos me u taku. Nëse ju keni parë ndonjë takim apo marrëveshje dhe unë kam munguar, atëherë keni të drejtë të thoni. Kushdo që ofrohet ne jemi të gatshëm e u ul me bisedu”, tha Limaj.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot e quajti të turpshme sjelljen politike të Limajt, për të cilin tha se nuk ka pasur komunikim që nga “intervista e fundit e famshme”.

    “S’kam komunikim që nga intervista e fundit e famshme e z.Limaj. Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ndahen nga ne, por është një ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërkuar votën për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Me u sill në një mënyrë të tillë nuk është në rregull”, tha Haradinaj.

  • ​Kërkesa për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës deri në 2027

    ​Kërkesa për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës deri në 2027

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë me të cilin mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, shtyhet deri më 15 maj 2028.

    Ndërkohë, me këtë ndryshim, afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës zgjatet deri me 15 maj 2027.

    “Pika 1.6 e Vendimit të Qeverisë Nr. 16/48 të datës 7.12.2020 zëvendësohet me këtë tekst: “znj. Kimete Haxholli, Udhëheqëse e Divizionit për Përpunim dhe Arkivim në IKKL”, thuhet në njoftim.

  • ​Kosova përfiton 5 milionë euro grant nga BERZH

    ​Kosova përfiton 5 milionë euro grant nga BERZH

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar sot marrëveshjen e grantit në vlerë prej 5 milionë euro, së bashku me drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sergiy Maslichenko, dhe përfaqësuesin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti.

    Sipas MF-së, ky grant është pjesë e projektit për zhvillimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës, dhe parasheh ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përfshirë edhe zonat përreth.

    “Projekti do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës për rreth 123,000 banorë të kësaj zone, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen mjedisore dhe duke kontribuar në mbrojtjen e burimeve ujore lokale nga shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara. Deri më tani, vlera totale e financimit për këtë projekt arrin në rreth 38 milionë euro, ku granti prej 5 milionë euro është siguruar si rezultat i aplikimit të suksesshëm të Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje është dëshmi e përkushtimit për zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të shërbimeve cilësore për qytetarët”, thuhet në komunikatë.