ATV

Category: Lajme

  • Ambasada amerikane uron Pashkët për të gjithë kosovarët që festojnë

    Ambasada amerikane uron Pashkët për të gjithë kosovarët që festojnë

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë.

    Në një postim në Facebook, kjo ambasadë dëshiron gëzim dhe bekim për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Urimet më të përzemërta për një Pashkë të gëzuar dhe të bekuar për të gjithë ata që festojnë në Kosovë!”, thuhet në urimin e ambasadës.

  • Dy policë arrestohen në Pejë për ryshfet

    Dy policë arrestohen në Pejë për ryshfet

    Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë të Njësisë së Trafikut Rrugor në Pejë, pasi dyshohet se i kanë kërkuar para një qytetari në këmbim të mos shqiptimit të një gjobe.

    Sipas IPK-së, pas marrjes së informatave nga qytetari dhe veprimeve hetimore, zyrtarët janë arrestuar për veprën penale “marrje ryshfeti” dhe janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

    IPK ka rekomanduar suspendimin e tyre për të parandaluar ndikimin në hetime dhe thekson se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me prokurorinë.

  • Apeli vërteton dënimin me 15 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait pas fjalosjes për t’ia ndalur zërin muzikës

    Apeli vërteton dënimin me 15 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait pas fjalosjes për t’ia ndalur zërin muzikës

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin i akuzuari E.J., është dënuar me dënim unik prej 15 vjet e 6 muaj burgim lidhur me vrasjen e vëllait të tij.

    Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar mbrojtësja e të akuzuarit J., avokatja Albana Peci, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Avokatja Peci kishte propozuar që aktgjykim i shkallës së parë të anulohet dhe çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje, apo që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza, si dhe t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në institucion përkatës.

    Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar, kurse aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.

    “Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit E.J., av. Albana Peci, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.19/2024, të dt.15.11.2024, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit të marrë më 12 shkurt 2025.

    Mbrojtja e të akuzuarit kishte pretenduar se Themelorja nuk ka arritur që të arsyetojë me asnjë provë që i mbrojturi i saj e ka kryer me dashje veprën për të cilën është akuzuar.

    “Aktgjykimit i mungon në tërësi arsyetimi dhe gjykata e shkallës së parë me asnjë provë relevante dhe bindëse nuk ka arritur të arsyetoj se i akuzuari me dashje ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë”, thuhet në arsyetim të vendimit.

    Sipas avokates, Themelorja nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat nga shkresat e lëndës, por aktgjykimin e ka bazuar në deklaratën e të dëmtuarës- dëshmitares F.M., Xh.H., si dhe provat materiale sikurse është ekspertiza psikiatrike, si dhe deklaratën e ekspertit psikiatër Arsim Gashi. Sipas saj, të gjitha këto prova janë të pabazuara pasi nuk kanë mbështetjen e duhur ligjore.

    Sipas avokates Peci, dëshmia e dëshmitares F.M., nuk është provë kredibile pasi që e njëjta gjatë dhënies së dëshmisë së saj në Gjykatë ka deklaruar se ka probleme psikike. Në ankesë thuhet se Themelorja është dashur që t’ia falë besimin edhe ekspertizës psikiatrike të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, ku është konstatuar se i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit – tipi i paspecifikuar dhe se në momentin e kryerjes së veprës penale aftësia e tij për të kontrolluar veprimet ka qenë esencialisht e zvogëluar.

    Por, Apeli ka gjetur se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe se janë vlerësuar të gjitha provat nga shkresat e lëndës.

    “Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit E.J., av. Albana Peci, dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, e as me shkeljet e ligjit penal, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejt dhe të qartë, pasi që janë vlerësuar të gjitha provat nga shkresat e lëndës”, thuhet në arsyetim të vendimit.

    Sipas Apelit, vendimi i Themelores është i qartë, i kuptueshëm dhe në harmoni me vetveten si dhe me arsyetimin në secilën pikë të dispozitivit të aktgjykimit. Aty thuhet se në mënyrë të qartë shkalla e parë ka paraqitur çdo veprim inkriminues të kryer nga ana e të akuzuarit J,.

    “Provave nga shkresat e lëndës iu ka dhënë lidhje të pa shkëputur, andaj pasi që ka vërtetuar veprat penale të përshkruara sikurse në pikën I dhe II të dispozitivit të aktgjykimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye për çdo veprim të marrë në këtë çështje penale për të vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale dhe ka dhënë arsye të mjaftueshëm për secilin veprim…”, thuhet tutje në vendim.

    Gjithashtu, sipas Apelit lidhur me këtë çështje janë zbatuar në mënyrë të drejtë të gjitha dispozitat përkatëse ligjore sikurse janë të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra për vërtetimin e ekzistimit të veprës penale.

    Apeli vlerëson se nga të gjitha provat personale në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprat që i vihen në barrë.

    “Nga kjo rezulton se në mënyrë të qartë dhe shprehimore gjykata e shkallës së parë ka paraqitur në dispozitiv të aktgjykimit çdo veprim inkriminues të kryer nga ana e të akuzuarit E.J., pasi që i njëjti pas një fjalosjes rreth ndaljes së zërit të muzikës e sulmon të dëmtuarin duke e goditur me thikë të kuzhinës të gjatësisë në teh 12cm, dhe atë pesë herë në trup dhe duke i shkaktuar plagë prerëse shpuese, të cilat veprime i ka vërtetuar pasi që ka vlerësuar të gjitha deklaratat personale si dhe provat materiale nga shkresat e lëndës”, thuhet tutje në vendim.

    Lidhur me faljen e besimit të dëshmisë së të dëmtuarës F.M., thuhet se Gjykata veproi drejt pasi që është e vërtet që i akuzuarin ka goditur me thikë viktimën.

    Ndërsa, lidhur me deklarimin e ekspertit Dr. Arsim Gashi, sa i përket ekspertizës dhe konstatimit që i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit – tipi i paspecifikuar, thuhet se eksperti ka deklaruar që këto çrregullime ndërlidhen me përgjegjësinë esencialisht të zvogëluar, mirëpo i akuzuar në kohën e kryerjes së kryerjes penale ka pasur aftësi të plotë të veprimit.

    Apeli vlerëson se Themelorja drejt ka vendosur kur e ka shpallur të akuzuarin fajtor dhe ia ka shpallur dënimin përkatës dhe se aktgjykimi nuk përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as në ato të Ligjit Penal.

    Rrethanë lehtësuese, ndër të tjera thuhet se është marrë konstatimi i ekspertizës se i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit tipi i pasecifikuar dhe aftësia për të kontrolluar veprimet e veta ka qenë e zvogëluar në shkallë joesenciale, kurse rënduese mënyra e kryerjes së veprave penale.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 25 mars 2024, ka ngritur aktakuzë kundër E.J., i cili ngarkohej se më 5 nëntor 2023, në banesën e tij, në veri të Mitrovicës, me dashje e ka privuar nga jeta vllanë e tij – tani të ndjerin E.J, pas një fjalosjeje rreth ndaljes së zërit të muzikës.

    Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri J., e kishte sulmuar viktimën me thikë të kuzhinës 5 herë nëpër trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur në Spitalin e Mitrovicës.

    Me këtë, J., akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Aktakuza thotë se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri E.J., pa autorizim ka poseduar një pistoletë.

    Me këtë, akuzohej se e ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Demokracia në SHBA nën presion

    Demokracia në SHBA nën presion

    Që nga marrja e detyrës në janar presidenti i SHBA Donald Trump ka vënë në sprovë shtetin ligjor në disa nivele. Sa e rrezikuar është demokracia amerikane?

    Tre muaj kanë kaluar nga rikthimi i presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Tre muaj në të cilët SHBA jo vetëm po ndryshon me themel brenda vendit, por po tronditen edhe themelet e demokracisë.

    Instituti i njohur Brookings me seli në Uashington identifikoi “çarje të rrezikshme në shtyllat e demokracisë amerikane”. Sulmet kundër këtyre shtyllave të demokracisë po ndodhin në disa nivele. Ja disa shembuj:

    Grindja me universitetet

    “Harvardi është kot, aty mëson urrejtjen dhe marrëzinë dhe nuk duhet të marrë më fonde”. Ky postim i Donald Trumpit në platformën e tij Truth Social është përshkallëzimi i fundit në mosmarrëveshjen mes qeverisë amerikane dhe universiteteve elitare të vendit. Mosmarrëveshja u ndez nga pretendimet se Harvardi dhe universitetet e tjera private në SHBA nuk kishin ndërmarrë veprime të mjaftueshme të rrepta kundër protestave pro-palestineze kundër luftës së Gazës, duke rrezikuar kështu studentët hebrenj.

    Por mosmarrëveshja është përshkallëzuar prej kohësh – tani bëhet fjalë për orientimin e përgjithshëm politik të universiteteve elitare, të cilat administrata Trump i percepton si (tepër) të majta. Në mënyrë që këta të vazhdojnë të marrin fonde federale, duhet të shqyrtohen pikëpamjet politike të studentëve dhe mësuesve dhe të dhënat e pranimit të të gjithë studentëve duhet të vihen në dispozicion të qeverisë.

    Presidenti i Universitetit të Harvardit, Alan Garber i kundërshtoi këto pretendime e kërkesa. Ai e sheh lirinë e kërkimit dhe mësimdhënies në rrezik. Garber deklaroi, se universiteti nuk ishte i përgatitur të hiqte dorë nga pavarësia apo të drejtat e garantuara me kushtetutë.”Asnjë qeveri – pavarësisht se cila parti është në pushtet – nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë dhe cilat fusha studimi dhe kërkimi shkencor mund të ndjekin.”

    Lojë e dyfishtë me drejtësinë

    Sundimi i ligjit dhe respektimi i urdhrave të gjyqakave është një nga gurët e themelit të demokracive perëndimore – por kjo është pikërisht ajo që rrezikohet gjithnjë e më shpesh në SHBA. Së pari, administrata Trump ka injoruar tashmë disa vendime gjyqësore dhe ka kryer dëbime të migrantëve në kundërshtim me urdhrat e gjykatës.

    Rasti i Kilmar Abrego Garcia, i cili u deportua gabimisht në burgun famëkeq të sigurisë maksimale CECOT në El Salvador, u bë veçanërisht i njohur. Gjykata e Lartë kishte urdhëruar qeverinë amerikane të kryente kthimin e shpejtë të Garcias në SHBA. Asgjë nuk është bërë deri më tani, ka kritikuar gjyqtarja federale Paula Xinis në një seancë. Kurse gjyqtarë si James Boasberg, të cilët kundërshtojnë administratën Trump dhe pezullojnë dëbimet e tij të planifikuara, ofendohen publikisht si “radikalë të çmendur të krahut të majtë”. Trump po i kërcënon ata me procedura fajësimi dhe do preferonte më shumë zëvendësimin e këtyre avokatëve me gjyqtarë më të favorshëm për të.

    Në të njëjtën kohë, ai po përdor Departamentin e Drejtësisë për të goditur kritikët e tij. Në javët e para në detyrë u shkarkuan ose transferuan punonjës të shumtë që ishin përfshirë në hetimet kundër tij. Në shkurt, ai urdhëroi shkarkimin e të gjithë prokurorëve federalë të mbetur nga koha e Bidenit dhe u siguroi poste të larta në qeveri disa prej avokatëve të tij. Njëri është tani zëvendësministër i Drejtësisë.

    Trump fali gjithashtu pothuajse të gjithë 1600 personat e dënuar për sulmin në Kapitol më 6 janar 2021. Në Ministrinë e Drejtësisë u vendos Pam Bondi, një mbështetëse partie, absolutisht besnike ndaj tij.

    Kufizimet e para të lirisë së shtypit

    Raportimi kritik për të ka qenë prej kohësh halë në sy për Donald Trump. “Ata janë të korruptuar dhe të paligjshëm,” u shpreh presidenti amerikan kundër transmetuesve të mëdhenj amerikanë si CNN dhe MSNBC në një fjalim në Departamentin e Drejtësisë në mes të marsit. Trump i akuzoi ata se raportonin negativisht për të në “97.6 për qind të rasteve” dhe se ishin “krahu politik i Partisë Demokratike”. Që gjatë fushatës zgjedhore, ai kishte kërcënuar se do t’u tërheqë licencat transmetuesve të padëshiruar.

    Trump ka ndërprerë plotësisht fondet për median ndërkombëtare amerikane Zëri i Amerikës dhe Radio Liberty – ato po përballen me mbyllje. Administrata e Trump revokoi gjithashtu akreditimin e agjencisë së lajmeve AP për dhomën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë sepse refuzoi t’i referohej Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës”, siç kishte kërkuar Trump. Edhe një herë, një gjykatë e kishte shpallur këtë të papranueshme – dhe një herë tjetër, qeveria amerikane e injoroi atë; gazetarët e AP duhet të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë.

    Transformimi i aparatit shtetëror

    Kur Trump deklaroi në fjalimin e tij në Kongres se “ditët e burokratëve të pazgjedhur në pushtet” kishin mbaruar, ai shkaktoi të qeshura tallëse tek demokratët. Në fund të fundit, është pikërisht Elon Musk, këshilltari presidencial që asnjëherë nuk është legjitimuar në mënyrë demokratike, e i cili që nga janari do duhet t’i bëjë administratat dhe autoritetet amerikane më efikase dhe të ndalojë shpenzimet e panevojshme, sipas kërkesës së Trump. “Ata nuk shkojnë në agjenci dhe departamente që bëjnë gjëra që u pëlqejnë. Ata shkojnë në institucione publike me të cilat nuk pajtohen,” kritikoi Douglas Holtz-Eakin, ish-drejtor i Zyrës së Buxhetit të Kongresit, në shkurt.

    Shkurtime masive u bënë tek autoritetet tatimore, mjedisore dhe shëndetësore, në Pentagon dhe ministri të tjera. Programet e diversitetit dhe përfshirjes sociale të perceptuara si “shpërdorim i parave të taksave nga të majtët” u ndaluan, u zvogëluan rregulloret mjedisore dhe shpenzimet sociale dhe shëndetësore u reduktuan në mënyrë drastike. Agjencia e zhvillimit USAID dhe agjencitë e tjera u shpërbënë – në kundërshtim me opinionet se duhet së pari të konsultohet Kongresi Amerikan.

    DOGE dyshohet gjithashtu për përdorimin e inteligjencës artificiale për të spiunuar zyrtarët qeveritarë. Të paktën një agjenci federale thuhet se ka monitoruar komunikimet e brendshme në këtë mënyrë – gjoja me qëllim të filtrimit dhe shkarkimit të punonjësve që bënë komente jo besnike ndaj Trump. Kritikët e kësaj qasjeje flasin edhe për një “spastrim politik” të aparatit shtetëror. /DW

  • Pashka, festë dhe fushatë për Sali Berishën, dy premtimet për komunitetet fetare

    Pashka, festë dhe fushatë për Sali Berishën, dy premtimet për komunitetet fetare

    Kreu i Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Sali Berisha zgjodhi të vizitojë Kishën Ortodokse të Kavajës me rastin e festës së Pashkës, një ngjarje shumë e rëndësishme në kalendarin e Krishterë.

    Ish-kryeministri pasi uroi festën për gjithë besimtarët bëri dhe dy premtime për komunitetet fetare që do të realizohen nëse ai fiton në zgjedhjet e 11 majit.

    “Gëzuar të gjithë besimtarëve ortodokse. Jam i nderuar të jem këtu. Pas Krishtit mbret besimet fetare kanë ringjalljen e dytë në Shqipëri. Meritat tuaja janë të mëdha. E ngritët nga hiri në kushte të vështira. Psikologjia ateiste është fatkeqe për njeriun, e përjashton atë nga disa shtylla bazë të ndërgjegjes. Përkushtimi ndaj Zotit dhe njeriut bëri që këto institucione të ngrihen nga shkrumbi dhe janë një institucion i rëndësishëm. Kudo dora e Kishave dhe Xhamive e Teqeve tek ata që janë në gjendje të pamundur është reale me të gjitha mundësitë.

    Ne do të bëjmë dy gjëra. Do dyfishojmë fondin për komunitetet fetare. Ky fond ka mbetur aty ku ishte. Është e domosdoshme të dyfishohet. Brenda mandatit që vjen, ne do të zgjidhim problemin e pronave për institucionet fetare dhe gjithë shqiptarët. Ne kemi marrë angazhim që çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar të gjithë potencialin e shtetit”, tha Berisha. /A2CNN/

  • Përurohet sot Mitropolia e parë Ortodokse Shqiptare e Kosovës

    Përurohet sot Mitropolia e parë Ortodokse Shqiptare e Kosovës

    Në Prishtinë përurohet sot Mitropolia e parë Ortodokse Shqiptare e Kosovës, në një ceremoni inaugurimi të drejtuar nga kryepeshkopi i parë i Kosovës, Nikollë Xhufka.

    Xhufka i ka thënë Radio Kosovës se hapja e kjo shënon një kapitull i ri për vendin dhe Kishën autoqefale shqiptare të Kosovës.

    “Nga sot në këtë ditë të pashkësh fillon një kapitull i ri për besimtarët ortodoks shqiptarë në Kosovë. Po ashtu për vetë Republikën e Kosovës është me rëndësi që ta ketë Kishën e vetë Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, ka thënë Xhufka.

    Xhufka ka thënë se hapja e Mitropolia e parë Ortodokse Shqiptare e Kosovës është si rezultat i vetëdijesimit të komunitetit në Kosovë.

    “Shqiptarët e Kosovës kanë pasur nevojë për këtë ngjarje që po ndodhë në një ditë si kjo Pashkësh. Por është me rëndësi për besimtarët që të kenë para së gjithash atdheun e tyre”, ka shtuar Xhufka.

    Kisha do të jetë e vendosur në lagjen Ulpiana një Prishtinë dhe peshkopi Xhufka ka thënë se do të kërkojë që komuniteti shqiptar ortodoks të përfshihen në legjislacionin që rregullon pozitën juridike të bashkësive fetare.

  • OVL kujton të rënët nga masakrat në Makoc dhe në Hallaq të Vogël

    OVL kujton të rënët nga masakrat në Makoc dhe në Hallaq të Vogël

    Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kujtuar masakrat që u bënë më 19 dhe 20 prill të vitit 1999, në Makoc të Prishtinës dhe në Hallaq të Vogël të Lipjanit.

    Në një njoftim të lëshuar për media OVL UÇK bën të ditur se më 19 dhe 20 prill 1999, Kosova përjetoi dhimbje të thellë dhe krenari të përjetshme,ndërsa forcat pushtuese serbe vazhduan ofensivën dhe masakrat ndaj popullatës civile.

    “Në Makoc të Prishtinës, më 20 prill 1999, u masakruan 42 civilë të pafajshëm. Në Hallaq të Vogël të komunës së Lipjanit, po atë ditë, u masakruan 20 civilë shqiptarë, prej të cilëve 3 ishin nga vende të tjera”.

    “Në këto dy ditë të lavdisë dhe dhimbjes, ranë dëshmorë në frontin e Koshares, Bjeshkët e Rugovës dhe Zonën e Marecit, duke vulosur me gjakun e tyre rrugën e çlirimit të vendit”, thuhet tutje.

  • Besimtarët kremtojnë Pashkët, Papa Françesku pritet të marrë pjesë në festimet në Vatikan

    Besimtarët kremtojnë Pashkët, Papa Françesku pritet të marrë pjesë në festimet në Vatikan

    Besimtarët e krishterë dhe ortodoksë në mbarë botën kremtojnë festën e Pashkëve të dielën. Papa Françesku pritet të marrë pjesë në festimet për Pashkë në Vatikan të dielën, vetëm disa javë pasi doli nga spitali ku u trajtua për pneumoni.

    Ati i Shenjtë kishte qëndruar në spital për 38 ditë.

    Afër 300 kardinalë, ipeshkvij dhe priftërinë do të marrin pjesë në meshën e Pashkëve të dielën në Vatikan, në festën kur besimtarët përkujtojnë ringjalljen e Jezu Krishtit.

    Në Vatikan pritet të ketë turma më të mëdha se zakonisht për shkak të Jubileut, “Vitit të Shenjtë” në Kishën Katolike që ndodh çdo çerekshekulli dhe tërheq mijëra pelegrin në Vatikan.

    Kardinali italian, Giovanni Battista Re, udhëhoqi meshën solemne të Pashkëve të shtunën mbrëma në bazilikën e Shën Pjetrit, në vend të Papa Françeskut. Papa është urdhëruar nga mjekët që të pushojë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe ai mori pjesë vetëm në një ngjarje gjatë Javës së Shenjtë, kur vizitoi një burg në Romë.

    Besimtarët në Kosovë po ashtu po kremtojmë Pashkët. Të shtunën mbrëma, besimtarët morën pjesë në meshën solemne të Pashkëve në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Mesha u udhëhoq nga ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për paqe dhe pajtim në mbarë botën. Ndërkaq, mesha e Pashkëve do të mbahet në po këtë katedrale në dielën.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët e krishterë dhe ortodoksë për festën e Pashkëve.

    “Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

    Pashkët e këtij viti përkojnë në të njëjtin fundjavë si në degët katolike dhe protestante të krishterimit, që ndjekin kalendarin gregorian, ashtu edhe në degën ortodokse, e cila ndjek kalendarin julian. /REL

  • Astronauti më i vjetër amerikan kthehet në Tokë në ditëlindjen e 70-të

    Astronauti më i vjetër amerikan kthehet në Tokë në ditëlindjen e 70-të

    Astronauti më i vjetër në shërbim i Amerikës, Dan Pettit, është rikthyer në Tokë në ditëlindjen e tij të 70-të.

    Kapsula hapësinore Soyuz MS-26 që mbante Pettit dhe shokët e tij rusë të ekuipazhit Alexey Ovchinin dhe Ivan Vagner bëri një ulje me parashutë në Kazakistan në orën 06:20 me oën lokale, të dielën.

    Ata kaluan 220 ditë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), duke bërë fluturim orbital rreth Tokës 3520 herë, tha agjencia amerikane e hapësirës NASA.

    Për Pettit – i cili tani ka kaluar gjithsej 590 ditë në hapësirë ​​- ishte misioni i tij i katërt.

    Megjithatë, ai nuk është personi më i vjetër që ka fluturuar në orbitë – ky rekord i takon John Glenn, i cili në moshën 77-vjeçare fluturoi në një mision të NASA-s në vitin 1998. Ai vdiq në vitin 2016, shkruan BBC.

  • Arrestohen dy burra në Prishtinë, e sulmuan fizikisht një grua

    Arrestohen dy burra në Prishtinë, e sulmuan fizikisht një grua

    Dy burra janë arrestuar në rrugën “Kadri Zeka” në Prishtinë të shtunën, pasi dyshohet se e kanë sulmuar fiziksht një grua, pas një mosmarrëveshjeje.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.