ATV

Category: Lajme

  • Policia për aksionin në Kaçanik: Është në lidhje me vrasjen e policit Muhamed Lika

    Policia për aksionin në Kaçanik: Është në lidhje me vrasjen e policit Muhamed Lika

    Policia e Kosovës konfirmoi se aksioni i zhvilluar herët në mëngjes në Kaçanik është i ndërlidhur me vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.

    “Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

    Njësia Speciale, së bashku me hetues të krimeve të rënda, ka bastisur një barnatore në këtë qytet, nën dyshimet për veprimtari të paligjshme që mund të jenë të lidhura me hetimet për vrasjen që tronditi opinionin publik.

    Më herët, Prokuroria kishte bërë të ditur se nga kamerat e sigurisë është parë që dy persona të rinj kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të rreshterit Lika, duke e lënë të vdekur. Motivet e vrasjes vazhdojnë të mbesin të paqarta, ndërsa autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Moti sot me diell e vranësira, temperaturat arrijnë 26 gradë

    Moti sot me diell e vranësira, temperaturat arrijnë 26 gradë

    Moti sot parashihet me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas IHMK-së, vranësirat gjate ditës vende- vende mund te sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9 -12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 23-26 gardë Celsius.

    Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-6m/s.

  • Telekomi nuk ia kthen shtetit këstin e parë të kredisë 6-milionëshe

    Telekomi nuk ia kthen shtetit këstin e parë të kredisë 6-milionëshe

    Përgatiti: Armand Hoti

    Telekomi i Kosovës, nuk e ka paguar ende asnjë këst të kredisë gjashtë milionëshe, që mori nga Qeveria në vitin 2022.

    Parat ishin dedikuar për “pakon vullnetare”, që mundësoi largimin nga puna të 302 punëtorëve tepricë.

    “Këstin e parë, kemi pasur ta paguajmë në dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo pasi u bllokuan llogaritë, nuk arritëm ta paguajmë dhe planifikojmë ta paguajmë tash”, tha drejtori Financiar në Telekom, Feim Kelmendi.

    Gjysma e kredisë për këtë pako, planifikohet të kthehet këtë vit.

    Telekomi e ka aktive edhe një kredi tjetër 20 milionëshe, që u shpenzua për investime në teknologji. Këstin e parë, duhet ta paguaj në vitin që vjen.

    Së fundmi, ndërmarrjes iu aprovua edhe një kredi 10 milionëshe nga qeveria në detyrë.

    Mjetet do të shpenzohen për t’i mbuluar detyrimet tatimore dhe ato ndaj kontraktorëve, meqë llogaritë e Telekomit, janë të bllokuara për shkak të një kontesti përmbarimor.

    Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, mbështet ndihmën për Telekomin, porse sipas tij, është dashur të pritet edhe pak.

    “Mendoj që ky vendim është dashur të shtyhet së paku për 1 muaj apo pak më shumë, derisa qeveria e re të krijohet dhe ta sheh orientimin e ndërmarrjes”, tha Qerimi.

    Totali 36 milionësh, duhet të kthehet deri në vitin 2030.

    “Prej vitit të ardhshëm deri në vitin 2030, është mesatarja mujore që duhet të kthehen, e që besoj se kompania e ka këtë kapacitet”, tha Kelmendi.

    Vitin 2023 dhe vitin 2024, Telekomi e mbylli me rreth shtatë milion euro fitim secilin.

  • Një i vdekur dhe një i lënduar në rrugën Prishtinë – Ferizaj

    Një i vdekur dhe një i lënduar në rrugën Prishtinë – Ferizaj

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Plagëve që i mori kur u aksidentua në rrugën Prishtinë – Ferizaj, nuk arriti t’iu mbijetoj një 30 vjeçar, andaj vdiq.

    Bashkudhëtari I tij, u lëndua rëndë derisa trajtimin po e merr në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Sot rreth orës 04:30,ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Prishtinë- Ferizaj, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur.

    Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Punë njësitit të trafikut rrugorë iu doli edhe me 47 aksidente që nga to 27 ishin me të lënduar.

    Shkaktarët e aksidenteve të ndryshme ende nuk dihet, andaj njësiti rrugorë u angazhua që të hetoj rastet.

    Por sipas policisë përdorimi I telefonit qe shkaktar për 50% të aksidenteve.

    “Aksidentet me për 50 përqind shkaktohen nga përdorimi i telefonit, policia është aktivizuar kemi hartuar planin operativ, dhe bëjë apel të gjithë vozitësve mos ta përdorin telefonin, mos të shkaktojnë probleme”, tha Vedat Zuka, shefit të Njësisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë.
    Veç të dielën sipas Shefit të Njësisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Vedat Zuka u gjobitën 60 qytetarë.

    “Vetëm ditën e diel janë shqiptuar afër 60 gjobave për përdorim të telefonit , po flas vetëm në kryeqytet pa pjesët tjera përreth e qytetet tjera. Arsyet janë disa të aksidenteve të natyrave të ndryshme por në mesin e arsyeve janë edhe përdorimi i telefonit”, tha Zuka.

    Veç kësaj policia e Kosovës për 24 orët e fundit shqiptoi hiq më pak se 2172 gjoba.

  • Rriten subvencionet, zvogëlohen shpenzimet kapitale

    Rriten subvencionet, zvogëlohen shpenzimet kapitale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    47% me 18% ishte bilanci i buxhetit të shtetit mes Subvencioneve dhe Transfereve, me shpenzimet kaputale, për vitin e kaluar.

    Pak a shumë ky është trendi i shpenzimit të parasë publike për katër vjet, nga qeveria që tash është në detyrë. Madje më 2022, shpenzimet kapitale ishin gati katër herë më të vogla se subvencionet dhe trasnferet. Por raport i tillë ishte edhe më 2020, në qeverinë Hoti, kur ishte edhe kohë pandemie.

    Ekonomistët vlerësojnë se qeveria Kurti kishte tjetër qasje ndaj menaxhimit të parasë publike.

    “Vendi dhe ekonomia zhvillohen me projekte kapitale, infrastrukturore që hap vende të reja të punës dhe krijon stabilitet. Sigurisht do të kishin impakt pozitiv, do kishte të hyra më shumë si për buxhetin, si për ngritjen e cilësisë së jetës dhe me siguri do të kishte rritje ekonomike”, tha Jakup Bellaqa, ekonomist.

    Në disa raste, pati kritika se subvencionet nuk patën ndikim real në zhvillim ekonomik.

    “Qeveria Kurti e ka orientuar buxhetin jo në interes publik por në interesa tjera të caktuara që e kanë lidhur me interesin e qeverisë e në veçanti duke i harxhuar mjetet pa planifikim dhe duke mos harmonizuar objektiven e përmbajtjes me qeverisjen e tij”, tha Kenan Gashi nga OJQ “Avonet”.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, viti kur pati më së shumti shpenzime kapitale ishte 2008-ta, me 40%, në raport me subvencionet dhe transferet që ishin 28%.

  • Nga rrënimi në restaurim, vendoset për fatin e objektit të ish-Gjykatës në Vushtrri

    Nga rrënimi në restaurim, vendoset për fatin e objektit të ish-Gjykatës në Vushtrri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    ’Në mars të vitit 2021, Komuna e Vushtrrisë, atëkohë e udhëhequr nga Xhafer Tahiri i LDK-së, kishte filluar rrënimin e këtij objekti në të cilin dikur ishte e vendosur gjykata themelore, me qëllim që ta lirojë hapësirën për zgjerim të sheshit. Por atë ditë Ministria e Kulturës ia kishte ndalur punimet pasi pati thënë se duhet bërë një vlerësim për të parë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe statusin e ndërtesës në fjalë.

    ’Që nga ajo kohë ky objekt në njëfarë forme është shndërruar në deponi mbeturinash por njehërit edhe strehë për narkotik. Kjo në fakt ka qenë edhe brenga kryesore e komunës që tash udhëhiqet nga Ferit Idrizi, që qe peng e një përgjigje nga ministria e kulturës për të ndërmarrë hapa të mëtejmë.

    Paralel me këto, qe edhe rreziku i shembjes në objektin gjysmë të rrënuar.

    Fiks 4 vjet iu deshën Ministrisë së kulturës që ta marr një vendim lidhur me fatin e këtij objekti. Ky dikaster qeveritar rishtazi ka marrë vendim për restaurimin e këtij objekti, derisa thanë se kanë filluar edhe me procedurat e prokurimit.

    Është e paraparë që komplet objekti të rikonstruktohet, pra prej rikonstruksionit të kulmit fasadën e jashtme, brenda komplet dhe ka me qenë një objekt shumë i kompletuar.

    Interesimi i komunës për ta përfunduar këtë projekt ishte kaherë, saqë ofroi edhe mjete financiare për ministrinë.

    “Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë edhe për qendrën për trashëgimi kulturore në Mitrovicë, kemi gjetur një gjuhë të përbashkët për të vazhduar me punimet…”, tha Nexhat Merovci, inxhinier i projektit.

    Një lajm i tillë u mirëprit edhe nga qytetarët e Vushtrrisë.

    E realizimi i punimeve deri në përfundimin e tërësishëm të këtij objekti pritet të marr kohë afërsisht dy vjet, e që komuna ende nuk e ka ndarë mendjen se për çfarë do të shërbej pasi të kompletohet.

  • Festohen Pashkët Katolike në Kosovë

    Festohen Pashkët Katolike në Kosovë

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Me lutjet për paqe dhe dashuri mes njëri tjetrit, filloi mesha ceremoniale e Pashkëve në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

    Famullitari, Don Agim Qerkini u shpreh se me lutjet e tyre, të kujtojnë të moshuarin, të vetmuarin e të sëmurin që Zoti me anë të lutjeve t’i forcojë në vështirësi të jetës.

    “Populli ynë dhe i gjithë njerëzimi, sot kanë shumë nevojë për një paqe të vërtetë, të trefishtë me Zotin, të afërmin, me vetveten, ta lusim Krishtin që paqja e tij të mbretërojë në mbarë botën…”, tha Qerkini.

    Në fjalimin e tij drejtuar besimtarëve, tregon arsyen për pjesëmarrjen e gjithë këtyre besimtarëve në meshë.

    “Besojmë në një Zot të gjallë, dhe jo vetëm por të gjallë e të pranishëm në mesin tonë. Mëngjesi i kësaj dite thirret në disa shprehje…”, tha Qerkini.

    Ndërsa, edhe mbrëmë ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë, në po të njëjtin vend.

    “Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit”, tha Gjergji.

    Pas meshës solemne, nga ora 19:00 është planifikuar edhe pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

    Pashkët, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik i Kishës Katolike dhe i kishave të tjera të krishtera, të cilat kremtojnë Ringjalljen e Jezusit.

  • A është legjitime njohja e pavarësisë së Kosovës nga Sudani?

    A është legjitime njohja e pavarësisë së Kosovës nga Sudani?

    Si njohjet e tjera të pavarësisë së Kosovës, edhe ajo nga Sudani nxiti kundërshtime nga liderë të Serbisë. Por, këtë herë argumenti i Serbisë nuk përfshinte vetëm pretendim se po shkelej Rezoluta 1244. Atëherë, pse u kontestua vlefshmëria e kësaj njohjeje?

    Më 12 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se Sudani u bë shteti i 119-të që e njohu pavarësinë e Kosovës.

    Vetëm rreth 24 orë më vonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e “pushtetit aktual” në Sudan për të marrë vendime të tilla.

    Çfarë po ndodh në Sudan?

    Në dy vjetët e fundit, Sudani është përballur me atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e quan krizën më të madhe të urisë në botë. Dhjetëra mijëra njerëz jane vrarë dhe mbi 13 milionë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

    E gjitha kjo është shkaktuar nga lufta për pushtet mes shefit ushtarak, Abdel Fattah al-Burhan, dhe ish-zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Dagalo, që tani udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

    Presidentja Osmani siguroi njohjen e pavarësisë gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousif Ahmed Al Sharif, i cili është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Al-Burhani.

    Që prej atëherë, kundështarët e tyre, RSF-ja e udhëhequr nga Dagalo, ka njoftuar se është duke formuar një qeveri të sajën për Sudanin, me të cilën do të udhëheqë në rajonet që kontrollohen prej saj.

    Dagalo – i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja për akuza se forcat e tij kanë kryer gjenocid në Darfur të Sudanit – tha më 16 prill se ai dhe aleatët e tij po krijojnë “një këshill presidencial me 15 anëtarë” që përfaqëson të gjitha rajonet e Sudanit.

    Ky vendim nuk është mirëpritur nga OKB-ja, që menjëherë doli me reagim se prioritet duhet të jetë ruajtja e unitetit dhe sovranitetit të Sudanit dhe se krijimi i një qeverie paralele nuk ndihmon drejt zgjidhjes së problemit.

    Përpjekja e RSF-së për të krijuar qeveri paralele është kundërshtuar edhe nga shumë shtete, përfshirë SHBA-në.

    Serbia ka aluduar në këtë situatë politike në Sudan kur vuri në pikëpyetje legjitimitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Megjithatë, edhe pas fillimit të luftës më 15 prill të vitit 2023 në Sudan, kabineti i liderit “de facto” të Sudanit, Al-Burhanit, ka vazhduar të luajë rolin e tij të zakonshëm.

    Vetë ministri i Jashtëm, Al Sharif, i cili konfirmua njohjen e pavarësisë nga Sudani në takimin me Osmanin, gjatë këtij viti ka mbajtur takim edhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrovin.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, gjatë këtij takimi ishte diskutuar për “mënyra për forcimin e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Sudanit në fusha të ndryshme”.

    Si reagon zakonisht Serbia ndaj njohjeve të pavarësisë së Kosovës?

    Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, Serbia vazhdimisht ka kundërshtuar njohjet e pavarësisë së Kosovës nga vendet e treta duke u thirrur në respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Serbia argumenton se kjo Rezolutë parasheh që statusi i Kosovës të zgjidhet përmes bisedimeve me Serbinë dhe të ketë vetëqeverisje të përkohshme nën mbikëqyrje të Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

    Por, më 2010, Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.

    Këtyre reagimeve të Serbisë, Kosova i është përgjigjur me thirrje ndaj Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për adresim të deklaratave të Serbisë, që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) i cilëson shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

    MPJD-ja bazohet në dy nene të Marrëveshjes së Brukselit, të cilat obligonin Kosovën dhe Serbinë të ““zhvillojnë marrëdhënie normale, fqinjësore të mira me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta” dhe që përcaktonte se Serbia “nuk do ta bllokojë dhe as nuk do t’i inkurajojë të tjerët të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

    “Përpjekja e Serbisë për të diskredituar vendimin sovran të Sudanit është jo vetëm shkelje e angazhimeve të saj në kuadër të dialogut, por edhe një fyerje ndaj sovranitetit të Sudanit dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e MPJD-së, të publikuar më 15 prill.

    Reagime dhe kundërreagime të ngjashme ishin shkaktuar edhe pas njohjes së pavarësisë nga Kenia në fund të muajit mars të këtij viti.

    Serbia ishte thirrur në Rezolutën 1244, ndërsa Kosova i ishte përgjigjur se po shkel Marrëveshjen e Brukselit.

    Eksperti Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, kishte thënë se shpreson që njohja nga Kenia të jetë “pikë kthese” në diplomacinë e Kosovës, pasi njohja paraprake kishte qenë ajo nga Izraeli më 2021.

    “Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, kishte thënë Visoka për REL-in. /REL/

  • Papa takohet me nënpresidentin amerikan

    Papa takohet me nënpresidentin amerikan

    Papa Françesku ka zhvilluar një takim privat mëngjesin e së dielës në Vatikan me nënpresidentin amerikan, JD Vance, njoftoi Selia e Shenjtë.

    Vance, besimtar katolik i cili ishte përplasur me Papën lidhur me politikat për emigrantët të administratës të presidentit, Donald Trump, u takua me Françeskun në rezidencën e tij në Vatikan dhe uruan njëri-tjetrin për festën e Pashkëve, u tha në njoftimin e Vatikanit.

    “Papa Françesku zhvilloi një takim të shkurtër privat, që zgjati disa minuta, dhe të dy shkëmbyen urimet për ditën e Pashkëve”, u tha në njoftim.

    Papa dhe zyrtarë të Vatikanit kanë kritikuar disa nga politikat e administratës Trump, përfshirë planet për të dëbuar miliona emigrantë nga SHBA-ja dhe shkurtimet e mëdha për ndihmat e huaja dhe për programet sociale brenda vendit.

    Françesku e ka cilësuar “të turpshme” shtypjen e emigracionit. Vance, i cili u bë katolik më 2019, ka cituar mësimet e Kishës Katolike, të epokës mesjetare, për të justifikuar këtë politikë.

    Papa i është përgjigjur konceptit teologjik, që ka përdorur Vance për të mbrojtur këtë qasje, në një letër të hapur drejtuar ipeshkvijve katolikë amerikanë në shkurt, ku e quajti planin e Trumpit një “krizë të madhe” për Shtetet e Bashkuara.

  • Operacion i madh policor pas vrasjes së dy personave në Gjermani

    Operacion i madh policor pas vrasjes së dy personave në Gjermani

    Një operacion i madh policor po zhvillohet në Gjermani për gjetjen e një apo më shumë sulmuesve të armatosur që vranë dy persona një ditë më parë, njoftoi policia.

    Trupat e dy viktimave, që të dy të vrarë me armë zjarri, u gjetën para një adrese banimi në Bad Nauheim, qytezë në veri të Frankfurtit të shtunën pasdite, tha policia gjermane.

    “Një forcë e madhe policore është dislokuar”, ku përfshihen edhe policë të pauniformuar, degë të forcave speciale, të cilët po mbështeten nga helikopterë, për gjetjen e sulmuesit apo sulmuesve.

    “Bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk ka rrezik për banorët apo për persona të tjerë”, tha policia gjermane.

    Sipas autoriteteve, ende nuk dihen “rrethanat apo motivi” i autorëve të vrasjeve, teksa prokurorët dhe policët kanë nisur hetimet.

    Bad Nauheim gjendet 25 kilometra në veri të Frankfurtit dhe ka një popullsi prej afër 33.000 banorësh. Qyteti njihet në mbarë botën pasi aty Elvis Presley kishte kryer shërbimin ushtarak nga viti 1958 deri më 1960 dhe ku këngëtari ishte njohur me gruan e tij, Priscilla Presley. /REL