ATV

Category: Lajme

  • Të paktën 9 të vdekur në Vankuver pasi vetura godet turmën gjatë festivalit

    Të paktën 9 të vdekur në Vankuver pasi vetura godet turmën gjatë festivalit

    Të paktën nëntë njerëz kanë vdekur në Vankuver pasi një veturë e shtypi turmën e njerëzve në një festival rrugor në qytetin perëndimor të Kanadasë, njoftoi policia të dielën.

    Policia tha se e ka arrestuar një 30-vjeçar nga Vankuveri në vendin e ngjarjes dhe se i dyshuari është “i njohur” për ta, por nuk dha më shumë hollësi. I dyshuari fillimisht ishte ndaluar nga njerëzit në vendin e ngjarjes.

    “Në këtë çast, jemi të bindur se ky incident nuk ishte akt terrorizmi”, tha policia e Vankuverit në një postim në X.

    Incidenti ndodhi pak pas orës 20:00, me kohën lokale, pranë një rruge ku po zhvillohej Festa e Ditës së Lapu Lapu, në nderim të një heroi kombëtar filipinas.

    Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha në X: “Jam i shkatërruar nga lajmi për ngjarjet tragjike në festivalin Lapu Lapu në Vankuver këtë mbrëmje”.

    Jagmeet Singh, udhëheqës i Partisë Demokratike të Re të Kanadasë, ishte në mesin e pjesëmarrësve në këtë festival, por u largua disa minuta para se automjeti të mbërrinte, raportoi CTV News.

    “Është e tmerrshme, nuk di çfarë të them”, citohet Singh nga CTV. “Isha aty dhe më shfaqen në mendje fytyrat e fëmijëve që pashë duke buzëqeshur dhe kërcyer”.

    Një dëshmitar, i cili nuk dëshiroi të identifikohej, tha se kishte parë rreth 15 persona të shtrirë në tokë pasi një veturë e zezë shtypi turmën me shpejtësi. Dëshmitari tha se drejtuesi i mjetit kishte tentuar të arratisej, por ishte ndjekur nga pjesëmarrësit e festivalit dhe ishte mbajtur pranë një gardhi për rreth 10 minuta deri sa mbërriti policia.

    Gazeta Vancouver Sun raportoi se mijëra njerëz ndodheshin në atë zonë.

  • Gashi: Të gjitha partitë, duke filluar nga Vetëvendosje të bëhen më të përgjegjshme

    Gashi: Të gjitha partitë, duke filluar nga Vetëvendosje të bëhen më të përgjegjshme

    Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se pret që Lëvizja Vetëvendosje të bëhet më e përgjegjshme për kapërcimin e bllokadës së krijuar në Kuvend, raporton EO.

    “Është tentim i radhës për të zgjedhur kryetaren apo kryetarin e Kuvendit. Duket që jemi në një bllokadë. Është për keqardhje situata, por pres që të gjitha partitë politike, duke filluar nga Vetëvendosje të bëhen më të përgjegjshme dhe të gjendet një zgjidhje. Mendoj se presidentja në këtë rast nuk ka kompetenca. Është çështje kryekëput e partive politike dhe e Kuvendit”, tha Gashi.

  • Murati: Ata që votojnë kundër zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit bëjnë bllokadë

    Murati: Ata që votojnë kundër zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit bëjnë bllokadë

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se ata që votojnë kundër zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit bëjnë bllokadë, raporton EO.

    “Nuk u arrit që të realizohet me sukses konstituimi i Kuvendit. Ne si parti fituese kemi kryer obligimin tonë kushtetues, duke propozuar kandidatin dhe duke votuar për. Me votë për nuk bëhet bllokadë. Më votë kundër bëhet bllokada. Ne vazhdimësi kanë qenë 57 vota për dhe janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet pakicë. Ne sot e pamë një ndryshim që tek votat kundër pati një rënie. 46 vota kundër kanë qenë herën e kaluar, sot ishin 41 vota kundër. Ftesa ka qenë publike nga kryesuesi i seancës. Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë sa herë që na ofrojnë. Janë subjektet e tjera që kundërshtojnë dhe nuk marrin pjesë”, tha Murati.

  • Limaj: Shpresoj se do të reflektohet për ndërtim të një shumice në Parlament dhe Qeveri

    Limaj: Shpresoj se do të reflektohet për ndërtim të një shumice në Parlament dhe Qeveri

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se është parë mjaftueshëm ngërçi në Kuvend dhe se tash pret reflektim që të krijohet një shumicë në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë.

    “Deri sot ka pasur afat të thirret seanca. Sot po shohim njëfarë konfuzioni. Kuvendi ka pasur obligim brenda muajit të thirret. Duhet të krijohet shumica parlamentare që të zgjedhë edhe Kuvendin, edhe Qeverinë. Shpresoj që mjaftueshëm është parë dhe shtresuar dhe po shpresoj se do të reflektohet dhe do të ketë kapacitete për të ndërtuar një shumicë qeverisëse që reflektohet edhe në Parlament, edhe në Qeveri”, tha Limaj.

  • Daut Haradinaj: Jemi për zgjidhje sa më shpejt që është e mundshme

    Daut Haradinaj: Jemi për zgjidhje sa më shpejt që është e mundshme

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se janë për gjetjen e një zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit, raporton KO.

    “Jemi për të bërë zgjidhje, sa më shpejt që është e mundshme”, tha ai.

    Megjithatë, Haradinaj tha se zgjidhja e kësaj çështjeje i takon LVV-së.

    “Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje”, tha ai.

    Haradinaj tha se “do të ishte shumë e udhës që presidentja t’i ftonte partitë parlamentare në një takim”.

    Ai tha se duket se VV nuk e ka qëllim zhbllokimin e Kuvendit.

  • Bajrami: E vetmja zgjidhje marrëveshja politike, LDK s’e voton asnjë kandidat

    Bajrami: E vetmja zgjidhje marrëveshja politike, LDK s’e voton asnjë kandidat

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se e vetmja zgjidhje për të dalë nga ky ngërq i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është arritja e një marrëveshjeje politike, raporton EO.

    Ajo pas seancës tha se LDK nuk do të votojë as Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër.

    “Jam këtu për të shpehur shqetësimi që Vetëvendosje për herë të shtatë po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ne nuk kemi vota për Haxhiun e as për ndonjë kandidat tjetër. Konstituimi bëhet me marrëveshje politike. Po e shohim se VV edhe pse nuk i ka votat po mundohet që t’i marrë të gjitha institucionet. Ne insistojmë që duhet marrëveshje politike për t’i bërë 61 vota për kryetar të Kuvendit”, tha Bajrami.

  • Kadrijaj: Qëllimisht e përsërisin kandidimin e Haxhiut, kaq vota i kanë edhe për qeveri

    Kadrijaj: Qëllimisht e përsërisin kandidimin e Haxhiut, kaq vota i kanë edhe për qeveri

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pas dështimit të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive, tha se për të zhbllokuar këtë situatë është e nevojshme që të përfshihet edhe presidentja Vjosa Osmani, në mënyrë që kjo çështje të mos shkojë në pafundësi, raporton EO.

    “57 votat e famshme po përsëriteën. Kaq vota i ka edhe për qeveri. Me kandidaten po do ta bllokojë. Këta qëllimshem po e bëjnë me kandidaten. Duke e parë që Haxhiu nuk i ka votat po e përsërisin me qëllim të bllokimit të konstituimit të Kryesisë së Kuvendit që të mos kalojmë në fazën e dytë që është zgjedhja e qeverisë. Duhet të ndërhyjë edhe presidentja në bazë të përgjegjësive ligjore që ka, që të mos shkoj kjo në pafundësi”, tha Kadrijaj.

  • Abdixhiku pas dështimit të seancës: LVV të bëjë zgjidhje pasi e ka një shumicë minimale

    Abdixhiku pas dështimit të seancës: LVV të bëjë zgjidhje pasi e ka një shumicë minimale

    Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se I takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë zgjidhje, pasi me partitë tjera e ka një shumicë minimale.

    Ai pas dështimit të shtatë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk e di pse LVV nuk po bën zgjidhje.

    “I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e votojnë”, tha ai.

    Për të shtatën herë me radhë ka dështuar të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, sërish ka nominuar Albulena Haxhiut si kryeparlamentare, mirëpo ajo sërish mori vetëm 57 vota për, nga 61 vota të nevojshme për të marrë këtë post.

    Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

    Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

  • Krasniqi: Nuk mbahet shteti peng për një njeri, Albulena Haxhiu nuk kalon!

    Krasniqi: Nuk mbahet shteti peng për një njeri, Albulena Haxhiu nuk kalon!

    Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, tha se Vetëvendosje me forcë po dëshiron që të bëjë kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu, raporton EO.

    Pas dështimit të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive, Krasniqi tha se kjo bllokadë është e qëllimshme nga ana e Vetëvendosjes, pasi Albin Kurti, sipas tij, nuk po mund t’i bëjë votat për kryeministër dhe me këtë rast është duke e sakrifikuar deputeten Haxhiu.

    “Nuk kalon Albulena Haxhiu. Rruga e vetme drejt zhbllokimit është që ata të tërhiqen nga kandidatja. Nuk mbahet shteti peng për një njeri. Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet. Në anën tjetër, ka veprime të institucioneve, siç ka qenë rasti i ZRRE-së. Ne po e shohim se ata numrat nuk i kanë. Bllokada është më shumë për Albin Kurtin. Së paku janë dy emra që mund të kalojnë. S’ka vota për Albin Kurtin para se gjithash. Për këtë është duke mbajtur peng këtë gjendje. Nuk na takon neve t’i themi presidentes se çka të bëjë. Ajo e ka kryer punën e vet, e ka thirrur seancën”, tha Krasniqi.

  • Dështon përsëri zgjedhja e kryetares së Kuvendit

    Dështon përsëri zgjedhja e kryetares së Kuvendit

    Tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk solli rezultat.

    Në sallë ishin të pranishëm 109 deputetë, por e propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.

    Në votimin e mbajtur, Haxhiu mori vetëm 57 vota për, numër i pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në krye të legjislativit.

    Kuvendi do të tentojë sërish konstituimin të martën, më 29 prill./ATV/