ATV

Category: Lajme

  • ​Shpenzimet botërore ushtarake shënojnë ngritje të paparë

    ​Shpenzimet botërore ushtarake shënojnë ngritje të paparë

    Shpenzimet botërore ushtarake arritën në 2718 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 9.4 për qind krahasuar me vitin 2023, duke shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga fundi i Luftës së Ftohtë, raporton Sipri.

    Shpenzimet ushtarake u rritën në të gjitha rajonet e botës, me rritje veçanërisht të shpejtë në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Pesë shpenzuesit më të mëdhenj ushtarakë — Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Gjermania dhe India — përbënin 60 për qind të totalit global, me një shpenzim të kombinuar prej 1635 miliardë dollarësh, sipas të dhënave të reja të publikuara sot nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI), përcjell KosovaPress.

    Shpenzimet botërore ushtarake shënojnë rritjen më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë

    Shpenzimet ushtarake në nivel global arritën në 2718 miliardë dollarë në vitin 2024, duke shënuar vitin e dhjetë radhazi të rritjes. Pesëmbëdhjetë vendet më të mëdha shpenzuese në vitin 2024 rritën të gjitha buxhetet e tyre ushtarake. Ndërkohë, barra ushtarake globale — pjesa e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) që i dedikohet shpenzimeve ushtarake — u rrit në 2.5 për qind.

    “Rreth 100 vende në botë rritën shpenzimet e tyre ushtarake në vitin 2024. Ndërsa qeveritë po i japin gjithnjë e më shumë përparësi sigurisë ushtarake, shpesh në kurriz të sektorëve të tjerë, kjo mund të ketë pasoja të thella ekonomike dhe sociale për vitet në vijim”, deklaroi Xiao Liang, hulumtues në Programin për Shpenzimet Ushtarake dhe Prodhimin e Armëve të SIPRI-t.

    Evropa nxit rritjen globale të shpenzimeve

    Shpenzimet ushtarake në Evropë (duke përfshirë Rusinë) u rritën me 17 për qind në 693 miliardë dollarë, duke qenë kontribuesi kryesor në rritjen globale të vitit 2024. Me luftën në Ukrainë që vazhdon në vitin e tretë, shpenzimet ushtarake në kontinent vazhduan të rriten, duke kaluar nivelin e regjistruar në fund të Luftës së Ftohtë. Të gjitha vendet evropiane rritën shpenzimet, përveç Maltës.

    Rusia shpenzoi 149 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 38 për qind nga viti i kaluar dhe dyfishimi i nivelit të vitit 2015. Kjo përfaqësonte 7.1 për qind të PBB-së ruse dhe 19 për qind të shpenzimeve totale të qeverisë. Ndërkohë, Ukraina rriti shpenzimet ushtarake me 2.9 për qind, duke arritur 64.7 miliardë dollarë, ekuivalent me 43 për qind të shpenzimeve ruse, ndërsa barra ushtarake e saj arriti në 34 për qind të PBB-së — më e larta në botë për vitin 2024.

    “Rusia edhe një herë rriti ndjeshëm shpenzimet ushtarake, duke zgjeruar hendekun me Ukrainën”, theksoi Diego Lopes da Silva nga SIPRI.

    Gjermania, me një rritje prej 28 për qind, shpenzoi 88.5 miliardë dollarë, duke u bërë vendi me shpenzimet më të larta në Evropën Perëndimore dhe i katërti në botë. Polonia rriti shpenzimet me 31 për qind, duke arritur 38 miliardë dollarë, ose 4.2 për qind të PBB-së.

    “Për herë të parë që nga ribashkimi, Gjermania është bërë shpenzuesi më i madh ushtarak në Evropën Perëndimore”, tha Lorenzo Scarazzato nga SIPRI, duke shtuar se Evropa ka hyrë në një periudhë të shpenzimeve të larta që do të vazhdojë.

    Rekord i ri i vendeve të NATO-s që arrijnë 2% të PBB-së

    Të gjitha vendet anëtare të NATO-s rritën shpenzimet e tyre ushtarake në vitin 2024. Në total, ato shpenzuan 1506 miliardë dollarë — 55 për qind e shpenzimeve globale. Nga 32 vendet anëtare, 18 arritën objektivin e 2 për qind të PBB-së, krahasuar me 11 vende në vitin 2023.

    Shpenzimet ushtarake të SHBA-së u rritën me 5.7 për qind, duke arritur 997 miliardë dollarë, që përbëjnë 66 për qind të totalit të NATO-s dhe 37 për qind të shpenzimeve botërore. Një pjesë e madhe e buxhetit u fokusua në modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe të arsenalit bërthamor.

    “Rritjet e shpejta të shpenzimeve nga vendet evropiane të NATO-s u nxitën kryesisht nga kërcënimi i vazhdueshëm rus dhe frika nga shkëputja e SHBA-së nga aleanca”, theksoi Jade Guiberteau Ricard nga SIPRI.

    Rritje e madhe e shpenzimeve në Lindjen e Mesme

    Shpenzimet ushtarake në Lindjen e Mesme arritën 243 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 15 për qind nga viti i kaluar.

    Izraeli shënoi rritjen më të madhe vjetore që nga Lufta Gjashtëditore e vitit 1967, duke rritur shpenzimet me 65 për qind në 46.5 miliardë dollarë, për shkak të luftës në Gaza dhe përplasjeve me Hezbollahun. Barra ushtarake e Izraelit arriti në 8.8 për qind të PBB-së, duke u renditur e dyta në botë. Libani gjithashtu rriti shpenzimet me 58 për qind.

    Ndërkohë, Irani uli shpenzimet ushtarake me 10 për qind, për shkak të ndikimit të sanksioneve ndërkombëtare.

    Kina dhe fqinjët vazhdojnë forcimin ushtarak

    Kina, shpenzuesja e dytë më e madhe në botë, rriti shpenzimet ushtarake me 7 për qind në 314 miliardë dollarë, duke shënuar 30 vite radhazi të rritjes. Kina përbën 50 për qind të shpenzimeve ushtarake në Azi dhe Oqeani.

    Japonia shënoi rritjen më të madhe që nga viti 1952, me një rritje prej 21 për qind, ndërsa shpenzimet e Indisë u rritën me 1.6 për qind dhe ato të Tajvanit me 1.8 për qind.

    “Vendet kryesore në Azi-Paqësor po investojnë gjithnjë e më shumë në kapacitete të avancuara ushtarake”, paralajmëroi Nan Tian nga SIPRI. “Me tensione të rritura dhe mosmarrëveshje të pazgjidhura, këto investime mund të çojnë në një garë të rrezikshme armatimi në rajon”.

  • Trump jep detaje për takimin me Zelenskyn në ceremoninë e varrimit të Papës

    Trump jep detaje për takimin me Zelenskyn në ceremoninë e varrimit të Papës

    Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe disa hollësi për bisedën me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky të shtunën në funeralin e Papa Françeskut.

    Duke folur për gazetarët në një aeroport të Nju Xhersit një ditë më vonë, Trump tha se besonte se Kievi ishte gati të hiqte dorë nga Krimea, pavarësisht pretendimeve të mëparshme nga homologu i tij ukrainas.

    Trump gjithashtu shprehu simpati për Zelensky, duke thënë se ai dëshiron të bëjë diçka të mirë për vendin e tij dhe se punon shumë.

    Ai shtoi se ishte i befasuar dhe shumë i zhgënjyer sepse Rusia bombardoi Ukrainën pas bisedës mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të Trump, Steve Witkoff.

  • ​Policia ndalon veturën në Suharekë, gjen marihuanë dhe mjete përcjellëse

    ​Policia ndalon veturën në Suharekë, gjen marihuanë dhe mjete përcjellëse

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën në rrugën “Brigada 123”, në Suharekë, gjatë kontrollit të një veture kanë hasur në posedim të paautorizuar të narkotikëve, raporton KP.

    Sipas policisë, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar: dy pako rizlla, një grinder dhe një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 6.91 gram.

    “I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • ​Vetaksidentohet një veturë në Vogovë të Gjakovës, humb jetën shoferi

    ​Vetaksidentohet një veturë në Vogovë të Gjakovës, humb jetën shoferi

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën në fshatin Vogovë të Gjakovë ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, raporton KP.

    “I dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin mbi automjet me ç’rast ka shkaktuar vet aksident. Si pasojë lëndime vdekjeprurëse ka pësuar vetë drejtuesi vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar tre viktimat meshkuj shtetas të Shqipërisë të cilët janë duke u trajtuar në spitalin e Gjakovës”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të prokurorit policia ka njoftuar se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa rasti është nën hetime.

  • ​Ndërron jetë ushtari i Brigadës 121 të UÇK-së, Naser Shala, i njohur si Ftyra

    ​Ndërron jetë ushtari i Brigadës 121 të UÇK-së, Naser Shala, i njohur si Ftyra

    Ka ndërruar jetë njeri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121, Naser Shala i njohur si Ftyra, raporton KP.

    Kështu ka njoftuar familjari i tij Fatmir Surdhaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    Njoftimi i plotë:

    Ju njoftojmë se pas një sëmundje të shkurtër ndërroj jetë daja e bashkëluftëtari im Naser Bislim Shala- Ftyra.

    Njëri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121 Ismet Jashari Kumanova, i organizuar në UÇK-ën me Mujë Krasniqin e Rexhep Selimin, bashkëluftari i komandant Kumanovës , Fatmir Limes Haxhi Shalës, Ajet Kastratit e shume luftarëve dhe Dëshmorëve të kombit.

    Naseri si epror i shtabit Brigades kreu shumë detyra të rëndësishme në organizimin ushtarak të njësive të UÇK-së, me devotshmëri të lartë e heroizëm të pashoq qendronte me shkoët luftarë nëpër vijat e para të ftontit.

    Njihej me nofkën e luftës FTYRA ishte shumë i dashur me shokët dhe besnik në qdo rrethanë luftarake të kohës.

    E kam pasur fatin të jemi bashkë nip e dajë në vijat e para të frontit me forcat armike, por, Fryra qëndronte heroikisht bashk me shokët.

    E paq të lehtë dheun e Kosovës dajosh, e ke krye detyrën për atdheun me përkushtim sipas edukimit të Nanës Qamile e Dajes Bislim që na i vranë forcat serbe më 1998.

    Ngushëllime Familjes Shala, miqve, farefisit , bashkëluftarëve e shoqërisë.

    Lavdi jetës e veprës tënde atdhetare daja im bashkëluftëtari im Ftyra i UÇK-së!

  • ​Para 18 vjetësh ekipi fakt-mbledhës i Këshillit të Sigurimit vizitoi Krushën e Vogël

    ​Para 18 vjetësh ekipi fakt-mbledhës i Këshillit të Sigurimit vizitoi Krushën e Vogël

    Një delegacion fakt-mbledhës i Këshillit të Sigurimit më 28 prill 2007 arriti për vizitë në Krushë të Vogël, ku serbët kryen masakra të tmerrshme ndaj popullatës së pafajshme shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ambasadorët e 15 shteteve anëtare të KS të OKB-së vizituan shtëpinë ku u masakruan, vranë dhe u karbonizuan të 113 meshkujt e këtij fshati, prej moshës 13-vjeç deri te pleqtë, raporton KosovaPress.

    Të pritur nga nëna, gra të veja e fëmijë jetimë, me emrat e të dashurve të shënuar në çarçafë të bardhë, ambasadorët u informuan nga gjashtë dëshmitarët e mbijetuar, se masakra e cila i ngjan asaj në Srebrenicë dhe Vukovarit, është kryer nga serbët lokalë.

    Delegacioni fakt-mbledhës i KS të OKB-së gjatë kësaj vizite në Kosovë ishte takuar me liderët kosovarë, përfaqësues të pakicave, shefin e UNMIK-ut, Joachim Rucker dhe komandantin e KFOR-it, gjenerali Roland Kather.

    Kryesuesi i delegacionit, ambasadori belg, Johan Verbeke, vizitën dyditëshe në Kosovë e vlerësoi si të suksesshme, për faktin se tashmë kanë një pasqyrë më të qartë për gjendjen në terren.

    “Vendosja e çështjeve me rëndësi, kurrë nuk do të duhej të paraprihej me përkufizime kohore. Vendimet e mëdha të cilat vijnë si rezultat i negociatave, janë procese të natyrshme dhe si çështje kaq të rëndësishme, duan kohë dhe hapësirë”, pati deklaruar Verbeke në Prishtinë, para nisjes së delegacionit për në Vjenë, ku do të pasonte takimi me emisarin special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

  • ​Sot është Dita Ndërkombëtare e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë

    ​Sot është Dita Ndërkombëtare e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë

    Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë mbahet çdo vit më 28 prill.

    Kjo ditë u iniciua për të promovuar dhe diskutuar rëndësinë e të pasurit një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm, raporton KosovaPress.

    Të dhënat tregojnë se vdekjet që kanë ndodhur si pasojë e aksidenteve në punë janë 19% globalisht.

    Domosdoshmëria dhe kërkesa për të rregulluar këtë çështje humane theksohet në Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

    Nevoja për ndryshim dhe një plan veprimi të plotë për mirëqenien e çdo punonjësi në mbarë globin është jetike.

    Historia e Ditës Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë

    Në vitin 2003, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vendosi të përkushtojë dhe festojë Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

    ILO ka qenë gjithmonë një ekspert për të kontribuar për një kulturë më të sigurt në vendin e punës. ILO pranon nevojën e çdo aktori – duke përfshirë organizatat, sindikatat, qeveritë, punëdhënësit dhe sektorët e shëndetit publik si çelësat jetik për ruajtjen dhe arritjen e shëndetit dhe sigurisë së vërtetë për çdo punëtor.

    28 prilli synon të inkurajojë, mbështesë dhe forcojë nevojën për të krijuar vazhdimisht një kulturë të sigurt dhe të shëndetshme, për të reduktuar dëmtimet, aksidentet, sëmundjet dhe vdekjet në punë për çdo punëtor dhe punonjës.

    Rreth 6.500 njerëz vdesin çdo ditë për shkak të aksidenteve që ndodhin në punë, si dhe nga sëmundjet e lidhura me punën ose 2.3 milionë vdekje në një vit, raporton KosovaPress.

  • Aeroporti i Vlorës drejt fundit, Balluku: Më 8 maj testi i parë i uljes së avionit në pistë

    Aeroporti i Vlorës drejt fundit, Balluku: Më 8 maj testi i parë i uljes së avionit në pistë

    Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku bwri tw ditur se më 8 maj, në Aeroportin e Vlorës do të kryhet testi i parë i uljes së avionit në pistën e gjatë prej 3.8 kilometrash.

    “Më datë 8 maj, vetëm pas pak ditësh, do kemi testin e parë te uljes në pistën prej 3.2 kilometrash këtu në Vlorë duke i lënë pastaj gjithë kohën disa mujore, por brenda sezonit veror për të nisur operimet zyrtare nga Aeroporti i Vlorës, aeroporti i gjithë shqiptarëve”, tha ajo.

    Ajo theksoi se ndërtimi dhe bërja funksional i Aeroportit të Vlorës do të krijojë 1200 vende punë për të gjithë ata persona, që duan të punojnë dhe kontribuojnë në sektorin e Aviacionit Civil.

    “Aeroporti i Vlorës është aeroporti i parë që ka bërë bashkë disa komponentë. Aviacioni civil, transportin e pasagjerëve, mirëmbajtja e avionit, pra një nënsektor i ri në Shqipërisë, i cili do të sjellë punësimin e qindra djemve dhe vajzave.

    Ka 1200 vende pune, një pjesë e të cilëve kanë nisur rekrutimi. Pagat në aviacionin civil janë paga shumë të ngjashme me vendet e tjera evropiane, sepse siç kemi thënë, aviacioni civil nuk i ka kufi. Kapaciteti maksimale është në 4.5 milionë”, tha ajo.

  • Policia konfirmon vdekjen e një nxënësje të klasës së 10-të në Skenderaj

    Policia konfirmon vdekjen e një nxënësje të klasës së 10-të në Skenderaj

    Një grua është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ndërkaq më pas ka vazhduar në QKUK ku dhe është raportuar se ka vdekur.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Lidhur me rastin viktima femër kosovare është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal Mitrovicë dhe më pas ka vazhduar në QKUK Prishtinë ku dhe është raportuar se viktima ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Nga 1 maji pa kontrolle në kufirin Kosovë-Shqipëri

    Nga 1 maji pa kontrolle në kufirin Kosovë-Shqipëri

    Në pikën kufitare të Morinës nuk mungojnë as udhëtarët nga Shqipëria që kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në Kosovë.

    Të dhënat e fundit nga Dogana e Morinës tregojnë se deri në mesditën e së shtunës kanë hyrë në territorin e Shqipërisë 4,291 shtetas dhe 2,036 mjete.

    Ndërsa për në dalje nga Shqipëria për në Kosovë janë regjistruar 3,834 shtetas dhe 1,967 mjete.

    Për të përballuar fluksin, autoritetet po punojnë me të gjitha sportelet për të shmangur pritjet e gjata gjatë kontrollit në doganë./RTSH/