ATV

Category: Lajme

  • ShBA-ja dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen për burimet natyrore

    ShBA-ja dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen për burimet natyrore

    Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të saj energjetike dhe minerale, pas muajsh negociatash të tensionuara.

    Të dyja vendet janë pajtuar të krijojnë një fond investimesh për rindërtim, me qëllim të nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike të Ukrainës pas luftës me Rusinë, raporton BBC, transmeton Gazeta Sinjali.

    Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se kjo marrëveshje tregon përkushtimin e të dy palëve për paqe dhe mirëqenie të qëndrueshme në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për të siguruar ndihmën ushtarake amerikane.

    Ukraina besohet të ketë rezerva të mëdha të mineraleve kritike si grafiti, titani dhe litiumi – elemente shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e ripërtëritshme, teknologjinë ushtarake dhe infrastrukturën industriale.

  • Nga sot s’ka kontrolle në kufirin Kosovë–Shqipëri

    Nga sot s’ka kontrolle në kufirin Kosovë–Shqipëri

    Sot, rikthehet marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që ka për qëllim përmirësimin e lëvizjes kufitare për automjetet me targa të të dy shteteve. Kjo marrëveshje i mundëson automjeteve kosovare dhe shqiptare të kalojnë kufirin pa u nënshtruar kontrolleve, duke e bërë lëvizjen më të shpejtë dhe pa pengesa.

    Kjo masë është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, e cila u nënshkrua vitin e kaluar dhe që ka ndihmuar në eliminimin e bllokimeve në pikat kufitare, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të madh udhëtarësh.

    Ajo ka mundësuar një lëvizje më të lehtë dhe të shpejtë gjatë sezonit veror, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit të lëvizjes mes dy shteteve.

  • Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Dita e parë e muajit maj është njohur ndërkombëtarisht si Dita e Punëtorëve, një ditë e dedikuar për nderimin e sakrificave dhe kërkesave të punëtorëve për kushte më të mira pune.

    Çdo vit, më 1 maj, punëtorët nga të gjitha anët e globit dalin në rrugë për të shprehur solidaritetin e tyre dhe për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë orar të arsyeshëm pune, paga të drejta dhe siguri në vendin e punës.

    Kjo ditë ka origjinën nga protestat e vitit 1885 në Australi, ku punëtorët kërkuan një orar pune prej 8 orësh, një kërkesë që do të bëhej simboli i të drejtave të punëtorëve. Motori i këtij protestimi ishte: “8 orë punë, 8 orë pushim, 8 orë gjumë”, një moto që vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot e kësaj dite. Pjesë e historisë së kësaj lëvizjeje është edhe revolta e Haymarket në Chicago në vitin 1886, ku punëtorët kërkuan të drejtat e tyre dhe protestuan për kushte më të mira pune. Protesta u shndërrua në tragjedi kur, në kulmin e saj, humbën jetën 11 persona pas një masakre të përgjakshme.

    Në Evropë, 1 Maji ishte fillimisht i lidhur me festat tradicionale rurale të fermerëve, por më vonë, kjo ditë mori një dimension të ri, duke u bërë simbol i lëvizjes moderne të punës. Vendimi për të shpallur 1 maj si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve u mor në vitin 1891 në Bruksel, dhe që atëherë, është njohur në të gjithë botën.

    Në shumë shtete, 1 maji është shpallur ditë pushimi zyrtare dhe është një mundësi për punëtorët të bashkohen, të shprehin kërkesat e tyre dhe të festojnë arritjet e lëvizjes sindikale për më shumë të drejta dhe mundësi të barabarta pune. Dita e Punëtorëve është një kujtesë e vazhdueshme e forcës së bashkimit dhe e nevojës për përmirësimin e kushteve të punës në mbarë botën.

  • LDK-ja nuk i shkon Kurtit në takimin e nesërm

    LDK-ja nuk i shkon Kurtit në takimin e nesërm

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në takimin e Albin Kurtit, më 1 maj lidhur me krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Shefja e Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, në një përgjigje për ATV-në tha se kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim.

    “Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër”, shtoi ajo.

    “Po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, deklaroi Bajrami.

    Ndërsa nga PDK-ja ende nuk ka qëndrim zyrtar nëse do të takohen apo jo me Kurtin.

    LEXONI EDHE:

    Tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit – Kurti fton në takim Krasniqin dhe Abdixhikun

  • Tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit – Kurti fton në takim Krasniqin dhe Abdixhikun

    Tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit – Kurti fton në takim Krasniqin dhe Abdixhikun

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka ftuar kryetarin e LDK-së dhe të PDK-së për takim më 1 maj lidhur me krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Kurti takimin me dy liderët e ka ftuar të enjten në orën 08:30.

    Kjo ftesë e Kurtit për dy liderët e partive politika ka ardhur pasi ka dështuar për gjashtë herë radhazi ta zgjedh Albulena Haxhiun kandidate për kryetare të Kuvendit.

    “Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, ka shkruar Kurti në letër.

    Pritet të shihet nëse Krasniqi e Abdixhiku do ta pranojnë këtë ftesë për takim nga kreu i LVV-së.

  • Kuvendi lëshon njoftim për seancën konstituive që do të vazhdojë nesër

    Kuvendi lëshon njoftim për seancën konstituive që do të vazhdojë nesër

    Kuvendi i Kosovës ka lëshuar njoftim për vazhdimin e seancës konstituive që do të mbahet nesër nga ora 10:00.

    Kjo do të jetë hera e nëntë që deputetët e zgjedhur do të mblidhen për të konstituuar legjislaturën e nëntë.

    Pas miratimit të raportit të komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, procesi i konstituimit ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit. VV për disa herë me radhë e ka propozuar Albulena Haxhiun, mirëpo ajo s’ka arritur t’i marrë 61 votat e nevojshme.

    Partitë opozitare kanë kërkuar nga VV ta ndërrojë kandidaten, duke thënë se Haxhiu është figurë përçarëse.

  • Aksident me fatalitet në Skenderaj, një e vdekur e katër të lënduar

    Aksident me fatalitet në Skenderaj, një e vdekur e katër të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Skenderaj, si pasojë e të cilit një grua 63-vjeçare ka humbur jetën.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:50, në rrugën rajonale Mitrovicë – Skenderaj, saktësisht në fshatin Klinë e Ulët.

    Siç mësohet si pasojë e këtij aksidenti edhe katër persona kanë mbetur të lënduar.

    Policia ka konfirmuar se në këtë aksident janë përfshirë 2 vetura.

    Personat e lënduar janë dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

  • Rohde shpreh shqetësimin për vonesat në formimin e institucioneve në Kosovë

    Rohde shpreh shqetësimin për vonesat në formimin e institucioneve në Kosovë

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vonesat në konsitutimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Në takimin me presidenten Vjosa Osmani, Rohde theksoi rëndësinë e veprimit të shpejtë dhe prioritizimit të çështjeve shtetërore përpara politikës partiake.

    “Në takimin me presidenten Osmani, shpreha shqetësimin tim në rritje për vonesat në finalizimin e seancës konstituive të Parlamentit dhe formimin e një qeverie pas zgjedhjeve. Në peizazhin global që ndryshon me shpejtësi sot, veprimi i shpejtë është i domosdoshëm – çështjet shtetërore duhet të vijnë gjithmonë para politikës partiake”, ka deklaruar Ambasadori Rohde.

    Deklarata e tij vjen në një moment kur Kosova po përballet me vonesa të mëdha në procesin e konsolidimit të institucioneve të reja, pas një periudhe të gjatë paszgjedhore.

  • Prej vitit 2012 e deri në vitin 2023, 359 mijë qytetarë lëshuan Kosovën

    Prej vitit 2012 e deri në vitin 2023, 359 mijë qytetarë lëshuan Kosovën

    Instituti GAP publikoi raportin e ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”. Gjetjet e raportit u prezantuan në kuadër të diskutimit të Forumit të Platformës për Dialog Publiko-Privat të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) mbi zhvillimin e fuqisë punëtore.

    Gjetjet e këtij raporti tregojnë se tregu i punës në Kosovë do të vazhdojë të sfidohet nga mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të emigrimit të qytetarëve dhe shkallës së lartë të fuqisë punëtore jo-aktive.

    Që nga viti 2012 e deri në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare, numri i personave që janë larguar nga Kosova drejt vendeve të ndryshme të botës ka arritur në 359 mijë persona, që përfaqëson rreth 22.6% të popullsisë së vendit.

    Ndërkaq numri i shtetasve shtetasit kosovarë të kthyer si dhe të huajt që jetojnë në Kosovë është rreth 99 mijë persona.

    Një pjesë e personave të cilët po emigrojnë nga Kosova janë nga fuqia punëtore aktive, çka po ndikon në rritjen e kërkesës në vend për punëtorë vendas dhe të huaj.

    Sipas këtij raporti, në vitin 2023, 45 mijë e 650 kosovarë u pajisen me leje qëndrimi në Evropë.

    Sipas të dhënave, më së shumti leje qëndrimi u lëshuan nga shteti gjerman: 23040, më pas nga Sllovenia (6492), Kroacia (4288), Italia (3541), Zvicra (1966), e kështu më radhë.

    Arsyet e pajisjes me leje qëndrimi nga qytetarët e Kosovës janë kryesisht për bashkim familjar, edukim dhe punësim.

  • KQZ ndan mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025

    KQZ ndan mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar rekomandimin e Zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, ndwrsa ndarja e mjeteve për Listën Serbe u kundërshtua nga VV-ja, raporton EO.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, njoftoi se ndarja e mjeteve financiare për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor 2025 është paraparë të jetë në vlerë prej 3,670,800 eurosh. Këto fonde ndahen për 15 subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, është paraparë ndarja e mjeteve shtesë për mbështetjen e punës së deputetëve, në vlerë prej 106,898.31 eurosh, bazuar në rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

    Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, shprehu kundërshtimin e tij për ndarjen e fondeve për Listën Serbe.

    “Unë i votoj këto ndarje. Votoj kundër për Listën Serbe në çdo rast,” tha Kurteshi.