ATV

Category: Lajme

  • Raportohet për 11 të vrarë në Gazë, përfshirë tre fëmijë

    Raportohet për 11 të vrarë në Gazë, përfshirë tre fëmijë

    Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se nga sulmet izraelite gjatë natës në kampin e refugjatëve në Han Junis janë vrarë të pakën 11 persona, përfshirë tre fëmijë deri në 1 vjeç.

    Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, raportoi për 11 viktima “pas bombardimeve në shtëpinë e familjes Al-Bayram në kampin në Han Junis” në jug të Gazës. Sipas tij, sulmi ndodhi në orën 03:00, sipas kohës lokale, shkruan radio Evropa e lirë.

    Bassal tha për agjencinë AFP se tetë nga viktimat janë identifikuar se i përkasin familjes së njëjtë, përfshirë një vajzë dhe një djalë që ishin 1 vjeç, dhe një foshnje njëmuajshe.

    Ushtria izraelite ende nuk është deklaruar për këto sulme.

    Izraeli nisi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars pas dy muajsh armëpushim në luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u nxit nga sulmi i grupit radikal në Izrael më 7 tetor 2023.

    Të premten, agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi për të paktën 42 të vrarë në mbarë territorin palestinez.

    Izraeli ka ndaluar hyrjen e dërgesave humanitare në Gazë që nga 2 marsi. Kjo bllokadë, sipas Izraelit, synon që t’iu bëjë presion militantëve që të lirojnë pengjet që mbahen në Gazë.

    Agjencitë e Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që të heqë të gjitha kufizimet, duke argumentuar se banorët e Gazës janë duke përjetuar një katastrofë humanitare dhe kanë paralajmëruar për një krizë të urisë.

  • Prishtinë: Babai e raporton të zhdukur djalin e tij të mitur

    Prishtinë: Babai e raporton të zhdukur djalin e tij të mitur

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të zhdukjes së një të mituri në Prishtinë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se një burrë ka raportuar se djali i tij i mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend-ndodhjen e tij

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Nebih Gashi”, derisa nga Policia bën me dije se ky rast po hetohet.

     

  • Arrestohet 47-vjeçarja në Elbasan, e dënuar me mbi 9 vjet burgim si pjesëtare e një organizate kriminale

    Arrestohet 47-vjeçarja në Elbasan, e dënuar me mbi 9 vjet burgim si pjesëtare e një organizate kriminale

    Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar një 47-vjeçare në Elbasan, e dënuar me mbi 9 vjet burgim, si pjesëtare e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

    47-vjeçarja Majlinda Avduli alias Dajana Tafani, banuese në Elbasan ishte në kërkim ndërkombëtar.

    “Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit ‘Operacionalja 44’, lokalizuan në Elbasan, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasen: Majlinda Avduli alias Dajana Tafani, 47 vjeçe, banuese ne Elbasan.

    Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Kaliarit, Itali, në vitin 2016, e ka dënuar me 9 vjet, 6 muaj e 22 ditë burgim, për veprën penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, kryer në kuadër të organizatës kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

    Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e kësaj shtetaseje, në Itali.

  • Ndërprerja e seancës konstituive, Cakolli: Kjo është tashmë kapje e procesit

    Ndërprerja e seancës konstituive, Cakolli: Kjo është tashmë kapje e procesit

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pas dështimit të seancës konstituive për të dhjetën herë me radhë tha sot se kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë, që është përjashtim procedural, zbatohet votimi publik, ndërkaq çdo tentativë për ta anashkaluar këtë parim, veçanërisht kur kjo vjen nga një kryesues i përkohshëm, nuk është më thjesht devijim procedural, por kapje e procesit.

    Cakolli theksoi tutje seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës.

    Postimi i plotë i tij:

    Kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë – që është përjashtim procedural – zbatohet votimi publik, si rregull. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë parim, veçanërisht kur kjo vjen nga një kryesues i përkohshëm, nuk është më thjesht devijim procedural.

    Kjo është tashmë kapje e procesit.

    Sepse, seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës. Kryesuesi nuk është as vendimmarrës politik, as negociator, por ka vetëm detyrën ta përmbyllë konstituimin.

    E drejta e LVV-së për të propozuar është e padiskutueshme, por detyrimi për ta bërë këtë formalisht është po aq obligim kushtetues.

    Çdo shmangie dhe instrumentalizim i procedurës për të zvarritur procesin është abuzim procedural që cenon funksionimin demokratik të Kuvendit.

    LEXONI EDHE:

    Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë

  • Të paktën 47 të plagosur nga sulmet ruse në Harkiv, Zelensky: SHBA të reagojë

    Të paktën 47 të plagosur nga sulmet ruse në Harkiv, Zelensky: SHBA të reagojë

    Sulmet ruse me dronë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, kanë lënë të plagosur të paktën 47 persona, thanë zyrtarët lokalë.

    Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se dronët goditën 12 lokacione në qytet mbrëmjen e së premtes. Ndërtesat e banimit, infrastruktura civile dhe makina u dëmtuan gjatë sulmeve, sipas guvernatorit rajonal të Harkivit, Oleh Syniehubov.

    Pas sulmeve në Harkiv, presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky, bëri thirrje për mbështetje më të fuqishme dhe më vendimtare nga aleatët e shtetit të tij.

    “Përderisa bota po heziton të marrë vendime, pothuajse çdo natë Ukraina shndërrohet në ankth, duke humbur jetë njerëzish. Ukraina ka nevojë për forcim të mbrojtjes ajrore. Vendime reale dhe të forta kërkohen që të merren nga partnerët tanë: Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe të gjithë partnerët që kërkojnë paqe”, shkroi ai në X në orët e para të së shtunës.

    Të shtunën, Forcat Ajrore ukrainase thanë se Rusia ka sulmuar me 183 dronë gjatë natës. Nga këta dronë, 77 u rrëzuan, ndërkaq 73 të tjerë humbën nga radari, me gjasë për shkak të pajisjeve elektronike. Sipas Ukrainës, Rusia – që ka nisur pushtimin e shtetit fqinj tre vjet më parë – po ashtu ka sulmuar me dy raketa balistike.

    Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kanë rrëzuar 170 dronë ukrainas gjatë natës. Kjo ministri tha se tetë raketa lundruese dhe tri të llojeve tjera u rrëzuan po ashtu.

    Në jug të Rusisë, katër persona u plagosën gjatë një sulmi me dronë gjatë natës në Novorosijsk, sipas autoriteteve lokale.

  • Ushtarët amerikanë dhe gjermanë patrullojnë përgjatë kufijve të Kosovës

    Ushtarët amerikanë dhe gjermanë patrullojnë përgjatë kufijve të Kosovës

    Ushtarët amerikanë dhe gjermanë të KFOR-it, patrulluan përgjatë kufijve në Kosovë për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt.

    “Ushtarët e KFOR-it kryejnë në mënyrë rutinore patrullime ditore nëpër komuna të shumta të Kosovës për të ruajtur stabilitetin në rajon. Qoftë duke patrulluar në mënyrë të pavarur apo duke u bashkuar me partnerët tanë të reagimit të sigurisë, KFOR-i mbetet i përkushtuar ndaj misionit tonë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.

  • Bajrami: Kështu do të vazhdojmë derisa VV-ja të reflektojë

    Bajrami: Kështu do të vazhdojmë derisa VV-ja të reflektojë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk do të reflektojë, situata do të mbetet e njëjtë.

    Bajrami përsëriti se ndryshimi për votim të fshehtë është shkelje ligjore e kushtetuese.

    “VV-ja tash ka ndryshuar strategji. Në vend që të vendosë emrin e Albulena Haxhiut, tani po kërkon votë për një komision për votim të fshehtë, të cilin e kemi argumentuar se është shkelje ligjore e kushtetuese ndryshim i votimit në proces”.

    “Nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Na vjen keq për Deharin, i cili nuk përfaqëson partinë ku bën pjesë, por është si kryesues për shkak të moshës. Ai duhet ta ndjekë skenarin e sekretariatit të Kuvendit. Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun. Kryeparlamentari duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata të reflektojnë”, u shpreh deputetja e LDK-së.

    Krasniqi: Albulena Haxhiu as në herën e 100-të nuk do të kalojë

  • Krasniqi: Albulena Haxhiu as në herën e 100-të nuk do të kalojë

    Krasniqi: Albulena Haxhiu as në herën e 100-të nuk do të kalojë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij nuk ka asnjëherë votë për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit.

    Ai ka theksuar se sa herë që LVV-ja do ta përsërisë emrin e Haxhiut, PDK-ja nuk do ta votojë.

    “Në mungesë të shumicës parlamentare Albin Kurti e VV-ja edhe sot për të dhjetën herë po tentojnë që në forma të paligjshme, jokushtetuese, duke keqpërdorur mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet, edhe sot tentuan që vërtetë të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur”.

    “Ja u bëjmë të qartë, qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelur ligjin e as Kushtetutën, na kanë votuar për tu dhënë institucione. As herën e parë, as të dhjetën e as herën e 100 nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, ka thënë ai pas mbylljes së seancës.

  • Kadrijaj: I gjori Avni Dehari, po punon sipas skenarit të Vetëvendosjes

    Kadrijaj: I gjori Avni Dehari, po punon sipas skenarit të Vetëvendosjes

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e shfrytëzon kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për taktikat e tyre politike.

    Kadrijaj bëri thirrje edhe një herë që VV-ja ta ndryshojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

    “Tash po kërkojnë votë për formimin e komisionit, ndërsa nuk e kemi emrin e kandidatit. Fillimisht duhet të vijë emri i kandidatit. Ne nuk e dimë për cilin kandidat do të votojmë. As për komision nuk i kanë votën”.

    “Nëse nuk ndryshojnë qasje, kështu do të vazhdojë. Këto janë taktika të LVV-së që po e keqpërdorin pozitë e kryesuesit (Avni Deharin) dhe i gjori po punon sipas skenarit të LVV-së. LVV-ja duhet ta ndryshojë kandidatin”, ka shtuar ajo.

    Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë

  • Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë

    Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.

    Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.

    Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

    Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, pas dështimit të dhjetë për konstituimin e Kuvendit, akuzoi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, për bllokim të procesit.

    Sipas Gërvallës, partia fituese, së bashku me partnerët e saj – ku bën pjesë edhe partia e saj, Guxo – ka ofruar alternativa për zhbllokimin e procesit, por nuk është e gatshme që të bëjë pazare./REL