ATV

Category: Lajme

  • Testin e Arritshmërisë e kalojnë 48.35% e nxënësve, rezultatet më të mira në gjuhën angleze

    Testin e Arritshmërisë e kalojnë 48.35% e nxënësve, rezultatet më të mira në gjuhën angleze

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se është përmbyllur procesi i përpunimit të rezultateve të Testit të Arritshmërisë për vitin 2026.

    Sipas kësaj ministrie, në këtë test kanë marrë pjesë 21,982 nxënës, ndërsa arritshmëria mesatare e përgjithshme në nivel vendi është 48.35%.

    “Analiza e rezultateve sipas lëndëve tregon se arritshmëria më e lartë është shënuar në Gjuhën angleze 65.97%, Histori 62.23% dhe Gjuhë shqipe 54.63%. Ndërkaq, arritshmëria më e ulët është evidentuar në Kimi 37.68% dhe Matematikë 37.93%, pasuar nga Biologjia 40.83%, Fizika 45.33%, Informatika 47.87% dhe Gjeografia 47.84%.”, thuhet në njoftim.

    Sipas këtij dikasteri, rezultatet e Testit të Arritshmërisë ofrojnë një pasqyrë të nivelit të përvetësimit të kompetencave nga nxënësit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët dhe do të shërbejnë si bazë për identifikimin e prioriteteve dhe planifikimin e masave në përmirësimin e cilësisë në arsim.

  • Deklarata e Nagavcit se për presidentin duhet konsensus, Behrami: Formulë për të shkuar në zgjedhje

    Deklarata e Nagavcit se për presidentin duhet konsensus, Behrami: Formulë për të shkuar në zgjedhje

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka komentuar deklaratën e Arbërie Nagavcit të VV-së, e cila tha se për formimin e qeverisë i kanë votat, por më pas duhet të arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit.

    Sipas Behramit, një qasje e tillë politike përbën, siç u shpreh ai, një formulë për të shkuar në zgjedhje.

    “Kjo është formula për të shkuar në zgjedhje, sepse kjo ka qenë formula edhe në herën e parë, edhe në herën e dytë, edhe në herën e tretë kur kemi shku në zgjedhje nacionale. Pra e kam thënë, sa e dëgjoni z.Kurti që thotë që fillimisht konstituohet Kuvendi, zgjidhet kryetari, votohet qeveria, votohet buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare, pastaj presidenti, ky është formulë gjithmonë me shku në zgjedhje”, tha ai.

    Ai tutje ka thënë se arsyeja pse, sipas tij, po synohet shkuarja në zgjedhje lidhet me Marrëveshjen e Ohrit.

    “Dhe arsyeja pse don me shku në zgjedhje e kemi diskutuar disa herë, nuk ka ndryshu. Pra, qytetarët e Kosovës duhet ta dinë, është frika absolute e z.Kurti për të implementuar një marrëveshje të dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës, të cilën e ka pranuar në Bruksel dhe në Ohër”, deklaroi Behrami.

  • Kurti në Greqi, shihet në ceremoninë hapëse të simpoziumit Symi – ZKM s’njoftoi

    Kurti në Greqi, shihet në ceremoninë hapëse të simpoziumit Symi – ZKM s’njoftoi

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar në Greqi për simpoziumin e 28-të Symi.

    Sot u mbajt ceremonia hapëse e simpoziumit me temën “Zemërimi i Akilit dhe Paralajmërimi i Kasandrës: Fuqizimi i Demokracisë dhe Zbutja e Pushtetit”.

    Ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Miguel Angel Moratinos dhe ish-kryeministri i Tunizisë, Mehdi Jomaa mbajtën fjalime me këtë rast.

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka bërë ndonjë njoftim për udhëtimin e Kurtit për në Greqi.

  • “Vita” rifillon grumbullimin e qumështit, AUV pritet t’i publikojë së shpejti rezultatet e analizave

    “Vita” rifillon grumbullimin e qumështit, AUV pritet t’i publikojë së shpejti rezultatet e analizave

    Qumështorja “Vita” do të rifillojë nga sonte grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është zotuar se do të dalë sa më shpejt me rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra në këtë dhe qumështore të tjera, raporton Ekonomia Online.

    Ky ishte rezultati i një takimi rreth treorësh mes ministrit të Bujqësisë, përfaqësuesve të Shoqatës së Fermerëve, prodhuesve të qumështit dhe përfaqësuesve të qumështores “Vita”, pas tensioneve të krijuara ditët e fundit.

    Anëtari i Bordit të Shoqatës së Fermerëve, Fidan Krasniqi, tha se të gjithë akterët janë pajtuar që të priten rezultatet zyrtare të analizave.

    “Po pas këtij takimi që e patëm me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, po e japim këtë komunikatë për media, ku në takim ishim ne prodhuesit e qumështit, shoqata po ashtu edhe përpunuesi në këtë rast qumështorja Vita. Pas një diskutimi të gjatë edhe me ministrin edhe me përpunuesin edhe me prodhuesit, u zotuan të gjithë akterët u zotuan që ministria në këtë rast më konkretisht Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari, me një afat sa më të shpejtë do të dalin me rezultate të cilat, domethënë nga mostrat e marra nga qumështorja”, tha ai.

    Krasniqi sqaroi se vonesa e publikimit të rezultateve lidhet me faktin se analiza nuk po kryhen vetëm për qumështoren “Vita”.

    “Arsyeja e vonesës për këto rezultate është sepse nuk është mbyllur vetëm qumështorja Vita, mostrat janë marrë edhe në shumë qumështore të tjera dhe për shkak të specifikave të analizave që do të bëhen në këto produkte, ne po shpresojmë që këto rezultate do t’i kemi sa më shpejt”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se gjatë takimit është arritur një marrëveshje e përkohshme, sipas së cilës qumështorja “Vita” do të nisë menjëherë grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa çështjet e tjera do të diskutohen në takimet e ardhshme.

    “Nga qumështorja u zotua që nga sonte do të fillojë grumbullimi i qumështit të freskët prej fermerëve, për arsye të korrektësisë, domethënë u arrit një marrëveshje e përbashkët e përkohshme që po shpresojmë që në takimet e radhës do të zgjidhen edhe problemet e tjera të cilat i shprehën sot në forma protestive prodhuesit e qumështit”, tha ai.

  • Trump: Fundi i luftës në Ukrainë është shumë më afër nga sa e mendojnë njerëzit

    Trump: Fundi i luftës në Ukrainë është shumë më afër nga sa e mendojnë njerëzit

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se beson që si presidenti rus, Vladimir Putin, ashtu edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duan t’i japin fund luftës në Ukrainë, duke shprehur optimizëm se negociatat po bëjnë më shumë përparim sesa mendojnë shumë vëzhgues.

    “Epo, mendoj se ai (Putin) ndjen presion. Ai dëshiron t’i japë fund, dhe Ukraina dëshiron t’i japë fund, dhe ne jemi në bisedime, dhe do të shohim nëse mund ta përfundojmë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump tha se ka besim në përpjekjet diplomatike, duke shtuar se beson që një zgjidhje për konfliktin mund të jetë më afër sesa kuptohet publikisht.

    “Mendoj se po i afrohemi shumë më tepër sesa mendojnë njerëzit. Presidenti Putin dëshiron që kjo të marrë fund. Do t’jua them këtë shumë fort. Dhe presidenti Zelensky në të vërtetë dëshiron që kjo të marrë fund tani”, shtoi presidenti amerikan.

    Trump theksoi se Ukraina do të jetë një temë kyçe gjatë diskutimeve të ardhshme me aleatët e NATO-s gjatë samitit të kësaj jave në kryeqytetin turk, Ankara.

    “Ne do të shkojmë në NATO dhe do të flasim për këtë”, shtoi ai.

  • Zjarr në Shijak, tymi pushton autostradën Tiranë-Durrës

    Zjarr në Shijak, tymi pushton autostradën Tiranë-Durrës

    Një vatër zjarri është regjistruar në zonën e Koxhasit në Shijak, ku flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës.

    Shtëllunga të dendura tymi janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë, duke u bërë të dukshme edhe përgjatë autostradës Durrës-Tiranë.

    Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse të Shijakut, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

    Paraprakisht mësohet se u është vënë zjarri disa mbeturinave, por flakët janë përhapur më tej në zonë.

  • Serwer pas vizitës në Kosovë: Kurti mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta

    Serwer pas vizitës në Kosovë: Kurti mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta

    Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins shkroi për vizitën e tij të fundit në Kosovë, ndërsa tha se kosovarët ishin më të interesuar ta dëgjonin vlerësimin e tij për Kosovën sesa për zhvillimet në Amerikë.

    Ai vlerëson se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të preferojë ta çojë Kosovën në zgjedhje të katërta, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve të reja.

    “Vendit iu desh të mbante tri zgjedhje në më pak se 16 muaj. Ai ende nuk ka një president të ri apo një qeveri me kompetenca të plota. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti – në pushtet që nga viti 2020 – ka mjaftueshëm ulëse, së bashku me përfaqësuesit e pakicave, për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend. Por për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave. Opozita e fragmentuar nuk është e gatshme t’i mbështesë kandidatët e propozuar nga Kurti. Nuk është e qartë nëse opozita mund të bjerë dakord për një kandidat të sajin. Po ashtu, nuk dihet nëse kryeministri do ta mbështeste një kandidat të opozitës nëse kjo do të ndodhte. Ai mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta”, shkroi ai në web-faqen e tij.

    Kjo, thotë Serwer, “do të rrezikonte zemërimin e elektoratit”.

    “Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte më e ulët, ashtu si edhe mbështetja për Kurtin. Popullsia dëshiron që politikanët të vazhdojnë me kryerjen e punës së tyre. Polarizimi po e bën këtë të vështirë”, shkruan ai.

    Serwer thotë se “opozita druhet se Kurti dëshiron ta ndryshojë Kushtetutën, e cila përfshin të drejta të pakicave që atij nuk i pëlqejnë”.

    “Ajo gjithashtu mendon se ai ka vepruar në mënyrë arrogante dhe madje antiamerikane ose autoritare në trajtimin e disa çështjeve. Kjo e bën kompromisin të vështirë”, shkruan Serwer.

  • FSK i bashkohet kërkimeve për 78-vjeçarin e zhdukur që nga java e kaluar

    FSK i bashkohet kërkimeve për 78-vjeçarin e zhdukur që nga java e kaluar

    Kërkimet për gjetjen e 78-vjeçarit Xhafer Raqi, i zhdukur që nga e enjtja e kaluar, po vazhdojnë edhe sot me angazhimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

    Nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit kanë bërë të ditur se aksioni i sotëm po zhvillohet në bashkëpunim me FSK-në, ndërsa kërkimet janë përqendruar në zonën e Butovcit, ku një ditë më parë u gjet një sandale që dyshohet se i përket 78-vjeçarit.

    Përveç FSK-së, në operacion janë të angazhuar edhe Policia e Kosovës, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, ekipe këmbësore, si dhe dronë për kontrollimin e terrenit.

    Xhafer Raqi, banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë, vuan nga demenca dhe është parë për herë të fundit rreth orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes.

    Familjarët kanë apeluar që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tij të kontaktojë në numrin +383 44 737 900

  • FBI: Kemi kapur më shumë se 600 dronë mbi stadiumet e Botërorit në SHBA

    FBI: Kemi kapur më shumë se 600 dronë mbi stadiumet e Botërorit në SHBA

    FBI ka raportuar se që nga nisja e Kupës së Botës më shumë se 600 dronë që fluturonin mbi hapësirën ajrore të stadiumeve.

    99 prej dronëve të kapur kanë fluturuar në Miami, 77 në Atlanta dhe 32 në Kansas.

    Agjencia e zbatimit të ligjit njoftoi se dronët ishin kapur në të 11 qytetet pritëse të SHBA-së nga FBI-ja dhe Departamenti Federal i Sigurisë Kombëtare (DHS).

    FBI-ja përpara turneut njoftoi se do të zbatonte një politikë të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) për kufizimin e fluturimit të dronëve, e cila përfshin kufizime të përkohshme të fluturimit ose rreth stadiumeve dhe vendeve të lidhura me shikimin e ndeshjeve.

    Ajo paralajmëroi se shkeljet mund të rezultojnë në gjoba civile deri në 75,000 dollarë, gjoba penale deri në 100,000 dollarë, deri në një vit burg dhe sekuestrim të çdo droni të përfshirë.

    Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (Fema) ndau 625 milionë dollarë për të mbështetur sigurinë dhe përgatitjen për emergjenca.

    Por vetëm finalja në stadiumin MetLife në East Rutherford, Neë Jersey, është përcaktuar si një ngjarje kombëtare e sigurisë speciale ose NSSE.

    Ky përcaktim shkakton një operacion federal të udhëhequr nga Shërbimi Sekret, me inteligjencë nga FBI-ja dhe koordinim emergjence nga FEMA, duke përfshirë perimetra të përforcuara sigurie, shqyrtim magnetometrik, TFR të zbatuara nga FAA, sisteme kundër dronëve dhe monitorim të vazhdueshëm kundër terrorizmit nga agjencitë federale dhe lokale të zbatimit të ligjit.

  • Isufaj për deklaratën e Haxhiut: Nuk bie pre e askujt

    Isufaj për deklaratën e Haxhiut: Nuk bie pre e askujt

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj nuk ka komentuar deklaratën e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiut për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

    Ndër të tjerash ai tha se “nuk bie pre askujt”.

    Në një konferencë për media ku Isufaj njoftoi për operacionet e fundit të Prokurorisë Speciale, u pyet nga mediat për deklaratën e U.D Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Isufaj tha se pyetje të tilla duhet t’i drejtohen Këshillit Prokurorial të Kosovës, teksa vendosi të mos komentoj deklarata politike të askujt.

    “Këto janë pyetje që mund t’ia drejtoni Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk i komentoj deklaratat politike të askujt, nuk bie pre askujt”, tha Isufaj.

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në rrjetin social të Presidencës ka komentuar shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

    Sipas saj, ky veprim i Këshillit Prokurorial të Kosovës rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë, duke u zgjedhur në krye të Prokurorisë kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional.

    “Është me rëndësi që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të besueshme dhe larg çdo ndikimi politik apo interesi të ngushtë, në mënyrë që në krye të Prokurorisë së Shtetit të zgjidhet kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional”, ka thënë Haxhiu.