ATV

Category: Lajme

  • Zelensky shkon në samitin e NATO-s me një kërkesë urgjente për Ukrainën: Më shumë mbrojtje ajrore

    Zelensky shkon në samitin e NATO-s me një kërkesë urgjente për Ukrainën: Më shumë mbrojtje ajrore

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, edhe pse vendi i tij nuk është anëtar i NATO-s, është bërë një pjesëmarrës i rregullt në samitet e aleancës, ndërsa Ukraina vazhdon të mbrohet nga agresioni rus.

    Me të mbërritur në Ankara të martën, Zelensky deklaroi se objektivi i tij kryesor në samit është sigurimi i më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.

    “Do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Sisteme të reja, raketa për to dhe çështja e licencave të prodhimit – të gjitha këto janë prioriteti ynë”, shkroi ai në X.

    Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka arritur kryesisht t’i zmbrapsë sulmet masive ajrore ruse ndaj qyteteve të saj dhe të shpëtojë jetë njerëzish, duke rrëzuar dronët dhe raketat ruse përmes një kombinimi të teknologjisë së avancuar, taktikave ushtarake dhe armëve të furnizuara nga Perëndimi.

    Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar këtë muaj. Një sulm rus ndaj Kievit javën e kaluar vrau 30 persona, ndërsa vetëm katër ditë më vonë një tjetër sulm ndaj kryeqytetit ukrainas la të vdekur edhe 19 persona.

    Numri i lartë i viktimave besohet të jetë pasojë e mungesës së theksuar të raketave Patriot, të vetmet sisteme të mbrojtjes ajrore të afta për të rrëzuar këtë lloj raketash.

    Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë bërë të ditur se vendi po përballet me një “mungesë kritike” të raketave Patriot. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi javën e kaluar se u ka dërguar letra pothuajse 40 vendeve, duke u kërkuar që t’i furnizojnë sa më shpejt me raketa Patriot nga rezervat e tyre ekzistuese, në këmbim të dërgesave të ardhshme që janë kontraktuar tashmë për Ukrainën, shkruan CNN.

  • Bytyqi e AAK-së: Nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje sërish

    Bytyqi e AAK-së: Nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje sërish

    Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Albana Bytyqi ka komentuar deklaratat e djeshme që erdhën nga LVV-ja se i kanë se i votat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por kërkojnë konsensus për Presidentin.

    Sipas Bytyqit, një qasje e tillë e LVV-së e ka dërguar vendin në zgjedhje edhe në dhjetor si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje që do ta përfshinte edhe zgjedhjen e presidentit.

    “Kjo qasje është shumë e gabuar, sepse po shkon pikërisht si në muajin dhjetor, kur shkuam në zgjedhje me këtë qasje se ne i formojmë institucionet, njëherë zgjedhet Qeveria e më pas Presidenti. Kështu ka shkuar si procedurë jo e rregullt. Edhe tani, nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje. Prandaj, paraprakisht duhet të bëhet një marrëveshje politike. Mirëpo, ne e dimë të gjithë se partia e parë fituese është dashur qysh moti t’i fillojë negociatat për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të mos vijë deri te dita e fundit, kur nuk mund të gjendet asnjë zgjidhje dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Nuk kemi ndonjë rezultat pozitiv.”, tha ajo për RTV21.

  • Sali Berisha ia huq me protestën e fermerëve të Kosovës, e paraqet si protestë në Shqipëri

    Sali Berisha ia huq me protestën e fermerëve të Kosovës, e paraqet si protestë në Shqipëri

    Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka publikuar një video nga protesta e fermerëve të Kosovës, duke pretenduar se kjo ngjarje ka ndodhur në Shqipëri.

    Berisha pas publikimit të videos ka shkruar në mbishkrimin, “Fermerët derdhin qumështin para Ministrisë së Bujqësisë si protestë për politikat qeveritare të falimentimit të tyre.”

    Berisha megjithatë në postim nuk e ka sqaruar se ky aksion simbolik është zhvilluar në Prishtinë e jo Tiranë.

    Postimi më pas është hequr.

    Berisha edhe në të kaluarën ka bërë huqje të tilla.

  • Valë e re e të nxehtit, OBSH paralajmëron: Evropa do të përballet me ‘javë më vdekjeprurëse’

    Valë e re e të nxehtit, OBSH paralajmëron: Evropa do të përballet me ‘javë më vdekjeprurëse’

    Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH paralajmëroi të martën se Evropa mund të përballet me “javë më vdekjeprurëse”, me një tjetër valë të nxehtë intensive që po formohet mbi Atlantik.

    Temperaturat në Portugali dhe Spanjën jugore pritet të rriten në 43 gradë Celsius në ditët në vijim. Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge zhvilloi një telefonatë emergjente të hënën me përfaqësues nga 41 vende të rajonit, Komisionin Evropian dhe grupet e shoqërisë civile për të diskutuar mësimet nga vala e fundit e të nxehtit dhe përgatitjet për atë të radhës.

    Kluge tha në një deklaratë se vendet me plane veprimi për shëndetin me nxehtësinë reaguan më shpejt dhe mbrojtën më mirë popullsinë e tyre gjatë valës së të nxehtit të qershorit.

    Megjithatë, ai tha se më pak se gjysma e shteteve anëtare evropiane të OBSH-së kishin një plan të tillë në vend.

    Ekspertët kanë thënë se vala e të nxehtit e 20-28 qershorit ishte më e rënda e regjistruar në Evropë, duke shkaktuar ndërprerje në prodhimin e energjisë, duke dëmtuar infrastrukturën dhe duke mbingarkuar sistemet e kujdesit shëndetësor.

    Nxehtësia ekstreme pothuajse me siguri u shkaktua nga ndryshimet klimatike, thanë shkencëtarët. Franca, Holanda dhe Belgjika regjistruan 3,700 vdekje shtesë, me autoritetet që paralajmërojnë se numrat janë paraprakë dhe mund të rriten.

    Temperaturat arritën 40 gradë Celsius në disa pjesë të Evropës gjatë valës së të nxehtit. Kluge tha se banorët e azileve të kujdesit, personat e pastrehë dhe të moshuarit e izoluar socialisht ende nuk po arriheshin në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë Evropën.

    “Puna tani është në dy fronte: duke rregulluar atë që dështoi në javët e fundit para se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe duke ndërtuar llojin e sistemeve shëndetësore që jo vetëm i përgjigjen nxehtësisë ekstreme, por janë të gatshme për të”, tha Kluge.

  • Avokati i Popullit nis hetime për pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan

    Avokati i Popullit nis hetime për pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetime sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për keqtrajtim të disa personave të arrestuar gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, më 28 qershor 2026.

    Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, vendimi për hapjen e hetimeve është marrë pas ankesave të pranuara nga qytetarë, informatave të dërguara nga organizata të shoqërisë civile, si dhe raportimeve të publikuara në media.

    Pretendimet e ngritura lidhen me trajtimin e personave të arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe ndaj cenimit të të drejtave të tjera të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

    Avokati i Popullit ka bërë të ditur se qëllimi i hetimeve është verifikimi i fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe vlerësimi nëse gjatë trajtimit të të arrestuarve janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

    Institucioni ka theksuar se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me ndalimin absolut të keqtrajtimit, trajtimit çnjerëzor apo poshtërues.

    “Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë”, thuhet në njoftim.

    Gjatë procesit hetimor, Avokati i Popullit pritet të mbledhë informacione dhe dokumentacion nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor.

    Pas përfundimit të hetimeve, institucioni ka bërë të ditur se do t’i publikojë gjetjet dhe rekomandimet përkatëse për opinionin publik dhe palët e interesuara.

  • 160 punëtorë të Trainkos ende pa paga, Sindikata kërkon ekzekutim të menjëhershëm

    160 punëtorë të Trainkos ende pa paga, Sindikata kërkon ekzekutim të menjëhershëm

    Punëtorët e kompanisë hekurudhore Trainkos ende nuk i kanë marrë pagat për muajin e kaluar, ndonëse, sipas Sindikatës së Hekurudhave, ato zakonisht ekzekutohen para datës 1 të çdo muaji.

    Kryetari i Sindikatës së Hekurudhave, Florim Gjyrevci, ka deklaruar për Telegrafin se vonesa ka kaluar tashmë pesë ditë, ndërsa rreth 160 punëtorë vazhdojnë të presin pagat e tyre.

    “Gjithmonë pagat i kemi marrë para datës 1. Sot është data 7 dhe afati është tejkaluar për pesë ditë. Ende nuk janë realizuar pagat për rreth 160 punëtorë,” tha Gjyrevci.

    Ai bëri të ditur se të hënën është zhvilluar një takim me kryeshefin ekzekutiv të Trainkos, ku është diskutuar çështja e vonesës së pagave.

    “Dje kemi pasur takim me kryeshefin e Trainkos dhe kemi diskutuar për këtë çështje, por deri më tani pagat ende nuk janë ekzekutuar,” u shpreh ai.

    Sipas Gjyrevcit, problemi qëndron te mosekzekutimi i mjeteve nga Ministria e Financave.

    “Ministria e Financave ende nuk i ka ekzekutuar mjetet dhe për këtë arsye punëtorët nuk i kanë marrë pagat. Nuk e dimë ku qëndron problemi,” deklaroi ai.

    Sindikata ka kërkuar që pagat të ekzekutohen sa më shpejt, duke theksuar se vonesat po krijojnë vështirësi për punëtorët dhe familjet e tyre dhe se në rast se kjo vonesë vazhdon atëherë do të shqyrtojnë mundësinë e veprimeve sindikale.

  • Haradinaj për Betejën e Morinës: Kapitull i ri në historinë e luftës çlirimtare në Dukagjin

    Haradinaj për Betejën e Morinës: Kapitull i ri në historinë e luftës çlirimtare në Dukagjin

    Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Betejën e Morinës, e cila u zhvillua më 7 korrik 1998, duke e cilësuar atë si një kapitull të ri në historinë e luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë ka nderuar kujtimin e të rënëve në këtë betejë.

    Sot, së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, nderuam kujtimin për trimat që u përjetësuan atë ditë: Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatini, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli. Në përvjetorin e rënies, nderuam gjithashtu kujtimin për dëshmorin Agim Mazrekaj. Ai ishte luftëtar i dalluar, i vendosur dhe gjithmonë i gatshëm për betejë dhe për çdo detyrë ushtarake. Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht u bë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çuar më tej idealin e shenjtë të lirisë. Nderim i përjetshëm për luftëtarët e lirisë”, shkroi ai.

  • Rritja ekonomike, Mustafa i PDK-së i reagon Muratit: Po mburret me stagnim

    Rritja ekonomike, Mustafa i PDK-së i reagon Muratit: Po mburret me stagnim

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka reaguar ndaj shkrimit të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me parashikimet për rritjen ekonomike.

    Murati deklaroi se Kosova pritet të jetë ndër top vendet me rritjen ekonomike më të shpejt gjatë viteve të ardhshme.

    Por, Mustafa i ka lexuar ndryshe shifrat e publikuara nga Murati.

    “Hekuran Murati po mburret me stagnimin ekonomik. Sot ai iu referua një raporti që parashikon se rritja ekonomike e Kosovës do të rritet nga 3.5% këtë vit në vetëm 3.95% deri në vitin 2031. Kjo nuk është arsye për t’u mburrur. Kjo tregon se kjo qeveri nuk ka ambicie për zhvillim.”, ka shkruar Mustafa.
    Ai ka thënë se kjo normë është më e ulët se rritja ekonomike që Kosova kishte para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet dhe sipas tij, është larg asaj që i duhet vendit për ta ndryshuar realisht jetën e qytetarëve.

    “Në vend të politikave që tërheqin investime, rrisin prodhimin dhe krijojnë vende pune që paguhen mirë, kjo qeveri është përcaktuar ta administrojë varfërinë përmes ndihmave që jepen kohë pas kohe. Me këtë qeveri, nuk pritet zhvillim.”, ka shtuar Mustafa.

  • Pas 5 vitesh drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë jep dorëheqje, përmend presionet

    Pas 5 vitesh drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë jep dorëheqje, përmend presionet

    Dr. Mimoza Berbatovci Ukimeraj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtoreshës së Klinikës së Nefrologjisë, pas pesë vitesh në këtë detyrë.

    Përmes një njoftimi publik, ajo tha se vendimi është marrë pas një periudhe të gjatë sfidash në ushtrimin e funksionit.

    “Ju njoftoj që pas 5 viteve në detyrë, kam marrë vendim të jap dorëheqje nga posti i Drejtoreshës së Klinikës së Nefrologjisë”, ka shkruar Berbatovci Ukimeraj.

    Ajo theksoi se dorëheqja lidhet me mungesën e bashkëpunimit institucional dhe presionet me të cilat, sipas saj, është përballur gjatë mandatit.

    “Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë përpjekjesh për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, në rrethana të karakterizuara nga mungesa e bashkëpunimit institucional me strukturat udhëheqëse të SHSKUK-së dhe QKUK-së dhe nga presionet e vazhdueshme që kanë cenuar pavarësinë time profesionale”, thuhet në reagimin e saj.

    Sipas saj, kushtet e krijuara kanë pamundësuar ushtrimin normal të përgjegjësive që burojnë nga posti drejtues.

    “Kur këto parime mungojnë dhe kur krijohen kushte që pengojnë realizimin e përgjegjësive në interes të pacientëve, stafit dhe institucionit, dorëheqja bëhet një akt përgjegjësie dhe integriteti profesional dhe personal, e kurrsesi tërheqje nga përgjegjësia”, ka theksuar ajo.

    Në reagimin e saj, Berbatovci Ukimeraj ka renditur edhe projektet që, sipas saj, janë realizuar gjatë pesë viteve të mandatit, përfshirë funksionalizimin e Qendrës së Hemodializës në Rahovec, fillimin e shërbimit të hemodializës në Podujevë, matjen e niveleve të barnave imunosupresive, nisjen e shërbimit të plazmaferezës terapeutike dhe furnizimin me aparatura të reja të hemodializës.

    Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se disa projekte kanë mbetur në fazën përfundimtare ose në pritje të realizimit, si fillimi i biopsisë renale, funksionalizimi i mikroskopit për sedimentin urinar, renovimi i Shërbimit të Hemodializës dhe pranimi i aparatit PrisMax Flex.

    Në fund të njoftimit, ish-drejtoresha falënderoi stafin e Klinikës së Nefrologjisë për bashkëpunimin gjatë mandatit të saj.

    “Jam krenare për gjithçka që kemi arritur së bashku dhe besoj se këto projekte do të vazhdojnë deri në funksionalizimin e tyre të plotë, në interes të pacientëve dhe të sistemit shëndetësor të Kosovës”, përfundon deklarata e saj.

  • Dhunuan të miturën dhe publikuan pamjet, procedohen tre adoleshentet në Fier

    Dhunuan të miturën dhe publikuan pamjet, procedohen tre adoleshentet në Fier

    Një incident i rëndë ka ndodhur në Fier, ku tre adoleshente kanë dhunuar një vajzë 17-vjeçare.

    Ngjarja ka ndodhur më datë 8 qershor, ndërsa mësohet se tre vajzat të moshave 15 dhe 19 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë.

    Ngjarja është referuar në Prokuroi më datë 9 qershor, pra një ditë pas dhunës.

    Pamjet e publikuara në rrjetet, të filmuara nga njëra prej tyre, tregojnë të miturën duke u goditur me shuplaka dhe grushte, ndërsa vajza që filmon dëgjohet edhe duke i nxitur të vazhdojnë. /Tch/