ATV

Category: Lajme

  • Isufaj: Së shpejti finalizohen hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari

    Isufaj: Së shpejti finalizohen hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz më 1998 pritet të përfundojnë së shpejti.

    Në një konferencë për media të hënën, Kryeprokurori i Speciales tha se rasti është “i ndjeshëm dhe kërkon maturi”.

    “Hetimet në rastet që lidhen me lagjjen dhe familjen Jashari, së shpejti do të finalizohen”, tha Isufaj.

    “Hetimi do të përfundojë shumë shpejt, pastaj të shohim. Ky hetim është shumë sensitiv, shumë i ndjeshëm dhe kërkon maturi. Thjesht, ne po e bëjmë atë punë. Nuk mund të them asgjë më tepër, përveçse hetimi është në përfundim”, u shpreh Isufaj.

    Në një përmbledhje të punës së Prokurorisë Speciale në vitin e fundit, ai përmendi dy operacione të rëndësishme të zhvilluara për krimet e luftës.

    “Vlen të përmendet se këtë vit janë realizuar dy operacione të rëndësishme lidhur me krimet e luftës. Në këtë drejtim, në rastet që lidhen me Masakrën e Reçakut janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për krime të luftës. Po ashtu, pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për rastin e Syriganës në Skenderaj”, tha Isufaj.

    Masakra në familjen Jasharaj të Prekazit më 1998, është një nga krimet më të rënda të kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

    55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.

  • VV: Për qeverinë i kemi votat, më pas duhet të gjejmë konsensus për Presidentin

    VV: Për qeverinë i kemi votat, më pas duhet të gjejmë konsensus për Presidentin

    Lëvizja Vetëvendosje tha se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit, proces që dështoi muaj më parë dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

    “Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

    LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh.

    Për zgjedhjen e Qeverisë kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash – pra LVV-ja do të mund ta formonte një ekzekutiv me përkrahjen e partive pakicë joserbe – të cilat e kanë mbështetur edhe ekzekutivin aktual.

    Megjithatë, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim në dy rundet e para të të paktën 80 deputetëve. Mospajtimet për zgjedhjen e presidentit çuan në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Sipas Nagavcit, LVV-ja do “të bëjë gjithçka” që është në mandatin e saj që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

    “Andaj, është e nevojshme që deputetët, të cilët kanë fituar besimin e qytetarëve, të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe ta zgjedhim presidentin/en, në mënyrë që ta tejkalojmë bllokadën në të cilën ndodhemi, të shmangim edhe një palë zgjedhje dhe të vazhdojë puna me kompetenca të plota në të gjitha institucionet”, shprehet Nagavci.

    Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga prilli, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar kushtetues. Ndërkohë, partitë janë në pritje të certifikimit të rezultateve për të nisur konsultimet për formimin e institucioneve të reja.

    Aktualisht, Gjykata Supreme po trajton disa ankesa dhe ka afat deri të martën që t’i shqyrtojë ato, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret vendimet e saj para se të vazhdojë me certifikimin e rezultateve.

    Duke folur për këto takime mes partive, Nagavci thekson se kreu i partisë, Albin Kurti do të udhëheqë këtë proces dhe do t’i zhvillojë ato “me synimin për të gjetur zgjidhjen më të mirë për tejkalimin e situatës”.

    “LVV-ja nuk është e gatshme për kompromis të gjerë politik”

    Por, politologu Dritëro Arifi e interpreton këtë qëndrim si shenjë se LVV-ja nuk është e gatshme për kompromis të gjerë politik.

    “Mendoj se nëse shkohet me këtë logjikën ku nuk ka asnjë negociatë mbi ndërtimin e diçkaje pozitive, rezultati do të jetë pak a shumë siç ka qenë vitin e kaluar. Pra, deklarata e Nagavcit është sinjali se ata nuk janë të gatshëm të bashkëqeverisin vetëm ta zgjedhin një president çfarëdo qoftë ai ose ajo. Pra i bie nën urdhrat e LVV-së”, thotë Arifi.

    LVV-ja kërkon që vendi të ketë një president konsensual dhe muaj më parë propozoi edhe dy figura nga shoqëria civile, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha. Por, për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje me partitë opozitare, kandidaturat e LVV-së për president nuk arritën të merrnin votat e nevojshme.

    Lidhur me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, Arifi thotë se deklarata e Nagavcit është “pa logjikë, pa përmbajtje, është puro politikë populliste”, teksa thekson se parti të ndryshme kanë dalë me kushte të caktuara për bashkëpunim me LVV-në e Kurtit.

    Cilat janë qëndrimet e partive?

    Radio Evropa e Lirë u ka dërguar pyetje Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me konsultimet për formimin e institucioneve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas zgjedhjeve deklaroi se fuqia e dytë më e madhe politike është e hapur për bisedime me të gjitha partitë, pa përjashtuar as LVV-në.

    “Mendoj se për të pasur institucione shpejt dhe të qëndrueshme, duhet të ketë marrëveshje politike qysh tash, ende pa filluar konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit”, tha ai.

    Ditë më parë, ai tha se para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me partinë fituese.

    Nga LDK-ja – e cila në zgjedhje garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente – janë vendosur disa parakushte për një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

    Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një intervistë dhënë së voni për Klan Kosovën, tha se orientimi strategjik, përfshirë gazin amerikan “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.

    Ai tha se duhet të flitet për projekte e parime qeverisëse si dhe për orientimin e Kosovës në katër vjetët e ardhshëm dhe më pas të mund të flitet për pozita.

    Abdixhiku tha se për partinë e tij, që të merret vesh për presidentin, jetike mbetet që fillimisht të merren vesh për orientimin që do të ketë shteti.

    “Para se të merremi vesh për presidentin, duhet të merremi vesh për orientimin e Kosovës, për politikat strategjike të sigurisë, për politikat zhvillimore dhe natyrën se si e zhvillojmë demokracinë në Kosovë”, tha ai.

    Ndërkaq, Aleanca ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja.

    Kreu i kësaj partie, Adrian Gjini, ndër të tjera ka përmendur kushtin që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

    “Duke e kuptuar logjikën se si ka operuar kjo Qeveri, asnjë nga ato kushte zoti Kurti nuk do t’i marrë për bazë sepse ajo më pas është interferim në bashkëqeverisje. Këta nuk duan bashkëqeverisje po duan vetëm të merren vesh për presidentin”, thotë politologu Arifi duke komentuar kushtet e paraqitura nga partitë opozitare.

    Sipas tij, “nuk ka parti normale opozitare që ta japë mbështetjen bllanko për presidentin pa pasur transformim dhe ndryshim në politikat qeverisëse”.

    Qeveria në detyrë po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), të mbështetura nga SHBA-ja.

    Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.

    Politologu Dritëro Arifi thotë se çështja e gazit amerikan do të duhej të ishte një nga kushtet e partive për krijimin e institucioneve, sepse “vetëm Kosova po mbetet jashtë këtij projekti të madh të SHBA-së. Kjo duhet të jetë një nga pikat e rëndësishme, por jo e vetme”.

    Sipas tij, nëse partitë opozitare votojnë për presidentin dhe edhe nëse hipotetikisht LVV-ja pranon ta rishqyrtojë idenë e gazit amerikan “ju nuk keni garancione kushtetuese, ligjore që ata do ta mbajnë fjalën e dhënë. Në këto gjashtë vjet, ajo nuk e ka mbajtur asnjë premtim para dhe pas ardhjes në pushtet”.

    Nëse partitë nuk merren vesh për presidentin, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje. Ato do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.

    Sipas Arifit, nuk ka një klimë apo përpjekje për ndërtimin e një klime pozitive që vendi të dalë nga kjo bllokadë.

    Sipas rezultateve përfundimtare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44 për qind, apo 22 ulëse në zgjedhjet e 7 qershorit; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69 për qind, apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – që së voni ka vendosur të përdorë vetëm emrin Aleanca – 6.74 për qind, apo shtatë mandate. /REL

  • 52 raste me fruth në Kosovë, IKShPK apelon për vaksinim

    52 raste me fruth në Kosovë, IKShPK apelon për vaksinim

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 6 korrik 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 52 raste të konfirmuara me fruth. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar edhe pesë raste të reja.

    Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 17 raste, pasuar nga Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 6 raste dhe Fushë-Kosova me 5 raste. Ndërsa në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq janë raportuar nga dy raste, kurse nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

    IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore më të afërta.

    “Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë IKShPK.

  • Vrasja e 20-vjeçarit kosovar në Suedi, detaje se si u kap autori i krimit

    Vrasja e 20-vjeçarit kosovar në Suedi, detaje se si u kap autori i krimit

    Gent Maksutaj, 20 vjeçar me prejardhje nga Kosova është vrarë mbrëmë në Suedi, në rrethana tragjike. I riu dyshohet se u privua nga jeta aksidentalisht, gjatë një përleshje mes bandave krimina;e.

    Lidhur me këtë rast të rëndë kanë raportuar edhe mediat suedeze.

    Sipas policisë i dyshuari për të shtënat dyshohet se ka udhëtuar me tren drejt Stokholmit, ku edhe është arrestuar më vonë gjatë mbrëmjes ose natës.

    Krejt çka dyshohet se ndodhi

    Të shtënat në Kvarngärdet

    Rreth orës 21:00 të së dielës, policia mori një alarm për të shtëna me armë në zonën Kvarngärdet në Uppsala. Menjëherë u ndërmor një operacion i madh policor, ku u angazhuan disa patrulla dhe zona u rrethua plotësisht. Në vendngjarje u panë edhe dy autoambulanca.

    Fillimisht, policia nuk dha shumë detaje për ngjarjen, por më vonë konfirmoi se një burrë në të njëzetat kishte humbur jetën si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.

    Familjarët e viktimës janë njoftuar.

    Hetimi: vrasje e rëndë

    Policia suedeze e ka cilësuar ngjarjen si vrasje dhe po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes. Viktima është gjetur jashtë, ndërsa ende po hetohet vendi i saktë ku kanë ndodhur të shtënat.

    “Ne kemi vendosur kordonë sigurie dhe po kërkojmë gjurmë që mund ta ndihmojnë hetimin. Po intervistojmë dëshmitarë dhe po kontrollojmë kamerat e sigurisë, si ato tona ashtu edhe private,” ka deklaruar zëdhënësi i policisë, Pelle Vamstad.

    Nuk përjashtohet lidhja me krimin e organizuar.

    Në këtë fazë të hetimit, policia nuk ka konfirmuar nëse ngjarja lidhet me kriminalitetin e bandave, por ka theksuar se kjo është një nga pistat që po shqyrtohet.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë./KlanKosova

  • Haradinaj: Qeveria në detyrë me qasje armiqësore po godet direkt prodhuesin vendor – derdhja e qumështit e dhimbshme

    Haradinaj: Qeveria në detyrë me qasje armiqësore po godet direkt prodhuesin vendor – derdhja e qumështit e dhimbshme

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar për protestën e sotme të fermerëve pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku tha se “pamjet e derdhjes së qumështit nga fermerët në lumenj dhe në rrugë janë të dhimbshme dhe shqetësuese. Si pasojë e vështirësive të krijuara në shitjen e prodhimit të tyre, fermerët po detyrohen të ndërmarrin edhe veprime të tilla ekstreme në shenjë proteste”.

    Haradinaj shprehet se “Qeveria në detyrë, me qasje armiqësore, po godet direkt prodhuesin vendor, mirëqenien e fermerit, familjen e tij dhe gjithë ekonominë tonë”.

    “Ftoj institucionet të reflektojnë dhe t’i marrin seriozisht kërkesat e fermerëve dhe t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara. Të mos i trajtojnë si kundërshtarë, por si partnerë në zhvillimin ekonomik të vendit”, është shprehur ai.

  • Dënohet me mbi 2 vjet burgim Aurona Pelaj për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë, lirohen dy të tjerat

    Dënohet me mbi 2 vjet burgim Aurona Pelaj për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë, lirohen dy të tjerat

    Gjykata ka shpallur vendimin në rastin e sulmit ndaj një të moshuare në një shtëpi të kujdesit për të moshuar, ngjarje e ndodhur në vitin 2022.

    Sipas vendimit të shpallur të hënën, Aurona Pelaj është shpallur fajtore dhe është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim për sulmin ndaj të moshuarës.

    Ndërkaq, të akuzuarat e tjera, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuçi, janë liruar nga akuza.

    Pas shpalljes së aktgjykimit, avokati i familjes së të moshuarës, Meshari Selimaj, tha se janë të kënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj të pandehurës kryesore, por jo me vendimin për lirimin e dy të akuzuarave të tjera.

    “Jemi të kënaqur me vendimin për burgim ndaj të pandehurës kryesore, ndërsa sa i përket të pandehurës së dytë dhe të tretë, nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Selimaj.

    Rasti kishte ngjallur reagime të shumta publike në vitin 2022, pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje që shfaqnin dhunën ndaj të moshuarës në një shtëpi të kujdesit për të moshuar.

  • Mbledhjet e nënshkrimeve për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK’së, Osmani nuk komenton

    Mbledhjet e nënshkrimeve për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK’së, Osmani nuk komenton

    sh-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka dashur të komentojë nismën për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raporton EO.

    E pyetur për zhvillimet e fundit brenda LDK-së, Osmani tha se tashmë e ka shprehur qëndrimin e saj për këto çështje dhe nuk ka asgjë për të shtuar.

    “Jam deklaruar për këto tema më herët dhe i qëndroj prapa atyre deklarimeve. Të njëjtat vlejnë edhe tani”, tha Osmani.

    Video:

  • Shtiu me armë në gazmend familjar, ndalohet i dyshuari në Prizren

    Shtiu me armë në gazmend familjar, ndalohet i dyshuari në Prizren

    Mbrëmë rreth orës 23:00, Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Prizren ka pranuar informacione për përdorim të armës së zjarrit në një gazmend familjar në rrugën “Reshat Qoqaj” në Prizren.

    “Njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke intervenuar në vendngjarje, identifikuar lokacionet dhe personin e dyshuar. I dyshuari ka pranuar se ka shtënë me armë dhe ka deklaruar se kanë pasur një gazmend familjar; i njëjti ka dorëzuar armën, një pistoletë”, konfirmon policia.

    “Në vendngjarje, përveç armës janë sekuestruar edhe dy gëzhoja si prova materiale. Pas intervistimit të të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprat përkatëse, përfshirë “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Policia e Kosovës apelon qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve në festa apo gazmende familjare, duke respektuar ligjin dhe duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme”, apelon policia.

  • Fermerët i reagojnë ministrit Muja: Qumështi i Vitës është i Kosovës, jo i Serbisë

    Fermerët i reagojnë ministrit Muja: Qumështi i Vitës është i Kosovës, jo i Serbisë

    Fermerët e Kosovës po protestojnë para Ministrisë së Bujqësisë, pasi tash e katër ditë është ndaluar përkohësisht grumbullimi i qumështit, duke paraprirë mbylljen e përkohshme të qumështores Vita.

    Fermerët i janë kundërpërgjigjur ministrit në detyrë, Armend Muja, duke i thënë se “Qumështi Vitës është i Kosovës, jo i Serbisë”.

    Ndërsa të njëjtit, kanë theksuar se po gjykohen padrejtësisht kinse po helmojnë popullin e vet.

  • Publikohet video gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë

    Publikohet video gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar videon gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë, në lidhje me një rrjet të pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i drogës.

    Policia informon se operacioni është realizuar në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të të ardhurave të nxjerra nga trafikimi i drogës, i realizuar nga autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuara nga Europol dhe Eurojust, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës.

    Video: