ATV

Category: Lajme

  • Policia e Kosovës dhe stafi i sigurisë së ambasadës amerikane zhvillojnë trajnim të përbashkët në qitje

    Policia e Kosovës dhe stafi i sigurisë së ambasadës amerikane zhvillojnë trajnim të përbashkët në qitje

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shprehur falënderim për Policinë e Kosovës, për mbështetjen e ofruar në rritjen e gatishmërisë për siguri në objektin e ambasadës.

    Në njoftimin e saj, ambasada thekson se rojet, stafi i sigurisë dhe Rojet Detare të Sigurisë së ShBA-së, së bashku me policët e caktuar për mbrojtjen e ambasadës, kanë zhvilluar trajnim në përdorimin e armëve, duke përdorur poligonin e qitjes të Policisë së Kosovës.

    ‘‘Faleminderit Policisë së Kosovës për mbështetjen ndaj gatishmërisë për siguri të Ambasadës së SHBA-së dhe për mundësimin e përdorimit të poligonit të tyre të qitjes për kualifikimet me armë. Rojet e ambasadës, stafi i sigurisë dhe Rojet Detare të Sigurisë të SHBA-së, së bashku me oficerët e #PoliciaeKosovës të caktuar për mbrojtjen e Ambasadës, ruajtën aftësinë e tyre në përdorimin e armëve. Ky trajnim përmirëson gatishmërinë në rast emergjence, forcon bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, dhe ndihmon në mbajtjen e sigurisë së Ambasadës dhe vendeve tona’’, thuhet në reagim.

  • Puna dhe sfidat e Odës së Farmacistëve të Kosovës

    Puna dhe sfidat e Odës së Farmacistëve të Kosovës

    Oda e Farmacistëve të Kosovës, është një institucion kyç në mbrojtjen e interesave profesionale të farmacistëve dhe avancimin e sektorit farmaceutik në vend. Ai është i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm në përmirësimin e kushteve të punës për farmacistët dhe në forcimin e bashkëpunimit me institucionet shëndetësore.

    Një nga çështjet më të diskutuara gjatë mandatit të tij ka qenë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për unifikimin e çmimeve të barnave. Ky vendim ka shkaktuar shqetësime të mëdha në mesin e farmacistëve, të cilët e konsiderojnë si një masë që mund të sjellë humbje ekonomike të konsiderueshme për bizneset e tyre. Kryetari Kadri Bytyqi ka theksuar se ky vendim është marrë pa konsultime të mjaftueshme me profesionistët e fushës dhe ka kërkuar rishikimin e tij.

    Për të adresuar këto shqetësime, OFK ka ndërmarrë hapa konkretë, duke përfshirë mbajtjen e mbledhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimin e pyetësorëve nëpër barnatore për të mbledhur informacione nga terreni.

    Angazhimi i Bytyqit dhe OFK-së për të mbrojtur të drejtat e farmacistëve është një shembull i qartë i përkushtimit të tyre ndaj avancimit të profesionit dhe sigurimit të kushteve të barabarta për të gjithë aktorët në sistemin shëndetësor. Në këtë drejtim, ata vazhdojnë të punojnë ngushtë me institucionet përkatëse dhe të angazhohen në procese ligjore dhe administrative për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të drejtë për farmacistët dhe pacientët.

    Për më tepër, OFK ka paraqitur propozime për përmirësimin e legjislacionit në fushën e farmacisë, duke përfshirë iniciativën për miratimin e Ligjit për Farmacinë, rritjen e numrit të farmacistëve të punësuar në sistemin publik shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve të punës për specialistët e fushës. Këto propozime synojnë forcimin e kapaciteteve të sektorit dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

    Në përfundim, Oda e Farmacistëve të Kosovës është një shembull i angazhimit të palodhur për përmirësimin e kushteve të punës për farmacistët dhe avancimin e sektorit farmaceutik në vend. Ata vazhdojnë të jenë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e interesave profesionale dhe në sigurimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

  • ​Pse qytetarët vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara?

    ​Pse qytetarët vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara?

    Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara edhe më 2025, për shkak të perceptimit se ato kanë cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët, sipas rezultateve të Anketës mbi perceptimin e konsumatorëve për prodhimet vendore, realizuar nga UBO Consulting për Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve “PePeKo”, mbështetur nga Projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).

    Shkurte Makolli nga UBO Consulting, theksoi se disa produkte vendore si uji, jogurti, dhallë, djathi, gjiza, qumështi, turshitë dhe ajka mbajnë një nivel të qëndrueshëm të preferencës nga konsumatorët.

    Një tjetër produkt që ka ruajtur popullaritetin është kosi, i cili vazhdon të mbetet ndër produktet më të preferuara vendore.

    Nga ana tjetër, çaji ka përjetuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit, me 71% të qytetarëve që preferonin çaj vendorë në vitin 2023, por kjo përqindje ra në 44% në 2024 dhe në 35% në vitin 2025.

    “Produktet vendore që qytetarët i blejnë më së shumti janë, uji, kosi, jogurti, dallë, gjizë, qumësht, turshitë dhe ajka. Këtu i kemi një grup të produkteve që e ruajnë blerjen vendore, është reçeli, që është blerë si produkt vendor në vitin 2023 për 63 për qind, në 2024 është rrit në 75, por sërish në vitin 2025 është kthyer në 63 për qind, që është trendi i njëjte 2025-2023. Kosi, jogurti, dhallë mbetet një ndër produktet që blihen më së shumti si produkt vendor. Djathi dhe gjiza, dhe salcat të tjera janë produkte që kanë ruajtur blerjen vendore. Përpos produkteve të cilat kanë pasur rritje, dhe produktet që kanë mbajtur tregun, janë edhe disa produkte vendore të cilat kanë rënie, tek çaji, në vitin 2023 nga anketa ka dalë që 71% i preferojnë çajin vendor, ndërkohë që kjo përqindje bie në 2024 në 44% dhe vazhdon rënien në 2025 në 35 për qind”, tha Makolli.

    Ndërsa në pyetjen që është zhvilluar në anketë se çfarë ndikon që qytetarë të zgjedhin produktin e importuar, Makolli shtoi se arsyeja kryesore për zgjedhjen e produkteve të importuara është perceptimi se ato kanë cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët se produktet vendore.

    Ajo theksoi se ndryshimi i këtij perceptimi mund të arrihet përmes edukimit, marketingut më të mirë dhe ndërtimit të besimit për produktet vendore.

    “Nuk është thjesht çështje e preferencave por edhe perceptimeve. Kjo mund të ndryshohet me edukim, marketing më të mirë dhe ndërtim besimi. Arsyeja kryesore pse të anketuarit edhe në vitin 2025 në vend të produkteve vendore zgjedhin të importuara është se perceptimi i tyre është se produktet e importuara kanë cilësi më të lartë, dhe që produktet e importuara kanë çmim më të barabartë ose më të ulët se produktet vendore. Po ashtu është që e kanë të vështirë t’i identifikojnë produktet vendore”, ka shtuar Makolli./kp

  • Qeveria mban mbledhje elektronike, merr këtë vendim

    Qeveria mban mbledhje elektronike, merr këtë vendim

    Qeveria në detyrë ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për aprovimin e Kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.

    Nga vendimi i kësaj mbledhjeje të 259-të të Qeverisë, mjetet financiare për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar, sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

    Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për zgjerimin e kapaciteteve dhe vënies në detyrë të këtyre kapaciteteve është e përgatitur të mbështetës Shqipërinë me një Kontingjent për nevojë humanitare, përkatësisht operacionin humanitar kërkim shpëtim, në vendin e quajtur “Qafën e Burrelit”, Bashkia Klos.

    Kjo mbështetje është në kuadër të partneritetit strategjik me shtetet mike e në veçanti me Shqipërinë, me këtë rast për mbështetje të autoriteteve të shtetit shqiptar.

  • Kurti bën homazhe me rastin e 27-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu: Shembull i gjallë për brezat që do të vijnë

    Kurti bën homazhe me rastin e 27-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu: Shembull i gjallë për brezat që do të vijnë

    Me rastin e 27-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu, kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i tij.

    Kurti u shprehi lavdi dëshmorëve, por nuk e foli asnjë fjalë për politikë si zakonisht, kur u pyet nga gazetarët, raporton EO.

    “Erdhëm sot, në 27-vjetorin e rënies heroike të Bahri Fazliut, për të bërë homazhe së bashku, sepse Bahri Fazliu është shembull i luftëtarit çlirimtar, edhe para luftës çlirimtare. Kemi pasur shumë veprimtarë të cilët e kanë përgatitur luftën, dhe në mesin e tyre, ndër më të shquarit, është Bahri Fazliu, i cili mbante pseudonimin ‘Gëzimi’. Shkrimet e tij analitike, poezitë e tij romantike, dashuria e tij e pafund për atdheun, si dhe aksionet dhe betejat në të cilat mori pjesë, pa dyshim që e bëjnë atë një shembull të gjallë, jo vetëm për brezin tonë, por edhe për ata që do të vijnë.”

  • Krasniqi: Letra e Abdixhikut nuk është në frymën multietnike të Kosovës

    Krasniqi: Letra e Abdixhikut nuk është në frymën multietnike të Kosovës

    Partitë e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë kanë kritikuar propozimin e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku për qeveri tranzicionale. Deputeti Elbert Krasniqi tha se ai i ka ftuar vetëm subjektet politike shqiptare, duke i përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Sipas tij, kjo është qasje përjashtuese dhe jo në frymën multietnike të Kosovës, raporton KosovaPress.

    “Ne përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, jemi si zakonisht për formimin e institucioneve sa më parë dhe sa më shpejt, në mënyrë që të ketë stabilitet dhe qëndrueshmëri përfaqësimi edhe në Kuvendin e Kosovës por edhe në Qeverinë e Kosovës. Po i përcjellim me vëmendje krejt këto zhvillimet e fundit edhe na duhet t’i themi dy gjëra që ne si parti politike të bashkuar në një grup politik kemi një vërejtje të madhe në deklaratën për media të zotëri Lumir Abdixhiku i cili i bën thirrje vetëm subjekteve politike shqiptare edhe përjashton përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kuvendin e Kosovës. Jo nga fakti që po presim një ftesë për të ju përgjigj, mirëpo kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, nuk është frymën multietnike të Kosovës dhe për këtë duhet të kemi një vërejtjeje të drejtpërdrejt”, tha ai.

    Ai kritikoi edhe stagnimin që e ka përmendur Abdixhiku në këtë letër, për çka tha se për herë të parë ka gjithëpërfshirje të komuniteteve në qeveri. /kp

  • Haxhiu për qëndrimin e LDK-së: E papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve, votimi i fshehtë është demokratik

    Haxhiu për qëndrimin e LDK-së: E papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve, votimi i fshehtë është demokratik

    Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit tha se është i paqartë pozicioni i atyre që fare nuk marrin pjesë në votim për komisionin në mënyrë që të vazhdojmë me votimin e fshehtë, duke e shtuar se ky votim është demokratik, raporton EO.

    Haxhiu duke e komentuar refuzimin e LDK-së për koalicion me VV-në tha se është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve të Kosovës’’.

    ‘‘Pra, për mua është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim për komisionin në mënyrë që të vazhdojmë votimin e fshehtë. Është votim shumë demokratik, për shumë pozicione përfshirë këtu edhe presidentin. Sa i përket qëndrimit të LDK-së, mendoj që është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, ne zgjedhje kemi pasur para 3 muajve, ka tendencë të hapur që të injorohet ky vullnet i popullit. LVV-ja është subjekti më i madh në vend, Kurti është kandidati më më së shumti mbështetje nga qytetarët e Kosovës. Kushdo që tenton me injoru këtë vullnet e ka gabim’’, tha Haxhiu.

  • Sveçla publikon pamje të armëve që u kapën nga Policia në veri: Presim dënim meritor

    Sveçla publikon pamje të armëve që u kapën nga Policia në veri: Presim dënim meritor

    Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamjet e armëve që u kapën nga Policia e Kosovës sot në veri.

    Ai ka thënë se pret dënim meritor.

    Postimi:

    Vazhdojmë pa asnjë kompromis goditjen ndaj kriminaliteteve që cënojnë sigurinë qytetarëve tanë dhe Republikës sonë.

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan sot është realizuar një operacion policor nga i cili është identifikuar një punëtori në të cilën janë modifikuar armë të llojeve të ndryshme. Në po atë lokacion dhe në të tjerë janë gjetur armë të llojeve të ndryshme, municion dhe armë në proces të modifikimit.

    Kjo veprimtari dhe çdo tjetër do të luftohen deri në fund, e veçanërisht kur të njejtat zhvillohen për të penguar e ndaluar punën e zyrtarëve tanë që garantojnë sundim të rendit e ligjit dhe siguri për vendin tonë.

    Ndaj të arrestuarve që kanë zhvilluar këtë veprimtari pres dënim meritor e pa dilemë, që të fuqizojë përpjekjet tona për një Republikë të sigurt.

  • Jep dorëheqje një gjyqtar i Gjykatës Speciale

    Jep dorëheqje një gjyqtar i Gjykatës Speciale

    Ka dhënë dorëheqje nga Gjykata Speciale, gjyqtari Kenet Roberts.

    Lajmi është bërë i ditur në faqen e Gjykatës Speciale.

    Njoftimi:

    Të premten, më 2 maj, gjykatësi Kenet Roberts informoi Kryetaren e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova se ai do të tërhiqet nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë për shkak të mungesës së kohës dhe prioriteteve të ndryshme.

    Kryetare Trendafilova shprehu mirënjohje për kontributin e gjykatësit Roberts në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara. “Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen gjykatësit Roberts për kontributin e tij të vyer në hartimin dhe zhvillimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Do ta ndiejmë shumë mungesën e tij si koleg i ditur e me përvojë,” u shpreh gjykatëse Trendafilova.

  • Limaj: Nëse kemi ftesë nga Abdixhiku i përgjigjemi, ideja ime është një qeveri e shumicës

    Limaj: Nëse kemi ftesë nga Abdixhiku i përgjigjemi, ideja ime është një qeveri e shumicës

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se partia e tij parapëlqen qeveri të shumicës dhe se është e gatshme t’i përgjigjet ftesës së kreytarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Nëse kemi ftesë ne do të përgjigjemi për të shkuar dhe për ta dëgjuar. Ideja ime është një qeveri e shumicës”, tha Limaj.

    Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë, tha se Kosova ka nevojë për qeveri të shumicës dhe se “kjo mund të ndodhë sepse ka potencial” për formimin e saj.

    Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzitore që do të përfshinte të gjitha partitë parlamentare.