ATV

Category: Lajme

  • Këshilli i Evropës publikon agjendën e Samitit të BE-së në Tiranë

    Këshilli i Evropës publikon agjendën e Samitit të BE-së në Tiranë

    Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të zhvillohet të premten, më 16 maj, në sheshin Skënderbej në Tiranë.

    Këshilli i Europës ka publikuar agjendën e Samitit, që siç thotë është i organizuar nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Ky aktivitet do të mbledhë udhëheqës nga e gjithë Evropa në Tiranë. Tema e takimit është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

    Së bashku me presidentin Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.

    “Samiti do të përfshijë seanca plenare hapëse dhe mbyllëse, me tryeza të rrumbullakëta tematike paralele dhe takime dypalëshe midis tyre”, thuhet në njoftim.

  • ​Polonia vendos sanksione ndaj Dodikut

    ​Polonia vendos sanksione ndaj Dodikut

    Qeveria e Polonisë e ka futur në “listën e zezë” presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik.

    Sipas Politicki.ba-s, Milorad Dodikut i ndalohet hyrja në këtë vend, si dhe qëndrimi atje dhe kalimi tranzit nëpër të.

    Vendimi u mor për shkak të aktiviteteve anti-Dejton dhe separatiste të këtij politikani, transmeton KosovaPress.

    Ndalesa e udhëtimit për Dodikun do të thotë gjithashtu se ai mund të mos jetë në gjendje të fluturojë për në Rusi nëpërmjet këtij vendi herën tjetër.

    Polonia është vendi i katërt evropian që sanksionon udhëheqësin e entitetit Republika Srpska.

    Më parë, Britania e Madhe, Austria dhe Gjermania e bënë këtë.

    Përpara tyre, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Dodikut në dy raste.

  • ​Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për fajde, Prokuroria në Prizren jep detaje

    ​Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për fajde, Prokuroria në Prizren jep detaje

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.K., dhe B.K., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data njëzet e gjashtë mars dy mijë e njëzet e pesë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”. Siç njofton Prokuroria, gjithashtu i akuzuari E.K., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Po ashtu i akuzuari B.K., sipas njoftimit, ka kryer veprën penale “Detyrimi”, raporton KosovaPress.

    “Sipas aktakuzës, nga muaji shkurt i vitit dy mijë e njëzet e një, e në vazhdimësi, në Prizren, të akuzuarit E.K., dhe B.K., kontraktojnë një shumë dukshëm jopropocionale në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin E.G., duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, papërvojën ose paaftësinë për të kuptuar pasojën, në atë mënyrë që i dëmtuari, fillimisht takohet me të akuzuarin E.K., nga i cili kërkon tre mijë euro borxh, me afat kthimi brenda dy muajve”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, me rastin e dhënies së borxhit, i akuzuari E.K., e ngarkon me kamatë mujore në shumë prej gjashtëqind e pesëdhjetë euro.

    “Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i akuzuari E.K., përsëri i jep të dëmtuarit edhe dymijë e pesëqind euro, të cilat para i kishte marrë nga xhaxhai i tij, i akuzuari B.K., duke e paralajmëruar të dëmtuarin, se për këtë shumë do të paguaj kamatë mujore në shumë prej pesëqind euro”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, “Meqenëse i dëmtuari, nuk arrin të paguaj borxhin së bashku me kamatën që i kërkohet, të akuzuarit ia rrisin vlerën e kamatës mujore në vlerë prej njëmijë e njëqind e peshëdhjetë euro”.

    “Përsëri në pamundësi të pagesës, të pandehurit, ia jepin të dëmtuarit edhe dymijë euro, ku i dëmtuari nga muaji shkurt i vitit dymijë e njëzet e një e deri në muajin shkurt të vitit dymijë e e njëzet e pesë, ka paguar kamatë mujore në shumë prej njëmijë e pesëqind euro, e cila kamatë arrin vlerën mbi njëzetë e pesë mijë euro. Me datë 18.03.2025 rreth orës 23:02 min, i akuzuari E.K., i dërgon sms të dëmtuarit duke i thënë se i ke borxh trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euroose e bartë banesën tek noteri në emrin e tij. Me pas, me datë 26.03.2025 takohen në Prizren, dhe pas bisedës rreth borxheve dhe kamatës, të akuzuarit nga i dëmtuari marrin edhe dhjetëmijë euro me ç’rast intervenon policia dhe të njëjtit arrestohen. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, i akuzuari E.K., me datë 26.03.2025, posedon në kundërshtim me ligjin për armët, pistoletën “Pjetro Bereta Gardone”, dhe 13 fishekë, pas kontrollimit të automjetit “Mercedes 2024”C, ndërsa pas kontrollit në shtëpinë e tij, është gjetur edhe 1 pushkë ajrore dhe 1 fishekë i armës së gjatë, si dhe 42 fishekë të pistoletës 9×19 mm dhe 1 karikator i zbrazët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

    Ndërsa, më tej thuhet se i akuzuari B.K., me datë 27.02.2025, në kohë të pacaktuar, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete përdorë forcën duke detyruar të dëmtuarin E.G., të kryej ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i njëjti nuk ka qenë në gjendje ta realizoj kthimin e borxhit që ka rezultuar nga dhënia e fajdesë dhe interesin jo proporcional, në mënyrë të dhunshme ia merr automjetin Golf VII, ku i dëmtuari pastaj detyrohet të marr një automjet Golf VI në Rent A Car, për ta kthyer automjetin e tij.

    “Po ashtu, në mënyrë të dhunshme ia heq nga dora orën të dëmtuarit, në vlerën prej njëmijë e treqind euro, si dhe kërcënon se nëse nuk i pagan borxhet dhe kamatat e lartcekura, do të shkojnë tek noteri për ta bartur banesën e të dëmtuarit në posedim të tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

    “Gjithashtu, prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe përfitimeve nga kryerja e veprave penale, duke përfshirë shumën në total tetëmbëdhjetë mijë e pesëdhjetë euro), automjetin “Mercedes”, armë, telefona etj”, thuhet në njoftim.

  • Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në siguri dhe komunikim

    Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në siguri dhe komunikim

    Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për ndërveprueshmëri dhe siguri në komunikim.

    Marrëveshja u nënshkrua të martën ndërmjet komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari dhe gjeneralit amerikan, John Philips, ku u tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë që mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta.

    Gjithashtu, marrëveshja përfshin edhe shkëmbin e informacioneve kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK-ja.

    Jashari dhe Philips diskutuan edhe për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit.

    “Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Zv.drejtori i Policisë së Kosovës takon ambasadorin britanik për forcimin e bashkëpunimit

    Zv.drejtori i Policisë së Kosovës takon ambasadorin britanik për forcimin e bashkëpunimit

    Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, priti në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në vend, përfshirë edhe veriun e Kosovës, si dhe për zhvillimet profesionale të Policisë së Kosovës.

    Zv.drejtori Hoti vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me ambasadën britanike, veçanërisht në fushat e trajnimit dhe pajisjeve teknologjike.

    Ambasadori Hargreaves përgëzoi Policinë për përkushtimin dhe profesionalizmin, ndërsa palët u pajtuan për forcimin e mëtejshëm të partneritetit në interes të sigurisë së qytetarëve.

  • Zelensky do të shkojë në Stamboll vetëm nëse aty është edhe Putini

    Zelensky do të shkojë në Stamboll vetëm nëse aty është edhe Putini

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në bisedimet për vendin e tij këtë javë, vetëm nëse aty është edhe homologu rus, Vladimir Putin, tha të martën një ndihmës i udhëheqësit ukrainas, duke e sfiduar Kremlinin që të dëshmojë se e ka njëmend synimin për të arritur paqe.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë ofertë që të marrë pjesë në takimin e propozuar për të enjten në Stamboll, i cili është bërë fokus i përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Të dielën, presidenti rus propozoi bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën, pasi kishte shpërfillur një propozim ukrainas për armëpushim 30-ditor e të pakushtëzuar. Trumpi më pas publikisht i kërkoi Zelenskyt që ta pranonte ofertën.

    Më vonë, presidenti ukrainas tha se do ta ftonte Putinin në Stamboll të enjten, edhe pse kreu i Kremlinit kurrë nuk kishte bërë të qartë se synonte të udhëtonte personalisht në Turqi.

    “Presidenti Zelensky nuk do të takohet me asnjë përfaqësues rus në Stamboll, përpos Putinit”, i tha agjencisë “Reuters” këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.

  • Policia e Kosovës organizon aksion vullnetar për dhurimin e gjakut

    Policia e Kosovës organizon aksion vullnetar për dhurimin e gjakut

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ka organizuar aksion vullnetar për dhurimin e gjakut, me pjesëmarrjen e kadetëve të Policisë së Kosovës.

    Ky aktivitet humanitar u zhvillua me datën 12.05.2025 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike – Vushtrri, ku kanë dhuruar gjak 167 kadetë policorë nga 280 kadetë policorë sa numëron gjenerata e 62-të.

    Qëllimi i këtij aksioni është të kontribuojmë në shpëtimin e jetëve përmes dhurimit vullnetar të gjakut dhe të promovojmë vlerat humane dhe solidaritetin shoqëror që përfaqësojnë pjesëtarët tanë.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në shërbim të qytetarëve, jo vetëm për sigurinë publike, por edhe për përkrahjen e kauzave humane dhe shëndetësore.

  • Policia po e ruan Trendafiloven

    Policia po e ruan Trendafiloven

    Pas anulimit të konferencës së planifikuar për media në Prishtinë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova është kthyer në hotelin në të cilin po qëndron në kryeqytet.

    Ka të paktën tre vetura të Policisë së Kosovës që ndodhen brenda këtij hoteli. Përveç tyre, ka edhe vetura të EULEX-it, të cilat e kanë sjellë kryetaren e gjykatës.

    Vizita e Trendafolovës në vendin tonë u kundërshtua ashpër nga veteranët e UÇK-së, të cilët u mblodhën pranë hotelit për të shprehur indinjatën e tyre.

    Ajo pritet që nesër në ora 13:00 të fluturojë drejt Hagës në Holandë.

  • ​Musk i bashkohet Trumpit në drekën VIP në Arabinë Saudite në pjesën e parë të turneut të madh diplomatic

    ​Musk i bashkohet Trumpit në drekën VIP në Arabinë Saudite në pjesën e parë të turneut të madh diplomatic

    Presidenti amerikan Donald Trump shoqërohet nga Elon Musk dhe personalitete të tjera VIP në Arabinë Saudite gjatë udhëtimit të parë të madh diplomatik të mandatit të tij të dytë.

    Presidenti amerikan po pritet nga Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në një drekë të bollshme.

    Trump shpreson të sigurojë investime të reja të rëndësishme në SHBA në udhëtimin katër-ditor në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Itinerari i Trump nuk e përfshin Izraelin, me çështjet ekonomike – në vend të shqetësimeve diplomatike ose të sigurisë – në krye të listës së prioriteteve të Trump, shkruan korrespondenti ynë i Amerikës së Veriut Anthony Zurcher.

    Udhëheqësit arabë me siguri do ta shtyjnë Trumpin të bëjë më shumë për të lehtësuar vuajtjet në Gaza, thotë korrespondenti ynë kryesor ndërkombëtar Lyse Doucet.

  • ​Bizneset e Kosovës kërkojnë shtyrjen e liberalizimit të energjisë ose do të ketë protesta

    ​Bizneset e Kosovës kërkojnë shtyrjen e liberalizimit të energjisë ose do të ketë protesta

    Bizneset, në bashkëpunim me odat përkatëse, kanë kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parasheh liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset. Sipas tyre, ky vendim është i papërballueshëm dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të shumë ndërmarrjeve. Nëse kërkesa për anulim nuk merret parasysh, ata kanë propozuar si zgjidhje subvencionimin e kostos shtesë për bizneset. Në të kundërtën, kanë paralajmëruar masa më të ashpra, përfshirë edhe protesta.

    Këto kërkesa u bënë të ditura në një takim që Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, Klubin e Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, që kanë zhvilluar me bizneset që preken nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke e konsideruar se bizneset nuk janë përgatitur për një treg të lirë të energjisë, paraqiti edhe kërkesat e bizneseve por edhe vetë përfaqësuesve të bizneseve.

    “Kërkesa e parë kishte me qenë që sa më shpejt me ZRrE-në dhe me qeverinë në detyrë… edhe ZRrE-së vetëm po i duhet një zotim, nuk është se po i duhet që sot me ia ndarë 50 milionë, por po i duhet vetëm një zotim që gjatë muajve të ardhshëm do të subvencionojë shumën prej 50 milionëve. Ky kishte me qenë hapi i parë. Po besoj që është më transparente dhe mënyra më e mirë e mundshme që do t’i kishte shpëtuar bizneset. Pajtohem që 1 vit do të ishte pak, por ne minimumi po themi 1 vit të na shtyhet që të përgatiten edhe institucionet, edhe tregu, edhe biznesi… Nëse nuk do të ketë reagim prej Qeverisë së Kosovës në detyrë dhe nga ZRrE, atëherë do të shohim edhe hapat tjerë që po propozohen, edhe format e protestës,” deklaroi Rafuna.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Kosovës, Skenderë Krasniqi krahas kërkesës që vendimi ZRrE-së për liberalizimit të tregut energjetik për biznese të anulohet. Ai këtë vendim e quan të palogjikshëm.

    Krasniqi paralajmëroi protesta në rast se nuk tërhiqet ky vendim nga ZRrE.

    “Dy muaj më herët me marr një vendim të tillë është aq anormale nga një institucion, ndërkohë që nuk është përgatitur terreni në treg kemi vetëm një kompani vetëm KEDS e cila po ofron sepse të gjitha kompanitë tjerë nuk janë duke ofruar çmim, këta po vazhdojnë me të njëjtën kompani vetëm me çmime 200-300 më shumë përqind….Mendoj që së paku për 1 vit apo 2 duhet të shtyhet që të përgatiten bizneset dhe pastaj ZRRE duhet t’i lejoj edhe bizneset me investua, ne po e kemi problemin më të madh se ZRrE ua ka ndal bizneseve me investua në energji elektrike duke i kufizuar edhe me sasinë të investimit në bazë të konsumit e jo në bazë të punësimit që i ka edhe duke mos ia blerë atë, por duke ia kompensua. Janë vendime të palogjikshme në dëm të bizneseve…Do të duhej të shikojmë edhe mënyra të tjera edhe një protestë për javën e ardhme si kundërshtim ndaj këtij vendimi”, tha ai.

    Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi thekson se bizneset nuk e kanë pas kohën e duhur për t’u përgatitur që të përballemi me tregun e lirë të energjisë.

    Ai thotë se ky është vendim i rëndë të cilit asnjë biznes nuk mund t’i mbijetojë.

    “Padyshim është vendim i rëndë dhe e ka gjetur biznesin në një situatë të mbijetesës një rritje kaq e madhe e çmimit për një kohë kaq të shkurt i vendos para një sfide të cilës po thuajse asnjë biznes nuk mund ta mbijetoj…Arsyeja që kemi ardhur deri në këtë situatë është mos përgatitje për një terren të tillë se ne kemi thënë vazhdimisht se nuk jemi kundër liberalizimit të tregut, por liberalizimi i tregut duhet të bëhet me përgatitje”, theksoi ai.

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Kosovarë, Kushtrim Ajvazi para përfaqësuesve të bizneseve paraqiti dy kërkesa. Kërkesa e parë është shtyrja e hyrjes në fuqi të vendimit të ZRrE-së për liberalizim të tregut energjik për bizneset për së paku një vit, derisa kërkesa e dytë është kërkesa për subvencionim të kësaj kostoje shtesë për prodhuesit.

    “Deri më tani nga 19 operatorë të cilat janë të licencuar vetëm KESCO ka arritur me na dhënë ofertë dhe kjo është vetëm ofertë në lidhje me çmimin dhe një prej kushteve të kontratave që kërkon që ne duhet të depozitojmë së paku dy muaj të faturës vjetore që të nënshkruajmë kontratën…. Qëndrimi jonë që vendimi të shtyhet së paku edhe për 1 vit sepse është periudha jashtëzakonisht e shkurtër kohore po flasim që jemi edhe 15 ditë kur fillon 1 qershori asnjë prej prodhuesve sa unë kam komunikim nuk kanë nënshkruar dhe as nuk i dinë kushtet e kontratës dhe as nuk i di kushtet e tregut të lirë kjo është e padrejtës sepse përveç çmimit aty ka edhe kritere të tjera në kontratë që parashohin penallti për prodhuesit….Kërkesa e dytë është subvencionimi i kësaj kostoje shtesë për prodhuesit sepse prodhuesit tanë zemra e ekonomisë“, tha ai.

    Pronari i një kompanie, Sadik Krasniqi deklaroi se përveç si informacion për kalim të bizneseve në treg të lirë energjetik nuk kanë asnjë informacion tjetër.

    “Të vetëm informatë ka qenë emaili që e kemi marrë se duhet të kaloni në tregun e lirë, asnjë informatë tjetër nuk kemi, asnjë fletushkë nuk është dal cilat janë kompetencat, cilat janë obligimet e furnizuesit, cilat janë obligimet tona, cilat janë përparësitë tona. Nuk kemi asnjë informatë, asnjë garancion që rrjeti energjetik a e përballon tregun e lirë në rast se ne dalim në tregun e lirë dhe na ndalet rryma”, tha ai.

    Drejtori ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, Mergim Prishtina thekson se kompanitë prodhuese duhet të jenë kundër liberalizimit të tregut të energjisë.

    “Tek pjesa e prodhimit mendoj se duhet të jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë tek prodhimi…Nëse KEK-u nuk është i liberalizuar si prodhues vendor pse duhet ne me qenë të liberalizuar unë mendoj se në të ardhmen ne duhet me vendos si kusht që nëse liberalizohen prodhuesit të liberalizohen të gjithë prodhuesit edhe prodhuesit e energjisë“, theksoi ai.

    Krahas këtyre dy bizneseve të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të shumë bizneseve tjera që janë të atakuara dhe njëzëri kërkuan anulim të vendimit të ZRrE-së për liberalizim të tregut energjetik për 1300 biznese.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se nga 1 qershorit bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ky vendim ka ngjall reagime e kundërshtime nga bizneset vendore. /kp