ATV

Category: Lajme

  • ​Tërmet i fuqishëm në Greqi

    ​Tërmet i fuqishëm në Greqi

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter është regjistruar në orën 01:50 të mëngjesit të së mërkurës në zonën detare mes ishujve të Kretës, Kasos dhe Karpathos, duke shkaktuar shqetësim tek banorët.

    Tërmeti shkaktoi shqetësim te banorët e ishujve të Egjeut jugor dhe në Kretën lindore, ku u ndje veçanërisht, megjithëse epiqendra e tij ishte në një thellësi prej 60 km.

    Ai u ndje gjithashtu në disa zona të Atikës dhe përgjatë bregdetit të Turqisë.

    Nuk ka raportime për të lënduar apo për dëme materiale, ndërsa sizmologët shprehen se pavarësisht fuqisë së lëkundjes, nuk do të ketë tërmete të tjera, raporton TopChannel.

    Ndërkohë nëpërmjet numrit 112 është dërguar mesazh tek banorët me paralajmërim për cunami dhe kërkesë që të largoheshin nga brigjet.

    Kreu i OASP (Organizata për Planifikimin Antisizmik) Efthymios Lekkas theksoi se bëhet fjalë për një tërmet që ndodhi pikërisht mbi harkun grek, pra në vendin ku përplasen pllakat tektonike evropiane dhe afrikane dhe se nuk ka asnjë lidhje absolutisht me tërmetet në Santorini apo me tërmetin që ndodhi në Turqi.

    Pavarësisht distancës relativisht të madhe të Iraklios nga epiqendra, tërmeti u ndje si tre “valë” me intensitet të ndryshëm dhe me ndjesinë e zgjatjes për të paktën 15 sekonda.

  • Presidentja Osmani përkujton masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan: Kosova nuk harron

    Presidentja Osmani përkujton masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan: Kosova nuk harron

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot masakrat e kryera nga regjimi serb në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, ku shumë civilë shqiptarë u vranë mizorisht.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se këto krime të tmerrshme nuk do të harrohen nga populli i Kosovës.

    “Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb,” shkroi Osmani.

    Ajo përkujtoi numrin e viktimave në secilin vend: 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan, të cilët, siç theksoi ajo, “u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.”

    Postimi i plotë:

    Presidentja Osmani përkujton 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

    Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb.

    44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

    Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon.

    Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi.

    Kosova nuk harron!

  • ​Liderë botërorë urojnë Ramën

    ​Liderë botërorë urojnë Ramën

    Liderë botërorë e kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.

    Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste kryeson thellë me numër të mandateve. Partia e Edi Ramës ka marrë shkuar në 83 mandate.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer e ka uruar Ramën, siç ka shkruar ai, për “fitoren historike”, në zgjedhjet e 11 majit.

    “Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, ka shkruar Starmer në X.

    Ramën e ka uruar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    “Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar”, ka shkruar Zelensky në X.

    Më herët, Ramën e kanë uruar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Spanjes, Pedro Sanchez dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkovic./KP

  • ​Përfundon numërimi i votave brenda vendit në Shqipëri

    ​Përfundon numërimi i votave brenda vendit në Shqipëri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

    Procesi ka përfshirë të gjitha subjektet zgjedhore, partitë politike dhe koalicionet në 12 qarqet e vendit.

    Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962, ndërkaq kanë votuar 1.458.251 zgjedhës – duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21%. Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme.

    Procesi i votave nga jashtë vendit vijon, raporton Atsh.

    Në vijim të përpunimit të rezultateve, KQZ njoftoi se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të zgjedhësve nga jashtë vendit është ende në vijim.

    Deri më tani janë numëruar dhe vlerësuar 75.414 fletë votimi nga gjithsej 194.889, që përbën rreth 39% të totalit të votave nga jashtë.

    Procesi i numërimit për votat nga jashtë ka përfunduar për qarkun Kukës.

    Ndërkohë, ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i votave për kandidatët me votim preferencial (të listës së hapur) në disa qarqe dhe zona të administrimit zgjedhor.

  • ​26 vjet nga masakra serbe në Qyshk

    ​26 vjet nga masakra serbe në Qyshk

    Sot mbushen njëzet e gashtë vjet nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht dyzet e katër burra.

    Masakra e katërmbëdhjetë majit ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

    Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

    Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën dyzet e katër civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

    Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se katërqind civilë./KP

  • Gjilanasi i ekstraduar në SHBA nën akuzat për mashtrim, Ambasada: Nëse dënohet për të gjitha akuzat, dënimi maksimal 55 vjet burgim

    Gjilanasi i ekstraduar në SHBA nën akuzat për mashtrim, Ambasada: Nëse dënohet për të gjitha akuzat, dënimi maksimal 55 vjet burgim

    Ambasada amerikane në Kosovë e ka cilësuar bashkëpunim të shkëlqyer mes Kosovës dhe SHBA-së ekstradimin e 33 vjeçarit nga Kosova, Liridon Masurica, i cili akuzohet për mashtrim.

    Ambasada amerikane tha se janë mirënjohës ndaj autoriteteve të Kosovës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

    “Bashkëpunim dhe koordinim i shkëlqyer midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës sipas Traktatit tonë të Ekstradimit. Një i pandehur është ekstraduar me sukses në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me drejtësinë me akuzat për dëmtimin e qytetarëve amerikanë”.

    “Jemi mirënjohës ndaj autoriteteve të Kosovës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Kjo përpjekje e përbashkët përmirëson sigurinë publike dhe i bën të dy kombet tona më të sigurta”.

    Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara.

    Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh në burg federal.

    Masurica, shtetas dhe banor i Kosovës, u mor në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe u ekstradua më 9 maj në Shtetet e Bashkuara në përputhje me traktatin e ekstradimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës. Masurica u paraqit për herë të parë në gjykatën federale në Tampa më 12 maj 2025, para gjyqtares së magjistratit të Shteteve të Bashkuara Lindsay Saxe Griffin dhe u urdhërua të mbahet në paraburgim në pritje të gjyqit./Express/

  • Këshilli i Evropës publikon agjendën e Samitit të BE në Tiranë

    Këshilli i Evropës publikon agjendën e Samitit të BE në Tiranë

    Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të zhvillohet të premten, më 16 maj, në Sheshin Skënderbej në Tiranë.

    Këshilli i Europës ka publikuar axhendën e Samitit, që sic thotë është I organizuar nga nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Ky aktivitet do të mbledhë udhëheqës nga e gjithë Evropa në Tiranë. Tema e takimit është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

    Së bashku me Presidentin Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.

    Samiti do të përfshijë seanca plenare hapëse dhe mbyllëse, me tryeza të rrumbullakëta tematike paralele dhe takime dypalëshe midis tyre.” thuhet në njoftim.

  • Rama shpall fitoren sonte në Sheshin Skënderbej

    Rama shpall fitoren sonte në Sheshin Skënderbej

    Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka bërë të ditur se Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar qytetarët për besimin dhe ka paralajmëruar një takim me qytetarët sonte në orën 19:00 në Sheshin Skënderbej.

    “MIRËMËNGJES dhe duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falënderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

  • Costa sot në Prishtinë, takohet me Osmanin e Kurtin

    Costa sot në Prishtinë, takohet me Osmanin e Kurtin

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, sot (14 maj) do të vizitoj Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor.

    Në agjendën e publikuar nga KE-ja thuhet se zyrtari i lartë evropian do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën do të mbajë edhe një konferencë për media duke filluar nga 0ra 16:40.

    Ndërsa dy orë më pas duke filluar nga 18:40 parashihet të takohet edhe me kryeministrin e dorëhequr Albin Kurtin.

    Të nesërmen, më 15 maj, i pari i KE-së do të shkojë në Shfgkup për t’u takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Ndalesa e tij e fundit në Ballkanin Perëndimor do të jetë në Tiranë ku më 15 maj do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, si dhe do të marrë pjesë në një takim me studentët e Kolegjit të Evropës, transmeton Klankosova.tv.

    Kurse, të premten, më 16 maj, ai do të jetë bashkëorganizator i Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë.

    Tema e këtij samiti është “Evropa e Re në një Botë të Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët”.

    Takimi do të përqendrohet në siguri dhe udhëheqësit do të ndajnë vizionin e tyre për të ardhmen e Evropës, të ndjekura nga tre tryeza të rrumbullakëta tematike.

  • Moti: Ngrohtë dhe pak vranët sot

    Moti: Ngrohtë dhe pak vranët sot

    Moti i ditës së sotme parashihet me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 deri 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-19gradë Celsius.

    Ndërsa do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.