ATV

Category: Lajme

  • Trumpi e lavdëron Sharaa-n e Sirisë: Djalë tërheqës, me të kaluar shumë të fortë

    Trumpi e lavdëron Sharaa-n e Sirisë: Djalë tërheqës, me të kaluar shumë të fortë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se takimi i tij i shkurtër në Arabinë Saudite me homologun sirian, Ahmed al-Sharaa, kaloi “për mrekulli”.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi Sharaa-n si “djalë të ri, tërheqës, i fortë, me të kaluar të fortë, me të kaluar shumë të fortë, luftëtar”, raporton televizioni BBC.

    “Ai ka një mundësi të vërtetë për t’u mbajtur. Fola me presidentin Erdogan, i cili është shumë miqësor me të. Atij i duket se ka një mundësi të vërtetë për të bërë një punë të mirë. Është një shtet i shkatërruar” – tha më tej presidenti amerikan.

    Ai tha se mendon që Siria në një kohë të caktuar do të bëhet pjesë e Akordeve të Abrahamit për t’i normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.

  • Merz: Gjermania synon ushtrinë më të fortë në Evropë

    Merz: Gjermania synon ushtrinë më të fortë në Evropë

    Friedrich Merz, kancelari i ri i Gjermanisë, ka prezantuar para Bundestagut agjendën qeveritare, duke theksuar disa nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij si rritja ekonomike, menaxhimi i migracionit dhe mbrojtja.

    Në fjalimin e tij, Merz ka thënë se në politikën e jashtme, Gjermania do të përpiqet për “unitetin më të madh të mundshëm ShBA-Europë për Ukrainën”, raportoi DW.

    Ai ka paralajmëruar se Gjermania do të synojë të ketë “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë”, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për një ekonomi si ajo e Gjermanisë.

    “Është e përshtatshme për ekonominë më të madhe dhe më të fuqishme të Evropës. Dhe partnerët tanë e kërkojnë këtë,” u shpreh Merz.

    Ai po ashtu theksoi synimin që Gjermania të marrë një rol më të madh në udhëheqjen evropiane. “Gjermania do të riafirmojë rolin e saj të një lideri në Evropë, duke rindërtuar besim me partnerët dhe duke mbështetur Ukrainën”, shtoi ai.

    Kancelari ka përmendur edhe rifreskimin e marrëdhënieve franko-gjermane me presidentin Macron, si dhe vizitat në Varshavë dhe Bruksel. Në BE, ai u zotua se do t’i japë fund politikës së abstinencës së Gjermanisë në vendimet e rëndësishme.

    Sa i përket angazhimit në NATO, Merz ka qenë i qartë: “Duhet të jemi në gjendje të mbrohemi që të mos kemi nevojë ta bëjmë këtë. Fuqia frikëson agresorët. Dobësia i fton ata.”

  • Microsoft largon rreth 6 mijë punëtorë nga puna

    Microsoft largon rreth 6 mijë punëtorë nga puna

    Kompania gjigante e teknologjisë Microsoft ka konfirmuar se ka filluar një raund të ri pushimesh nga puna, duke prekur rreth 3 për qind të fuqisë punëtore globale. Kjo përkthehet në rreth 6 mijë punonjës që do të humbin vendin e punës.

    Në një deklaratë për CNBC, një zëdhënës i kompanisë ka thënë se “ne vazhdojmë të zbatojmë ndryshime organizative të nevojshme për ta pozicionuar më së miri kompaninë për sukses në një treg dinamik”.

    Këto lëvizje vijnë vetëm pak muaj pasi Microsoft raportoi një tremujor të suksesshëm me 25.8 miliardë dollarë të ardhura neto dhe një parashikim optimist në fund të prillit. Deri në fund të qershorit, kompania kishte 228 mijë punonjës globalisht.

    Vetëm në shtetin e Uashingtonit, ku ndodhet selia e Microsoft në Redmond, autoritetet kanë konfirmuar se 1 mijë e 985 persona janë prekur nga këto shkurtime, përfshirë 1 mijë e 510 të punësuar në zyrë.

    Kjo valë konsiderohet më e madhja që nga viti 2023, kur Microsoft largoi rreth 10 mijë punonjës. Ndryshe nga janari i këtij viti, kur disa pushime nga puna ishin të lidhura me performancën, kësaj here zëdhënësi ka theksuar se “këto shkurtime të reja vendesh pune nuk lidhen me performancën”. Sipas tij, një nga objektivat është “të zvogëlohen shtresat e menaxhimit”.

    Microsoft nuk është e vetmja kompani që po bën prerje. Amazon po ashtu largoi staf pas vlerësimit të shtresave të panevojshme në organizatë, ndërsa CrowdStrike njoftoi javën e kaluar pushimin nga puna të 5 për qind të stafit.

    CEO i Microsoft, Satya Nadella, kishte paralajmëruar në janar se do të kishte ndryshime në mënyrën e ekzekutimit të shitjeve, veçanërisht pas ngadalësimit në të ardhurat nga Azure. Megjithatë, performanca e lidhur me cloud-in e inteligjencës artificiale ka tejkaluar parashikimet e brendshme.

    Aksionet e Microsoft kanë shënuar rritje, duke arritur çmimin më të lartë për këtë vit me 449.26 dollarë për aksion, ndërsa rekordi i kaluar ishte 467.56 dollarë në korrikun e vitit të kaluar.

  • Presidentja Osmani pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet e shkurtit

    Presidentja Osmani pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet e shkurtit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar raportin e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian, për zgjedhjet e 9 shkurtit nga eurodeputetja Nathalie Loiseau.

    “Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.

    Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm”, njoftoi Presidenca.

    Eurodeputetja Loiseau ka përgëzuar pjekurinë e qytetarëve të Kosovës si dhe bashkëpunimin e ofruar për misionin vëzhgues.

    “Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend”, thuhet në njoftim.

  • ​Turqia merr pjesë në samitin virtual me liderët e SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Sirisë

    ​Turqia merr pjesë në samitin virtual me liderët e SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Sirisë

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë të mërkurën në mënyrë virtuale në një takim me liderë nga SHBA-ja, Arabia Saudite dhe Siria, raporton Anadolu.

    Në takim morën pjesë presidenti amerikan Donald Trump, princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman dhe presidenti sirian Ahmad al-Sharaa, ndërsa Erdogan u bashkua virtualisht nga Turqia.

    Gjatë takimit, Erdogan shprehu dëshirën e Ankarasë që Siria të jetë një shtet i qëndrueshëm dhe i begatë, që bashkëpunon me fqinjët rajonalë dhe nuk përbën kërcënim për ta, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për ta arritur këtë qëllim.

    Erdogan gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Turqisë për luftën e Damaskut kundër grupeve terroriste, veçanërisht ISIS-it (Daesh). Ai shtoi se Turqia është e gatshme të ndihmojë në menaxhimin dhe sigurimin e burgjeve ku mbahen terroristët e ISIS-it.

    Lidhur me vendimin e Trumpit këtë javë për të hequr sanksionet ndaj Sirisë, Erdogan e cilësoi këtë hap si me rëndësi historike, duke thënë se mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera që ende kanë sanksione – mbetje të epokës së Assadit – dhe se kjo mund të hapë rrugën për mundësi investimi në sektorë të ndryshëm në Siri.

    Duke dënuar krizën humanitare që po përkeqësohet në Gaza, Erdogan theksoi përpjekjet e pandërprera të Turqisë për ta thyer ciklin e dhunës, duke shtuar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund vuajtjeve në enklavën palestineze.

    Sa i përket luftës Rusi – Ukrainë, Erdogan bëri thirrje për fillimin e menjëhershëm të një armëpushimi dhe negociatave për paqe si në nivelin udhëheqësor, ashtu edhe në atë teknik, duke ritheksuar përkushtimin e Ankarasë për të bërë gjithçka të mundur në mbështetje të përpjekjeve për paqe, përpara takimit të planifikuar të enjten në Stamboll mes dy vendeve.

  • Von der Leyen uron Ramën: Shqipëria i përket BE-së

    Von der Leyen uron Ramën: Shqipëria i përket BE-së

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka uruar Edi Ramën për fitoren në zgjedhjet parlamentare, teksa u shpreh se Shqipëria i përket Bashkimit Evropian.

    Ajo ka shkruar në rrjetin social X se mezi pret t’ia urojë Ramës fitoren edhe në takim, që do të zhvillohet të enjten në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Tiranë.

    Nën drejtimin tuaj, Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë punën bashkërisht për reformat në kuadër të BE-së. Shqipëria i përket BE-së. Mezi pres t’ua uroj personalisht nesër në Tiranë”, ka shkruar Von der Leyen.

    Zyrtaren e BE-së e ka falënderuar Rama, teksa tha që ky është moment i përshtatshëm “pas fjalës së fuqishme të popullit shqiptar për ëndrrën e tij të madhe dhe vendosmërinë e palëkundur për t’u bërë anëtar”.

    Kryeministri i Shqipërisë ka shtuar është i vetëdijshëm për rrugën drejt integrimit.

    “Le të synojmë më të mirën që na pret. Gjithmonë së bashku”, ka shtuar Rama në X.

  • Osmani takon shefin e Zyrës së BE-së Aivo Orav, flasin për situatën politike në vend

    Osmani takon shefin e Zyrës së BE-së Aivo Orav, flasin për situatën politike në vend

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi situatën aktuale politike në vend.

    Sipas njoftimit, Vjosa Osmani e informoi ambasadorin Orav për mbajtjen e takimit konsultativ me liderët e partive politike, të planifikuar për nesër, raporton KosovaPress.

    “Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitat e rëndësishme të drejtuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke përfshirë vizitën e sotme të kryesuesit të Këshillit të BE-së, António Costa, si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së BE-së për integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Të gjithë liderët e partive politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Takimi pritet të mbahet të enjten më 15 maj.

    Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, bënë të ditur se të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani.

  • Vizita e Costas në Kosovë – Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

    Vizita e Costas në Kosovë – Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

    Për shkak të vizitës që presidenti i Këshillit Evropian do të vizitojë sot Kosovën, Policia e vendit ka njoftuar se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Në komunikatën e PK-së, bëhet e ditur se për të mundësuar qarkullim të lirë, policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore.

    “Me datën 14-15 maj 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë presidenti i Këshillit të Evropës, z. Antonio Luis Santos da Costa.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritete kompetente, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve të larta sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Trump me pesë kërkesa për udhëheqësin e ri të Sirisë

    Trump me pesë kërkesa për udhëheqësin e ri të Sirisë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar sot me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa – një emër i njohur për të kaluarën e tij si udhëheqës i kryengritësve dhe ish-i burgosur i forcave amerikane.

    Sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump i ka bërë këto pesë kërkesa:

    Të nënshkruhet marrëveshja e Abrahamit me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

    T’u thuhet të gjithë “terroristëve të huaj” të largohen nga Siria.

    Në mënyrë specifike, Trump veçoi “terroristët palestinezë” që do të deportohen.

    Të ndihmohen Shtetet e Bashkuara në ndalimin e ringjalljes së të ashtuquajturit grup Shtet Islamik

    Dhe në të njëjtën linjë, të merret përgjegjësia për qendrat e paraburgimit që lidhen me grupin në verilindje të Sirisë.

  • ​Avokati i popullit jep detaje për takimin me Trendafilova

    ​Avokati i popullit jep detaje për takimin me Trendafilova

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaron se takimi i djeshëm me kryetaren e Dhomave të Specializuara ka qenë me kërkesë të Ekatarina Trendafilova, raporton KosovaPress.

    Në konferencë për media, Qelaj theksoi se ka shprehur shqetësimet që ka pranuar nga opinioni publik por edhe me familjarë.

    “E para që kam përmendur është që shqetësimet që kanë qytetarët e kanë për gjykim të drejtë. Dhe kur kam përmendur këtë fakt kam cekur disa aspekte. Pastaj standardet e dyfishta për kompensimin e viktimave. Pasiguria dhe ligjshmëria e provave që janë të siguruara nga autoritetet e Serbisë, sepse është kuptuar që ka një numër të madh të këtyre provave. Një shqetësim tjetër që unë kam ngritur është mënyra e funksionimit dhe struktura e Gjykatës”, u shpreh ai.

    Ai tha se Trendafilova ka thënë se garantohen të drejta sipas standardeve ndërkombëtare.

    Po ashtu avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova nuk e kanë diskutuar çështjen e anulimit të konferencës, por në përgjithësi për transparencën në këtë proces.

    Ai theksoi se do të ketë vizitë në Hagë dhe se i është konfirmuar që mund të shkojë si Avokat i Popullit. Megjithatë, theksoi se kompetencat janë te kufizuara.

    Dje me rastin e vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate, protestuan duke kundërshtuar këtë vizitë.