ATV

Category: Lajme

  • Sot, seanca e Apelit ndaj Pjetër Shalës

    Sot, seanca e Apelit ndaj Pjetër Shalës

    Gjykatësja Michele Picard e Speciales pati lëshuar urdhër për përgatitjen e seancës së Gjykatës së Apelit në rastin e Pjetër Shalës.

    Seanca dëgjimore mbi ankesën e Shalës kundër aktgjykimit të Supremes do të mbahet sot, 15 maj nga ora 13:30.

    Paneli i ftoi palët dhe pjesëmarrësit siç thuhet “pa paragjykim për ndonjë çështje tjetër të paraqitur në parashtrimet e tyre ose për ndonjë çështje tjetër që Paneli i Apelit mund të dëshirojë të ngrejë, të adresojë, brenda fushëveprimit të parashtresave të tyre me gojë dhe kohës së caktuar për Seancën e Apelit”.

    Poashtu në këtë dokument të gjykatës me seli në Hagë kërkohet nga Mbrojtja që , “në lidhje me paragrafët 208-209 dhe 212 të Dosjes së Apelit, të shpjegojë pse mbështetja e Trupit Gjykues në cilindo nga burimet e ligjit të përmendura në paragrafët 942-943 të Vendimit të Gjykatës Supreme për të interpretuar mbrojtjet themelore procedurale të dyta dhe të treta për të sjellë personin e privuar nga liria menjëherë para një gjyqtari ose një autoriteti tjetër kompetent; dhe për t’i dhënë personit të privuar nga liria një mundësi për të kundërshtuar ligjshmërinë e ndalimit të tij përbën një gabim ligjor? Trupi Gjykues i Apelit fton Prokurorinë Speciale të përgjigjet”.

    “A mund të shpjegojnë Palët standardin e “mens rea” të nevojshëm për krimin e vrasjes dhe si kjo ndikohet nga mënyra e përgjegjësisë e përdorur,veçanërisht kryerja si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, theksohet më tej.

    “A mund të jep hollësi ZPS-ja mbi provat në të cilat u mbështet Trupi Gjykues për të arritur në përfundimin se Shala kishte qëllim të drejtpërdrejtë për të kryer krimin e vrasjes”, thuhet në vendim.

    Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.

    Ai ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik të vitit të kaluar.

  • Aksident tragjik në Meksikë, humbin jetën 21 persona

    Aksident tragjik në Meksikë, humbin jetën 21 persona

    Të paktën 21 persona humbën jetën në një aksident automobilistik të mërkurën në Meksikë, tha një zyrtar i lartë shtetëror.

    Në një postim në mediat sociale, ministri i Brendshëm i Puebla, Samuel Aguilar tha se në aksident përfshiheshin tre automjete dhe se një numër i paspecifikuar i personave të tjerë po trajtoheshin për lëndime.

    Gazeta meksikane “La Jornada” raportoi se përplasja fatale ndodhi kur një kamion çimentoje tentoi të parakalonte një automjet tjetër përpara se të kalonte në korsinë e kundërt dhe të godiste një autobus, më pas duke u përplasur kokë më kokë në një furgon transporti.

  • Sot takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

    Sot takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

    Sot në Presidencën e Kosovës pritet të zhvillohet një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare.

    Takimi konsultativ në Presidencë është parë si një hap drejt dialogut ndërpartiak, por mbetet të shihet nëse do të prodhojë rezultate konkrete për zhbllokimin e situatës aktuale politike.

    Të gjitha partitë politike që janë ftuar për takim konsultues nga presidentja Vjosa Osmani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Kështu bëri të ditur këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

    “Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani”- ka thënë Kupina.

    Takimi midis Osmanit dhe liderëve politik do të zhvillohet sot nga ora 13:00.

    E dje Osmani ka paralajmëruar se takimi me liderët e partive është vetëm fillimi i një serie takimesh dhe diskutimesh lidhur me këtë çështje.

    Ajo ka shtuar se nuk dëshiron të paragjykoj për rezultatet e këtij takimi por ka uruar që secili nga liderët do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e Kosovës.

    “Unë i falenderoj liderët e partive që i janë përgjigjur pozitivisht. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh ne do të vazhdojmë varësisht se si shkojnë diskutimet nesër, qoftë në atë format, qoftë në formate të ngjashme, qoftë në takime një nga një me liderët e partive. Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese sepse siç e dini neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës e rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara. Nuk do të doja të paragjykoja tani për rezultatet por shpresoj që secili do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e vendit dhe kur ndodhë kjo rezultatet gjithmonë janë pozitive”, ka thënë Osmani gjatë konferencës për media, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

  • Mot kryesisht me diell sot

    Mot kryesisht me diell sot

    Pas natës të ftohtë, me minimale që zbresin në 2C e 5C, ditën e enjte do të mbretëroj mot më i ngrohtë dhe kryesisht me diell.

    Nga mesdita prej jugu fillojnë të depërtojnë shtresa vransirash, kryesisht të larta, që më vonë deri në mbrëmje fillojnë të dendësohen, duke u shoqëruara dhe me ndonjë rigë shiu.

    Frynë erë e lehtë dhe mesatare jugperëndimore 5-10m/s. Temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 22C e 24C.

    Reshje të shumta dhe më të vazhdueshme shiu përfshinë vendin që nga orët e mëngjesit të ditës së premtë. Temperaturat pësojnë rënie të theksuar deri në 9C e 10C, e gjatë mbrëmjes zbresin deri në 4C e 5C. Viseve malore priten të reshura dëbore, që mund të krijojnë një shtresë deri në 5 e 10cm. Vonë gjatë natës me kalimin në ditën e shtunë reshjet pushojnë.

    Të shtunën do të ketë dhe intervale me diell, me mundësi për ndonjë rigë shiu orëve të pasdites. Nga e diela mbetet mot jostabil. Paradite me diell, e orëve të pasdites rrebeshe e bubullima. Temperaturat shënojnë rritje deri në 18C e 20C. Minimalet zbresin deri në 4C e 5C. Të premten frynë erë më e fuqishme veriore e verilindore 6-15m/s, me hove deri në 18m/s.

  • Seanca e Kuvendit vazhdon – sot përpjekja e 16-të

    Seanca e Kuvendit vazhdon – sot përpjekja e 16-të

    Sot do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:30. Kështu, deputetët do ta bëjnë përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituim të legjislativit.

    Të martën është zhvilluar seanca e 15-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.

    Kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime.

    Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

    Kryesuesi i seancës konstituive konstatoi se për kanë votuar 56 deputetë, ndërsa 1 kundër dhe asnjë abstenim.

    Ndërkohë, neni 113 i Kushtetutës së Kosovës u jep të drejtë së paku dhjetë deputetëve që brenda 8 ditëve pas marrjes së një vendimi në Kuvend, qoftë ligj, akt tjetër juridik apo procedurë, ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Kësaj gjykate i ka shkuar një kërkesë e tillë, ajo për votimin e fshehtë për kryeparlamentar duke qenë në procedurë të votimit.

    E, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të nisë më sot një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, lidhur me zhbllokimin e situatës së moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

  • Abdixhiku takohet me Rohden, ia prezanton propozimin për Qeveri të tranzicionit

    Abdixhiku takohet me Rohden, ia prezanton propozimin për Qeveri të tranzicionit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me Ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.

    Ata kanë folur mbi krizën institucionale, ku Abdixhiku i ka prezantuar atij propozimin për krijimin e një Qeverie të tranzicionit.

    Sipas tij, kjo është një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit.

    “Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi qëndrimin e LDK-së se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve dhe pengon rrjedhën normale të proceseve shtetërore si dhe zhvillimin institucional të vendit.

    Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset integruese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe u rikonfirmua bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të dyja vendeve dhe përkushtimi drejt avancimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi”, thuhet në raport.

  • Erdogani mbështet vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

    Erdogani mbështet vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

    Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka shprehur të mërkurën mirënjohjen e tij për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pas njoftimit të tij një ditë më parë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

    Në një fjalim para anëtarëve të partisë së tij qeverisëse, Erdoganin ka shprehur gjithashtu besimin se Trumpi do të mbështesë përpjekjet për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza, raporton AP.

    “Shpresojmë se së shpejti do të marrim një lajm të mirë për Gazën që do të sjellë lehtësim në zemrat tona”, ka thënë Erdogan, i cili mëngjesin e së mërkurës ka marrë pjesë nga distanca në një takim në Arabinë Saudite midis Trumpit, Princit të Kurorës saudit Mohammed bin Salman dhe presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa.

    Gjatë fjalimit të tij, Erdogani ka përshëndetur edhe një herë një vendim të grupit militant kurd PKK për të shpërbërë veten dhe për t’i dhënë fund një lufte të armatosur të gjatë dekadash.

    Erdogani ka thënë megjithatë se vendimi duhet të zbatohet gjithashtu për grupet e lidhura me PKK-në në Siri dhe Evropë.

  • IKShPK: Regjistrohen nëntë raste të fruthit në Kosovë

    IKShPK: Regjistrohen nëntë raste të fruthit në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë-Kosovë.

    Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç.

    Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).

    IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të “importuara”, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit.

    “IKShPK u rikujton prindërve se Fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje.

    Më të rrezikuarit nga fruthi janë fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5 vjeçe.

    Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në njësitë e vaksinimit në QKMF të komunës së tyre.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Vaksina kundër Fruthit (MMR) jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçe.

    Kjo vaksinë është në përdorim prej më shumë se 60 vjetësh dhe se është e sigurt dhe efektive. Të dhënat shkencore kanë dëshmuar se 2 doza të vaksinës ofrojnë rreth 100% mbrojtja nga fruthi.

    IKShPK u rikujton institucioneve parashkollore dhe atyre shkollore detyrimin për zbatimin e Qarkores Informuese Nr. 05/2005 për Informimin e prindërve për vaksinimin e obliguar të fëmijëve, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga inspektoratet përkatëse.

  • Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

    Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në një takim ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave, në shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.

    KFOR në njoftim tha se diskutimi në këtë takim mbuloi “një gamë të gjerë temash”, duke përfshirë trendet e sigurisë në të gjithë rajonin, situatën në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare në shkurt, takimin e fundit të komandantit të KFOR-it me Përfaqësuesin Special të BE-së, Peter Sorensen, dhe aktivitetet dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin ndërkombëtar.

    “Të gjithë pjesëmarrësit përsëritën rolin kryesor të luajtur nga KFOR-i në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe rëndësinë e unitetit të përpjekjeve drejt sigurisë së qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve”, tha KFOR në njoftim.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Këto janë dallimet mes sektorëve në pagën mesatare në Kosovë, ja kush paguhet më së shumti

    Këto janë dallimet mes sektorëve në pagën mesatare në Kosovë, ja kush paguhet më së shumti

    Instituti GAP ka publikuar pagën mesatare në disa prej sektorëve të punës në Kosovë, për vitin 2024.

    Mes tjerash, aty shihen dallimet edhe mes gjinsië.

    Sektori më i paguar shihet të jetë ai që ka të bëjë me furnizimin me rrymë, gaz, avull dhe ajër. Punonjësit e këtij sektori marrin pagë mesatare rreth 704 euro për gjininë mashkullore, dhe 703 euro për gjininë femërore.

    Më pak i paguari, është ai i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me vetëm 345 euro në muaj.