ATV

Category: Lajme

  • Misioni Vëzhgues i BE-së: Fushata zgjedhore, subjekt i ndërhyrjes nga Serbia

    Misioni Vëzhgues i BE-së: Fushata zgjedhore, subjekt i ndërhyrjes nga Serbia

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që u mbajtën në një kontekst të ndjeshëm politik dhe institucional, janë analizuar në detaje nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian. Në raportin përfundimtar, që u prezantua sot në një konferencë për media në Prishtinë, u theksua se procesi ka pasur sfida të shumta – përfshirë përpjekjet për ndërhyrje nga jashtë.

    Anëtarja e Parlamentit Evropian, Natalie Loiseau, e cila udhëhoqi misionin e vëzhgimit, tha se janë vërejtur tendenca për të ndikuar në votim nga shteti i Serbisë, çka sipas saj është e papranueshme mes vendeve fqinje.

    “Sa i përket ndërhyrjeve nga jashtë, i kam cekur ato në përgjithësi. Jemi dëshmitarë të tendencave nga jashtë për të ndikuar në votimin e tyre dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte mes fqinjëve. Transmetimi publik, radio dhe televizioni, si dhe programet për komunitetet joshumicë, do të përmirësohen në mënyrë që votuesit nga të gjitha komunitetet në Kosovë të kenë qasje më të mirë në informacionin përkatës rreth zgjedhjeve,” tha Loiseau.

    Ajo nënvizoi se raporti përmban një vlerësim të detajuar dhe 19 rekomandime për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen.

    “Është kënaqësi të rikthehem në Prishtinë dhe të paraqes para jush raportin përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Që nga ardhja ime para dy ditësh, jam takuar me presidenten e Kosovës, kryeministrin në detyrë dhe kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’ua dorëzuar raportin dhe për të diskutuar rekomandimet që përmban ai,” theksoi ajo.

    Loiseau falënderoi qytetarët e Kosovës për përkushtimin e treguar ndaj procesit demokratik, si dhe institucionet zgjedhore për bashkëpunimin dhe mikpritjen.

    “Puna jonë në Kosovë ka filluar në fillim të janarit dhe vazhdoi gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ne kemi vendosur 104 vëzhgues nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, së bashku me Kanadanë, Norvegjinë dhe Zvicrën. Një delegacion nga Parlamenti Evropian gjithashtu iu bashkua misionit,” tha më tej Loiseau.

  • Pranohen në prova disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona e Dukagjinit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Pranohen në prova disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona e Dukagjinit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në çështjen gjyqësore në të cilën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte, është marrë vendim që të pranohen në prova materiale disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona Operative e Dukagjinit.

    Vendimi është marrë më 13 maj 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III dhe në mesin e dokumenteve të pranuara pretendohet se ka dosje për Njësinë Speciale të kësaj Zone, duke përfshirë emrat dhe detajet personale për pjesëtarët, komandantët e saj, detyra dhe oraret e ndërrimeve, armët dhe mocionin në dispozicion, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas panelit, këto dokumente që pretendohet se i përkasin kësaj strukture janë të shkruara me dorë, mbajnë datë dhe disa prej tyre edhe tituj si “UÇK, Njësia Speciale”.

    Pastaj, ishin propozuar edhe dokumente që thuhet se kanë të bëjë me Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit si “UÇK, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit”. Sipas vendimit, Prokuroria ka thënë se ato dokumente tregojnë për ngjarjet në terren, duke përfshirë edhe aktivitetin e kundërshtarëve, lëvizjen e civilëve dhe aktivitetin e vet pjesëtarëve të UÇK-së.

    Gjithashtu, thuhet se këto dokumente kanë datë dhe përmbajnë tregues të mjaftueshëm të autenticitetit. Njëri prej dokumenteve, thuhet se përmban lista të detajuara për armët, duke përfshirë numrat serik dhe emrat personave të cilëve iu është caktuar arma.

    Sipas vendimit, dokumentet e tilla që janë dorëshkrime, përmbajnë edhe tituj si “UÇK – Armatimi”.

    Si rrjedhojë, për një grup dokumentesh, ku përfshihen edhe dokumentet e mësipërme, paneli i ka pranuar në prova materiale, ndërsa ka refuzuar dokumentet e propozuara 114, 115, 118 dhe 120-120A.

    Kurse, dëshmitë e propozuara nga 121 deri në 127 dhe 129 deri në 192 flasin për shtabet lokale dhe brigadat gjatë periudhës së pranverës dhe verës më 1998.

    Për dokumentet 128 dhe 139, u udhëzua ZPS-ja që të sigurojë përkthime të rishikuara pasi që nuk janë të tilla.

    Në mesin e dokumenteve, sipas vendimit, ZPS-ja ka thënë se disa dëshmojnë edhe njësitet inteligjencës dhe Policisë Ushtarake që ishin themeluar brenda shtabeve lokale nën drejtimin e Zonës Operative të Dukagjinit. Në ato, thuhet se ka pasur informacione edhe për përleshjet e vazhdueshme midis UÇK-së dhe forcave serbe në këtë zonë.

    Në anën tjetër, njëra prej dëshmive të propozuara ishte një procesverbal i një mbledhjeje që ka ndodhur në fshatin Baballoq, ku thuhet se ka marrë pjesë edhe Shefi i Shtabit të kësaj zonë. Në këtë mbledhje, thuhet se shefi i Shtabit ishte informuar mbi situatën në fshat dhe ishte diskutuar për çështje të mobilizimit të përgjithshëm, dezertimet dhe furnizimet me ushqim.

    Ndërsa, në mesin e dokumenteve kishte edhe kërkesa për furnizim me ushqim për ushtarët, që njëra prej tyre ishte për ata në fshatin Sverkë.

    Lidhur me këto dokumente, paneli ka thënë se janë relevante për strukturën dhe organizimin e UÇK-së në këtë Zonë, si dhe për bashkëpunimin në mes komandës dhe komandave vartëse.

    “Sa i përket provës së propozuar 153, trupi gjykues vëren se ajo përmban një kërkesë drejtuar Komandantit Ramush Haradinaj për sigurimin e armëve, e cila tregon një datë dhe vend lëshimi, i përmend personat që bëjnë kërkesën dhe tregon se ata janë anëtarë të UÇK-së”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, paneli ka pranuar dëshmitë 121 deri në 127 dhe 129 deri në 166, e po ashtu 168 deri në 182 dhe 184 deri në 192. Ndërsa, ato 144, 167 dhe 183, janë refuzuar.

    Ndërsa, për provat 193 deri në 201, 203 deri në 208, 219 deri në 215 dhe 217 deri në 240, thuhet se ZPS-ja pretendon se lidhen me strukturën dhe organizimin e UÇK-së, e po ashtu edhe atë në Zonën Operative të Dukagjinit në periudhën nga mesi i shtatorit të 1998-ës deri në vitin 1999.

    Dokumentet 204 deri në 208, Prokuroria kishte thënë se kanë vulën e Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe janë sekuestruar nga banesa e Jakup Krasniqit. Për këtë, paneli ka thënë se kanë tregues të origjinës dhe burimit të tyre.

    Ndërsa, dokumentet e propozuara 214 dhe 215, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar nga banesa e Rexhep Selimit dhe se janë raporte të lëshuara nga sektori i inteligjencës, për çka paneli ka thënë se kanë autenticitet dhe e përmbushin pragun ,,prima facie”.

    Dokumenti 220, thuhet se mban në krye një titull “Policia Ushtarake- UÇK” dhe përmban detaje për dezertorët, ndërsa dokumenti 225 është sekuestruar nga banesa e Jakup Krasniqit. Të dy këto dokumente sipas panelit kanë tregues të qartë të autenticitetit.

    “Për arsyet e përmendura më sipër, trupi gjykues vendos si vijon:(a) E PRANON pjesërisht kërkesën; (b) PRANON si prova në procedurë artikujt vijues, ose pjesë të identifikuara prej tyre, dhe çdo përkthim të lidhur: Eksponatet e Propozuara 1-14, 16-113, 116, 117, 119, 121-127, 129-166, 168-182, 184-195, 197-201, 203-208, 210-215, 217, 218, 220-237, 241-258 dhe 260-353; (c) REFUZON pranimin si prova të artikujve ose pjesëve të identifikuara prej tyre vijues: Eksponatet e Propozuara 114-115, 118, 120-120A, 144 (fq. U001‐5871), 167, 183, 196, 200 (fq. U009-2017-U009-2024 dhe U009-2035-U009-2060), 219, 238-240, 243 (fq. U009-1732, U009-1737 dhe U009-1739-U009-1740), 245 (fq. U009-1928, U009-1934-U009-1935, U009-1937-U009-1939 dhe U009-1941-U009-1942), dhe 247 (fq. U009-1828, U009-1833-U009-1834, U009-1840-U009-1841, U009-1848-U009-1854 dhe U009-1856)”, thuhet në vendim.

    Vendimi obligoi Prokurorinë që të ofrojë përkthimin e rishikuar për disa dokumente të cilat janë ofruar që të pranohen në prova materiale.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kosovari në ShBA futet me armë të mbushur në aeroplan, arrestohet -Pamje

    Kosovari në ShBA futet me armë të mbushur në aeroplan, arrestohet -Pamje

    Një ngjarje e pazakont ndodhi më 15 prill në aeroportin O’Hare të Chicagos, ku Besnik Ismajlaj, një shtetas me origjinë shqiptare dhe banues në St. Charles, Illinois, arriti të kalojë kontrollin e sigurisë me një armë zjarri në çantën e dorës, pa u vënë re nga agjentët e Administratës për Sigurinë e Transportit Ajror (TSA).

    Sipas informacionit të dhënë nga policia, 53-vjeçari kishte me vete një pistoletë gjysmë-automatike Glock 9mm, të cilën e futi në avion pa kaluar ndonjë kontroll të rreptë. Incidenti ndodhi gjatë një ndërrimi turni të agjentëve të sigurisë, që mund të ketë kontribuar në këtë gabim.

    Pamjet e publikuara nga kamera trupore e policisë tregojnë momentin kur oficerët e policisë së Chicagos hipin në avion dhe e nxjerrin Ismajlajn nga klasa e parë, ku ai ishte ulur qetësisht, pa u bërë ndonjëshqetësim.

    Pas arrestimit të tij, Ismajlaj u dërgua për intervistim dhe është duke u hetuar për shkeljen e ligjeve të sigurisë ajrore.

    Kur oficerët e pyetën nëse e dinte pse ndodheshin aty, Ismajlaj u përgjigj: “Po, është në çantën time.” Më tej, në video ai dëgjohet duke thënë: “E harrova,” teksa vendoset në pranga dhe shoqërohet jashtë avionit, shkruan “The New York Post”.

    Sipas deklaratave zyrtare, një agjent i TSA-së e kishte vënë re armën gjatë kontrollit me rreze X, por para se të mund të reagonte, Ismajlaj kishte marrë çantën dhe ishte larguar drejt portës së fluturimit. Një udhëtar tjetër që ndodhej në radhë dha përshkrimin e personit që mbante armën, gjë që ndihmoi në identifikimin dhe kapjen e tij.

    Pas arrestimit, Besnik Ismajlaj u ngarkua me akuzën për kundërvajtje, për mbajtjen e armës së fshehur në një aeroport. Në video shihet gjithashtu momenti kur oficerët e policisë e fusin në furgon dhe e dërgojnë në një dhomë mbajtjeje, ku i lexohen të drejtat e tij sipas ligjit Miranda.

    Ismajlaj pritet të dalë para gjykatës më 9 qershor 2025, për t’u përballur me akuzat dhe procedurat e mëtejshme ligjore që lidhen me këtë incident.

  • Pamje brenda takimit të krerëve të partive politike me Osmanin

    Pamje brenda takimit të krerëve të partive politike me Osmanin

    Ka nisur takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike, Memli Krasniqin PDK, Lumir Abdixhikun LDK, Ramush Haradinajn AAK dhe Albin Kurtin VV.

    Tashmë janë publikuar edhe pamjet ekskluzive brenda këtij takimi i cili ka nisur nga ora 13:00.

    Brenda presidencës pritet të diskutohet mbi ngërçin politik i cili ka mbërthyer Kosovën tash e disa javë pasi seancat konstituive kanë dështuar 16 herë me radhë.

  • Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në jug të Kosovës

    Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në jug të Kosovës

    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO – KFOR, kanë zhvilluar së fundmi patrullime dhe mbikëqyrje në zonën e tyre të përgjegjësisë në jug të Kosovës.

    “Qëllimi i këtyre patrullimeve është të mbështesin sigurinë dhe të garantojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët”.

    Përmes këtyre aktiviteteve, ushtarët kanë pasur gjithashtu mundësinë të angazhohen me popullsinë lokale dhe autoritetet civile, duke forcuar besimin në praninë e paanshme të KFOR-it në rajon.

    “Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar, në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

    KFOR vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë në terren.

  • Kurti i fundit i bashkohet takimit të thirrur nga presidentja Osmani

    Kurti i fundit i bashkohet takimit të thirrur nga presidentja Osmani

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në Presidencë për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike parlamentare.

    Para tij, në takim kanë arritur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Ftesa e presidentes vjen pas krizës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku dështimi për zgjedhjen e Kryesisë ka bllokuar funksionimin e institucionit.

    Takimet në Presidencë, arrijnë Abdixhiku, Krasniqi e Haradinaj

  • Osmani pret në takim Prattipatin, flasin për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve

    Osmani pret në takim Prattipatin, flasin për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

    Në këtë takim, fokusi kryesor ka qenë situata aktuale politike në vend, përkatësisht bllokada në konstituimin e institucioneve, si dhe ndikimi i saj në funksionimin demokratik të shtetit.

    “Sikurse edhe në takimet e kaluara, u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”, thuhet në njoftim.

    “Përveç kësaj u diskutuan tema konkrete të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që ndër të tjera përfshijnë fushën e diplomacisë dhe mbrojtjes.”, thuhet tutje në njoftim e Presidencës.

  • Takimet në Presidencë, arrijnë Abdixhiku, Krasniqi e Haradinaj

    Takimet në Presidencë, arrijnë Abdixhiku, Krasniqi e Haradinaj

    Liderët e partive politike kanë mbërritur në takim me presidenten Vjosa Osmani, i cili po mbahet në Presidencë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional në vend.

    Në takim kanë arritur Partia Demokratike të Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Ata pritet që t’i paraqesin presidentes qëndrimet dhe propozimet e tyre për të dalë nga situata e krijuar pas dështimit për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Kryesisë së tij.

    Takimi vjen një ditë pasi Osmani bëri të ditur se ky është vetëm fillimi i një serie takimesh që do të zhvillohen me synim zhbllokimin e institucioneve.

  • I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për grisjen e Kuranit në Prizren

    I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për grisjen e Kuranit në Prizren

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit I.P., për grisjen e librit të shenjtë të fesë islame, Kuranit, më 3 mars në Prizren.

    Kjo gjë u bë e ditur nga Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    Sipas Gashit, vendimi për vazhdimin e kësaj mase është marrë më 3 prill, ndërsa i pandehuri dyshohet se me veprimet e tij, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.

    I.P., thuhet se kishte grisur librin e shenjtë, teksa copëzat e grisura në rrugë i kishin vërejtur qytetarët.

    “I njëjti e kishte marrë librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin të cilin e kishte grisur, ashtu që pasi qytetarët i kanë vërejtur copëzat e grisura në rrugë, rastin e kanë paraqitur në polici dhe me këtë rast është shkaktuar mllef i madh te komuniteti islam dhe është cenuar bashkëjetesa mes grupeve me ideologji të ndryshme fetare me çka edhe mund të prishej rendi dhe qetësia publike”, thuhej tutje në vendim.

    Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.l të Kodit Penal.

    I dyshuari ishte ndaluar më 4 mars, me aktvendim të Prokurorisë Speciale.

  • Kadrijaj: Cirk kjo që po ndodh, LVV-ja është lidhur me një emër

    Kadrijaj: Cirk kjo që po ndodh, LVV-ja është lidhur me një emër

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër vazhdimet e njëpasnjëshme të seancave konstituive në Kuvendin e Kosovës, duke i quajtur ato “cirk” pa rezultat. Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje është ngulitur në një emër për kryeparlamentar dhe nuk po tregon gatishmëri për kompromis.

    “Cirk kjo që po ndodh. S’ka asnjë ndryshim. Është dhënë alternativa, por VV-ja është lidhur me një emër. Këta s’po tentojnë me ndryshu, me këqyr a ka një kandidat që e merr shumicën,” u shpreh Kadrijaj.

    Ajo shkoi edhe më tej, duke iu bërë thirrje mediave që të ndjekin shembullin e ambasadorëve të huaj dhe të bojkotojnë këto seanca, pasi, sipas saj, nuk po prodhojnë asgjë konkrete.

    “Mirë që s’po ia boni ju (mediat) si ambasadorët, që nuk po dërgojnë përfaqësues në këto seanca. Ndoshta kish qenë mirë me abstenu edhe ju sepse nuk po prodhojnë asgjë”, tha ajo.