ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu: Vetëvendosje e ka përmbushur detyrën, tani përgjegjësia bie mbi opozitën

    Haxhiu: Vetëvendosje e ka përmbushur detyrën, tani përgjegjësia bie mbi opozitën

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar sot para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se partia e saj e ka kryer pjesën e vet të përgjegjësisë dhe tash pret reflektim nga opozita.

    “Çkado që ka qenë në dorën tonë, ne e kemi bërë. Tani përgjegjësia për tejkalimin e kësaj situate mbetet te opozita. Siç e kam theksuar edhe më herët, shpresojmë që të reflektojnë në mënyrë që të mund ta konstituojmë Kuvendin dhe të ecim përpara në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.

  • ​Gashi: Ne nuk jemi këtu t’ia bëjmë shumicën Kurtit

    ​Gashi: Ne nuk jemi këtu t’ia bëjmë shumicën Kurtit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se është përgjegjësi e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të bëjë shumicën parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të formojë qeverinë.

    Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, tha se nuk i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës t’ia bëjë shumicën partisë së parë, për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    “Zotëri Kurti e ka fituar një të drejtë kushtetuese duke qenë i pari në zgjedhje. E drejta është që të propozojë kryetarin e Kuvendit dhe formojë qeverinë. Kjo drejtë është ekskluzive e tij dhe po ashtu të propozojë i pari qeverinë. I mbetet atij të bëjë shumicën, pasi ne nuk jemi të bëjmë shumicën”, tha ai.

  • Zemaj: Nëse Kurti i ka 61 vota le ta zgjedh kryetarin e Kuvendin

    Zemaj: Nëse Kurti i ka 61 vota le ta zgjedh kryetarin e Kuvendin

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka insistuar se partia e tij nuk do të bëjë koalicion me Vetëvendosjen.

    Ai ka thënë se qëndrimet e Albin Kurtit janë deklarata dëshirore dhe se nuk do që të përballet me realitetin.

    Zemaj ka shtuar se kjo është logjikë e VV-së që përdorë imponimin dhe diktatin përbrenda.

    “Janë deklarata dëshirore të Kurtit pa dashur që të përballet me realitetin. Kjo është logjikë e VV-së, imponimi diktati, mendojnë që edhe subjektet tjera duhet t’i nënshtrohen. Këtu jemi për dëshira personale, këtu jemi për t’u shërbyer popullit dhe formimit të institucioneve të reja. Më shumë u ka shërbyer militantëve të Facebookut, por kjo është gjendja fatkeqësisht”, ka thënë Zemaj.

    Kurti në një intervistë të martën në RTK ka thënë se i ka 61 vota për kryeministër, teksa Zemaj është kundërpërgjigjur se nëse i ka këto vota, do të mund ta votonte edhe Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.

    “Kjo është tepër e parëndësishme ne nuk jemi këtu për t’u sfiduar, por për zgjidhje, nëse ai i ka 61 vota, atëherë përse nuk e zgjedh kryetarin e Kuvendit. Nëse janë 61 deputetë ta zgjedhin Albulena Haxhiun, por po e shohim se nuk po ndodhë”, ka thënë Zemaj.

  • ​Peci: Opozita nuk mund t’ia imponojë partisë fituese kandidatin për kryetar të Kuvendit

    ​Peci: Opozita nuk mund t’ia imponojë partisë fituese kandidatin për kryetar të Kuvendit

    Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se nuk do të tërhiqen nga propozimi për formimin e komisionit verifikues për votimin në mënyrë të fshehtë të kryeparlamentarit, raporton KosovaPress.

    Deputeti Peci duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, tha se opozita nuk mund të imponojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, partisë fituese të zgjedhjeve.

    “Ne kemi reflektuar në forma të ndryshme dhe kemi treguar se jemi të hapur për të diskutuar për opsione dhe partneritete e koalicione. Në anën tjetër, në rast që ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me imponu kandidatin”, tha ai.

    Duke folur për partneritetin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mundësinë që pozitën e kryetarit të Kuvendit t’i jep liderit të Nisma-s, Fatmir Limaj, ai tha se Albin Kurti dje e ka sqaruar se një pozitë e tillë nuk mund t’i takojë dikujt që i ka vetëm tre deputetë.

    “Ajo çka ka thënë kryeministri tregon pjesën tjetër të medaljes për çka pretendon dikush. Ai i trajton me shumë kujdes dhe respekt partneritetet që i krijon. Në raport me Guxi prej vitit 2020 deri tash ka qenë shumë korrekt dhe kujdesshëm”, tha ai.

    Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Peci tha se të njëjtat janë si opsion nëse bllokada në Kuvend vazhdon.

    “Gjithë është si opsion. Njëri nga opsionet. Nuk do të ishte opsion i mirë për Kosovën por është opsioni i vetëm që mund të qenë nëse bllokada vazhdon”, theksoi ai./kp/

  • Ambasadorja e Izraelit viziton Kolegjin AAB për promovimin e librit “Dita kur çdo gjë ndryshoi”

    Ambasadorja e Izraelit viziton Kolegjin AAB për promovimin e librit “Dita kur çdo gjë ndryshoi”

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë Sh.S Tamara Ziv qëndroi sot në Kolegjin AAB, për promovimin e librit të ilustruar “Dita kur çdo gjë ndryshoi”, nga shtëpia botuese Yuka Books.

    Gjatë qëndrimit ambasadorja Ziv zhvilloi takime me rektorin e Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe prorektoren Venera Llunji. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërakademik, mes institucioneve arsimore të Izraelit dhe Kosovës përmes programeve dhe projekteve të përbashkëta.

    Rektori Olluri foli për zhvillimin e Kolegjit AAB, programet e studimit, aktivitetet studentore dhe stafin akademik që i japin frymë të vërtetë akademike institucionit.

    Prorektorja Llunji përmendi bashkëpunimet institucionale mes Kolegjit AAB dhe universiteteve në Izrael, shkëmbimin e stafit akademik si dhe bashkëpunimin mes studentësh.

    Në promovimin e librit ishin të pranishme edhe redaktorja Netta Gurevitch dhe ilustratorja Danielle Peleg.

    Libri, i cili përshkruan ngjarjet tragjike të 7 tetorit 2023 në Izrael, u diskutua si një projekt me rëndësi kulturore dhe edukative.

    “Ky libër nuk është thjesht një tregim, por një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe treguar historinë e ngjarjeve tragjike” tha redaktorja Gurevitch.

    Pas ceremonisë, ambasadorja Ziv vizitoi Bibliotekën e Kolegjit AAB, e shoqëruar nga drejtori Urim Sallauka, në të cilën mund ta gjeni librin “Dita kur çdo gjë ndryshoi”.

  • ​Cilat do të jenë porositë e Kallas gjatë vizitës në Kosovë?

    ​Cilat do të jenë porositë e Kallas gjatë vizitës në Kosovë?

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë gjatë kësaj jave. Analistët politikë presin që Kallas në vizitën e saj të parë në Kosovë të sjell një plan konkret për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke marrë parasysh edhe paralajmërimin e presidentit francez, Emmanuel Macron në Tiranë se dialogu do të rifillojë në javën në vijim, shkruan KosovaPress.

    Megjithatë, ka edhe dilema nëse mund të ketë diçka konkrete në zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar mes palëve në vitin 2023, përderisa në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Madje, në pikëpyetje, sipas analistëve, është edhe legjitimiteti i kryengociatorit kosovar, Besnik Bislimi nëse mund të zhvillojë takime në Bruksel dhe zbatojë zotimet në këtë proces, përderisa qeveria është në detyrë. Ani pse për një gjë të tillë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ditë më parë tha se Bislimi ka legjitimitetit të zhvillojë takime në Bruksel në emër të Kosovës, nëse kërkohet nga BE-ja.

    Në lidhje me rifillimin e dialogut me Serbinë dhe mundësinë që kryenogciatori kosovar, Besnik Bislimi të zhvillojë takim trepalësh në Bruksel në zyrën e tij nuk dhanë përgjigje për KosovaPress. Të heshtur qëndruan edhe në Bashkimin Evropian mbi mesazhet që do t’i sjell Kallas në Kosovë e Serbi, derisa nuk treguan nëse do të ketë rifillim të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

    Takimi i fundit në nivel të kryengoaciatorëve të dialogut ka qenë në dhjetor të vitit 2024.

    Politologu, Albinot Maloku thotë për KosovaPress se shefja e diplomacisë së bllokut evropian pritet të sjell në Kosovë edhe mesazhin që e dha presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës në Tiranë për nevojën e rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Megjithatë, ai është skeptik nëse do të ketë ndonjë hap konkret të palëve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    “Unë pash që presidenti francez, [Emanuel] Macron, paralajmëroi si vullnet për të ecur përpara drejt një dialogu të drejtë, një dialogu të drejtpërdrejtë. Për rrjedhojë, kemi planin franko-gjerman në të cilin Franca është dizajnuesi kryesor. Do të fillojë një riangazhim për faktin se dizajnuesit e këtij plani nuk e kanë kohën e Republikës së Kosovës por duan të kenë hapa të shpejtë dhe të konkretizuar. Dialogu dihet se është pjesa thelbësore e qeverisë së ardhshme që do të përballet dhe nuk është asgjë e re. A do të ketë diçka të konkretizuar? E vetmja gjë që mund të konkretizohet është se momentin kur rifillon dialogu do të bëhet matja se a ka bërë lëvizje Kosova dhe Serbia drejt jetësimit të ‘Po’-së së thënë në Bruksel dhe Ohër”, thekson ai.

    Ndërkaq, analisti politik, Dorajet Imeri thotë se vizita e Kallas në Kosovë e Serbi tregon nevojën për të vijuar me procesin e dialogut mes dy vendeve.

    Madje, ai deklaron se krijimi i këtij momentumi në dialog duhet të jetë një alarm zgjimi për partitë politike në Kosovë që të formohen institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    “Situata aktuale në vend duket se ka alarmuar diplomacinë perëndimore dhe në veçanti zonjën Kallas që ka paralajmëruar një vizitë në vendin tonë. Kjo vizitë është në frymën e asaj që presidenti francez e potencoi se javët e ardhshme pritet të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë prizëm konsideroj se BE-ja dhe shtetet veç e veç do të marrin me shumë seriozitet këtë çështje dhe kjo besoj do të jetë një alarm zgjimi për partitë politike në Kosovë që të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria. Në këtë mënyrë shmanget ky hendeku në të cilën gjendemi dhe zbrazëtia institucionale që gjendet vendi ynë. Prandaj ardhja e zonjës Kallas dhe deklarimi i presidentit francez disa ditë më parë janë në linjën e njëjtë – atë të nevojës për vijuar me procesin dialogues mes dy vendeve”, deklaron Imeri.

    Javën e kaluar, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në samitin evropian në Tiranë, tha se nëse kërkohet nga BE-ja mund të ketë takime trepalëshe në Bruksel, pasi, sipas saj, Kosova ka kryenegociatorin në dialog me kompetenca të plota.

    “ Kosova ka kryenegociatorin, që është me fuqi të plotë – zëvendëskryeministri i parë, i cili nuk ka kandiduar apo zgjedhur si deputet, ka kompetenca që, nëse kërkohet nga BE-ja, të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh,” deklaroi Osmani.

    Mirëpo, politologu Maloku thotë se pozicioni i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi është teknik dhe se ai nuk ka legjitimitet të marrë hapa drejt zbatimit të marrëveshjeve në dialog, derisa s’ka institucione të reja.

    “Të tjerët nuk kanë legjitimitet, sidomos jo për të marrë hapa diçka që lidhet me dialogun. Pozicioni i tyre është teknik. Pavarësisht asaj nëse është deputet apo jo. Një figurë e qeverisë nuk është që ka legjitimitetin pasi njerëzit që ushtrojnë detyrat janë në pozicion teknik dhe pa kompetencë ligjore dhe kushtetuese për të marrë masa drejt implementimin që e prek Kosovën në aspektin ndërkombëtar”, shton Maloku.

    Prej fundit të vitit 2024 nuk ka pasur asnjë takim në nivel të dialogut në Bruksel. Kosova dhe Serbia në vitin 2023 janë dakorduar për Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, mirëpo palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj.

    Komisioni Evropian në shkurt të vitit 2025 ka emëruar përfaqësuesin e ri në dialog, diplomatin danez Peter Sorensen, duke zëvendësuar Miroslav Lajçakun.

    Prej marrjes së detyrës edhe përfaqësuesja e re e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Kaja Kallas ka ritheksuar nevojën e rifillimit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve./kp

  • Rrëmbehet një e mitur në Fushë Kosovë, lëndohet edhe nëna e saj – Policia del me raport

    Rrëmbehet një e mitur në Fushë Kosovë, lëndohet edhe nëna e saj – Policia del me raport

    Një e mitur është rrëmbyer në orët e para të mëngjesit në Fushë Kosovë nga idisa persona të panjohur.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë me dije se e njëjta është liruar pas një ore. Përgjatë incidentit në tentativë për ta parandaluar rastin, është lënduar edhe nëna e të miturës.

    “Rreth orës 00:45, policia ka pranuar informatën për një rast të dyshuar rrëmbimi, të ndodhur në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë. Sipas informatave fillestare, një vajzë e mitur është futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe pas rreth një ore është liruar. Përgjatë incidentit në tentativë për të parandaluar rastin është lënduar lehtë edhe nëna e viktimës. Të dyja kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor në QKUK”, ka thënë Borovci.

    Ai ka njoftuar se hetuesit policor kanë identifikuar së paku një veturë që është shfrytëzuar nga të dyshuarit, ndërsa me rekomandimin e prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi” si dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

    Policia ka apeluar te qytetarët që kanë informacione rreth rastit, që ta kontaktojnë.

    “Policia po vazhdon intensivisht punën për ndriçimin e plotë të ngjarjes dhe inkurajon qytetarët që kanë informacione që posedojnë ndonjë informacion të dobishëm të kontaktojnë policinë përmes numrit falas 192 ose përmes aplikacionit Lajmëro Policinë”, ka shtuar Borovci.

  • KQZ-ja pritet që gjobat e fushatave zgjedhore t’i ndalë nga fondi i partive

    KQZ-ja pritet që gjobat e fushatave zgjedhore t’i ndalë nga fondi i partive

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Do të shqyrtohet edhe rekomandimi që nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike të ndalohen mjete në vlerë të shumave të gjobave që PZAP-ja i shqiptoi gjatë fushatës zgjedhore.

    Mbledhja do të fillojë në orën 13:30.

  • Emisari i BE-së Sorensen në Berlin, diskuton për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

    Emisari i BE-së Sorensen në Berlin, diskuton për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, është takuar në Berlin me sekretaren e shtetit Geza von Geyr dhe këshilltarin për Politikë të Jashtme të kancelarit gjerman Friedrich Merz, Gunter Sautter.

    Sorensen në një postim në platformën “X” ka shkruar se është diskutuar se si të çohet përpara normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Gjithmonë mirë të jem në Berlin. Takime të para shumë të mira me sekretarin e shtetit Geza von Geyr dhe këshilltarin kryesor për Politikë të Jashtme të kancelarit Merz, Gunter Sautter. Diskutuam se si të çojmë përpara normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Mirënjohës për Gjermaninë për mbështetje ndaj përpjekjeve të BE-së”, ka shkruar Sorensen.

  • Presidentja Osmani në vizitë shtetërore në Zvicër, pritet nga presidentja Karin Keller-Sutter, organizohen edhe nderime ushtarake

    Presidentja Osmani në vizitë shtetërore në Zvicër, pritet nga presidentja Karin Keller-Sutter, organizohen edhe nderime ushtarake

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër sot në orën 13:00 do të pritet nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, në Lohn Manor, rezidencën e Këshillit Federal të Zvicrës, raporton EO.

    Ndërsa, në orën 15:00 për nder të presidentes Osmani organizohet pritje me nderime ushtarake në Sheshin Federal.

    Në orën 15:30 do të ketë deklarime nga të dy presidentet në ndërtesën e Parlamentit/Këshillit Federal.

    Në orën 17:10 presidentja Osmani dhe presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, do të mbajnë konferencë për media në Qendrën e Mediave në Bern.

    Është kjo vizita e parë e nje presidenti të Kosovës në Zvicër me ftesë të presidentit të këtij shteti.

    Agjencia e lajmeve Ekonomia Online do të raportojë vijimisht edhe me video nga vendi i ngjarjes për ecurinë e vizitës së presidentes Osmani në Zvicër.