ATV

Category: Lajme

  • Ish-deputeti Gramos Agusholli lirohet pas ndalimit nga autoritetet serbe në Merdarë

    Ish-deputeti Gramos Agusholli lirohet pas ndalimit nga autoritetet serbe në Merdarë

    Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ish-deputeti Gramos Agusholli, është liruar nga autoritetet serbe, pasi ishte ndaluar në pikën kufitare në Merdarë.

    MPJD-ja ka thënë se ai ka vazhduar rrugën e tij drejt destinacionit për në Slloveni.

    Ministria ka shtuar se do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje secilën situatë që cenon të drejtat e qytetarëve, derisa i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë ndaj Serbisë “për ndalimin e praktikave të tilla represive”.

    Pak minuta para njoftimit të MPJD-së, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se po bëjnë maksimumin që ai të lirohet.

    Ish-deputeti i Vetëvendosjes ndalohet nga Serbia në Merdarë

  • Macron sqaron videon ku Zonja e Parë shihet duke e shtyrë me duar, thotë se ishte një shaka

    Macron sqaron videon ku Zonja e Parë shihet duke e shtyrë me duar, thotë se ishte një shaka

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka reaguar pas videos virale ku bashkëshortja e tij, Zonja e Parë, Brigitte Macron, shihet duke e shtyrë me duar në fytyrë, teksa po zbrisnin nga aeroplani, pasi kishin mbërritur në Vietnam, për një turne në Azinë Juglindore.

    Macron u ka thënë gazetarëve se ata ishin duke bërë shaka, shkruan skynews.

    Ai hodhi poshtë pretendimet për ndonjë incident në familje.

    Në vend të kësaj u tha gazetarëve se nuk ishte asgjë dhe se ishte “stërmadhuar”.

    “Asnjë nga këto gjëra nuk është e vërtetë – megjithatë video është reale”, tha Macron.

    Ai përfundoi duke këmbëngulur se të gjithë duhet të “qetësohen” dhe “të interesohen për çështjet aktuale”.

     

     

  • Ish-deputeti i Vetëvendosjes ndalohet nga Serbia në Merdarë

    Ish-deputeti i Vetëvendosjes ndalohet nga Serbia në Merdarë

    Sot paradite, më 26 maj 2025, Ministria e Punëve të Brendshme është njoftuar për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.

    Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.
    MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

  • Osmani në darkën e NATO-s: Ëndrrat tona u mbrojtën nga ushtarët tuaj

    Osmani në darkën e NATO-s: Ëndrrat tona u mbrojtën nga ushtarët tuaj

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

    Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

    “Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Osmani.

    Sipas Osmanit në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona.

    “Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”, tha presidentja.

    Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.

  • Wadephul: Sulmet ruse janë fyerje për Trumpin dhe BE-në

    Wadephul: Sulmet ruse janë fyerje për Trumpin dhe BE-në

    Putini po shkel të drejtat e njeriut, kjo është një fyerje, edhe ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe ndaj BE-së, deklaroi ministry i Jashtëm gjerman Wadephul.

    Wdephul vuri në dukje se Trump kishte bërë përpjekje të konsiderueshme për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave, por i përmendi sulmet e fundit si reagimin e Putinit ndaj këtyre përpjekjeve.

    ”Rusia nisi rreth 300 sulme me dronë dhe rreth 70 sulme me raketa kundër Ukrainës të shtunën në mbrëmje”, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

    Shifrat do të përfaqësonin sulmet më të këqija me dronë që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

    Autoritetet thanë se të paktën 12 persona ishin vrarë në pjesë të ndryshme të vendit, me dhjetëra të plagosur.

    Wadephul tha se ”agresioni rus vërteton se Putini nuk është i interesuar për paqen” dhe se ”ai dëshiron ta vazhdojë këtë luftë dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”.

    ”Prandaj, të përgatitemi për sanksione bashkë me BE-në. Do të ketë një përgjigje të qartë nga Perëndimi dhe besoj edhe nga Shtetet e Bashkuara. Ne të gjithë duhet të reagojmë me vendosmëri”, tha Wadephul duke shtuar se ”bashkësia ndërkombëtare dhe Perëndimi politik nuk mund të lejojnë që sulme të tilla të mbeten pa përgjigje”.

  • ​Publikohet raporti, a është shoqëria kosovare e korruptuar?

    ​Publikohet raporti, a është shoqëria kosovare e korruptuar?

    Kosova mbetet ende e cenueshme nga korrupsioni, edhe pse prej më shumë se dy dekada ka marrë mbështetje të gjerë nga partnerët ndërkombëtarë për të forcuar sistemin e drejtësisë dhe për të rritur llogaridhënien publike.

    Kështu u tha në diskutimin e Lëvizjes FOL, derisa u publikua raporti “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë, ndikimi i ndryshimeve legjislative”.

    Aty, mes tjerash analizohet periudha e dhjetë viteve të fundit, përkatësisht ndikimin e reformimit ligjor, investimet institucionale dhe programet e trajnimit në uljen e korrupsionit.

    Sipas tyre, në periudhën 2015-2019, ka pasur kompetenca të paqarta mes Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore, ku kanë krijuar mbivendosje hetimesh, ndërsa gjykatatë, pa një departament të dedikuar, mbyllini më pak se 40 për qind të çështjeve në vit. Siç thuhet në raport, trajnimet ishin të shumta por nuk sollën rritje të matshme të cilësisë së hetimeve.

    Ndërkaq, duke iu referuar raportit, prej vitit 2020 nis një qasje më e strukturuar e sistemit të drejtësisë, ku themelohet Departamenti Speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po ashtu miratohet Kodi i ri Penal me dënime më të ashpra.

    Në raport thuhet se përgjatë viteve 2020-2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 263 aktakuza për rastet e korrupsionit, ndërsa prokuroritë themelore 1174 aktakuza për rastet e korrupsionit

    Albert Avdiu, konsulent në FOL, teksa paraqiti raportin, tha se ndërhyrjet ligjore i kanë dhënë sistemit të drejtësisë një infrastrukturë më të saktë, por rezultatet në teren po ecin më ngadalë se dispozitat në letër.

    “Performanca e sistemit prokurorial në këto dy periudha nuk është e keqe. Numrat janë këto, ndërsa ka një trend të njëtrajtshëm, jo ndonjë lëvizje e madhe ndër vite. Mirëpo nëse i sheh këta numra pa ndonjë analizë më të thellë është se shoqëria kosovare nuk duket që është shumë e korruptuar. Nëse marrim këtë katalog të veprave penale në raport me veprat e natyrave të tjera del se janë më të pakta të kryera sesa llojet të tjera. Kjo duhet të sqarohet se ku po çalohet. Nëse shoqëria thotë se ka korrupsion, mirëpo ajo nuk po përkthehet në vepra në raste gjyqësore atëherë duhet të shihet se cilat janë problemet”, tha ajo.

    Ndërkaq, gjyqtari në Gjykatën Supreme, Burim Ademi, tha se ndryshimet e shpeshta të dispozitave ligjore ka krijuar probleme në ndërtimin e mirëfilltë të praktikës gjyqësore për veprat penale të korrupsionit.

    “Ndryshimet e dispozitave ligjore kaq të shpeshta brenda kësaj periudhe kohore, aq më tepër nga përvoja ime se jam në dijeni se nuk është bërë hulumtim i mjaftueshëm në secilën situatë se çka duhet të dispozitat e legjislacionit penal. Posaçërisht në sferën e veprave penale të korrupsionit. Kjo pastaj ka krijuar probleme në ndërtimin e mirëfilltë të praktikës gjyqësore që do të kishte krijuar efekt te gjykatat e nivelit më të ulët për të zbatuar më drejt dispozitat ligjore” , tha ai.

    Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, kërkoi që lëndët e korrupsionit të trajtohen me urgjencë nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, trajtimi i tyre me vonesë kontribuon negativisht në parandalimin e korrupsionit.

    “Lëndët e korrupsionit duhet të trajtohen me urgjencë. Trajtimi i tyre me vonesë kontribuon negativisht në parandalimin e korrupsionit. Ne kemi mandat të marrim masa për parandalimin e korrupsionit, por s’ka parandalim më të mirë sesa dënimi i shpejtë i veprave penale të korrupsionit. Ne do t’i kishim përdorë këto si shembuj të mirë për ata që i shkon mendja të korruptohen se këto nuk tolerohen”, tha Buleshkaj.

    Mes tjerash u rekomandua që të bëhet funksionalizimi i plotë i Njësisë së Veçantë të Hetimeve brenda PSRK-së për rastet e korrupsionit si dhe kategorizimi i mosdeklarimit të pasurisë si krim i rëndë./KP/

  • Pasi Trump e quajti Putitin “të çmendur”, reagon Kremlini

    Pasi Trump e quajti Putitin “të çmendur”, reagon Kremlini

    Kremlini i është përgjigjur sot përmes Dmitry Peskov deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump se Putini ishte “çmendur fare” me sulmet e tij të vazhdueshme ndaj Ukrainës.

    Peskov u përgjigj: “Sigurisht, fillimi i procesit të negociatave, për të cilin pala amerikane bëri shumë përpjekje, është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne jemi vërtet mirënjohës ndaj amerikanëve dhe personalisht presidentit Trump për ndihmën e tyre në organizimin dhe nisjen e këtij procesi negociator”.

    “Është një arritje shumë e rëndësishme. Sigurisht, njëkohësisht kjo është një periudhë shumë e ndjeshme që lidhet me ngarkesën emocionale të të gjithë të përfshirëve dhe reagime emocionale.

    Ne i ndjekim me kujdes të gjitha reagimet. Megjithatë, Presidenti Putin merr ato vendime që janë të nevojshme për sigurinë e vendit tonë.

    Të gjithë ishim dëshmitarë se si regjimi i Kievit kërcënoi liderët e huaj para se të vinin në Moskë për të përkujtuar Ditën e Fitores. Të gjithë i dëgjuan këto kërcënime nga regjimi i Kievit”.

    Dhe shumë liderë që ishin këtu panë përpjekjet e regjimit të Kievit për të goditur territorin rus me dronë, qytete të mëdha, madje edhe kryeqytetin, në prag të një dite kaq të rëndësishme. Këto përpjekje vazhdojnë. Ne jemi të detyruar të marrim masa dhe Presidenti Putin bën atë që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e Rusisë.”

  • Më 2 qershor, ankandi i shtatë i letrave me vlerë

    Më 2 qershor, ankandi i shtatë i letrave me vlerë

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më dy qershor do të organizohet ankandi i shtatë i letrave me vlerë për këtë vit. Në kuadër të këtij ankandi, do të emetohen Obligacione me maturitet dy-vjeçar, në shumën prej 20 milionë euro.

    Sipas njoftimit zyrtar, investimi në këto obligacione konsiderohet një mundësi e sigurt investimi, i cili garantohet me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. Interesi për këto obligacione përcaktohet nga tregu dhe garantohet për tërë periudhën 2-vjeçare, ndërsa përfitimi është tërësisht i liruar nga tatimi.

    Ministria inkurajon të gjithë të interesuarit që për më shumë informacione dhe për të marrë pjesë në ankand, të kontaktojnë një nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës.

  • KMDLNj: Trajtim degradues i shtetasve të Kosovës nga Gjykata Speciale

    KMDLNj: Trajtim degradues i shtetasve të Kosovës nga Gjykata Speciale

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e ka quajtur Gjykatën Speciale si gjykatë raciste e të themeluar nën kushte dhune dhe presioni psikologjik nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

    Kjo organizatë shton se Gjykata Speciale është një monstrum juridik, në shërbim të politikës ndërkombëtare dhe vendore gjë që po dëshmohet sidomos në përfundim të procesit kundër udhëheqësve më të lartë të Kosovës sikur edhe udhëheqësve të luftës çlirimtare, transmeton Klankosova.tv.

    Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

    Gjykata Speciale Raciste e themeluar nën kushte dhune dhe presioni psikologjik nga deputetët e Kuvendit të Kosovës doli të jetë një monstrum juridik , në shërbim të politikës ndërkombëtare dhe vendore gjë që po dëshmohet sidomos në përfundim të procesit kundër udhëheqësve më të lartë të Kosovës sikur edhe udhëheqësve të luftës çlirimtare.

    Qëllimi ishte të arrestohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndërsa të tjerët u arrestuan për ta bërë më të besueshëm këtë proces gjyqësor , disa prej të cilëve u dënuan me dënime të larta, në procese të kurdisura dhe me “prova” nga Serbia. GJSR – e , ndonëse deklarohej se ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe se ishte pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, me asgjë nuk identifikohej me Kosovën dhe nuk ndjente asnjë detyrim ndaj “themeluesit” të Kuvendit të Kosovës.

    Madje, në një aneks marrëveshjeje që kurrë nuk ishte bërë transparent për publikun , sovraniteti i vendimmarrjes për të gjitha çështjet bartej te GJSR – e e që paraqet presedan në historinë e Drejtësisë ndërkombëtare, në kuptimin më negativ të fjalës.

    Që nga fillimi i procesit KMDLNj – ë ka identifikuar shkeljet e rënda të drejtave të njeriut të pengjeve të Hagës , të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Këto gjetje i ka adresuar te institucionet e Kosovës që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, në Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendit e Kosovës. MD e ka bërë të kundërtën, në vend se t’ua mbrojë të drejtat e njeriut, duke ua shkurtuar fondet, ua ka pakësuar mundësitë dhe të drejtat për një mbrojtje cilësore dhe efektive.

    Mazhoranca e deputetëve të Kosovës, nuk ka treguar vullnet, guxim dhe përgjegjësi që buron nga mandati i tyre për të kërkuar informata dhe përgjegjësi nga GJSR – e për trajtimin çnjerëzor, fyes dhe degradues të të burgosurve , të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit është dashur të thirren në dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në radhë të parë në Konventën për Parandalimin e Tortures dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues.

    Kjo Gjykatë nuk është monitoruar nga askush, ka qenë krejtësisht jotransparente, me mungesë të theksuar të llogaridhënies. Që nga Procesi i Nyrembergut, pas luftës së dytë botërore, nuk mund ta gjeni një gjykatë që aq brutalisht i shkelë të drejtat e njeriut, kryesisht në baza etnike siç e bënë GJSR – e në Hagë. Pa asnjë pasojë. Pengjet në Hagë, të pambrojtur nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga shteti i Kosovës, kanë mbetur në mëshirën e një grupi burokratësh që kanë përfituar materialisht në dëm të popujve që kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz, deri në përmasa gjenocidi siç ishte rasti i Kosovës.

    Kryetarja e kësaj Gjykate, Ekaterina Trendafilova, bashkë me prokurorin Smith, të përkrahur edhe nga politikanët e Kosovës kanë krijuar një alibi që pengjet nga Kosova duhet të dënohen gjithsesi ndërkaq, përkrahë agresiviteti më brutale ishte Trendafilova që, sikur vendasja e saj, Baba Vanga, parashikonte dënim me burgim të përjetshëm. Baba Vanga vetëm ka parashikuar, Trendafilova ka mundësi të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrje 100 përqind.

    KMDLNj, rregullisht ka denoncuar shkeljet brutale të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës në Hagë që nga arrestimi arbitrar, mosdhënia e shërbimeve shëndetësore me kohë, mospërkthimi i materialeve gjyqësore në gjuhën shqipe, trajtim çnjerëzor gjatë vizitave humanitare, informimi i kufizuar në gjuhën amtare, kufizimi i vizitave, ushqimi i pamjaftueshëm dhe jocilësor, mbajtja në arrest përtej çdo kohe të arsyeshme, shkelja brutale e parimit të prezumimit të pafajësisë përmes deklaratave publike të personelit të GJSR- e sikur edhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies.

    KMDLNj paralajmëron opinionin se para GJSR – e në Hagë po luhet një lojë e ndyrë juridike ku as viktimat nuk përfitojnë drejtësi e as përgjegjësit eventualë për krime nuk e marrin dënimin e merituar. Loja po luhet për qëllime krejtësisht të ndyra politike!

  • Berisha: Këto zgjedhje kurrë nuk do të njihen, largimi i Ramës qëllimi më madhor i shqiptarëve

    Berisha: Këto zgjedhje kurrë nuk do të njihen, largimi i Ramës qëllimi më madhor i shqiptarëve

    Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 Majit, duke i quajtur një farsë.

    Ai theksoi se qëllimi madhor i shqiptarëve duhet të jetë largimi i kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se “farsa s’fitohet kurrë nga opozita”.

    “Unë edhe njëherë deklaroj se këto zgjedhje kurrë nuk do njihen dhe se ata, të cilët përpiqen t’u shesin shqiptarëve krimin si sukses elektoral, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se rreshtojnë veten me kartelet, me Edi Ramën dhe me të gjithë autorët e farsës më të shëmtuar elektorale të majit 2025”, tha Berisha.

    Më pas shtoi: “Farsa nuk fitohet nga opozita. Atëherë ka një qëllim, që çdo qytetar shqiptar, që beson se këto zgjedhje ishin farsë dhe se farsa nuk fitohet kurrë nga opozita, të pyesë veten a është i gatshëm të sakrifikojë për votën e lirë. A është i gatshëm të angazhohet në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve të drejtën e votës së lirë.

    Çka nënkupton të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat për ata që besojnë se kjo është një farsë. Për ata që besojnë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe natyrisht largimi i Edi Ramës duhet të jetë qëllimi më madhor i shqiptarëve… …Farsa nuk fitohet kurrë nga opozita.

    Ka dy rrugë. Ka një rrugë, bojkoti i zgjedhjeve. Në qoftë se ju lexoni rezolutën e 30 prillit, të votuar nga 82 parti politike të qendrës së djathtë të Europës, parti që qeverisin Europën sot, aty është e qartë se 11 Maji do jetë një farsë, sepse Edi Rama gjatë fushatës po blinte vota me lekë, po blinte vota me kanabis, po blinte vota me prokurime, po blinte vota me punësime. Dhe se drejtësia e kapur nga Edi Rama nuk qëndronte ndaj gjithë këtyre krimeve.

    Përveç kësaj, u zhvillua një hearing në Parlamentin Europian i të gjithë spektrit politik të parlamentit. Dhe në këtë hearing, zgjedhjet u quajtën një emergjencë. Tani, në qoftë se ishim para dy rrugëve, pjesëmarrje ose mospjesëmarrje. Në qoftë se nuk merr pjesë, do zgjedhësh rrugën e dhunës ose rrugën e shuarjes. Ose do pranosh se këtu nuk do merrem më me politikë, ose do merrem dhe do përdor forcën ndaj kësaj qeverie që të merr liritë.

    Është njëra rrugë. Rruga tjetër është rruga që ndjekim ne. Rruga në të cilin ne marrim pjesë në proces, paraqesim të gjitha dokumentet e vërteta që ishte farsë dhe ftojmë shqiptarët të luftojnë për votën e tyre. Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta ka një mbështetje ndërkombëtare. E para mund ta krijojë, por fillimisht nuk ka. E dyta po, ja ku janë raporti, ja ku janë rezolutat. Është pra një betejë e vështirë, por jo e pashpresë.”