ATV

Category: Lajme

  • ​Faton Peci reagon pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë

    ​Faton Peci reagon pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar një ditë pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë dhe intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    “Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

    Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.

    Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

    Ndërkaq, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

    “Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike [kompjuterë, telefona], si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • “Drejtësia foli, plagët janë më të lehta tani”, deklarimi i avokatit të familjes së të ndjerit Bedri Rexhepit pas shpalljes së dënimit ndaj të akuzuarve

    “Drejtësia foli, plagët janë më të lehta tani”, deklarimi i avokatit të familjes së të ndjerit Bedri Rexhepit pas shpalljes së dënimit ndaj të akuzuarve

    Me burgim të përjetshëm janë dënuar Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021 – 8 prill 2021, vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar për ta vrarë Bedri Rexhepin me qëllim të përfitimit të pasurisë.

    Menjëherë pas shpalljes së dënimit ndaj të akuzuarve është deklaruar edhe avokati i familjes Rexhëpi, Besnik Berisha.

    “Sot drejtësia foli, sot plagët janë më të lehta, ndërkaq dënimi i shqiptuar është dënim i pritur për të cilin kemi punuar”, deklaroi ai.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.

    Bytyqi tha se dy të akuzuarit janë fajtorë për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të varreve apo kufomave”, andaj i dënoi me burgim të përjetshëm ku do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykatësja Bytyqi tha se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.

    Obligohet secili i akuzuar të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 300 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit nga 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

    Të pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishin dy të akuzuarit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • Jeton e Nexhat Vllasaliu dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Jeton e Nexhat Vllasaliu dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Në këtë rast, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.

    Bytyqi tha se dy të akuzuarit janë fajtorë për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të varreve apo kufomave”, andaj i dënoi me burgim të përjetshëm ku do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykatësja Bytyqi tha se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.

    Obligohet secili i akuzuar të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 300 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit nga 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në potfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • Bizneset nesër protestojnë kundër vendimit të ZRrE dhe për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë

    Bizneset nesër protestojnë kundër vendimit të ZRrE dhe për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë

    Pas kërkesave të vazhdueshme për një dialog të hapur dhe bashkëpunues me institucionet shtetërore, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se komuniteti i bizneseve do të organizojë një protestë të enjten, më 29 maj 2025, nga ora 10:00 deri në ora 12:00.

    Protesta do të mbahet për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

    Në një njoftim për media, Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur keqardhjen që përkundër përpjekjeve të shumta, nuk është arritur ndonjë bashkëpunim i mirëfilltë me institucionet për të siguruar një fazë kalimtare të drejtë dhe të menaxhueshme.

    Sipas OEK, mungesa e përgatitjes së tregut dhe mbështetjes institucionale po krijon pabarazi në treg, po dëmton konkurrueshmërinë dhe po sjell pasoja serioze për ekonominë e vendit, përfshirë rënien e prodhimit vendor dhe humbjen e vendeve të punës.

    “Ky proces, ashtu siç po zbatohet aktualisht nga Zyra e Rregullatorit për Energji, është i njëanshëm dhe i papërgatitur, duke rrezikuar stabilitetin dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë,” thuhet në deklaratë.

    Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve të reflektojnë me urgjencë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të krijuar një plan të qartë dhe të drejtë të tranzicionit, që do t’u mundësonte bizneseve përgatitjen graduale për integrimin në tregun e lirë të energjisë.

    Nëse kërkesat e komunitetit të biznesit nuk merren parasysh, OEK paralajmëron se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e tyre.

  • Dronët shpërthejnë mbi Moskë – pezullohen fluturimet në dy aeroporte

    Dronët shpërthejnë mbi Moskë – pezullohen fluturimet në dy aeroporte

    Një sulm masiv me dronë nga Ukraina goditi zemrën e Rusisë natën e së martës, duke shkaktuar alarm dhe kaos në Moskë. Si pasojë, fluturimet në dy nga aeroportet kryesore të kryeqytetit, Vnukovo dhe Zhukovsky u pezulluan përkohësisht.

    Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se 112 dronë ukrainas kanë synuar gjashtë rajone të ndryshme të vendit. Megjithatë, autoritetet ruse pretendojnë se shumica e tyre janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore.

    Në anën tjetër, Rusia nuk qëndroi duarkryq. Një tjetër valë sulmesh me dronë goditi qytetin Kharkiv në Ukrainë, duke lënë të plagosur të paktën tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, sipas guvernatorit rajonal.

    Forcat ajrore ukrainase lëshuan alarme për sulme ajrore në disa rajone, përfshirë Kiev, Odesa, Sumy dhe Kharkiv.

    Sulmet ndodhën pak orë pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili akuzoi Vladimir Putinin se “po luan me zjarrin”. Por Rusia nuk u ndikua nga komentet e Trump dhe vazhdoi ofensivën.

    Në sfondin e përshkallëzimit të luftimeve, pritet që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të vizitojë Berlinin të mërkurën. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur mbështetje më të fuqishme për Ukrainën dhe ka sinjalizuar se Gjermania mund t’i dorëzojë Kievit raketat e fuqishme Taurus, pasi ka hequr kufizimet për rrezen e armëve që dërgon në frontin ukrainas.

  • PDK thërret konferencë për media

    PDK thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar një konferencë për media që do të mbahet sot në selinë qendrore të partisë.

    Sipas njoftimit për media nga ky subjekt politik, konferenca pritet të nisë në orën 11:00.

    Megjithatë, nuk janë dhënë detaje lidhur me temën apo arsyen e kësaj konference.

  • “FSK me aleatët e saj do t’i mbrojë kufijtë”, Maqedonci: 70 për qind e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës

    “FSK me aleatët e saj do t’i mbrojë kufijtë”, Maqedonci: 70 për qind e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i është përgjigjur kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia për luftë dhe pushtim të Kosovës.

    Maqedonci thekson se kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70 për qind të ushtrisë në jug dhe jo larg kufirit me Kosovën.

    Ministri Maqedonci garantoi se FSK, bashkë me aleatët amerikanë dhe të NATO-s, do të mbrojnë çdo pëllëmbë tokë të Kosovës.

    “Ne i shohim gjithmonë si të mundshme këto kërcënime. Ne e shohim gjithmonë të mundshme që Serbia në një moment mund të ndërmarrë veprime për të destabilizuar rajonin. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një forcë ushtarake të aftë për të mbrojtur territorin e Kosovës, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në botë, duke përqafuar gjithmonë vlerat e NATO-s, vlerat perëndimore dhe duke shtyrë përpara interesat, të cilat i kemi si vendet demokratike”, tha Maqedonci, për A2CNN.

    Ai tha se Kosova në vazhdimësi ngre shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

    “Diku 70 për qind e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Dhe kësaj duke i shtuar edhe këto 48 bazat e përparme që ne gjithmonë vlerësojmë se paraqesin kërcënim. Kur fqinji ti vendos në kufi forcat ushtarake në një farë forme apo një tjetër e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi”, tha ai.

    Maqedonci tha se kjo nuk po bëhet rastësisht.

    “Dhe kur e kemi gjithë këtë prezencë dhe kemi një mbështetje të grupeve kriminale dhe terroriste, siç ishte ai i Radoiçiqit, që tentoi aneksim të Veriut të vendit tonë, tregon për qasjen agresive që Serbia vijon ta ketë në raport me Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci.

     

  • Përfundoi bastisja në Ministrinë e Bujqësisë, u konfiskua një sasi e konsiderueshme dokumentesh

    Përfundoi bastisja në Ministrinë e Bujqësisë, u konfiskua një sasi e konsiderueshme dokumentesh

    Pas disa orësh kontroll intensiv, përfundoi aksioni i Policisë së Kosovës në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), pjesë e Ministrisë së Bujqësisë.

    Aksioni u zhvillua me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe kishte në shënjestër dyshimet për shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin e një fabrike për mbetjet shtazore.

    Gjatë bastisjes, janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat pritet të analizohen për prova lidhur me procedurat e dyshuara të keqpërdorimit të fondeve publike.

  • Reagon Ministria e Bujqësisë: Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit

    Reagon Ministria e Bujqësisë: Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit

    Pas bastisjes së sotme në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka reaguar zyrtarisht, duke deklaruar se është në dispozicion të plotë të organeve të rendit dhe drejtësisë.

    Në një reagim për Ekonomia Online thuhet se bashkëpunimi me institucionet hetimore ka qenë i vazhdueshëm që nga dita e parë, dhe se ministria mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit në çdo veprim.

    “Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyre, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies,” kanë thënë zyrtarisht nga MBPZHR-ja për EO.

  • Prokuroria Speciale e konfirmon: Bastisje në katër lokacione mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore

    Prokuroria Speciale e konfirmon: Bastisje në katër lokacione mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore

    Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, po zhvillon sot një aksion policor, në disa lokacione, si rezultat i nisjes së hetimit mbi dyshimet për një rast të kundërligjshëm.

    Nga Prokuroria Speciale e kanë konfirmuar për Ekonomia Online se operacioni lidhet me dyshimet për fabrikën për mbetje shtazore.

    “Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës.”