ATV

Category: Lajme

  • Osmani në SHBA: Përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para

    Osmani në SHBA: Përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para

    Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalimit në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

    Osmani shprehu mirënjohje për rolin e shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.

    “Por paqja, siç e kemi mësuar të gjithë, është e brishtë. Vetëm disa vite pas marrëveshjes së Dejtonit dhe luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, po i njëjti makth erdhi në shtetin tim, Republikën e Kosovës. Jo si imazh në televizion apo zë në radio, por jetesë. Jetesë e përditshme, makth që erdhi në rrugët tona dhe në shtëpitë tona”, tha Osmani.

    “Sot, teksa mblidhemi me temën e paqes dhe prosperitetit, duhet të fillojmë me një të vërtetë të thjeshtë por të fuqishme: paqja rrallë herë është e trashëguar, është e ndërtuar dhe është në mënyrë konstante e ushqyer dhe e mbrojtur. Por, më e rëndësishmja është se paqja nuk vjen kurrë duke ecur vetë apo izoluar. Kjo paqe vjen nëpërmjet partneriteteve dhe aleancave. Sot, unë përfaqësoj republikën e lirë dhe sovrane të Kosovës, një tokë, zëri i së cilës një kohë u hesht në luftë, por tani flet në gjuhën e shpresës, në gjuhën e paqes dhe në gjuhën e mirënjohjes. Mbi të gjitha, ne i detyrohemi falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve, kur bota na u duk shumë terr. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri. Këta heronj nuk erdhën për lavdi, ata erdhën sepse besonin në të drejtat thelbësore të çdo qenie njerëzore, të jetojë i lirë nga shtypja”, tha Osmani gjatë fjalimit.

    Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë “në orët më të vështira të historisë sonë”.

    “Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO: përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë. Paqja jonë dhe liria jonë është përgjithmonë e lidhur me trimërinë e juaj dhe mirënjohja jonë është e përjetshme”, tha Osmani.

    Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë./KP

  • Begaj në SHBA: Pa udhëheqjen amerikane nuk do të kishim një Kosovë të pavarur

    Begaj në SHBA: Pa udhëheqjen amerikane nuk do të kishim një Kosovë të pavarur

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Gjatë fjalës në forumin me temë “Renewing focus on peace and prosperity in the Balkans”,Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dayton-it dhe integrimin Euroatlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës.

    Duke nxjerr në pah përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në rajoni tonë, Begaj theksoi se “Marrëveshja e Paqes e Dayton-it i dha fund një lufte brutale në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës”.

    Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”.

    Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se “Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të fortë ndaj vlerave thelbësore të demokracisë, duke promovuar paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”.

    Begaj tutje vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s, raporton A2.

  • ​Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe pas sulmit masiv ajror

    ​Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe pas sulmit masiv ajror

    Nga e shtuna në mbrëmje deri të dielën në mëngjes, Rusia ndërmori sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.

    Sipas BBC-së, të paktën 12 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi Rusia lëshoi 367 dronë dhe raketa.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se arritën të rrëzonin 266 dronë dhe 45 raketa. Por ato paralajmëruan se “shumica e rajoneve të Ukrainës” u prekën nga sulmi.

    Të dielën në mbrëmje, sulmet nga Moska vazhduan, megjithëse dukeshin më të kufizuara.

    Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan depërtime të dronëve Shaheed dhe UAV gjatë natës, por thanë se kërcënimi ishte zmbrapsur në të gjitha rajonet deri rreth orës 07:00 lokale.

    Këtë mëngjes, shërbimi shtetëror i emergjencave po shpërndan foto të ndërtesave në flakë në Odesa, ku thuhet se një ndërtesë banimi është shkatërruar nga dronët rusë.

  • ​Gjysmëfinale të zjarrta në playoff-in e futsallit

    ​Gjysmëfinale të zjarrta në playoff-in e futsallit

    Kanë nisur me duele të zjarrta ndeshjet gjysmëfinale të play-offit në futsallin e Kosovës, shkruan KP.

    FC Drenica ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke e mposhtur FC Vjosën me rezultat bindës 4-1.

    Ndërkohë, FC Prishtina 01 ka dalë fituese në derbin prishtinas, ku e mposhti FC Mabetex Prishtinën me shifrat 4-2, duke hedhur një hap të madh drejt finales.

    Sipas sistemit të garës, skuadra që arrin dy fitore siguron kualifikimin në finale, ndaj ndeshjet e kthimit do të jenë vendimtare.

  • ​Ancelotti zbarkon në Brazil, sot publikon listën

    ​Ancelotti zbarkon në Brazil, sot publikon listën

    Trajneri italian, Carlo Ancelotti, zbarkoi në Brazil të dielën në mbrëmje për të filluar zyrtarisht udhëtimin e tij në krye të Kombëtares braziliane, transmeton KosovaPress.

    Kjo lëvizje shënon fillimin e një kapitulli të ri për ekipin pesë herë kampion të botës në futboll. Trajneri italian do të shpallë listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës gjatë ditës së sotme.

    I pritur me pritje të mëdha, Ancelotti shkoi direkt në hotelin ku do të qëndrojë. Pak para orës 22:30, trajneri mbërriti në vend i shoqëruar nga biznesmeni Diego Fernandes, përgjegjës për kryerjen e të gjitha negociatave që i bënë të mundur trajnerit të merrte drejtimin e ekipit ombëtar të Brazilit.

    Në hyrje të hotelit, Ancelotti u prit nga presidenti i CBF-së, Samir Xaud, dhe u përpoq të dilte nga makina e tij dhe të përshëndeste tifozët dhe gazetarët që e prisnin jashtë. Krahas trajnerit, italiani përshëndeti me dorë, pozoi për foto dhe tregoi simpati ndaj publikut brazilian.

    Sot, Carlo Ancelotti do të prezantohet zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares braziliane, në një aktivitet në selinë e CBF-së. Në të njëjtën rast, ai do të bëjë thirrjen e tij të parë, duke u përqendruar tashmë në dy angazhimet e ardhshme për kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës: kundër Ekuadorit, më 5 qershor, në Guayaquil, dhe kundër Paraguait, më 9, në São Paulo.

    Ardhja e Ancelottit shihet si një moment historik për futbollin brazilian, i cili po mbështetet në përvojën dhe rekordin e fitoreve të italianit — kampion i shumëfishtë evropian i klubeve — për të udhëhequr rinovimin e ekipit drejt Kupës së Botës 2026.

  • ​Trump: Putin është “çmendur krejtësisht”

    ​Trump: Putin është “çmendur krejtësisht”

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se është “i pakënaqur” me presidentin rus, Vladimir Putinin, pas sulmit ajror më të madh të Moskës ndaj Ukrainës gjatë fundjavës.

    “Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur atij. Ai është çmendur krejtësisht! Po vret njerëz kot së koti, dhe nuk po flas vetëm për ushtarët”, tha Trump në platformën e mediave sociale, Truth Social.

    “Kam thënë gjithmonë që ai do tërë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po rezulton të jetë e vërtetë, por nëse e bën këtë, do të çojë në rënien e Rusisë”, shton Trump.

    Sipas BBC-së, në komente të veçanta për gazetarët të dielën në mbrëmje, Trump tha se “nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit. E njoh prej kohësh. Gjithmonë kemi shkuar mirë. Por tani po dërgon raketa në qytete dhe po vret njerëz, dhe kjo nuk më pëlqen fare”.

    I pyetur nëse po shqyrton më shumë sanksione ndaj Rusisë, Trump tha “absolutisht”.

  • ​Avokati Stojkoviç: Protestat në vjeshtë mund ta rrëzojnë Vuçiqin

    ​Avokati Stojkoviç: Protestat në vjeshtë mund ta rrëzojnë Vuçiqin

    Avokati Çedomir Stojkoiviç tha se protestat në Beograd mund të sjellin një rrëzim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kjo gjë, sipas avokatit mund të ndodhë në vjeshtë pasi “tani bie intensiteti i protestave”.

    Avokati Cedomir Stojkoiviç foli nga Beogradi në “Balkan Talks” të Euronews, lidhur me situatën komplekse në Serbi ku protestat po vazhdojnë nga studentët dhe qytetarët përpara ndërtesës qeveritare për lëvizjen e tyre.

    Stojkoiviç shpjegoi rëndësinë që kanë këto protesta ndryshe nga herët e tjera.

    “Që nga fillimi i sistemit multipartiak në Serbi kemi një situatë që kur vera afron, fuqia e protestave bie. Tani protestat në Beograd kanë rënë dhe njerëzit nuk janë shumë të përfshirë në politikë. Kur bëhet fjalë për protestën e studentëve, ajo ka pasur një moment shumë të mirë dhe mendoj se në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës ajo do të arrijë pikun. Mendoj se atëherë do të kemi protestat më të mëdha”, tha ai.

    “Presidenti [Aleksandar Vuçiq] nuk ka plotësuar asnjë nga kërkesat e studentëve sepse dihet se një nga kërkesat kryesore është të pasurit një sistem normal pa korrupsion. Baza e protestës është korrupsioni qeveritar dhe qeveria këtë nuk e ka plotësuar. Vuçiq po përpiqet për të ulur peshën e protestave sepse ai e di se këto manifestime kanë kapacitetin për ta rrëzuar atë. Në gjykimin tim kjo gjë do të ndodhë në vjeshtë”, shtoi ai.

    Studentët në Serbi po organizojnë protesta që prej nëntorit të vitit të kaluar.

    Ata po kërkojnë përgjegjësi dhe ndjekje penale për shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad ku humben jetën 16 njerëz.

  • Kosova mikpritëse e mijëra trupave ushtarake për “Defender 2025”

    Kosova mikpritëse e mijëra trupave ushtarake për “Defender 2025”

    Për herë të tretë që nga 2021, Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025].

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

    Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

    Ky është ushtrimi më i madh ushtarak shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara.

    Nga sot e deri më 9 qershor, kur realizohet ky ushtrim, do të ketë lëvizje të konvojeve nga vend-bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, përkatësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar Defender Europe 25, andaj Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptim nga qytetarët gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit./KP

  • “The Times”: Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë emigrantë

    “The Times”: Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë emigrantë

    Britania do të kërkojë nga Kosova që të pranojë emigrant të cilët mundohen në arrijnë me barka në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e planeve për të hapur një varg “qendrash të kthimit” jashtë vendit, raporton gazeta britanike “The Times”.

    Kjo gazetë thotë se Kosova është në një listë të ngushtë të nëntë vendeve, e cila është hartuar nga ministra e zyrtarë të tjerë britanikë për të shërbyer si destinacione të mundshme për qendrat e emigrantëve jashtë vendit, ku do të dërgoheshin personat që u është refuzuar azili, pasi t’i kenë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për apelimin e vendimit në Britani.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu ka thënë se vendi i saj do të ishte “i hapur” për bisedime për një marrëveshje të mundshme për pranimin e personave që u është refuzuar azili nga Britania, shkruan gazeta.

    Kosova u bashkohet Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe disa shteteve të tjera jashtë Evropës që janë futur në listën e ngushtë si vende të cilat ministrat britanikë duan t’i kontaktojnë.

    Ende nuk kanë filluar bisedime formale me ndonjë shtet, por merret vesh se ministrat britanikë duan që të kenë bërë progres deri në kohën kur Britania të mbajë një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër në vjeshtën e këtij viti, ku emigrantët do të jenë në krye të agjendës.

    Ministrat britanikë kishin shpresuar se Shqipëria do të ishte e hapur për ta pranuar hapjen e një qendre të emigrantëve, por kryeministri Edi Rama përjashtoi një gjë të tillë javën e kaluar, thekson gazeta britanike.

    Burime të larta qeveritare britanike thanë se Kosova është vend “i besueshëm” për ndërtimin e një qendre të kthimit, sepse është njëra nga rrugët kryesore që shfrytëzohet nga emigrantët e paligjshëm gjatë rrugës së tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    Gati 22 mijë emigrantë të paligjshëm e shfrytëzuan rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian vitin e kaluar, sipas Zyrës së Jashtme të Britanisë.

  • ​Flamuri evropian mbush 39 vjet

    ​Flamuri evropian mbush 39 vjet

    Komuniteti evropian më 26 maj të vitit 1986 miratoi flamurin evropian, simbol i Bashkimit Evropian, por edhe identitetit në kuptim më të gjerë.

    Flamuri evropian përbëhet nga 12 yje të arta në një rreth me sfond blu.

    Yjet simbolizojnë idealet e bashkimit, solidaritetit dhe harmonisë mes popujve të Evropës.

    Numri i yjeve nuk lidhet me numrin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, edhe pse rrethi është simbol uniteti.