ATV

Category: Lajme

  • Quni thotë se dy deputetë të LDK-së ‘‘janë në fokus të veçantë’’ të VV’së

    Quni thotë se dy deputetë të LDK-së ‘‘janë në fokus të veçantë’’ të VV’së

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se dy deputetë të kësaj partie janë në ‘‘fokus të veçantë’’, të interesimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Quni ka thënë se format e presionit që po u bëhen deputetëve të LDK-së janë të ndryshme.

    Pos kësaj, Quni ka thënë edhe se dy deputetët e LDK-së janë ‘’stabil’’ dhe ‘’do t’i përmbahen’’ qëndrimeve të LDK-së, pavarësisht presioneve të VV-së.

    ‘‘Kontaktohemi nga zyrtarët e VV-së, kontaktohemi nga ndërmjetësuesit e tyre. Është fakt se dy deputetët e LDK-së janë në fokus të veçantë të interesimit të autoriteteve të VV-së. Mbetet në diskrecionin e atyre që vetë të deklarohen. Ne i kemi njohuritë, informatat, përmbajtjen e bisedave të gjitha, deputetët të cilët më së shumit kontaktohen nga autoritetet e VV-së janë shumë stabil dhe do t’i përmbahen qëndrimeve të LDK-së. Format e presionit janë të ndryshme, duke ofruar benefite të ndryshme për bizneset e tyre familjare’’, ka thënë ai.

  • Çitaku: Qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet e tyre e jo për të pëmbushur egot

    Çitaku: Qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet e tyre e jo për të pëmbushur egot

    Deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku, pas dështimit të seancës për të zgjedhur kryekuvendarin ka kërkuar nga VV që të “reflektojë”.

    “Bllokada e institucioneve e ka emrin e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Edhe një herë bëjmë ftesë për reflektim, qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet dhe sfidat e tyre e jo për të pëmbushur egot dhe kryeneçësinë. Kosova është më e madhe se secili prej nesh”, tha ai.

  • Kuvendi nuk konstituohet as në tentimin e 22-të

    Kuvendi nuk konstituohet as në tentimin e 22-të

    Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 22-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës.

    Përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

    Nga 109 deputetë të pranishëm në seancë, 54 votuan për, një kundër dhe asnjë abstenim.

    Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 29 maj, në orën 11:00.

  • Raportohet se Policia ka zbarkuar në ministrinë e Bujqësisë

    Raportohet se Policia ka zbarkuar në ministrinë e Bujqësisë

    Policia e Kosovës raportohet se është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, saktësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në këtë ministri.

    Raportohet se rasti të bëjë me skandalin për dhënien e tenderit për ndërtimin e fabrikës për mbetjet shtazore.

    Mësohet se aksioni po zhvillohet me autorizim të Prokurorisë Speciale.

    Një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi ministrin në detyrë, Faton Peci, se e ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, në rastin e dhënies me qira të pronës për impiantin e mbetjeve shtazore.

  • Nis edhe në Shqipëri “Defender Europe 25”

    Nis edhe në Shqipëri “Defender Europe 25”

    Ka nisur zyrtarisht edhe nga Shqipëria “Defender Europe 25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse ushtarake të dekadës së fundit në Evropë dhe në Afrikë.

    E organizuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), në bashkëpunim me aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025.

    Në orët e para të mëngjesit të së martës, trupat shqiptare u nisën nga Zall-Herri drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, ku do të zhvillohen fazat më intensive të manovrave. Ushtrimet përfshijnë operacione mësymëse, mbrojtëse dhe dislokime strategjike në terrene të vështira.

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau pamje përmes një postimi në rrjetet sociale.

    “Nga Zall-Herri, ku në orët e para të mëngjesit, trupat e Forcës Tokësore janë nisur drejt Bizës për të filluar zyrtarisht “Defender Europe 25” – një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe në Afrikë”, shkroi Vengu.

    Kujtojmë se kjo ngjarje po mbahet edhe në Kosovë.

  • Publikohen pamje të kaosit në Liverpool pasi një makinë përplasi tifozët, la të plagosur të paktën 50 persona

    Publikohen pamje të kaosit në Liverpool pasi një makinë përplasi tifozët, la të plagosur të paktën 50 persona

    Festa e tifozëve të Liverpoolit u kthye në tragjedi të hënën mbrëma, kur një makinë u fut në turmën e njerëzve në qendër të qytetit, duke lënë të lënduar gati 50 persona, përfshirë katër fëmijë.

    Incidenti ndodhi në rrugën Water Street, pranë ndërtesës së njohur Royal Liver, menjëherë pasi rrugët ishin rihapur pas paradës së fitores në Premier League.

    Një 53-vjeçar britanik, i bardhë, është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe autoritetet kanë konfirmuar se incidenti nuk po trajtohet si akt terrorist.

    Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur automjeti godet turmën dhe më pas vazhdon përpara me shpejtësi, duke i shtypur të pranishmit. Në një tjetër video shfaqen policët duke rrethuar makinën dhe mbrojtur drejtuesin nga turma e zemëruar.

  • Nga sot nis aplikimi online për Provimin e Maturës 2025, testi më 21 qershor

    Nga sot nis aplikimi online për Provimin e Maturës 2025, testi më 21 qershor

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se nga sot, më 27 maj 2025, fillon procesi i aplikimit për Provimin e Maturës Shtetërore.

    Aplikimi do të realizohet online, përmes platformës e-Kosova, dhe do të jetë i hapur deri më 10 qershor 2025.

    MAShTI njofton se koordinatorët e shkollave do të kenë afat nga 1 deri më 11 qershor për të miratuar aplikimet e nxënësve.

    Testi i Maturës do të mbahet më 21 qershor 2025, dhe do të përfshijë katër lëndë: Gjuhë Shqipe
    Gjuhë Angleze, Matematikë, dhe një lëndë me zgjedhje nga vetë nxënësi.

    Secila lëndë do të ketë 25 pyetje, që në total do të jenë 100 pyetje në provim.

    Rezultatet do të publikohen më 30 qershor 2025, dhe të gjithë nxënësit që e kalojnë provimin, do të mund ta shkarkojnë certifikatën digjitale përmes platformës e-Kosova.

    MAShTI u bën thirrje të gjithë maturantëve që të ndjekin me kujdes afatet dhe të sigurohen që aplikimi të bëhet me kohë dhe saktë.

  • Organizatat e Shoqërisë Civile me aksion simbolik para Kuvendit

    Organizatat e Shoqërisë Civile me aksion simbolik para Kuvendit

    Gjatë ditës së sotme para se të nisë seanca e 22-të e Kuvendit të Kosovës, Organizatat e Shoqërisë Civile do të zhvillojnë një aksion simbolik.

    Ky aksion simbolik vjen për të kundërshtuar moskrijimin e institucioneve nga ana e deputetëve të Kosovës.

    Aksioni simbolik do të realizohet në Sheshin ‘’Ibrahim Rugova’’ duke filluar nga ora 10:00.

  • Sot përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot do të zhvillohet përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve.

    Procesi i konstituimit ka dështuar në 21 raste të mëparshme, për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe numrave të nevojshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

    Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insiston që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk është përkrahur nga partitë opozitare. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar anëtarë për Komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë, duke e bërë të pamundur formimin e tij.

  • Asnjë shqiptar nuk u pranua në Policinë e Serbisë, Sveçla: Po bën spastrim etnik në Luginë

    Asnjë shqiptar nuk u pranua në Policinë e Serbisë, Sveçla: Po bën spastrim etnik në Luginë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Serbia po bën spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Sipas tij, Serbia po ua shkel të gjitha të drejtat elementare.

    Sveçla përmes një shkrimi në Facebook thotë se kjo duhet të ndalohet menjëherë dhe të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar.

    Ai pohon se në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe në Bujanoc, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar.

    “10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet. Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar. E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar”.

    Ai ka shtuar se qasja e Kosovës është për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb.

    “Kjo dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre. Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”