ATV

Category: Lajme

  • Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e argjentinases në Fushë-Kosovë

    Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e argjentinases në Fushë-Kosovë

    Endrit Nika, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023, është deklaruar i pafajshëm të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Fillimisht, prokurori i rastit Armend Hamiti e lexoi aktakuzën, për të cilën i akuzuari Nika u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”

    “100% i pafajshëm”, u shpreh i akuzuari Nika.

    Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse të palëve në procedurë, ku prokurori Hamiti deklaroi se në bazë të provave të propozuara si në aktakuzë, dëgjimit të dëshmitarëve dhe provave materiale, do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

    Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Betim Shala deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të prokurorit, duke theksuar se edhe familja e të ndjerës i bashkohet kësaj ndjekje penale. Tha se gjatë këtij procesi gjyqësor do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokati Drilon Imeri, deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vertetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, duke u shprehur se mbrojtja vlerëson se i akuzuari do të lirohet nga akuza si i pafajshëm.

    Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitares u ndëgjua nëna e të ndjerës M.K-U, M.M-M., e cila rrëfeu për lidhjen që kishte bija e saj me tani të akuzuarin Nika. Ajo përshkroi gjithë rrjedhën e ngjarjes vetëm nga komunikimet që kishte përmes telefonit me të bijën.

    Dëshmitarja deklaroi se vajza e saj ishte njohur në Barcelonë me të akuzuarin Nika, ndërsa në Kosovë kishe ardhur pasi që ishte ftuar në dasmën e vëllait të të akuzuarit.

    “Më tregoi se është ftuar në dasmën e vëllait të Endritit në Kosovë, më tregoi se prindërit e Endritit tashmë kanë shkuar në Kosovë dhe po organizojnë dasmën”, tha M.M-M.

    Ndërsa, e pyetur se si kishte kuptuar për ngjarjen, dëshmitarja deklaroi se atë e kishte kontaktuar shoqja e tani të ndjerës.

    “Shoqja e saj ka komunikuar me mua në Argjentinë, ka qenë 2 gusht, ora 17:30 pasdite dhe me thotë diçka i ka ndodhë K.”, tha ndër të tjera dëshmitarja.

    Sipas planifikimit të kësaj gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte edhe një dëshmitare tjetër, mirëpo prokurori Hamiti kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye shendetësore.

    Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

    Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

  • Ambasadorja holandeze bën thirrje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë

    Ambasadorja holandeze bën thirrje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë

    Në mesin e reagimeve ndërkombëtare për zhvillimet politike në Kosovë, ka ardhur edhe një thirrje nga ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, e cila ka theksuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

    Përmes një deklarate, ambasadorja Boven ka theksuar se është koha që lidershipi politik të tregojë përkushtim dhe vendosmëri drejt integrimit evropian.

    “Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”, ka thënë ajo.

  • Dy projekte të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Prishtinës zgjidhen finalistë në Innovation in Politics Awards 2025

    Dy projekte të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Prishtinës zgjidhen finalistë në Innovation in Politics Awards 2025

    Dy projekte të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës janë përzgjedhur si finaliste në Innovation Politics Award 2025.

    Kështu ka bërë të ditur Adelina Sahiti nga kjo drejtori përmes një njoftimit në rrjetin social në Facebook.

    Sipas Sahitit, të dy projektet janë vlerësuar nga një juri me mbi 1,000 qytetarë nga e gjithë Evropa si nisma që sjellin ndryshim real dhe përfshirje sociale.

    Postimi i plotë:

    Lajm i jashtëzakonshëm!

    Jo një, por dy projekte tona janë përzgjedhur si finalistë në Innovation in Politics Awards 2025!

    “Kurse Noti për Fëmijët nga Familjet me të Ardhura të Ulëta dhe Fëmijët me Aftësi të Kufizuara” – finalist në kategorinë Kohezioni Social & Integrimi.

    “Breaking the Cycle – Fuqizimi i Mbijetuesve të Dhunës në Familje përmes Mbështetjes Financiare” – një tjetër projekt i përzgjedhur si shembull inovativ dhe transformues për komunitetet tona.

    Të dy projektet janë vlerësuar nga një juri me mbi 1,000 qytetarë nga e gjithë Evropa si nisma që sjellin ndryshim real dhe përfshirje sociale.

    Më 17 shtator 2025 do të jemi në Vjenë, në Galanë dhe Konferencën e Çmimeve, ku do të shpallen fituesit nga e gjithë Evropa!

    Ky është një moment krenarie për gjithë ekipin dhe për bashkëpunëtorët tanë që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Faleminderit për besimin, punën dhe përkushtimin!

  • I nxehti afrikan vjen në Ballkan nga java tjetër, preket edhe Kosova

    I nxehti afrikan vjen në Ballkan nga java tjetër, preket edhe Kosova

    Duke filluar nga kjo fundjavë, e veçanërisht të dielën më 1 qershor, rajoni i Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe veçanërisht Maqedoninë e Veriut, pritet të përfshihet nga një valë ajri të ngrohtë që vjen nga Afrika.

    Kjo do të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave, duke sjellë temperaturat e ajrit të verës.

    Në fundjavë, në Kosovë temperaturat do të shkojnë deri në 26 gradë, ngjashëm do të jetë edhe në Maqedoni.

    Nga e diela, temperaturat në rajon do të jenë si të verës, duke u ngjitur në intervalin 20-28 gradë Celsius.

  • “Peceta nuk është luks”, QIKA me aksion simbolik para Qeverisë

    “Peceta nuk është luks”, QIKA me aksion simbolik para Qeverisë

    Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, me një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës – “Peceta nuk është luks”, ka kërkuar heqjen e menjëhershme të TVSH-së dhe tarifave doganore për produktet menstruale.

    Një ditë më parë, një grup prej 71 organizatash të shoqërisë civile, në bashkëpunim me QIKA-n, i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave për heqjen e menjëhershme të TVSH-së për këto produkte.

    28 maji – Dita botërore e higjienës menstruale

  • Bizneset në protestë, nesër bllokohen hyrjet kryesore të Prishtinës

    Bizneset në protestë, nesër bllokohen hyrjet kryesore të Prishtinës

    Të enjten e 29 majit hyrjet kryesore të Prishtinës do të mbyllen për dy orë nga bizneset, në shenjë proteste ndaj liberalizmit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

    Në një kërkesë për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme që tranzicioni të ndikojë sa më pak në sektorin privat, transmeton Koha.net.

    Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të bllokohen këto hyrje të Prishtinës:

    Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

    Hyrja nga Fushë-Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini tower) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

    Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.

    Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.

    Nëse kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta me kohëzgjatje deri në 4 orë dhe bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.

    “Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë. Por sipas Odës Ekonomike, në treg të lirë janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta.

  • ​Rohde: Politikanët në Kosovë duhet të vendosin shtetin të parin, pastaj partinë

    ​Rohde: Politikanët në Kosovë duhet të vendosin shtetin të parin, pastaj partinë

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin.

    Pas dështimit për herë të 22-të të konstituimit të Kuvendit, Rohde në një deklaratë për KosovaPress theksoi se kjo situatë është kthyer në një bllokadë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë.

    Rohde tha se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    “E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të bësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen”, tha Rohde.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde thotë se bllokada në Kuvend vjen si pasojë e mos kompromisit mes partive politike.

    “Thjeshtë nuk kemi kompromisin që nevojitet mes palëve politike… Nuk jam këtu që të jap nota, unë mund të them se në politikë ka nevojë për kompromis dhe pasi që unë jam ambasadori gjerman sigurisht që mund të marrë parasysh shtetin tim. Ne patëm zgjedhje të vështira, rezultate të vështira, por njerëzit bënë kompromis sepse ata vendosën shtetin të parë. Ne i patëm zgjedhjet dy javë pas Kosovës dhe tani kemi një parlament funksional që nga një muaj dhe shpresoj që Kosova ndjek hapin me neve së shpejti”, potencoi Rohde.

    Të martën deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të. As në tentimin e radhës, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

  • Trump thotë se Putin “po luan me zjarrin” pas sulmeve vdekjeprurëse në Ukrainë

    Trump thotë se Putin “po luan me zjarrin” pas sulmeve vdekjeprurëse në Ukrainë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër sërish udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, pasi Rusia e përmbylli një fushatë bombardimesh triditore më 26 maj me sulmin më të madh ajror të luftës mbi trivjeçare.

    Trump tha se deri tani e ka “mbrojtur” Rusinë nga masa të dhimbshme të pazbuluara, por la të kuptohej se po humb durimin pasi Putini po vazhdon t’i shpërfillë thirrjet e tij për armëpushim.

    “Ajo që Vladimir Putini nuk e kupton është se, po të mos isha unë, shumë gjëra të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë – dhe e kam fjalën për GJËRA VËRTET TË KËQIJA. Ai po luan me zjarrin!” – tha Trump më 27 maj në Truth Social.

    Zyrtari rus i sigurisë, Dmitry Medvedev, iu përgjigj kritikave të Trump duke aluduar në Luftën e Tretë Botërore.

    “Sa i përket fjalëve të Trumpit se Putini ‘po luan me zjarrin’ dhe për ‘gjëra vërtet të këqija’ që mund t’i ndodhin Rusisë – unë e njoh vetëm një GJË VËRTET TË KEQE: Lufta e Tretë Botërore. Shpresoj që Trump ta kuptojë këtë!” shkroi Medvedev në X.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia i hodhi më shumë se 900 raketa në Ukrainë gjatë një bombardimeve treditore, që përfunduan më 26 maj. Trembëdhjetë civilë u vranë në sulmet e 25 majit.

    Moska tha se kishte goditur vetëm “caqet ushtarake” në Ukrainë.

    Sulmi i 26 majit ishte më i madhi që nga fillimi i pushtimit rus mbi tri vjet më parë. Sulmi ndodhi një ditë pasi Trumpi shkroi në rrjete sociale se Putini ishte “plotësisht i çmendur”.

    Autoritetet ruse njoftuan mbrëmjen e 27 majit se Ukraina kishte kryer një sulm të madh me dronë kundër Rusisë. Sipas tyre, mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 112 dronë ukrainas gjatë sulmit.

    Para sulmit treditor të Rusisë, grupi i G7-ës dhe Kongresi amerikan e kishin shtyrë administratën të vendoste sanksione ndaj Rusisë për mospranimin e armëpushimit të menjëhershëm 30-ditor.

    Kongresi, i kontrolluar nga republikanët e Trumpit, ende nuk e ka çuar për votim projektligjin më të fundit për sanksione ndaj Rusisë.

    Kur u pyet javën e kaluar pse nuk vendosen sanksione ndaj Rusisë pasi Putini sërish e shpërfilli thirrjen për armëpushim, Trump tha se kjo do ta largonte udhëheqësin e Kremlinit në një kohë kur ai ndiente se po bënte përparim.

    Sergei Zhuk, profesor në Universitetin Ball State dhe ekspert për Rusinë dhe Ukrainën, tha se nuk pret që komentet e Trump në rrjetet sociale të sjellin veprime konkrete.

    “Do të mbeten në nivelin e kritikave në rrjetet sociale dhe kaq”, tha Zhuk, i cili është gjithashtu hulumtues në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington.

    “Putini e kupton se administrata e re amerikane nuk do të reagojë aktivisht ndaj këtyre sulmeve”, tha Zhuk për REL.

    Trump e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor të politikës së jashtme që kur mori detyrën më shumë se katër muaj më parë. Në mars, ai u bëri thirrje të dyja palëve ta pranojnë menjëherë një armëpushim 30-ditor.

    Zelensky e mbështeti thirrjen e Trumpit, por Putini nuk e pranoi, duke kërkuar që Ukraina fillimisht t’i pranojë disa kushte, përfshirë tërheqjen e trupave nga territori i saj. Kjo ishte e papranueshme për Kievin.

    Ekspertët thonë se Putini nuk është i interesuar ta përfundojë luftën tani sepse beson se po e fiton atë dhe ende nuk ka i përmbushur synimet kryesore të saj. /REL/

  • Tahiri: Të pezullohet vendimi i ZRrE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike

    Tahiri: Të pezullohet vendimi i ZRrE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike më 1 qershor 2025, sepse kjo gjendje do të përkeqësojë edhe më shumë situatën ekonomike.

    Tahiri, në një konferencë për media, theksoi se shifrat alarmante të çmimit të energjisë deri tani, janë rezultat i ankandeve të kurdisura dhe përfitimeve marramendëse për kompanitë e lidhura me Qeverinë Kurti.

    “Partia Demokratike e Kosovës kërkon auditim të jashtëzakonshëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe auditorë të pavarur për ankandet, përfituesit dhe shumat e shpenzuara, pezullim të menjëhershëm të vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë; si dhe hetim të thelluar nga Prokuroria Speciale për të gjitha zyrtarët dhe aktorët e përfshirë në këtë skandal”, shtoi Tahiri.

    Ai tha se pas tre vitesh bllokim nga shumica parlamentare për të mos lejuar hetimin e sektorit të energjisë, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për keqpërdorimet që rëndojnë jetën dhe ekonominë e tyre.

    “Publikimi i raporteve zyrtare mbi shitblerjen e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar ka konfirmuar denoncimet e vazhdueshme të Partisë Demokratike të Kosovës për abuzimet në sektorin e energjisë. Vetëm brenda një dite, çmimi i transmetimit të energjisë u rrit nga 2 në 798 euro për MWh, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej mbi 1 milion euro në vetëm 6 orë”, tha Tahiri.

  • ​Shefi i Zyrës së BE-së bën thirrje për formim të shpejt të institucioneve

    ​Shefi i Zyrës së BE-së bën thirrje për formim të shpejt të institucioneve

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka bërë thirrje për formim të shpejt të institucioneve ta reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Ai tha se Bashkimit Evropian i duhet një partner në qeveri për të punuar dhe diskutuar së bashku për proceset integruese.

    Përkitazi me këtë, Orav tha se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka filluar, andaj nevojitet një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet në vend.

    Megjithatë, ambasadori i BE-së në Kosovë nënvizoi nevojën për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këto komente Orav i bëri gjatë tryezës së diskutimit të mërkurën në lidhje me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL