ATV

Category: Lajme

  • Furnizimi energjetik në rrezik – KESCO bën thirrje për kursim

    Furnizimi energjetik në rrezik – KESCO bën thirrje për kursim

    KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

    Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem.

    Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar.

    Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike.

    Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne.

  • David Lammy arrin në Gjenevë për bisedimet urgjente me Iranin

    David Lammy arrin në Gjenevë për bisedimet urgjente me Iranin

    Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka mbërritur në Gjenevë për të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara sot mes ministrave të jashtëm evropianë dhe homologut iranian, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në një deklaratë paraprake, Lammy theksoi urgjencën e procesit diplomatik: “Një dritare ekziston për dy javët e ardhshme për të arritur një zgjidhje diplomatike”, raporton BBC.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka caktuar një afat prej dy javësh për të vendosur nëse SHBA do t’i bashkohet sulmeve izraelite kundër Iranit.

    Udhëheqësit evropianë shpresojnë të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit përmes një marrëveshjeje diplomatike brenda kësaj kohe.

  • Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve mban protestë sot në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve mban protestë sot në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve do të organizojë sot një protestë përballë institucioneve komunale të Prishtinës, duke kundërshtuar keqmenaxhimin e parasë publike dhe trajtim të paligjshëm të qenve endacakë.

    Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të fillojë në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.

  • Shtatë të plagosur nga sulmi me raketa iraniane në Izrael

    Shtatë të plagosur nga sulmi me raketa iraniane në Izrael

    Zyrtarët e shëndetësisë në Izrael njoftuan se shtatë persona u plagosën në sulmin me raketa iraniane gjatë natës në qytetin Beersheba.

    Një zëdhënës i qendrës mjekësore Soroka bëri të ditur se të plagosurit u evakuan dhe po marrin trajtim nga ekipi i shërbimeve të urgjencës mjekësore.

    Ai tha se lëndimet janë shkaktuar kryesisht gjatë tentativës për t’u strehuar në zonat e mbrojtura dhe nga impakti i raketave. Shërbimet mjekësore vazhdojnë të reagojnë ndaj rasteve emergjente në zonë.

  • KRU “Prishtina” nis aksionin për shkyçjen e borxhlinjve

    KRU “Prishtina” nis aksionin për shkyçjen e borxhlinjve

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka nisur aksionin për shkyçjen e konsumatorëve që kanë borxhe të akumuluara mbi shumën prej 3,000 euro.

    Aksioni ka filluar në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, ku disa familje janë përballur me ndërprerjen e menjëhershme të furnizimit me ujë.

    Në njoftimin për media, kompania thekson se nuk do të ketë tolerim për borxhet e mëdha.

    KRU “Prishtina” paralajmëron se aksioni do të shtrihet edhe në lagje të tjera në ditët në vazhdim, ndërsa u bën thirrje konsumatorëve të kryejnë obligimet për të shmangur masa të tilla.

  • Sulmoi dy persona e më pas edhe policin, i dyshuari arrestohet dhe dërgohet në trajtim mjekësor

    Sulmoi dy persona e më pas edhe policin, i dyshuari arrestohet dhe dërgohet në trajtim mjekësor

    Një person është arrestuar të mërkurën në mëngjes në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy persona dhe më pas edhe një zyrtar policor kryerjes së detyrës zyrtare.

    Sipas Policisë së Kosovës, viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e marra, ndërsa edhe i dyshuari është dërguar për trajtim, me rekomandim të mjekut, pas ndërhyrjes së autoriteteve.

    Pas konsultimit me prokurorin e rastit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim të rëndë trupor, ndërsa i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • I prangosur, Naim Murseli dërgohet në QKUK, i bëhet ekzaminim psikiatrik sipas vendimit të gjykatës

    I prangosur, Naim Murseli dërgohet në QKUK, i bëhet ekzaminim psikiatrik sipas vendimit të gjykatës

    Naim Murseli, i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është dërguar sot për ekzaminim psikiatrik në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Ai është shoqëruar i prangosur dhe ka kryer ekzaminim me skaner CT.

    Ky ekzaminim vjen pas vendimit të Gjykatës, e cila më 4 qershor kishte miratuar kërkesën e mbrojtjes për t’i bërë Murselit një ekzaminim psikiatrik, në kuadër të procedurave gjyqësore për rastin në fjalë.

    Vrasja e Liridona Ademajt ka ndodhur në nëntor të vitit 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

    Të akuzuar për këtë ngjarje janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar nga Gjykata, ngjarja ishte inskenuar si grabitje, ndërsa dorasi ishte pajisur paraprakisht me armë nga bashkëpunëtorët.

  • KEK-u njofton se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi

    KEK-u njofton se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar rreth orës 00:30 të së enjtes.

    Sipas njoftimit zyrtar, kjo ndërprerje erdhi si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, të cilat aktivizuan sistemin mbrojtës të gjeneratorit dhe shkaktuan ndaljen automatike të zgjueses.

    Po ashtu, KEK ka njoftuar se më 17 qershor, në njësinë A5 është identifikuar një humbje e ujit në kaldajë. Ekipet teknike e kanë monitoruar situatën dhe e kanë mbajtur njësinë në funksion deri në orën 00:02 të datës 18 qershor, kur është ndalur për të parandaluar ndonjë avari më serioze.

    Ndërkohë, njësia A4 mbetet jashtë funksionit për shkak të remontit, i cili ka nisur më 16 maj.

    KEK ka theksuar angazhimin për menaxhimin teknik të situatës dhe ka nënvizuar rëndësinë e standardeve të larta të përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

    “Kjo është thelbësore për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe të besueshmërisë ndaj publikut”, thuhet në komunikatë.

  • Osmani: Qëndrojmë përkrah të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

    Osmani: Qëndrojmë përkrah të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

    Në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e palëkundur për të mbijetuarit e kësaj dhune gjatë luftës në Kosovë.

    Ajo i quajti ata simbol të forcës përballë krimeve çnjerëzore të regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

    Presidentja theksoi se guximi i tyre udhëheq drejtësinë dhe shërben si frymëzim për ndryshime globale, duke theksuar se Kosova ecën përkrah tyre me krenari dhe përkushtim.

  • Zelensky bën thirrje për rritjen e presionit ndaj Rusisë

    Zelensky bën thirrje për rritjen e presionit ndaj Rusisë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet raketore ruse ndaj një ndërtese banimi në Kiev të martën ishin shenjë se duhet të ushtrohet më shumë presion ndaj Moskës, në mënyrë që ajo të pajtohet për një armëpushim.

    Rusia së fundmi ka intensifikuar sulmet në luftën kundër Ukrainës, që ka nisur tre vjet më parë.

    Sulmet me dronë dhe raketa në Kiev të martën – më vdekjeprurëset ndaj kryeqytetit ukrainas gjatë këtij viti – lanë të vrarë 28 persona dhe plagosën 142 të tjerë.

    Zelensky, së bashku me ministrin e tij të Brendshëm, Ihor Klymenko, vizituan vendin ku gjendet ndërtesa e banimit e sulmuar. Ata vendosën kurora me lule dhe nderuan kujtimin e 23 personave që humbën jetën nga sulmi ndaj kësaj ndërtese, raporton REL.

    “Ky sulm është përkujtues për botën se Rusia refuzon armëpushimin dhe zgjedh vrasjet”, shkroi Zelensky në Telegram.

    Ai falënderoi partnerët e Ukrainës, të cilët, sipas Zelenskyt, janë të gatshëm të rrisin presionin ndaj Rusisë në mënyrë që Moska “të ndiejë koston e vërtetë të luftës”.

    Gjatë sulmeve të së martës në Kiev dhe në pjesë të tjera të Ukrainës, sipas zyrtarëve në Kiev, Rusia përdori mbi 440 dronë dhe 32 raketa.

    Javët e fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me armë me rreze të gjatë veprimi, duke goditur zona të banuara. Megjithatë, një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, mohoi se shteti i tij sulmon civilët, duke thënë se sulmet “janë kundër industrisë ushtarake, e jo ndaj ndërtesave të banimit”.

    Ai tha se është i hapur për të negociuar me Zelenskyn, por përsëriti qëndrimin e tij se udhëheqësi ukrainas nuk ka legjitimitet, pasi i ka përfunduar mandati pesëvjeçar si president – pretendim që vazhdimisht është hedhur poshtë nga Kievi.