ATV

Category: Lajme

  • Hamza në Konventën e Përgjithshme: PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme

    Hamza në Konventën e Përgjithshme: PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën e saj të Përgjithshme, ku drejtues të kësaj force politike kanë theksuar rëndësinë e rolit që PDK ka pasur në historinë dhe të ardhmen politike të vendit.

    Bedri Hamza, në një fjalim para delegatëve dhe të pranishmëve, u shpreh se PDK nuk është formuar në zyre, por në rrethana të përballjes dhe rezistencës, duke theksuar rrënjët e saj në luftën për liri.

    “Jemi forca me kontributin më të madh në lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Jemi të gatshëm për ta udhëhequr vendin, ne jemi partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ata nuk u thyen dhe nuk u përkulen kurrë”, deklaroi Hamza, duke theksuar trashëgiminë e udhëheqësve të saj.

    Ai u ndal edhe te rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e cilësuar si të suksesshëm dhe tregues për fuqinë e programit të PDK-së.

    “Edhe në rezultatet e 9 shkurtit kemi pasur rezultat të mirë, pasi kemi bashkuar qytetarët me programin tonë për një jetë më të mirë”, tha ai.

    Sipas Hamzës, PDK nuk përfaqëson vetëm një mundësi në skenën politike, por një domosdoshmëri për vendin.

    “PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme”, pohoi ai.

  • Kadrijaj: Vetëvendosje po abuzon me pushtetin, qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit

    Kadrijaj: Vetëvendosje po abuzon me pushtetin, qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme konstituimin e Kuvendit.

    “Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, deklaroi Kadrijaj.

    Ajo tha se konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.

    “Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike – sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, shtoi ajo.

  • Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, Kosova buzë kolapsit

    Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, Kosova buzë kolapsit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka ripërsëritur thirrjen për Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë zgjidhje bllokadës në konstituimin e Kuvendit. 

    Ajo ka theksuar se Kosova është “buzë kolapsit” dhe dëmi nga moskonstituimi i institucioneve është i pariparueshëm.

    “Për LVV, për Albin Kurti, pushteti është më i rëndësishëm se shteti. Egoja është më e madhe se Kosova, ambicia më e madhe se demokracia. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit. Çdo ditë kemi lajme për dëmin e pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kolapsit në sektorin e energjisë”, ka thënë ajo pas mbylljes së seancës konstituive.

  • Dështon edhe përpjekja e 35-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 35-të për konstituimin e Kuvendit

    Përpjekja e 35-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish të shtunën, duke zgjatur më tej bllokadën institucionale që ka përfshirë vendin.

    Pika që po shkakton ngërç mbetet formimi i një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Edhe pse ishin të pranishëm 94 deputetë, pro formimit të këtij komisioni votuan vetëm 51, ndërsa një ishte kundër – numër ky i pamjaftueshëm për ta çuar procesin përpara.

    Kjo është hera e 35-të që Kuvendi nuk arrin të konstituohet, duke lënë në vendnumëro të gjitha zhvillimet e mëtejme institucionale, përfshirë formimin e Qeverisë së re.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të hënën, më 23 qershor, me fillim nga ora 11:00.

  • Vdes në QKUK personi që ishte aksidentuar para disa ditësh në Mitrovicë

    Vdes në QKUK personi që ishte aksidentuar para disa ditësh në Mitrovicë

    Ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës personi që u aksidentua më datë 6 qershor në Lushtë të Mitrovicës.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh njofton që përveç viktimës, në aksident kishin pësuar lëndime trupore edhe dy femra.

    Ndërkaq, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML.

    “Fsh. Lushtë, Mitrovicë Jugu 06.06.2025 – 05:04. Më 20.06.2025 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili kishte qenë duke u trajtuar si pasojë e plagëve të pësuara në një aksident trafiku që kishte ndodhur më datë 06.06.2025. Përveç viktimës në aksident kishin pësuar lëndime trupore edhe dy femra kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML”, njofton PK.

  • Arrestohet një burrë në Gjilan për keqpërdorim seksual të fëmijëve

    Arrestohet një burrë në Gjilan për keqpërdorim seksual të fëmijëve

    Një person është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se përmes rrjeteve sociale në mënyrë të vazhdueshme ka shpërndarë materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.

    Pas intervistimit, policia bëri të ditur se me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar i cili përmes rrjeteve sociale në mënyrë të vazhdueshëm ka shkarkuar dhe shpërndarë materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Limaj: Është koha që qytetarët të shikojnë kujt po ia japin besimin

    Limaj: Është koha që qytetarët të shikojnë kujt po ia japin besimin

    Në prag të seancës së 35-të të Kuvendit të Kosovës, që është thirrur për të njëjtin qëllim – konstituimin e institucioneve – ka reaguar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    Përmes një deklarate për media, Limaj ka shprehur shqetësim të thellë për situatën politike në vend, duke kritikuar ngecjet e vazhdueshme për krijimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera pas zgjedhjeve.

    “Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e me ta dhënë populli besimin, e mos me qenë në gjendje me u ul grupet politike me ndërtu qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar, në krizë ekonomike të madhe,” u shpreh Limaj.

    Ai tha se situata e tanishme nuk mund të vazhdojë pa pasoja dhe kërkoi një reflektim të përgjithshëm.

    “Në krejt këtë situatë, apeli im te qytetarët është: shikoni kujt po ia jepni besimin. Është koha me adresu përgjegjësinë,” shtoi ai

  • Bllokohet qarkullimi në autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova” për shkak të garave çiklistike

    Bllokohet qarkullimi në autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova” për shkak të garave çiklistike

    Edhe këtë të shtunë, qarkullimi në disa segmente rrugore do të jetë i bllokuar përkohësisht për shkak të garave çiklistike të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës, në kuadër të Kampionatit të Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, sot nga ora 09:00 deri në 16:00, do të ketë mbyllje të përkohshme të autostradës “Arbën Xhaferi” në relacionin hyrje/dalja Bibaj – Babush – Lipjan – Prishtinë (Uglar) – Bresje – rruga nacionale N9 deri në Gjergjicë. Po ashtu, do të bllokohet edhe një segment i autostradës “Ibrahim Rugova”, konkretisht Malishevë – Duhël dhe anasjelltas.

    Këto segmente rrugore kanë qenë të mbyllura përkohësisht edhe gjatë së premtes, me qëllim të garantimit të sigurisë së garuesve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Çiklistët po garojnë në kuadër të aktivitetit më të madh të këtij viti në këtë sport – Kampionatin e Kosovës – që po zhvillohet në disa etapa dhe me pjesëmarrje të garuesve nga gjithë vendi.

  • Bllokada në Kuvend, Gashi: Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij ta zhbllokojnë situatën

    Bllokada në Kuvend, Gashi: Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij ta zhbllokojnë situatën

    Para nisjes së seancës së radhës për përpjekjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka hedhur kritika ndaj partisë në pushtet dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për moszgjidhjen e ngërçit institucional që ka bllokuar jetësimin e institucioneve të reja.

    Sipas tij, përgjegjësia për situatën aktuale i takon Vetëvendosjes dhe liderit të saj, të cilët, siç theksoi ai, duhet të ofrojnë një zgjidhje për të dalë nga bllokada politike.

    “Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi. Fatkeqësisht është turp ajo që po ndodh, bota po kallet flakë, derisa ne po zihemi mes veti se kush çfarë pozite merr. Duhet t’i vijë fundi kësaj situate të papranueshme”, deklaroi Gashi para gazetarëve në Kuvend.

    I pyetur rreth komenteve të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte përmendur se nga LVV janë dërguar persona për të diskutuar rreth një marrëveshjeje për koalicion, Gashi tha se nuk ka dijeni për këto deklarata.

    “Nuk e kam parë dhe nuk e di çfarë ka deklaruar kryetari im”, u shpreh shkurt Gashi.

  • Ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë, BE-ja thotë se nuk është në dijeni për këtë projekt

    Ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë, BE-ja thotë se nuk është në dijeni për këtë projekt

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas publikimit të planit për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke kërkuar përfshirje të të gjitha komuniteteve të prekura në çdo vendimmarrje që lidhet me këtë çështje.

    Reagimi i Bashkimit Evropian erdhi pas prezantimit të projektit nga qeveria e Kosovës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, në kuadër të një memorandumi të nënshkruar për përmirësimin e infrastrukturës urbane në qytet.

    Një zëdhënësi i Bashkimit Evropian i tha Radio Evropës së Lirë, se Bashkimi Evropian nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të.

    Në të kaluarën, BE-ja ka theksuar se çështja e urës mbi Ibër është pjesë e dialogut Kosovë–Serbi, prandaj çdo vendim duhet të merret në kuadër të atij procesi me përfshirjen e të dy palëve.