ATV

Category: Lajme

  • “Zëri im nuk është turp”, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kërkojnë drejtësi dhe fundin e heshtjes

    “Zëri im nuk është turp”, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kërkojnë drejtësi dhe fundin e heshtjes

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizoi një panel diskutimi, ku u theksua domosdoshmëria e drejtësisë për të mbijetuarit dhe ndaljes së përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte.

    Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se dhuna seksuale vazhdon të jetë barrë e rëndë për mijëra gra dhe burra që e kanë përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

    “Për barrën që ajo vazhdon t’i mbajë të heshtur mijëra gra edhe burra që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës. Fatkeqësisht, edhe në vitin 2025, kur po e shënojmë këtë ditë në këtë situatë të rëndë globale, ku krizat, luftërat dhe konfliktet po zhvillohen, dhuna seksuale si armë e luftës po gjen zbatim në këto vende dhe mijëra gra dhe vajza, por fatkeqësisht edhe burra, po bëhen pre e fushëbetejës duke qenë të pafajshëm dhe duke bartur pasoja afatgjata jo vetëm për veten por edhe për shoqërinë dhe komunitetin në tërësi,” theksoi ajo.

    Rushiti shtoi se përmes fushatës “Trauma nuk ka afat,” synohet që të mos heshtet më, të dëgjohen historitë e të mbijetuarve dhe të ndërmerren hapa konkretë.

    Në këtë ngjarje u shfaq edhe një video-mesazh nga një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, autori i së cilës është dënuar me 15 vjet burg gjatë kësaj jave.

    Ajo tha se gjatë 26 vjetësh ka ëndërruar për drejtësinë, për të cilën shtoi se ka menduar se kurrë nuk do të vijë.

    “Si e mbijetuar e dhunës gjatë luftës kam jetuar prej 26 vjetësh në një plagë që nuk shihet, por që më gërryente çdo ditë nga brenda. Gjatë gjithë këtyre viteve kam ëndërruar për drejtësinë dhe kam menduar se kurrë nuk do të vijë kjo ditë, por kjo ditë erdhi. Nuk kam fjalë me e përshkruar këtë ndjesi, sot drejtësia triumfoi, sot unë po marr frymë lirshëm”, tha ajo.

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u shpreh se Kosova është një udhërrëfyes global në luftën kundër dhunës seksuale në konflikt.

    “Teksa të gjithë së bashku shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, një ditë në të cilën Kosova dhe të gjithë ju keni qenë udhërrëfyes globalë dhe simbole të asaj që është e mundur dhe e domosdoshme. Fatkeqësisht, ende ndodh që në shumë konflikte në mbarë botën, si në të kaluarën ashtu edhe sot, dhuna seksuale të përdoret si armë dhe si një strategji e qëllimshme lufte. Sot është një mundësi për ta pranuar këtë dhe për ta luftuar atë, por gjithashtu është një ditë për të festuar qëndresën dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Të mbijetuarit nuk duhet të heshten apo të shpërfillen kurrë më, por duhet gjithmonë të njihen, të mbështeten dhe të fuqizohen. Ju e njihni dhimbjen, por po ashtu e njihni forcën”, tha ai.

    Ramadan Nishori, një tjetër i mbijetuar i dhunës seksuale, tha se për shumë kohë kishte heshtur nga frika e paragjykimit, por tani ka zgjedhur të flasë.

    “Edhe unë heshta shumë gjatë, duke menduar që heshtja na mbron nga paragjykimet, por ajo veç më shkatërronte nga brenda. Një ditë vendosa që të mos hesht më, të mos fshihem më sepse ajo që më ndodhi nuk e përcakton burrërinë time. Zëri im nuk është turp, turpi nuk është i yni, turpi është i atyre,” tha ai.

  • Sulmet iraniane në Izrael shkaktojnë 89 të lënduar, 3 në gjendje më të rëndë

    Sulmet iraniane në Izrael shkaktojnë 89 të lënduar, 3 në gjendje më të rëndë

    Numri i personave të lënduar në valën më të fundit të sulmeve raketore iraniane mbi Izraelin ka arritur në 89, njofton shërbimi emergjent izraelit Magen David Adom (MDA).

    Goditjet me raketa në zonat përreth Tel Avivit dhe në jug të vendit kanë shkaktuar tre të lënduar rëndë, ndërsa dy persona të tjerë ndodhen në gjendje të moderuar, raporton BBC.

    Mjekët bëjnë me dije se shumica e të plagosurve kanë pësuar dëmtime nga shpërthimet dhe copëzat e raketave.

  • Haxhiu: Kuvendi duhet të konstituohet, Gjykata Kushtetuese është vonuar shumë

    Haxhiu: Kuvendi duhet të konstituohet, Gjykata Kushtetuese është vonuar shumë

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se qëndrimi i subjektit të saj lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës është i qartë dhe i pandryshueshëm, duke kërkuar nga partitë opozitare të tregojnë vullnet për të ecur përpara në këtë proces.

    Haxhiu theksoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka ushtruar të drejtën e saj kushtetuese duke propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ajo ka shtuar se nëse ka mungesë të vullnetit për ta bërë këtë, atëherë vendit duhet të shkoj më zgjedhje, porse siç tha ajo, edhe për këtë duhet konsitium i Kuvendit.

    “Ne gjatë kësaj kohë për as një moment nuk kemi parë një ndryshim të qëndrimeve nga ana e opozitës, kemi parë mungesë të theksuar të vullnetit për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit. Në këto rrethana qëndrojnë ato që kemi thënë, kjo është sjellje e pa përgjegjshme politike po ashtu është shkelje e kushtetuese se Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014… Qëndrimi i VV-së është i qartë, Kuvendi duhet të konstituohet… Nëse në nuk do ta bën propozim për kryetar të Kuvendit kjo do të quhej bllokim, do të quhej mbajtje peng e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi në të drejtën tonë kushtetuese, VV ka propozuar emrin. Qytetarët e Kosovë me të drejt presin që të konstituohet Kuvendit, ndonëse në jemi për konstituim të Kuvendit dhe votimin e qeverisë së re, nëse ka mungesë të vullnetit për ta bërë këtë, nëse ka një refuzim të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, atëherë vendit duhet të shkoj më zgjedhje sepse nuk mund të vazhdojmë më gjatë kështu. Mirëpo edhe për këtë duhet konsitium i Kuvendit duhet marrëveshje për ta bërë këtë dhe pastaj shpërndarja e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

    Deputetja Haxhiu kritikoi gjithashtu vonesën e Gjykatës Kushtetuese për vendimin lidhur me kontestimin e ngritur nga AAK, LDK dhe PDK për çështjen e komisionit të votimit të fshehtë.

    “Gjykata Kushtetues është vonuar, duhet ta themi hapur, sepse nuk ka kuptim që një gjë kaq e thjeshtë, sepse AAK- bashkë me LDK-në dhe PDK e kanë kontestuar komisionin për votimin e fshehtë. Ose gjykata e bënë të pranueshme këtë lëndë dhe e trajton nëse kryesuesi ka pasur të drejtë për komisionin për votimin e fshehtë, ne besojmë fuqishëm që ka pasur të drejtë… dhe letra e presidentes thotë që deputetë duhet të gjen mënyra për të konstituar kuvendin. Ose ta shpall të papranueshëm. Gjykata Kushtuese duhet t’i bëjë këto, duke pasur parasysh praktikat se duke mos pasur një objekt Gjykata mund të shpall të papranueshme këtë lënde sepse duhet të kishte një vendim të Kuvendit, presim vendimin por nuk është ne rregull që është vonuar kaq shumë”, ka përfunduar Haxhiu.

    Sot, ka dështuar edhe përpjekja e 34 për konstitumin e Kuvendit të Kosovës.

    Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

    Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

    Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

  • Çitaku: Kosova është marrë peng nga kryeneçësia e Kurtit dhe ambiciet e Haxhiut

    Çitaku: Kosova është marrë peng nga kryeneçësia e Kurtit dhe ambiciet e Haxhiut

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj situatës politike në vend, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve.

    Ajo tha se kjo gjendje është pasojë e mungesës së përgjegjësisë dhe ambicieve personale, duke theksuar se Kosova po paguan çmimin e kësaj sjelljeje politike.

    “Kosova është marrë peng nga kokëfortësia, kryeneçësia, papërgjegjësia e Albin Kurtit dhe VV-së. Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve, për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicies së Haxhiut. Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se sa secili prej nesh”, tha Çitaku.

    Kuvendi i Kosovës mbetet pa kryetar edhe pas tentimit të 34-të

    LEXONI EDHE:

    Haradinaj akuzon Kurtin për mashtrim dhe bllokadë politike: Gjithë ne tjerët jemi peng i tij

  • Kuvendi i Kosovës mbetet pa kryetar edhe pas tentimit të 34-të

    Kuvendi i Kosovës mbetet pa kryetar edhe pas tentimit të 34-të

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, edhe pas tentimit të 34-të që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Edhe në këtë tentim, Komisioni për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit nuk mori votat e nevojshme.

    Kryesuesi i seancës Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 21 qershor në orën 10:00.

    Në ndërkohë, ekipi ligjor i Presidentes ka përgatitur një draft për Gjykatën Kushtetuese, por ende është në pritje të vendimit për kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

  • Haradinaj akuzon Kurtin për mashtrim dhe bllokadë politike: Gjithë ne tjerët jemi peng i tij

    Haradinaj akuzon Kurtin për mashtrim dhe bllokadë politike: Gjithë ne tjerët jemi peng i tij

    Para nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për manipulim politik dhe mbajtje peng të vendit.

    Ai tha se situata aktuale është pasojë e mashtrimeve dhe mungesës së përgjegjësisë nga Kurti, duke shtuar se “gjithë ne tjerët jemi peng i tij” dhe se takimet politike janë “vetëm hajgare”.

    “Për fat të keq jemi duke paguar çmimin se i kemi besuar një mashtruesi. Për mua nuk është befasi, ju e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund diku – mashtruesi s’mundet pa kufi që të tallet me një vend. Gjithë ne tjerët jemi peng i tij,” tha Haradinaj.

  • Dita e gjashtë e konfliktit Izrael-Iran

    Dita e gjashtë e konfliktit Izrael-Iran

    Për të gjashtën ditë me radhë, Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet ndaj njëri-tjetrit, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi Republikës Islamike “dorëzim pa kushte”.

    Aeroplanët ushtarakë izraelitë goditën kryeqytetin iranian pak para agimit të mërkurën, pasi ushtria lëshoi paralajmërime që civilët të largoheshin nga një qark i Teheranit.

    Më pas, ushtria izraelite tha se ka goditur objekte për prodhimin e armëve dhe një qendër që përdoret për të prodhuar centrifuga në Teheran.

    Centrifugat janë makina që përdoren për pasurimin e uraniumit, i cili, nëse arrin nivel të lartë të pastërtisë, mund të përdoret për armë bërthamore.

    Edhe Republika Islamike gjithashtu tha se ka lëshuar dronë drejt Izraelit, dy prej të cilëve janë rrëzuar mbi zonën e Detit të Vdekur. /atvlive.tv

  • Sonte nis dezinsektimi hapësinor në Prishtinë

    Sonte nis dezinsektimi hapësinor në Prishtinë

    Në Prishtinë nis sonte procesi i dezinsektimit hapësinor, që synon zhdukjen e insekteve si mizat dhe mushkonjat, të cilat mund të përhapin sëmundje ngjitëse. Procesi do të zgjasë në gjashtë faza, me nga gjashtë ditë secila, dhe përfshin një perimetër prej rreth 7 mijë hektarë në kryeqytet.

    Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, tha se dezinsektimi do të zhvillohet kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes për të shmangur kontaktin me qytetarët. Ai theksoi se kushtet klimatike kanë qenë të favorshme për nisjen e këtij procesi, duke përfshirë mungesën e reshjeve gjatë qershorit. /atvlive.tv

  • Izmaku: Limaj promovoi qasje bashkëpunuese për kapërcimin e ngërçit politik

    Izmaku: Limaj promovoi qasje bashkëpunuese për kapërcimin e ngërçit politik

    Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, në emisionin “Compass” në ATV tha se lideri i saj, Fatmir Limaj, ka treguar guxim duke propozuar dialog si zgjidhje për bllokadën institucionale.

    Sipas saj, Limaj ka qenë ndër të parët që ka kërkuar bashkëpunim ndërpartiak për të dalë nga situata aktuale politike, duke vënë interesin shtetëror mbi atë partiak. /atvlive.tv

  • Quni: Vetëvendosja është derivat i PDK-së, nuk ka afërsi konceptuale me LDK-në

    Quni: Vetëvendosja është derivat i PDK-së, nuk ka afërsi konceptuale me LDK-në

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në emisionin “CONTEXT” në ATV, ka hedhur poshtë pretendimet për një afërsi konceptuale mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se një teori e tillë është e papranueshme për qytetarët.

    Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është krijuar me kalkulime të caktuara për dobësimin e partive të tjera dhe se burimi i saj politik është Partia Demokratike e Kosovës. /atvlive.tv