ATV

Category: Lajme

  • SHBA bombardoi Iranin, shtetet e Gjirit në alarm

    SHBA bombardoi Iranin, shtetet e Gjirit në alarm

    Pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit, e gjithë bota reagoi duke shprehur shqetësim për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në Lindjen e Mesme.

    Vendet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme sigurie. Bahreini, i cili strehon një bazë ushtarake amerikane, ka bërë thirrje për kufizim të lëvizjeve dhe përdorimin e rrugëve vetëm në raste të domosdoshme, për të lejuar autoritetet përkatëse të operojnë lirshëm.

    Ndërkohë, Kuvajti ka deklaruar përmes ministrisë së Financave se janë vendosur strehimore në disa prej godinave qeveritare, të afta të strehojnë rreth 900 persona. Edhe ky shtet ka brenda territorit të vet baza ushtarake amerikane.

    Arabia Saudite, një tjetër aleat i rëndësishëm i SHBA-së në rajon, ka shprehur “shqetësim të madh” nëpërmjet një deklarate të publikuar në rrjetin X (ish-Twitter), duke kërkuar një zgjidhje politike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, raporton A2TV.

    Omani, i cili ka shërbyer si ndërmjetësues në bisedimet bërthamore mes Uashingtonit dhe Teheranit, ka dënuar sulmet amerikane, duke paralajmëruar se ato mund të “zgjerojnë luftën” dhe përbëjnë një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

    Ndërkohë, Katari ka reaguar me tone të ashpra, duke “dënuar përkeqësimin” e situatës dhe “tensionet e rrezikshme” që sipas tij mund të sjellin “pasoja katastrofike” në nivel rajonal dhe global.

    Kreu i Këshillit Europian, António Costa, është shprehur i alarmuar pas bombardimeve të natës nga SHBA. Në një deklaratë publikuar në X, ai bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë bërthamore. Costa theksoi se “diplomacia mbetet e vetmja rrugë për të siguruar paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme” dhe paralajmëroi se civilët do të jenë viktimat kryesore nëse konflikti përshkallëzohet më tej.

    Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka theksuar nevojën për të ndalur përshkallëzimin dhe për t’u rikthyer në tryezën e negociatave. Ajo theksoi se “Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore, pasi kjo përbën kërcënim për sigurinë ndërkombëtare”. Kallas bëri të ditur gjithashtu se ministrat e Jashtëm të BE-së do të mblidhen të hënën për të diskutuar situatën dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm diplomatikë.

  • Shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së thërret një takim urgjent për të hënën pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

    Shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së thërret një takim urgjent për të hënën pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

    Rafael Mariano Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, mbikëqyrësit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, tha se po thërriste një takim urgjent për të hënën pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane të dielën.

    “Në dritën e situatës urgjente në Iran, po thërras një takim urgjent të Bordit të Guvernatorëve (IAEA) për nesër,” shkroi Grossi në X.

  • Kryeministri britanik Keir Starmer thotë se Irani duhet të kthehet në tryezën e negociatave pas sulmeve amerikane

    Kryeministri britanik Keir Starmer thotë se Irani duhet të kthehet në tryezën e negociatave pas sulmeve amerikane

    Kryeministri i Britanisë i ka kërkuar Iranit të kthehet në tryezën e negociatave pasi Shtetet e Bashkuara goditën objektet e tij bërthamore.

    “Iranit nuk mund t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA-të kanë ndërmarrë veprime për të lehtësuar këtë kërcënim”, tha Keir Starmer në një postim në X, duke e quajtur programin bërthamor të Iranit një “kërcënim të rëndë për sigurinë ndërkombëtare”.

    “Ne i bëjmë thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave dhe të arrijë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj krize”, tha ai.

  • Pasojat e luftës Izrael-Iran, njohësit e sigurisë shohin rrezik të shtuar në Ballkan dhe Kosovë

    Pasojat e luftës Izrael-Iran, njohësit e sigurisë shohin rrezik të shtuar në Ballkan dhe Kosovë

    Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po shihet nga ekspertët e sigurisë si një rrezik i shtuar për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

    Në një kohë kur vëmendja e fuqive të mëdha ndërkombëtare është përqendruar në Lindjen e Mesme, ka shqetësime serioze se Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të avancuar agjendat e saj në veriun e Kosovës.

    Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, në intervistë për Ekonomia Online, tha se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe përfshirja e shteteve të tjera, përfshirë Iranin, mund të shkaktojë pasoja serioze në rajon.

    “Uroj që të mos përshkallëzohet më tepër dhe të mos implikohen edhe shtete të tjera. Në qoftë se implikohet ndonjë shtet tjetër i regjionit, atëherë sinqerisht është për t’u shqetësuar seriozisht, meqë bëhet fjalë për një zonë të ndjeshme dhe përfshirjet e shteteve problematike, siç është Irani dhe interferimet dhe ndikimi i kësaj lufte në pjesë të tjera të regjionit dhe më gjerë do të jetë evident”, tha ai.

    Çollaku tha se përqendrimi i SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme do të shkaktonte zbehje të vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e bërë më të ekspozuar Kosovën ndaj rreziqeve të mundshme nga Serbia.

    “Ballkani Perëndimor në veçanti është një zonë po ashtu e ndjeshme, ku zgjerimi i konfliktit atje domosdoshmërisht do të ketë ndikim, jo vetëm në aspektin ekonomik. Tashmë kanë filluar shenjat e para, por edhe në spektrin ushtarak dhe gjeopolitik për faktin që vëmendja e shtuar e SHBA-së të interesit madhor strategjik do të pakësojë vëmendjen dhe fokusin në këtë pjesë të Ballkanit… Prandaj, preokupimi i SHBA-së dhe miqve të tjerë, përkatësisht aleatëve të tjerë të SHBA-së me Izraelin dhe Lindjen e Mesme, me parandalimin e zgjerimit të konfliktit nga aspekti i implikimit të shteteve arabe dhe të tjera, të cilat mund të përfshihen kundër Izraelit, do të kishte për pasojë një përshkallëzim të situatës te ne dhe uroj që kjo të mos ndodhë”, tha Çollaku.

    Ai shtoi se Serbia mund ta shfrytëzojë një gjendje të tillë globale për të ndërmarrë një ofensivë të shpejtë ushtarake në veri të Kosovës.

    “Nëse zgjat lufta në Lindjen e Mesme, Serbia do ta ketë pak më lehtë dhe Vuçiq mund të ndodhë, megjithse paralajmërimet mund të jenë edhe luftë psikologjike dhe një propagandë e ashpër, që edhe mund të jetësohet në praktikë si një operacion po ashtu i fuqishëm dhe i shpejtë i Serbisë në veriun e Kosovës për të aneksuar veriun e Kosovës. Kosova nuk disponon as sistem raketor, as mjete të tjera mbrojtëse nga sulmet eventuale raketore që mund të vijnë nga Serbia”, tha ai.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha për Ekonomia Online se konfrontimi në rritje mes Iranit dhe Izraelit pritet të ketë ndikime serioze edhe në territorin evropian, përfshirë Ballkanin.

    “Tani fakti që lufta në Lindjen e Mesme është duke u formësuar në kuptimin e një konfrontimi të hapur mes shtetit të Izraelit dhe Iranit, do të kemi një ndryshim epokal politik në pjesën e Teheranit. Njëkohësisht impaktet janë të larta, sepse tanimë prapaskenat e Iranit mund të veprojnë, duke krijuar veprime terroriste në kontinentin evropian, ku edhe Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk mund të jenë imun”, tha ai.

    Shala tha se pretendimet e Serbisë për të shfrytëzuar situatat globale për qëllime të veta gjeostrategjike janë të lidhura me zhvillimet në Lindjen e Mesme.

    “Çështja e pretendimeve të qarqeve të shtetit të Serbisë për të krijuar rikthimin e tyre në një etapë të ndryshimeve gjeopolitike në favorin e Serbisë, mendoj se çështja veriore dhe çështjet e tjera që cenojnë sigurinë kolektive të Ballkanit Perëndimor janë të varura në një zhvillim sekondar të atyre që janë duke ndodhur në Lindjen e Mesme”, tha ai.

    Sipas Shalës, pavarësisht nga tensionet, Irani pritet ta humbasë përballjen me Izraelin dhe ndikimet në Ballkan do të jenë më shumë të karakterit indirekt ekonomik dhe politik.

    “Por, assesi nuk mund të ketë ndonjë kuti të Pandorës, sepse është e konstatuar fakti që Irani do ta humbasë këtë konflikt me Izraelin dhe minimalisht do të mund të ndikojë ky konflikt në kontekstin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha për EO, Shala.

  • Izraeli e quan “moment vendimtar” ndërhyrjen e SHBA-së: Do ta ndryshojë historinë

    Izraeli e quan “moment vendimtar” ndërhyrjen e SHBA-së: Do ta ndryshojë historinë

    Liderët izraelitë e kanë falënderuar Presidentin amerikan Donald Trump pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i përshkruar ato si vendimtare dhe historike.

    Presidenti Isaac Herzog tha se sulmet janë një “moment vendimtar”.

    “Në faqet e historisë njerëzore, ky është një moment kur parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe sigurisë kanë triumfuar. Një moment vendimtar mes boshtit të terrorit dhe së keqes dhe boshtit të shpresës”, shkroi ai në një postim në X.

    “Kjo hap ndërmarrje e guximshme i shërben sigurisë dhe mbrojtjes së gjithë botës së lirë”, tha Herzog, duke shtuar se shpreson që kjo ta “përparojë lirimin urgjent të pengjeve tona që mbahen në robëri në Gaza”.

    Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz tha se sulmet e bënë aleancën SHBA-Izrael më të fortë.

    “Aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit është tani më e fortë se kurrë – për hir të paqes dhe sigurisë për të dyja kombet dhe për gjithë botën e lirë”, tha Katz.

    Katz e quajti vendimin e Trumpit për të kryer sulmet “historik” duke thënë se lejimi që Irani të sigurojë armë bërthamore do ta “rrezikonte Izraelin, vendet e rajonit dhe interesat e sigurisë kombëtare të vetë Shteteve të Bashkuara”.

    Ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një fjalim: “Urime President Trump, vendimi juaj i guximshëm për t’i goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë madhështore dhe të drejtë të Shteteve të Bashkuara do ta ndryshojë historinë”.

    “Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: ‘Paqe përmes forcës.’ Së pari vjen forca, pastaj vjen paqja. Dhe sonte, Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara vepruan me shumë forcë” shtoi Netanyahu.

  • “Lufta fillon tani”, paralajmëron Irani pasi SHBA goditi objektet e tij bërthamore

    “Lufta fillon tani”, paralajmëron Irani pasi SHBA goditi objektet e tij bërthamore

    “Lufta fillon tani”, tha Trupa e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dega kryesore e ushtrisë së Teheranit, pasi forcat amerikane goditën tre centrale bërthamore në Iran, sipas Çresidentit të SHBA-së Donald Trump.

    Trump tha se një “ngarkesë e plotë bombash u hodh” në centralet bërthamore Fordow, Natanz dhe Esfahan.

    “Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë”, tha Trump, duke shtuar se tani është “koha për paqe”.

    Duke iu drejtuar kombit në Shtëpinë e Bardhë pas sulmit, Trump tha se Irani “tani duhet të bëjë paqe” dhe se “nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha”.

    “Do të ketë ose paqe ose tragjedi për Iranin”, tha ai.

    “Mbani mend, kanë mbetur shumë objektiva. Sonte ishte më e vështira nga të gjitha deri më tani, dhe ndoshta më vdekjeprurësja.”

    “Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do të shkojmë në ato objektiva të tjera me precizion, shpejtësi dhe aftësi”, vazhdoi Trump.

    Nga ana tjetër, ligjvënësi më i lartë republikan amerikan Lindsey Graham tha se Trump “bëri vendimin e duhur”, shkruan euronews.

    “Regjimi i Teheranit e meritonte”, tha senatori i lartë amerikan nga Karolina e Jugut.

    “Bravo, president”, tha Graham.

    “Për bashkëqytetarët e mi: Ne kemi Forcën Ajrore më të mirë në botë. Më bën shumë krenar.”

    Udhëheqësi më i lartë demokrat Hakeem Jeffries tha se Trump e ka “mashtruar vendin”, megjithatë.

    “Donald Trump premtoi të sillte paqe në Lindjen e Mesme. Ai nuk e ka përmbushur këtë premtim. Rreziku i luftës tani është rritur në mënyrë dramatike dhe unë lutem për sigurinë e trupave tona në rajon që janë vënë në rrezik”, tha Jeffrey në një deklaratë.

    Ndryshe, SHBA ka midis 40,000 dhe 50,000 trupa të stacionuara në rajon, të cilat pritet të vihen në gatishmëri të lartë pas sulmeve.

    IRGC u përgjigj duke thënë se kjo ka përshkallëzuar më tej atë që ka qenë një shkëmbim sulmesh me raketa dhe dronë nga Irani dhe Izraeli që nga e premtja e kaluar, duke u përshkallëzuar tani përtej konfliktit në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme.

    Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se e ka ngritur gjendjen e saj të gatishmërisë edhe më tej, duke anuluar të gjitha “aktivitetet edukative, tubimet dhe vendet e punës, përveç sektorëve thelbësorë”.

    Raportohet se vendimi i Trumpit për të përfshirë drejtpërdrejt SHBA-në vjen pas më shumë se një jave sulmesh nga Izraeli ndaj Iranit që synonin të zhduknin sistematikisht mbrojtjen ajrore të vendit dhe aftësitë ushtarake sulmuese, duke dëmtuar njëkohësisht objektet e tij të pasurimit bërthamor.

  • NATO thotë se po e vëzhgojnë nga afër situatën në Lindjen e Mesme

    NATO thotë se po e vëzhgojnë nga afër situatën në Lindjen e Mesme

    Një zyrtar i NATO-s i tha Reuters të dielën se Aleanca po e ndjek nga afër situatën pas sulmeve të SHBA-së në tre centralet kryesore bërthamore të Iranit.

    I pyetur në lidhje me reagimin e Aleancës ndaj sulmeve dhe çdo ndikim të mundshëm në misionin këshillimor jo-luftarak dhe të ndërtimit të kapaciteteve të NATO-s në Irakun fqinj.

    “Sigurisht që po e ndjekim situatën nga afër,” tha zyrtari, shkruan SkyNeWs.

  • SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Trump: Sulmi tjetër do të jetë më shkatërrues!

    SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Trump: Sulmi tjetër do të jetë më shkatërrues!

    Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump e ka paralajmëruar Iranin se tani duhet të “bëjë paqe” ose të përballet me sulme të ardhshme të SHBA-së.

    Pasi njoftoi sulmet shumë të suksesshme të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane në Fordoë, Natanz dhe Isfahan, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump iu drejtua kombit.

    Fjalimi i plotë:

    Pak kohë më parë, ushtria amerikane kreu sulme masive me precizion të lartë në tre objektet kryesore bërthamore të regjimit iranian: Fordoë, Natanz dhe Isfahan.

    Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite me radhë, ndërsa ata ndërtonin këtë ndërmarrje tmerrësisht shkatërruese. Objektivi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që përbënte shteti numër një në botë, sponsori i terrorizmit.

    Sonte, mund t’i raportoj botës se sulmet ishin një sukses spektakolar ushtarak. Objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar plotësisht. Irani, dhunuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe.

    Nëse nuk e bëjnë këtë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta.

    Për 40 vjet, Irani ka thënë: “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”.

    Ata kanë vrarë njerëzit tanë, duke ua hedhur në erë krahët, duke ua hedhur në erë këmbët me bomba buzë rrugës – kjo ishte specialiteti i tyre.

    Ne humbëm mbi një mijë njerëz dhe qindra mijëra të tjerë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën kanë vdekur si pasojë e drejtpërdrejtë e urrejtjes së tyre, në veçanti, shumë prej tyre u vranë nga gjenerali i tyre, Qassem Soleimani .

    E vendosa prej kohësh që nuk do ta lejoja këtë të ndodhte.

    Nuk do të vazhdojë.

    Dua të falënderoj dhe përgëzoj Kryeministrin Bibi Netanyahu.

    Ne punuam si një ekip si ndoshta asnjë ekip nuk ka punuar më parë, dhe kemi bërë një rrugë të gjatë për të zhdukur këtë kërcënim të tmerrshëm për Izraelin.

    Dua të falënderoj ushtrinë izraelite për punën e mrekullueshme që ka bërë dhe, më e rëndësishmja, dua të përgëzoj patriotët e mëdhenj amerikanë që drejtuan ato makina madhështore sonte, dhe të gjithë ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për një operacion të ngjashëm me të cilin bota nuk e ka parë prej shumë, shumë dekadash.

    Shpresojmë që nuk do të kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë cilësi. Shpresoj që të jetë kështu. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetarin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjeneralin Dan “Razin” Caine – gjeneral spektakolar – dhe të gjitha mendjet e shkëlqyera ushtarake të përfshira në këtë sulm.

    Me të gjitha këto që u thanë, kjo nuk mund të vazhdojë.

    Do të ketë ose paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin shumë më të madhe se ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit.

    Mbani mend, kanë mbetur shumë objektiva. Kjo e sotmja ishte më e vështira nga të gjitha deri më tani, dhe ndoshta më vdekjeprurësja, por nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i ndjekim ato objektiva të tjera me precizion, shpejtësi dhe aftësi. Shumica e tyre mund të eliminohen brenda pak minutash.

    Nuk ka ushtri në botë që mund ta kishte bërë atë që bëmë ne sonte, as afër. Nuk ka pasur kurrë një ushtri që mund të bënte atë që ndodhi pak kohë më parë.

    Nesër, Gjenerali Caine, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, do të mbajnë një konferencë për shtyp në orën 8 të mëngjesit (12:00 GMT) në Pentagon, dhe dua t’i falënderoj të gjithë, dhe në veçanti Zotin.

    Dua vetëm të them: “Ne të duam ty, Zot, dhe e duam ushtrinë tonë të shkëlqyer. Mbrojini ata.” Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme. Zoti e bekoftë Izraelin dhe Zoti e bekoftë Amerikën.

    Faleminderit shumë. Faleminderit.

  • Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së

    Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën e saj të 11-të në Prishtinë, ku Memli Krasniqi është rizgjedhur kryetar i partisë, si kandidati i vetëm për këtë post.

    Në fjalimin para delegatëve, Krasniqi kërkoi mbështetje për të vazhduar drejtimin e partisë, duke theksuar përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Ai tha se PDK synon të fitojë jo vetëm komunat aktuale, por edhe të tjera shtesë, përmes unitetit, programit zhvillimor dhe besimit qytetar.

    Ai gjithashtu ka reflektuar për rrugëtimin e tij në PDK, duke kujtuar vitin 2004, kur u bashkua me partinë dhe asokohe nuk e kishte menduar asnjëherë që do të arrinte të bëhej kryetar i PDK-së, një parti që ka qenë udhëhequr nga figura të njohura si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

  • Bajrami kritikon qeverinë për krizën energetike – akuzon për heshtje, mungesë transparence dhe import të shtrenjtë

    Bajrami kritikon qeverinë për krizën energetike – akuzon për heshtje, mungesë transparence dhe import të shtrenjtë

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në sektorin e energjisë, duke akuzuar Qeverinë për mungesë transparence dhe heshtje të plotë përballë krizës që, sipas saj, po rëndon mbi qytetarët.

    Në një postim në Facebook, ajo tha se aktualisht në Korporatën Energjetike të Kosovës, është funksional vetëm blloku A3 me kapacitet 110 megavatë, ndërsa akuzoi KOSTT-in për mospublikim të të dhënave ditore për ngarkesën.

    Sipas saj, importi i energjisë po kushton mbi një milion euro në ditë dhe po realizohet përmes Serbisë.

    Bajrami kërkoi hetim të plotë për të gjitha institucionet e përfshira në sektorin e energjisë dhe shprehu besimin se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj asaj që e cilësoi “mafia energjetike”.