ATV

Category: Lajme

  • Dhurata e çuditshme, Erdogan u jep pistoleta të personalizuara dhe kuti me municione liderëve në samitin e NATO-s

    Dhurata e çuditshme, Erdogan u jep pistoleta të personalizuara dhe kuti me municione liderëve në samitin e NATO-s

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u dhuroi udhëheqësve në samitin e NATO-s në Ankara një dhuratë të pazakontë – pistoleta dhe një kuti me municione luftarake.

    Një zëdhënës i qeverisë gjermane i tha DPA-së të mërkurën se revolveri i Merz-it i ishte dorëzuar ambasadës gjermane për t’iu nënshtruar procedurës ligjore të importit dhe më pas ishte përfshirë në mbledhjen e dhuratave zyrtare.

    Kryeministri britanik Keir Starmer u tha më herët gazetarëve në fluturimin për në shtëpi se Erdogan u kishte dhënë të gjithë udhëheqësve në samit të njëjtën dhuratë, me secilën armë të gdhendur me emrin e marrësit, raportuan The Guardian dhe Association Press.

    Sipas këtyre raportimeve, Starmer e la revolen e tij në Turqi për t’u çaktivizuar, megjithëse Erdogan bashkëngjiti një dokument që hiqte dorë nga kufizimet e eksportit. Importimi i armës në Mbretërinë e Bashkuar, në fakt, do të shkelte ligjet strikte të armëve të zjarrit të Mbretërisë së Bashkuar.

    Zyra e Presidentit turk nuk i është përgjigjur ende një pyetjeje nga agjencia DPA në lidhje me dhurimin e armëve.

  • ​Kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit me mbi 20 tonë

    ​Kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit me mbi 20 tonë

    Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Dimal Basha, ka marrë vendim për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.

    “Ky vendim përcakton temperaturat dhe intervalet kohore kur aktivizohen kufizimet:

    Në autoudhë kufizimi do të zbatohet në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale 32°C ose më e lartë, në intervalin 11:00–17:30.

    Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse kufizimi do të zbatohet në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale 35°C ose më e lartë, po ashtu në intervalin 11:00–17:30.

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të publikojë çdo ditë, pas orës 16:00, njoftimin zyrtar për zbatimin ose moszbatimin e kufizimeve për ditën pasuese, bazuar në parashikimin më të fundit të Institutit Meteorologjik të Kosovës.

    Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

  • Një valë e re e të nxehtit po godet Evropën – Ballkanin e presin temperatura mbi 40 gradë Celsius

    Një valë e re e të nxehtit po godet Evropën – Ballkanin e presin temperatura mbi 40 gradë Celsius

    Evropa po hyn në një periudhë të re të vapës ekstreme. Vala e të nxehtit që tashmë ka përfshirë jugperëndimin e kontinentit do të zgjerohet gradualisht gjatë kësaj jave drejt veriut dhe lindjes, ndërsa më pas do të përfshijë edhe Evropën Qendrore, Italinë dhe Ballkanin, shkruan Severe Weather Europe.

    Sipas parashikimeve më të fundit, një fushë e fuqishme e presionit të lartë atmosferik është vendosur mbi Evropën Perëndimore dhe Jugperëndimore. Ky sistem vepron si një “kapak”, duke bllokuar ajrin e nxehtë dhe duke penguar depërtimin e ajrit më të freskët nga Atlantiku. Për këtë arsye, Spanja, Portugalia dhe Franca prej disa ditësh po përballen me temperatura ekstreme.

    Temperaturat në këto vende janë 10 deri në 15 gradë Celsius më të larta se mesatarja për këtë periudhë të vitit, ndërsa në disa rajone ato kanë kaluar edhe 40 gradë Celsius.

    Pjesa më e madhe e ajrit të nxehtë ndodhet aktualisht mbi Evropën Perëndimore, por gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme vala e të nxehtit pritet të shtrihet drejt Evropës Qendrore, Italisë, Alpeve dhe Ballkanit.

    Në Ballkan pritet një rritje e ndjeshme e temperaturave. Në shumë zona ato mund të arrijnë në mesin dhe fundin e intervalit 30–39 gradë Celsius, ndërsa në disa vende mund të afrohen edhe me 40 gradë.

    Sipas parashikimeve, masa më e nxehtë e ajrit javën e ardhshme do të qëndrojë mbi Italinë jugore dhe pjesë të Ballkanit, ku temperaturat maksimale ditore mund të arrijnë nga 38 deri në 41 gradë Celsius. Sipas parashikimeve afatmesme, kjo valë nuk pritet të tërhiqet shpejt dhe mund të zgjasë deri në mesin e muajit korrik.

    Shkaku kryesor i kësaj vale të re të vapës është fenomeni i njohur si kupola e nxehtësisë (heat dome). Bëhet fjalë për një zonë me presion të lartë atmosferik që mbetet mbi një pjesë të madhe të kontinentit dhe nuk lejon shpërndarjen e ajrit të nxehtë.

    Ky sistem funksionon si një kapak mbi një tenxhere: ajri zbret drejt sipërfaqes së tokës, ngrohet edhe më shumë dhe e mban nxehtësinë të bllokuar pranë tokës.

    Kur një situatë e tillë zgjat për disa ditë ose javë, temperaturat mund të arrijnë nivele ekstreme. Gjatë natës shpesh nuk ka freski të mjaftueshme, veçanërisht në qytetet e mëdha. Për këtë arsye, në disa pjesë të Evropës tashmë po regjistrohen të ashtuquajturat net tropikale, kur temperatura nuk bie mjaftueshëm as gjatë natës për të freskuar njerëzit dhe ndërtesat.

    Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve po e thajnë gjithnjë e më shumë tokën. Severe Weather Europe thekson se në shumë pjesë të kontinentit toka tashmë është jashtëzakonisht e thatë, pas një fundi shumë të nxehtë të muajit maj dhe valës historike të të nxehtit në fund të qershorit.

    Për shkak të temperaturave të larta, lagështisë së ulët dhe avullimit të shpejtë, po rritet edhe rreziku për zjarre. Zjarre të mëdha tashmë janë regjistruar në Portugali, Spanjë dhe jug të Francës, ku temperaturat ditët e fundit kanë kaluar ndjeshëm 40 gradë Celsius.

    Nëse parashikimet realizohen, kushtet do të përkeqësohen edhe më shumë gjatë dy javëve të ardhshme. Në shumë pjesë të Evropës priten disa ditë radhazi me temperatura nga 35 deri në 40 gradë Celsius.

    Valët e gjata të të nxehtit janë veçanërisht të rrezikshme për të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike dhe ata që punojnë në ambiente të hapura.

    Ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta mund të shkaktojë dehidrim, lodhje nga nxehtësia dhe goditje termike. Rreziku rritet edhe më shumë kur netët mbeten shumë të nxehta dhe organizmi nuk arrin të freskohet.

    Një problem i veçantë janë temperaturat e larta në qytete, ku asfalti, betoni dhe ndërtesat e grumbullojnë dhe e mbajnë nxehtësinë për një kohë të gjatë. Për këtë arsye, ndjesia e vapës në zonat urbane mund të jetë edhe më e fortë sesa tregojnë termometrat.

  • Lëndohet një punëtor në Obiliq, rasti po hetohet

    Lëndohet një punëtor në Obiliq, rasti po hetohet

    Një person derisa ishte duke punuar ka pësuar lëndime trupore.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 14:00, në Obiliq.

    Tutje bëhet e ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

    “Obiliq 08.07.2026 – 14:00. Raportohet se ankuesi mashkull kosovar, derisa ishte duke punuar ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori me vendim të cilit është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhet në raport.

  • ​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

    ​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

    Numri i shkurorëzimeve në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.

    Gjatë vitit 2025, janë raportuar dhe regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 shkurorëzime që paraqet 46 raste më shumë sesa në vitin 2024 (ku ishin 2 mijë e 146 shkurorëzime) ose një rritje prej 2,1 përqind.

    Sipas komunës ku është regjistruar shkurorëzimi, numri më i madh i rasteve është evidentuar në Prizren me 192 shkurorëzime (8,8 përqind), pasuar nga Prishtina me 175 raste (8,0 përqind) dhe Peja me 163 raste (7,4 përqind), njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Sipas kohëzgjatjes së martesës, pjesa më e madhe e shkurorëzimeve i përkiste martesave që kishin zgjatur 5–9 vjet, me 627 raste, ose 28,6 përqind të numrit të përgjithshëm të shkurorëzimeve. Pas tyre renditen martesat me kohëzgjatje 10–14 vjet, me 297 raste, ose 13,5 përqind.

    Sipas grup-moshës, tek gratë numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në grup-moshën 25–29 vjeç, me 463 raste (21,1 përqind), ndërsa tek burrat në grup-moshën 30–34 vjeç, me 464 raste (21,2 përqind).

  • Bërnjak: Policia kontrollon një veturë me targa të Serbisë, gjen sprej dhe një thikë

    Bërnjak: Policia kontrollon një veturë me targa të Serbisë, gjen sprej dhe një thikë

    Policia ka bërë të ditur se ka kontrolluar një veturë me targa të Serbisë në Bërnjak.

    Bëhet e ditur se gjatë kontrolli është gjetur dhe sekuestruar një sprej dhe një thikë.

    “Policia gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit mashkull shtetas i Serbisë, ka gjetur dhe sekuestruar një sprej dhe një thikë. Në konsultim me prokurorin pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • Rritet sërish çmimi i naftës

    Rritet sërish çmimi i naftës

    Ministria e Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës për sot është 1.44 euro për litër, duke shënuar rritje prej 1 centi krahasuar me ditën e djeshme, kur ishte 1.43 euro për litër.

    Ndërkaq, çmimi maksimal i benzinës është 1.37 euro për litër, ndërsa ai i gazit 0.61 euro për litër.

  • Arrestohet një person në Milloshevë për kanosje me armë zjarri

    Arrestohet një person në Milloshevë për kanosje me armë zjarri

    Një person është arrestuar në Milloshevë të Obiliqit, pasi dyshohet se ka kanosur një qytetar duke i ekspozuar një armë zjarri.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 8 korrik rreth orës 12:52. Ankuesi, ka raportuar se i dyshuari e ka kanosur duke i treguar një pistoletë.

    Pas ndërhyrjes së policisë, i dyshuari është arrestuar, ndërsa gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me nëntë fishekë, një leje e armës për shenjëtari si dhe një libër për evidentimin e lëvizjes.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • 6 kandidatë kualifikohen për t’u intervistuar për drejtor të RTK’së, bordi publikon emrat

    6 kandidatë kualifikohen për t’u intervistuar për drejtor të RTK’së, bordi publikon emrat

    Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar për intervistim në konkursin publik për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

    Sipas dokumentit të nënshkruar nga kryetari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, pas hapjes së dosjeve të aplikantëve, shqyrtimit fillestar dhe rishqyrtimit të dokumentacionit, si dhe verifikimit përfundimtar të përmbushjes së kushteve të konkursit, janë kualifikuar gjashtë kandidatë.

    Në listën e publikuar bëjnë pjesë:

    Lorik Arifaj

    Antigonë Baxhaku

    Hysen Hundozi

    Arber Geci

    Nexhmedin Spahiu

    Zana Spahiu

    RTK ka bërë të ditur se kandidatët e përfshirë në listë do të njoftohen përmes postës elektronike për fazën e intervistimit, ku do të marrin detajet lidhur me datën, orën dhe vendin e mbajtjes së intervistës.

    Ndërkohë, kandidatët që nuk janë përfshirë në këtë listë do të njoftohen po ashtu me email për rezultatin përfundimtar të verifikimit të dokumentacionit dhe arsyet e mospërmbushjes së kushteve të konkursit.

  • Mbyllet përkohësisht qarkullimi në rrugën Brezovicë – Prevallë, do të asfaltohet një segment rrugor

    Mbyllet përkohësisht qarkullimi në rrugën Brezovicë – Prevallë, do të asfaltohet një segment rrugor

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të mbyllet përkohësisht qarkullimi në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë, konkretisht në pjesën Fushë e Pajtimit – Prevallë.

    Qarkullimi do të ndërpritet nga ora 08:00 deri në orën 18:00 për shkak të punimeve të asfaltimit, të cilat po realizohen në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale, tha Ministria.

    “Mbyllja do të realizohet për shkak të punimeve të asfaltimit në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale, ku do të asfaltohet një segment rrugor me gjatësi prej 1,050 metrash”, thuhet në njoftim.

    Ministria bëri të ditur se mbyllja e përkohshme është “e domosdoshme për të mundësuar zhvillimin e punimeve në kushte të sigurta, për mbrojtjen e pjesëmarrësve në komunikacion dhe për garantimin e cilësisë së punimeve”.

    “Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre me kohë, të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm dhe udhëzimet e autoriteteve në terren. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftim.