ATV

Category: Lajme

  • Kosova uron ShBA-në në 249-vjetorin e Pavarësisë

    Kosova uron ShBA-në në 249-vjetorin e Pavarësisë

    Liderët shtetërorë dhe politikë të Kosovës kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani, në një postim në Facebook, ka theksuar se urimi vjen “nga populli më pro-amerikan në botë”, duke nënvizuar lidhjet historike dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar presidentin dhe popullin amerikan, duke e cilësuar miqësinë me Amerikën si një shtyllë të rëndësishme në ruajtjen e paqes, mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe përpjekjeve të përbashkëta për demokraci dhe liri.

    Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar SHBA-në si “shtyllën e lirisë së Kosovës” dhe një mik të përhershëm që ishte pranë vendit në ditët më të vështira.

    Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar miqësinë me Amerikën si një themel historik dhe vizion politik të pandryshueshëm për shtetin e Kosovës.

    Urim për këtë ditë ka përcjellë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se SHBA është aleate historike dhe mike e pazëvendësueshme për popullin e Kosovës.

    Ndërkohë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka kujtuar kontributin e Shteteve të Bashkuara si një nga 33 shtetet pjesëmarrëse me trupa në kuadër të këtij misioni paqeruajtës, duke theksuar rolin e tyre kyç në ruajtjen e stabilitetit në vend.

    Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara festohet më 4 korrik në përkujtim të ratifikimit të Deklaratës së Pavarësisë më 1776, që shënoi lindjen e një shteti të ri demokratik.

    Tradicionalisht, kjo ditë kremtohet me parada, tubime publike dhe fishekzjarrë në të gjithë vendin.

  • Murat Dernjani dënohet me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

    Murat Dernjani dënohet me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 20 vjet burgim Murat Dernjanin, i shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit gjatë kohës sa vepronte në Siri dhe Irak. Vendimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Violet Namani Hajra.

    Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe për mbrojtjen e të dëmtuarve. Gjykata ka konstatuar se dëshmitë e paraqitura nga viktimat dhe dëshmitarët ishin të qarta, të ndërlidhura dhe të besueshme.

    Sipas aktgjykimit, Dernjani është identifikuar si përgjegjës për akte dhune gjatë kohës sa vepronte në Siri dhe Irak, në kuadër të organizatës terroriste ISIS.

    Gjykata ka vërtetuar se veprimet e tij përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kujtojmë se ai ishte dënuar më herët me 5 vjet burg për terrorizëm, në janar të vitit 2019.

  • Presidentja Osmani: Nëse s’ka konstituim të Kuvendit brenda 30 ditësh do të ketë pasoja juridike

    Presidentja Osmani: Nëse s’ka konstituim të Kuvendit brenda 30 ditësh do të ketë pasoja juridike

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, deputetët do të përballen me pasoja juridike.

    Ajo bëri të ditur se nëse nuk ndodh përmbushja e këtij detyrimi kushtetues “shumë shpejt” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim.

    Osmani e cilësoi afatin e përcaktuar nga Kushtetuta si të detyrueshëm dhe jo opsional, duke theksuar se shkelja e tij nuk mund të kalojë pa pasoja.

    “Kemi pasur takime të mira, por natyrisht që partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim. Ka disa gjëra që mund të ketë afrim. Bllokada e tanishme te lloji i votimit është shumë, shumë jo racionale. I kemi edhe dy ose tri lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese rreth mënyrës së votimit. Nuk e di nëse në këto lëndë është kërkuar masë e përkohshme që të mos ecë afati, nëse nuk ka masë të përkohshme për mosrrjedhjen e afatit, neve na kanë mbetur më pak se 25 ditë dhe aktgjykimi i Gjykatës nuk e lejon si opsionale konstituimin brenda 30 ditësh, por e qartësoj duke marrë për bazë edhe interpretime të shteteve të ndryshme në sistem të ngjashëm kushtetues, e sa herë që kjo është e detyrueshme. Ajo çka e kam përmendur është që kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, do të thotë se moskryerja e detyrimit nuk ec pa pasoja – do të ketë pasoja juridike. Nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë: mirë, pas 30-ditësh vazhdoni njësoj. Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Unë planifikoj, në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim, lidhur me atë se çka pas 30 ditësh, sepse dua të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, theksoi Osmani.

  • Komuna mbyll disa parkingje pa leje në Prishtinë

    Komuna mbyll disa parkingje pa leje në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë veprime për mbylljen e disa parkingjeve që, sipas saj, kanë funksionuar pa leje në kryeqytet.

    Aksioni është zhvilluar mëngjesin e sotëm.

    Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka deklaruar se përmes këtij veprimi po lirohen hapësira publike që, sipas tij, kanë qenë të uzurpuara ilegalisht për vite me radhë nga parkingje private.

    Në një postim në Facebook, kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se veprimet e ndërmarra synojnë kthimin e hapësirave publike për qytetarët.

    Sipas Ramës, këto masa janë pjesë e angazhimit të komunës për të siguruar qasje më të lirë në hapësirat publike.

  • Krasniqi: ShBA, shtylla e lirisë sonë – Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse

    Krasniqi: ShBA, shtylla e lirisë sonë – Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar miqësinë e palëkundur mes dy vendeve dhe rolin vendimtar të SHBA-së në lirinë dhe shtetformimin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Sot festojmë bashkë me një mik të madh. Një aleat të vërtetë. Një shtet që na doli krah në ditët më të vështira dhe ishte me ne në ditët më të mira”, shkroi Krasniqi në një postim në rrjetet sociale.

    Ai theksoi se për Kosovën dhe popullin e saj, SHBA është shumë më tepër se një partner.

    “Është shtylla e lirisë sonë dhe shembulli më i mirë i demokracisë që frymëzon çdo ditë popujt e lirë,” u shpreh lideri i PDK-së.

    Krasniqi theksoi se PDK është krenare për këtë aleancë dhe e përkushtuar ta forcojë më tej.

    “PDK është krenare për këtë miqësi – dhe e vendosur ta thellojë më tej – vit pas viti.”

    Ai e përmbylli urimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët amerikanë.

    “Urime SHBA! Urime të gjithë qytetarëve amerikanë, në Kosovë dhe kudo në botë! Gëzuar 4 Korriku!”.

  • FSK-së i shtohen kadetët e rinj, diplomon Gjenerata e 2025-ës

    FSK-së i shtohen kadetët e rinj, diplomon Gjenerata e 2025-ës

    Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është duke u mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Në këtë ngjarje po marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe familjarë e mysafirë të shumtë.

    Presidentja Vjosa Osmani vlerësoi përkushtimin dhe gatishmërinë e kadetëve për t’i shërbyer vendit me nder dhe përgjegjësi.

    “Nuk ka nder më të madh sesa t’i shërbehet atdheut me zemër, betim dhe uniformë,” tha Osmani, duke theksuar se ceremonia shënon fillimin e një përgjegjësie të shenjtë.

  • Studentët paralajmërojnë bllokada në qytetet kryesore në Serbi, protestojnë ndaj dhunës policore dhe kërkojnë zgjedhje të reja

    Studentët paralajmërojnë bllokada në qytetet kryesore në Serbi, protestojnë ndaj dhunës policore dhe kërkojnë zgjedhje të reja

    Studentët në Serbi kanë nisur sot një bllokadë të plotë të Beogradit dhe qyteteve të tjera të mëdha, në shenjë proteste ndaj dhunës dhe arrestimeve nga policia.

    Në një faqe online, ata kanë bërë thirrje për mosdhunë dhe për zhvendosje pa rezistencë në rast të ndërhyrjes së forcave të rendit.

    Si arsye të protestës përmendet dhuna ndaj studentëve ditët e fundit dhe tentimi i policisë për të hyrë me forcë në Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, presidenti Aleksandar Vuçiç e ka cilësuar bllokadën si veprim të paligjshëm që shkel Kushtetutën dhe Kodin Penal.

    Bllokadat janë planifikuar të zhvillohen në të njëjtën kohë në dhjetëra pika të qyteteve, si pjesë e një reagimi të organizuar nga studentët dhe qytetarët, të cilët kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare.

  • Arrestohen 4 persona për sulm fizik në Mitrovicë, dy viktima marrin trajtim mjekësor

    Arrestohen 4 persona për sulm fizik në Mitrovicë, dy viktima marrin trajtim mjekësor

    Katër persona janë arrestuar në Mitrovicën e Jugut pas një incidenti fizik të ndodhur të mërkurën paradite.

    Të dyshuarit, tre meshkuj dhe një femër, dyshohet se kanë sulmuar një burrë dhe një grua pas një mosmarrëveshjeje.

    Sipas Policisë, si pasojë e sulmit, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor për lëndime të lehta trupore. Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndaluar të dyshuarit.

    Me vendim të prokurorit të rastit, dy prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për rrethanat e konfliktit janë duke vazhduar.

  • Presidentja Osmani uron ShBA-në për Ditën e Pavarësisë: “Nga populli më pro-amerikan në botë”

    Presidentja Osmani uron ShBA-në për Ditën e Pavarësisë: “Nga populli më pro-amerikan në botë”

    Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se urimi vjen “nga populli më pro-amerikan në botë”, duke theksuar lidhjet e ngushta dhe historike ndërmjet dy vendeve.

    Urime për këtë ditë kanë shprehur edhe misioni i NATO-s në Kosovë dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. KFOR-i ka kujtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga 33 shtetet që kontribuon me trupa në misionin paqeruajtës në Kosovë, ndërsa Haradinaj e ka cilësuar SHBA-në si aleate historike dhe mike të pazëvendësueshme për Kosovën.

    Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet më 4 korrik, në përkujtim të ratifikimit të Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776. Festa kombëtare në SHBA tradicionalisht përcillet me parada, tubime publike dhe fishekzjarrë, duke simbolizuar lindjen e një shteti të ri demokratik.

  • Gjendet e vdekur një grua në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë gjatë orëve të mesditës, në një rast që është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” nga autoritetet.

    Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje, rreth orës 13:46.

    Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet përkatëse, ku është konstatuar vdekja e viktimës nga ekipi mjekësor.

    Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes janë duke vazhduar.