ATV

Category: Lajme

  • LDK dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale

    LDK dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale

    Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, dorëzuan sot në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale.

    Zogaj dhe Mustafa theksuan se ky vendim konfirmon se Qeveria në dorëheqje, e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk ka pasur të drejtë të miratonte akte nënligjore të reja.

    Ata shtuan se veprimi i Ministrit Murati për miratimin e udhëzimit administrativ ishte jashtë kompetencave të Qeverisë në dorëheqje dhe se ky akt nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

  • E reja nga Malisheva raporton dhunë nga bashkëshorti dhe vjehrri

    E reja nga Malisheva raporton dhunë nga bashkëshorti dhe vjehrri

    Një rast i dhunës në familje është raportuar dje në Malishevë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin dhe vjehrrin për ushtrim dhune fizike ndaj saj.

    Viktima me inicialet L.M., 26 vjeçe, ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në banesën familjare dhe ka kërkuar mbrojtje. Sipas raportimeve, bashkëshorti me inicialet H.M., 33 vjeçar dhe vjehrri me inicialet Q.M., 54 vjeçar, janë dyshuar për dhunën ndaj saj.

    Viktima ka marrë një raport mjekësor për lëndimet e pësuara dhe është dërguar për strehim tek prindërit e saj pas marrjes në pyetje nga hetuesit.

    Prokurori Kujdestar ka iniciuar rastin për “Dhunën në familje” dhe ka urdhëruar lirimin e dyshuarve në procedurë të rregullt.

  • Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: E presim me padurim lirimin e tyre të pafajshëm

    Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: E presim me padurim lirimin e tyre të pafajshëm

    Pas vendimit nga gjykata e dhomave të specializuara për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, ka reaguar kryetari i partisë demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi theksoi se ky vendim përfaqëson një mundësi të humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

    Ai tha se është i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen dhe se e vërteta do të dalë gjithmonë në shesh.

    Krasniqi ka theksuar se ata janë të pafajshëm dhe çlirimtarë të popullit, dhe se krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për Kosovën mbeten të pathyeshme përjetësisht.

  • Pejë: I riu sulmon fizikisht babanë, një tjetër përfundon në spital

    Pejë: I riu sulmon fizikisht babanë, një tjetër përfundon në spital

    Një rast i dhunës në familje ka ndodhur dje në fshatin Jabllanicë e Leshanit në Pejë, ku një përleshje mes anëtarëve të familjes ka përfunduar me lëndime fizike serioze.

    Policia ka marrë njoftimin rreth orës 16:00 dhe menjëherë dhe ka intervenuar për të qetësuar situatën.

    Sipas informacioneve, i dyshuari B.D., 21 vjeç dhe motra e tij A.D., 22 vjeç, janë përfshirë në një konflikt fizik me prindërit e tyre, ku babai A.D., 49 vjeç, ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa nëna V.D., 44 vjeç, ka marrë lëndime të dukshme.

    Të gjithë janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.

    Pavarësisht lëndimeve, viktimat kanë deklaruar se nuk ndihen të rrezikuar dhe kanë kërkuar të kthehen në shtëpi.

    Ndërkohë, ndaj të dyshuarit me inicialet B.D. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe hetimet për rastin po vazhdojnë.

  • Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Gjykata e Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar parashtrimin e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, për t’i hequr nga aktakuza të gjitha incidentet, që sipas mbrojtjes, binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999, do ta fragmentonte rastin.

    Ai gjithashtu theksoi se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtimin e aktakuzës si tërësi dhe jo të pikave të veçanta , siç ka bërë mbrojtja.

    Pas rrëzimit të mocionit të mbrojtjes nga trupi gjykues, seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të Mbrojtësit të Viktimave.

  • Vdekje e dyshimtë në Bresalc, Policia nis hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Bresalc, Policia nis hetimet

    Vazhdojmë me lajme të tjera të ditës. Një ngjarje e rëndë është raportuar të martën në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj.

    Policia ka njoftuar se rreth orës 17:30, është raportuar për një trup të pajetë në një shtëpi private në rrugën “Mursel Rexhi”.

    Viktima identifikuar me inicialet V.D., një grua 66-vjeçare, është gjetur e shtrirë në oborr pasi ishte nxjerrë nga familjarët.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë, mjekësia emergjente dhe forenzika, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e saj.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për të zbardhur rrethanat e vdekjes.

  • Haradinaj takohet me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

    Haradinaj takohet me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me Karen Pierce, të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe integrimin euroatlantik të vendit.

    Haradinaj vlerësoi rolin jetik që Mbretëria e Bashkuar ka pasur, jo vetëm në procesin e çlirimit të Kosovës, por edhe në zhvillimin e saj pas luftës. Ai theksoi se Britania e Madhe mbetet edhe sot një ndër faktorët kyç të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.

    “Mirënjohës për angazhimin e znj. Pierce dhe për përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës”, u shpreh Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook, pas takimit.

  • Ministrat e BE-së e diskutojnë marrëveshjen me Izraelin për t’i rritur ndihmat për Gazën

    Ministrat e BE-së e diskutojnë marrëveshjen me Izraelin për t’i rritur ndihmat për Gazën

    Bashkimi Evropian po kërkon përditësime nga Izraeli për zbatimin e një marrëveshjeje të re për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës, tha të martën shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.

    Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së takohen sot në Bruksel, pas një marrëveshjeje të re për ndihmat në Gazë, e cila është arritur kryesisht nga Kallas dhe ministri i jashtëm izraelit, Gideon Saar.

    Saar u takua me liderët e BE-së të hënën, pasi javën e kaluar u pajtua të lejojë hyrjen e ushqimit dhe karburantit të domosdoshëm në enklavën bregdetare me 2.3 milionë banorë.

    “Ne kemi arritur një mirëkuptim të përbashkët me Izraelin për të përmirësuar vërtet gjendjen në terren, por nuk ka të bëjë me dokumentin, por me zbatimin e tij”, tha Kallas para takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme.

    “Përderisa gjendja nuk është përmirësuar vërtet, atëherë nuk kemi bërë mjaftueshëm”, shtoi ajo, duke bërë thirrje për armëpushim.

    Hollësitë e marrëveshjes mbeten ende të paqarta, por zyrtarët e BE-së kanë hedhur poshtë çdo bashkëpunim me Fondin Humanitar të Gazës të mbështetur nga Izraeli për shkak të shqetësimeve etike dhe të sigurisë.

    Hapja e më shumë pikave kufitare dhe lejimi i më shumë kamionëve me ndihma për të hyrë në Gazë është prioritet, por zyrtarët thonë se përfundimisht duan të krijojnë një pikë vëzhgimi në pikën kufitare Kerem Shalom.

    Shtete evropiane si Irlanda, Holanda dhe Spanja po bëjnë gjithnjë e më shumë thirrje për rishikim të marrëdhënieve të BE-së me Izraelin pas luftës në Gazë.

    Një raport i Komisionit Evropian gjeti “tregues” se veprimet e Izraelit në Gazë po shkelin detyrimet për të drejtat e njeriut të përfshira në marrëveshjen që rregullon marrëdhëniet me BE-në, por blloku është i ndarë për mënyrën se si të veprojë në këtë rast.

    Presioni publik për sjelljen e Izraelit në Gazë e bëri të mundur këtë marrëveshje të re humanitare edhe pa armëpushim, tha ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp.

    “Ajo forcë e 27 shteteve anëtare të BE-së është ajo që dua ta ruaj tani”, tha ai.

    Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno, tha se hollësitë e marrëveshjes po diskutohen ende dhe se BE-ja do t’i vëzhgojë rezultatet për të parë nëse Izraeli po e zbaton marrëveshjen.

    “Nuk e dimë nëse do të dimë si funksionon”, tha ai. “Është shumë e qartë që kjo marrëveshje nuk është fundi. Ne duhet ta ndalim luftën”.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – e sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 251 të tjerë.

    Shumica e pengjeve janë liruar gjatë armëpushimeve të mëparshme.

    Prej atëherë, lufta e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 58.000 palestinezë, mbi gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

    BE-ja ka parë hyrjen e disa kamionëve me ndihma në Gazë, por “jo mjaftueshëm”, tha Hajda Lahbib, komisionarja e BE-së për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave.

    “Situata është ende shumë e rrezikshme, shumë e dhunshme, me bombardime që vazhdojnë në terren, kështu që partnerët tanë humanitarë nuk mund të veprojnë. Ky është realiteti, kemi nevojë për një armëpushim”, tha ajo.

  • Supremja shpall të paligjshëm udhëzimin administrativ të Muratit për arkat fiskale

    Supremja shpall të paligjshëm udhëzimin administrativ të Muratit për arkat fiskale

    Gjykata Supreme e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.

    Udhëzimi administrativ, i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave më 15 prill të këtij viti, është shpallur i jashtëligjshëm.

    Aktgjykimi është nxjerrë më 7 korrik nga një kolegj i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi.

    Gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, kompanive Enternet dhe Service Global, të cilat merren me shitjen dhe servisimin e arkave fiskale, raporton Paparaci. Lëndën në gjykatë për palën paditëse e ka përfaqësuar avokati Virtyt Ibrahimaga.

    “APROVOHET e themeltë kërkesëpadia e paditësve: Enternet Shpk me numër unik identifikues 811557266, me seli në Rrafshi i Kosovës, nr.80, Prishtinë, dhe Konsorciumi Service Global, me numër unik identifikues 602193427, me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me seli në Prishtinë”, thuhet në pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit.

  • “5 gjermanë kanë ble banesa në Drenicë”

    “5 gjermanë kanë ble banesa në Drenicë”

    Fatmir Seferi është një ndër sipërmarrësit më të suksesshëm shqiptarë që jeton dhe vepron në Gjermani. Ai është pronar i disa hoteleve dhe restoranteve, të cilat përbëjnë një pjesë të pandashme të suksesit të tij në fushën e biznesit. Përveç gastronomisë, Seferi është aktiv edhe në fushën e ndërtimit dhe investimeve, ku së fundmi ka ndërmarrë një projekt transformues në qytetin e Skenderajt.

    Në një intervistë për emisionin “Libero” në ATV, Fatmir Seferi foli për rrugëtimin e tij drejt suksesit, sakrificat dhe sfidat që ka kaluar që nga mosha e hershme.

    Gjatë bisedës, Seferi ndau historinë e tij personale dhe profesionale, duke rrëfyer sfidat me të cilat u përball kur u largua nga Kosova në moshën 17-vjeçare, për të ndërtuar një jetë të re në Gjermani.

     “Nuk kam rënë në duar të policisë dhe deri në destinacionin e duhur kam shkuar pa asnjë telashe me policinë apo me policinë kufitare. Fillimi ishte i vështirë. Nuk dinim asgjë për fatin e pjesës tjetër të familjes në Kosovë, nuk kishim kontakt, ” u shpreh ai.

    Ai gjithashtu tregoi se filloi punën e parë si kamarier në një restorant në Gjermani. Me shumë përkushtim dhe ambicie, ai përparoi shpejt dhe mori rolin e drejtuesit të lokalit. Pikërisht aty lindi ideja për të ndërtuar diçka të vetën, së bashku me vëllezërit e tij.

    “Në vitin 2000 u punësova si kamarier në një restorant që sot është në pronësinë time. Pas 6 muajve pata fatin dhe mora udhëheqësinë e atij restoranti. Aty mora përvojën dhe thashë me vete: ‘Po nëse punën po ja kryejmë gjermanëve, pse të mos e bëjmë për vete?’ Erdhi rasti dhe u bashkuam me vëllain e madh, e sollëm edhe vëllain e vogël nga Kosova dhe filluam biznesin tone,” tha Fatmiri

    Në fund të intervistës, Seferi ndau edhe një fakt interesant ku tha që 5 gjermanë kanë blerë banesa në Skenderaj.

    “Pesë gjermanë tashmë kanë blerë banesa në Skenderaj. Qytetarët e shteteve evropiane – gjermanët, italianët dhe holandezët – pasi mbarojnë karrierën ose dalin në pension, duan të jetojnë në vende të tjera. Unë besoj se pas investimeve që do të ndodhin në Kosovë, Drenicë dhe Skenderaj, çmimet e pronave pas 10 vitesh do të dyfishohen,” shtoi Seferi.

    Vlen të theksohet se krahas angazhimit në sipërmarrje, Fatmir Seferi është i njohur edhe për pasionin e tij ndaj veturave luksoze. Koleksioni i tij përfshin disa nga makinat më të shtrenjta në botë – një pasion që buron nga dashuria për dizajnin, performancën dhe ndjesinë e ekskluzivitetit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Fatmir Seferi, klikoni linkun e mëposhtëm: